Saturday, 13 December 2025

Fund tetori

Mbetur mes një trotuari të ftohtë tetori,

Dhe gërvishtjeve të një harku violine,

Mbi tela të keqtendosur.

Plagët deti i kripur dot s’i përthan,

Janë të thella,

Vragët e zemrës së plagosur,

Kaq tmerrësisht të ndryshme

Nga hijeshia e një rime.

Krejt i prishur ritmi i rrokjeve

Dhe cipa e timpanit ku dikur trokisja,

Sa shpejt erdhën thatësia dhe fundi,

Sa të zbehta tingëllimat,

E largët nisja

I kotë mundi.

Në kët breg të shkretë leshterikë mbushur,

Një thirrje e shurdhët.

Më nxorri.

Më la mbetur mes gërvishtjes të një violine

Dhe një trotuari të ftohtë tetori.

Friday, 12 December 2025

Dy Frenkët e Arkitekturës



Para disa ditësh mbylli sytë Frenk Geri (Grank Gehry) arkitekti më i fmashëm mes të gjallëve. Edhe me ndikimin më të madh tek brezat e arkitektëve.

Gjatë këtyre ditëve çshtë shkruar shumë për poezinë e tij arkitekturore dhe unë nuk kam ç’farë të shtoj qoftë dhe në mënyrë modeste. Dua vetëm të krahasoj efektin që pati vepra e tij, mr atë të veërës së një tjetri gjeni të arkitekturës – Frenk Lloid Rajt (Frank Lloyd Wright).

Janë dy qasje thellësisht revolucionare dhe krejt të shkëputura nga veprat e tjera arkitekturore të kohëve të tyre.

Dekonstruktivizmi i Gerit (edhe pse vetë nuk e pranonte këtë kategorizim të veptës së tij) la gojëhapur rrethet arkitekturore në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, sepse dallohej edhe nga rrymat e tjera postmoderniste, pë përmendur faktin që në të njëjtën kohë shumë arkitektë ende projektonin vepra të arkitekturës brutaliste. Në të njëjtën mënyrë, pat shokuar Vila mbi ujëvarë (vepër tipike e arkitekturës organike) në vitin 1934, të njëjtat rrethe që ishin të përqëndruar në arkitekturën moderne, të cilën e quanin si fjalën e fundit dhe të pakapërcyeshme të arkitekturës së shekullit të XX.

Ashtu si më parë Rajti, Geri e sheh ndërtimin të larguar nga ligjet e ngurta të statikës dhe përllogaritjeve matematikore si dhe kufizimeve që sjell funksioni utilitar, por të frymëzuar nga ligjet e estetikës që ekzistojnë në natyrë si dhe prirja për të dhënë vepra arkitekturo-skulturore. Veçanërisht tek Geri vdes maksima e famshme “Forma ndjek funksionin” (Form follows function).

Tek të dy mund të hasësh atë që do e quaj “komplksin e të qënit Perëndi”, nga mënyra se si operojnë me krijimin e formave dhe të hapësirave. Të duket se ndjehen në kohën e Gjenezës, atëhere kur Zoti brenda një jave krijonte Gjithësinë me planetet, Tokën me detet, lumenjte, malet dhe luginat. Këtë ndjej kur shikoj veprat më të mira të të dyve.

Ka shumë përkime të vogla e të mëdha në jetët e të dyve.

Të dy janë arkitektët amerikanë më europianë. (Edhe pse u lind në Toronto dhe u largua prej saj kur ishte 18 vjeç. për shkak të arsimimit dhe të studiove të tij nuk mund ta quaj Gerin kanadez.) Ky përcaktim i imi niset nga fakti, që rrethet artistike europiane kanë qënë gjithnjë më të hapura ndaj rrymave të ndryshme të artit. Në Europë është eksperimentuar më shumë në arkitekturë. E megjithatë dy më të mirët janë formuar në SHBA dhe kanë punuar atje.

