Von Der Leyen deklaron se në një kohë të shkurtër do bëhet riarmatim i Europës me një fond prej 800 miliard eurosh.
Makron deklaron se vendet e tjera europiane mund të mbrohen prej arsenalit bërthamor të Francës dhe njëkohësisht nënvizon nevojën për riarmatim.
Starmer deklaron për një rritje substanciale të shpenzime për mbrojtje (luftë).
E kështu me rradhë gjithë vendet e mëdha dhe të mesme perëndimore.
Duket se të gjithë kanë rënë në grackën e Trump, që i kërcënon me një tërheqje nga nyja 5 e NATO-s (sulmi ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve) nëse anëtarët nuk shpenzojnë për qçllime ushtarake 5% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Po si arritën qeveritë e vendeve europiane, që të mposhtin opinion e tyre publik, që ka disa dhjetvjeçarë, që është kundër çdo lloj lufte dhe pro reduktimit të shpenzimeve ushtarake?
Cili është rreziku i një sulmi ushtarak ndaj vendeve europiane?
A kanë rol qarqet industrialo-militare në këto vende për rritjen e industrisë ushtarake, e cila financohet nga paratë e taksapaguesve?
Në përgjigje të këtyre tre pyetjeve, mund të përmenden “rreziku Putin”, “fenomeni Trump”, solidariteti me Ukrainën dhe disa argumente të tjera të ngjashme.
E megjithatë mua më duket se në rrënjët e këtij problemi janë dështimi i diplomacisë europiane dhe njëkohësisht korporatat që duan të bëjnë ca para “të kollajshme” duke prodhuar raketa, dronë, tanke dhe aeroplanë.
Diplomacia europiane ka dështuar vazhdimisht në 20 vitet e fundit, sepse i është nënshtruar diktatit amerikan. Europa kishte një ide naive, që rreziku i vinte kryesisht nga Rusia dhe SHBA do ishte garantuesi i mbrojtjes së kontinenetit të vjetër nga rreziku rus! Por edhe nëse pranojmë se Putin mund të ketë pasur prirje për të kthyer ndikimin rus mbi ish republikat sovjetike, që tashmë janë pjesë e bashkimit Europian apo edhe ndaj Ukrainës dhe Moldavisë, nuk kishte asnjë mundësi që vendet e tjera europiane, duke nisur nga Polonia dhe Finlanda mund të ishin subjekte të një sulmi të armatosur rus. Nuk kishte asnjë logjikë gjeopolitike, ekonomike apo ushtarake. Fakti që Rusia dështoi të pushtonte Ukrainën në dy javë, është një nga faktet , që Rusia nuk kishte kapacitet ushtarak të sulmonte vendet europiane, që nuk kanë qënë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Për më tepër nuk kishte asnjë logjikë ekonomike për sulme ushtarake të këtij lloji.
Ajo çka i duhet Putinit më shumë është mposhtja e opozitës së tij të brendshme për të shijuar sa më gjatë pushtetin dhe paratë që ka grumbulluar.
Eshtë i njohur fakti se edhe zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe në Gjeorgji ishte diçka që imponohej nga amerikanët dhe vendet europiane nuk ishin entuziaste për to. Kështu që Europa dështoi të bënte përpjekje diplomatike për të pasue marëdhënie të mira me Rusinë (nga shumë burime natyrore të së cilës përfitonte), por të ndiqte linjën e Uashingtonit për marëdhënie “të ashpra” me Rusinë.
Tashmë, që politika amerikane ka ndryshuar thuajse 180 gradë, vendet europiane i ka kapur paniku dhe ose do rrisin buxhetin ushtarak duke blerë më shumë armatime nga “shitësi” Trump, ose do investojnë në industrinë ushtarake dhe të prodhojnë vetë më shumë raketa, drone, tanke dhe aeroplanë bombardues. Të gjitha këto në kurriz të politikave sociale dhe shkurtimeve në investimet në infrastrukturë, nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët europianë.
Kjo frymë militarizimi të kujton periudhat para dy luftërave botërore. Për fat të mirë, nuk ka kontradikta ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian, por nëse të gjithë jetojnë nën panikun dhe frymën e një lufte të mundshme, nuk është e pamundur që një ditë të bukur, ata që prodhojnë paisje luftarake të “imponojnë“ që ato të përdoren për të prodhuar vazhdimisht të tjera.
C’mund të bëjë shoqëria europiane në këtë situatë?
Në rradhë të parë duhet luftuar histeria militariste dhe të bëhet presion ndaj qeverive për tu gjetur një gjuhë diplomatike me Rusinë, duke i ofruar në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse shoqërisë ruse degën e ullirit. Edhe duke theksuar se nuk janë më vasalë të bindur të Amerikës.
Gjuha denigruese ndaj qeverisë ruse dhe Rusissë në përgjithësi duhet korrigjuar, sepse duhet bërë diferenca mes Putinit dhe rrethit të tij të ngushte dhe shoqërisë ruse.
Nëse Trump është pro-Putin, Europa duhet të dëshmojë se është pro-Rusisë.
A do sakrifikohet Ukraina kështu?
Nuk mendoj se do sakrifikohet, por tashmë një neutralitet i saj dhe përfshirja në një afat dy-tre vjeçar në Bashkimin Europian mund të jetë mënyra më e mirë për të shpëtuar Ukrainën, por edhe Europën nga çmenduria.

No comments:
Post a Comment