Geri ishte 67-68 vjet kur projektoi kryeveprën e tij Muzeu Gugenhajm i Bilbaos, dhe po aq ishte Rajti kur projektoi Vilën mbi ujëvarë.

Kryeveprat gati magjike, Muzeu i Bilbaos dhe ai i Nju Jorkut, lidhen të dyja me fondacionin Solomon Gugenhajm (Solomon Guggenheim). Tek të dyja nuk di nëse të mrekullojnë më shumë veprat e artit që ndodhen brenda tyre, apo arkitektura e interiereve dhe eksteriereve.

Geri dhe Rajti nuk u mjaftuan vetëm me projektimin e veprave arkitekturore, por edhe të shumë sendeve duke nisur nga bizhutë dhe deri tek shishet e pijeve.

Të dy jetuan mbi të 90-tat duke krijuar shumë për fatin tonë dhe të të gjithë brezave pasardhës.

Nëse vërtet ka një Parajsë dhe një kënd arkitektësh brenda saj, me siguri dy Frenkët duhet të jenë duke biseduar tani me njëri tjetrin pa ndalur të prehen në paqe.

Paqen arkitekturore e kanë skalitur në mendjet e zakonshme tonat.

Tuesday, 9 December 2025

Jemi pe Korçe - kemi kulturë (fund)


 (vijim)

Për çka përmenda më lart, por edhe për shkak të një centralizimi ekstrem të gjithshkaje në Tiranë, Korça jo vetëm se nuk ishte më metropoli i kulturës shqiptare (si e cilëson gazeta zvicerane), por me kalimin e viteve filloi të shfaqë karatkeristikat e një province larg kryeqytetit. Kjo dhe në sajë të një mungese dashamirësie nga ana e Qendrës. Kështu psh në vitet ‘60 ishin hapur dy institute të arsimit të lartë në Shkodër dhe Gjirokastër, por edhe pse me tradita të forta arsimore, Korça nuk ishte konsideruar e tillë nga “Biroja Politike”. Vite më vonë, kur u shtua edhe një institut në Elbasan, në Korçë

u hap Instituti i Lartë Bujqësor. Kjo linte të kuptohej se e gjithë krahina vlerësohej më shumë për arritjet e saj në Bujqësi, se sa për vlera në fushat e tjera.

E përmend këtë fakt, sepse shkollat e larta luajnë rol të rëmdësishëm në kulturën e një qyteti, por Instituti Bujqësor nga natyra ka një efekt më të vogël dhe për më tepër, ai i Korçës mbeti si një njësi e izoluar pa lidhje të forta me qytetin dhe banorët e tij.

Në vitet ‘70, Korça ishte tashmë shumë pas kryeqytetit në mënyrën e jetesës dhe të veshjeve, dhe po aq më pas veprimtarive kulturore dhe artistike. Ishte ndër qytetet e fundit në Shqipëri për shitjen e librave dhe frekuentimin e Bibliotekës. Po ashtu ishin të pakët piktorët, kompozitorët dhe shkrimtarët e nivelit më të përparuar kombëtar. Madje në disa fusha të artit edhe më pas qyteteve pa ndonjë traditë, si Vlora, Durrësi dhe Fieri.

Izolimi i Shqipërisë kishte patur një efekt dërmues për kulturën e qytetit.

Rënia vazhdoi graduale deri në fundin e viteve ‘80. kur filluan edhe reagimet e para kundër Diktaturës. Edhe këto ishin më të zbehta në Korçë se në disa qytete të tjera, një tjetër dëshmi e bjerrjes kulturore.

Por dhe liria e viteve ‘90 dhe dalja e Shqipërisë nga izolimi nuk solli përmirësim të nivelit të kulturës. Kjo kryesosht për faktin e Tirana e ruajti fort centralizimin e gjithshkaje ndaj sërish talentet në çdo fushë patën prirrje për të shkuar në kryeqytet. Gjithashtu emigrimi në Greqi dhe vendet perëndimore ishte një faktor shtesë. Rënia e vazhdueshme e popullsisë nuk mund të sjellë rritje ekonomike dhe kulturore.

Tashmë qyteti ngjan më shumë me një qytezë turistike, ku kalojnë fundin e javës plot shqiptarë të kamur për të ngrënë kërnace dhe lakror me dy petë dhe për të dëgjuar gjatë gostive, të ashtuquajturat serenata.

Ka edhe disa veprimtari të përvitshme kulturore, më tepër në funksion të turizmit se sa veprimtari që gjallojnë nga brenda forcave artistiko-kulturore të qytetit.

Një nga treguesit kryesorë të rënies së vazhdueshme të Kulturës është “servilizmi” ndaj Tiranës dhe lehtësia me të cilën e administron Korçën “klani Peleshi”. Në disa fusha dhe veçanërisht në urbanistikë dhe arkitekturë, gjithshka e diktuar nga Rama (imponimi i arkitektit australian psh) është ligj jo vetëm për pushtetarët lokalë servilë, por edhe për bashkësinë. Zërat kundërshtuese brenda qytetit kanë qënë dhe janë të mekura. Thuajse nuk ka asnjë intelektual me peshë, që të udhëheqë një lëvizje rezistence ndaj atyre çka nuk duhen ndërtuar në qytet. Dhe mungesa e shpirtit kundërshtues është tregues i rënies së madhe kulturore.

Kultura nuk është as si sëmundjet e trashëgueshme dhe as si “gripi”, që mund të të ngjitet kur je pranë njerëzve apo bashkësive të kulturuara. Ndaj dhe mburrjet (na natyrën e tyre injorante) se “jemi pe Korçe dhe e kemi kulturën në gjak”, i ngjasojnë asaj thënies lapidare të labit krenar kokëbosh:

“Mos ma merrni për mburrje, por jam nga Kuçi- zemra e Labësisë!”


Sunday, 7 December 2025

Jemi pe Korçe - kemi kulturë (2)


 (vijim)

Lufta përgjithësisht paralizon jetën kulturore, por duhet thënë se gjatë pushtimit italian (1939-1943)nuk kishte në Korçë dhe rrethinat e saj nuk kishte veprime luftarake të natyrës së fronteve të luftës europiane. Jeta ishte më e qetë, pa bombardime dhe prania e një numuri të madh ushtarësh italianë dhe përpjekjeve të pushtuesve për të imponuar kulturën italiane, shumë njerëz mësuan italisht, njohën përfaqësuesit më të shquar të filozofisë dhe letërsisë italiane dhe u familjarizuan me muzikën klasike italiane dhe atë të belkantos. Nëpër klube buçisnin gramafonët me disqe italiane.

Duhet thënë se edhe pse në anën e aleatëve, korçarët ishin më pak dashamirës me pushtuesit grekë (ata qëndruan 5-6 muaj në Korçë) se sa me ata italianë. Pushtuesit grekë, nisur nga historitë e hidhura të fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX i konsideronin më të rrezikshëm për pavarësinë e Shqipërisë. Njerëzit e dinin që një ditë italianët do e humbisnin luftën kundër Aleatëve.

M këto ndikime të Europës Perëndimore, shoqëria korçare hyri në periudhën e pasluftës të Dytë, duke qënë me një orientim demokratik që anonte më shumë nga e Majta, por një e majtë social-demokrate, sepse edhe se komunistë në emër, shumica nuk kishin ide të qarta se si do formohej shoqëria e pasluftës. Edhe propaganda e krerëve komunistë bënte fjalë për demokraci dhe zgjedhje të lira.

Në të vërtetë filloi terrori. Dhe bashkë me të edhe e tatëpjeta ekonomiko-kulturore e Korçës.

Diktaturat komuniste kanë një raport të veçantë me arsimin, artin dhe kulturën.

Edhe pse nxisin arsimimin e masave, detyrojnë programe shkollore të kufizuara nga një ideologji dhe nuk nxisin atë, çka duhet të jetë në bazë të formimit të të rinjve- ballafaqimin e shumë rrymave dhe atë që quhet “skepsis”. Ndaj edhe pse shqiptarët u arsimuan në masë të madhe, madje një pjesë jo e vogël nëpër universitete, ata kishin një formim arsimor-kulturor të cunguar. Po kështu në art. Diktatura hapi shumë shkolla artistike, nga dolën me shumicë piktorë, muzikantë aktorë etj., por edhe formimi i tyre kishte kufizimet që sillte “realizmi socialist”, të cilit i shtoheshin autocensura dhe censura.

Por nëse kjo vlente për gjithë Shqipërinë, për Korçën bëhej veçanërisht negative. Njerëzit më të arsimuar dhe ë të kulturuar të saj ose përfunduan burgjeve, ose u larguan drejt qyteteve të tjera për t’i shpëtuar persekutimit të komunistëve të “Pazarit”(pasi u përkisnin shtresave të pasura), ose u tërhoqën nga qeveria në Tiranë, për të punuar në institucionet arsimore dhe kulturore të posakrijuara. Shumë korçarë filluan të jepnin mësim në institutet e arsimit të lartë, që më pas u kthyen në Universitet; të shumtë ishin ata që mbushën koret e Ansamblit të Ushtrisë dhe të Operas: mjaft të tjerë ishin pjesë e bërthamave shkencore të instituteve studimore të posakrijuara.

Detyrimisht, largimi i një numuri të madh talentesh artistike apo intelektuale do ndikonte në shoqërinë korçare të pasluftës. E gërshetuar kjo edhe me një politikë të emërimit në vende kyçe të arsim-kulturës, të partiakëve të devotshëm dhe jo të njerëzve të zotë, do sillte një rënie graduale të nivelit kulturor të të gjithë bashkësisë korçare. Këtë të dytën e sintetizon bukur një fjali e një ish-liceisti antikomunist në fillimin e viteve ‘60:

I dënuar me burg të gjatë menjëherë pas lufte, në ditët e para të lirisë në qytet, një i njohur e pyeti: Cfarë të bën më shumë përshtypje në Korçë pas gati 20 vjetësh?

-Që M.N. është bërë doktor dhe Dh.B. drejtor i gjimnazit!

(vijon)

Saturday, 6 December 2025

Jemi pe Korçe – kemi kulturë


Shkas për këtë shënim të gjatë, u bë një miku im, që gjithë entusiazëm më dërgonte foton e një gazete të Zyrihut të vitit 2017, ku shkruhej se “Skënderbeu” i Korçës – metropol i kulturës shqiptare- luante në Bernë me ekipin vendas.

Në vend të gëzimit, fraza më shkaktoi një lloj keqardhje, se më ngacmon një plagë të vjetër të shpirtit, atë të bjerrjes së kulturës në Korçë, pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse njëlloj sikundër kur dëgjoj disa kastravecë gjysëm analfabetë, që mburren kafeneve të vendit dhe jashtë tij se “jemi pe Korçe dhe kemi kulturë“.

Nëse dikush në vitin 2017 e ka informuar gazetarin zviceran për kulturën e Korçës, e ka informuar për një mit. Vërtet në vitet ‘30, si e ka cilësuar Indro Montaneli, Korça ishte qyteti më perëndimor i Shqipërisë edhe pse në skajin lindor të saj. Ka patur shumë arsye, që një qytet i ri shqiptar, u zhvillua shpejt ekonomikisht dhe u ngrit nga ana kulturore më lart se të tjerët. Në shënime të tjera të këtij blogu kam përmendur rënien e Voskopojës dhe përfitimin e trashëgimisë së saj, pozicionin e favorshëm gjeografik në kryqëzimin e rrugëve që të çonin në Manastir, Selanik dhe Durrës, fenë ortodokse të shumicës së popullsisë (më tolerante se ajo islame) dhe veçanërisht emigracionin në Misir, Rumani, por sidomos atë në Amerikë.

Fshatarët e Korçës, që u kthyen nga emigracioni dhe u vendosën në qytet, ishin më të pasur dhe më me eksperiencë perëndimore, se sa homologët e tyre të Shkodrës, Durrësit apo Elbasanit. Kjo sillte dëshirën për të arsimuar fëmijët e tyre dhe për të ndërtuar një jetë shoqërore të ngjashme me atë të qyteteve amerikanë ku kishin punuar. Ata që kishin punuar në Misir, përgjithësisht ishin kthyer me shuma të mëdha financiare dhe kishin filluar prej atje të shkollonin fëmijët e tyre në universitetet europiane.

Kështu kultura e qytetit filloi të ngrihej dhe ta bënte Korçën të dallohej nga qytetet e tjera shqiptare. Dhe me kulturë dihet që nuk kuptojmë vetëm veprimtaritë artistike dhe arsimore, por mënyrën e jetesës, të veshjeve, të ndërtimeve, të gatimit dhe mbi të gjitha të sjelljes së njerëzve dhe qëndrimit ndaj rregullave dhe ligjeve.

Edhe qytete greke dhe maqedonase të të njëjtës madhësie ishin nën nivelin kulturor të Korçës. Dallim bënte vetëm Selaniku, që kishte një traditë të gjatë historike si dhe një komunitet të pasur hebre.

Duke imituar qytetet më të përparuar europiane, në Korçë u formua e para shoqëri sportive shqiptare, e para orkestër frymore, u hap kinemaja e parë e me rradhë. Etja për veprimtari artistike- kulturore ishte në rritje veçanërisht pas hapjes së Liceut Francez, i cili ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e kulturës qytetare korçare.

Por pa e idealizuar, duhet thënë se ishte një dëshirë në rritje e një shoqërie me rrënjë jo të thella kulturore, sepse si e përmenda më lart, shumica e shtresës së pasur dhe të mesme, ishin fshatarë të kthyer në borgjezë të vegjël. Në Korçë nuk kishte arsitokraci. Shumë njerëz që shkruajnë në rrjetet sociale apo dhe mediat tradicionale, ja fusin kot kur përmendin termin e sajuar “aristokracia korçare”.

Ndaj është plotësisht realist konstatimi i Spiro Comorës në komedinë “Karnavalet e Korçës” në portretizimin e familjes së Nikollaq Jorganxhiut, si një familje të pasur por jo me themele të shëndosha kulturore. Comora kishte jetuar në qyetet për shumë vjet dhe e kishte njohur atë realitet.

Ndaj edhe pse qyteti më i kulturuar, Korça kishte më pak biblioteka personale të pasura si mund të kishte Shkodra apo Elbasani. Gjithashtu studiuesit dhe shkencëtarët e mirëfilltë ishin më të pakët në numur se në dy qytetet e mësipërm.

Por kishte piktorin më të mirë shqiptar (Vangjush Mio), sopranon më të mirë (Tefta Tashko), pianisten më të mirë (Lola Gjoka), tenorin më të mirë (Kristaq Antoniu) dhe kompozitorin më të mirë (Kristo Kono). Në fushën e letrave korçarët nuk ishin në nivelet e Fishtës, Mjedës apo Koliqit, por kishin gazetat më serioze të kohës.

Kjo deri fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

(vijim)


Friday, 5 December 2025

Gjithshka “për sytë e botës”


Ajo për çka flitet sot shpesh në media dhe që kudo e quajnë “imazhi” është se si gjithsejcili duket në “sytë e botës”. Veçanërisht për ata tek të cilët “sytë e botës” përqëndrohen më shumë. Dhe “imazhi” i mirë ju duhet jo vetëm individëve, por edhe korporatave. Apo edhe bizneseve të zakonshme.

I gjithë ky preokupim për “stisjen dhe ujdisjen” e imazhit dëshmon se bota(mileti) në shumicë kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm, të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha njerëzorë. Ndaj dhe VIP-at mundohen që të duken sa më të moralshëm, të sinqertë dhe njerëzorë edhe pse mund t’ju mungojnë të tre cilësitë e sipërpërmëndura. Ato që bota nuk i sheh, shpesh janë jo vetëm amorale dhe të kundraligjshme, por herë herë edhe tmerronjëse. Aq tmerronjëse sa edhe në botën e burgjeve, të dënuarit për veprime të tilla përçmohen dhe madje edhe asgjesohen nga bashkëvuajtësit.

Cjerrja e “imazhit” dhe nxjerrja e fytyrës së vërtetë të dikujt të rëndësishëm ndodh shpesh, por gjatë këtij viti dhe veçanërisht në rastin e “Xhefrit të Epsheve”, kjo ka ndodhur shumë më shumë.

Nuk e kam fjalën për princin Endrju, sepse fytyra e tij e fëlliqur prej një “zuzari” që do të shkojë me gjimnazistet, ishte bërë e njohur prej shumë e shumë vitesh. Flas për gjithë Oborrin Mbretëror, që dinte me hollësi se deri ku shkonte perversiteti i tij dhe veprimet e dënueshme nga ligji. Dhe heshtnin.

E para, e ndjera nëna e tij, Mbretëresha Elisabet u mundua ta mbronte deri në fund, duke u justifikuar tek njerëzit e besuar: “E kam djalë!”

Më pas gjithë mbretërorët e tjerë, duke filluar nga mbreti Carl dhe “të virtutshmit” e tjerë princi Uilliam dhe Dukesha Kejt. Duhet të dilte në dritë libri i të shkretës Virxhinia Xhufre (viktima 16 vjeçare e princit) dhe më pas e-mailet e Endrjut me Xhefrin pasi ky i fundit ishte dënuar, për tu “skandalizuar” Oborri dhe për ta xhveshur nga të gjithë titujt dhe funksionet shtetërore.

Kujt i vlenin këto masa veç “imazhit” prej njerëzve të drejtë dhe patriotë të banor[ve t[ Pallatit Bukingam?

Të gjitha përpjekje për të mbrojtur privilegjet dhe pushtetin e tyre të trashëguar në breza.

Një skotë njerëzish të përlyer në skandale dhe që megjithatë përfitojnë nga taksat e anglezëve, kanadezëve dhe të tjerëve.

Por nuk janë vetëm VIP-at anglezë, që po mundohen të pastrojnë “imazhin” e tyre. (Ka nga ata që shpenzojmë edhe shuma të mëdha me kompanitë që merren me të ashtuquajturat “public relations”.)

Ishpresidenti i Harvardit, Lerri Sammers, u detyrua të largohej nga shumë funksione pasi dolën në dritë këmbimet e mesazheve me Xhefrin m[ pas ky i fundit ishte dënuar.

Presidenti Trump, mik i dikurshëm Xhefrit, që dikur deklaronte për të “është një djalë terrifik, që si unë i pëlqen gratë e bukura, po anon nga të njomat”, tani mburret se i kishte ndërprerë prej kohësh marëdhëniet me pervertin.

Janë vetëm disa nga dëshmitë e njerëzve të pasur e të fuqishëm, që nuk kanë asnjë parim moral, veç atij të grumbullimit të parave dhe pushtetit për tu mbrojtur nga ligji dhe për të fshehur veprimet e tyre të ndyra.

Për fat të keq, Bota (mileti) është e verbër dhe nuk sheh ose nuk do të shohë fëlliqësitë dhe mungesën e skrupujve të tyre. Dhe kjo vlen për të gjitha shoqëritë e vendeve të quajtura “të lira” se atje ku sundojnë autokratët apo më keq Diktaturat, edhe të shohësh nuk vlen.

Atëhere përse vlejnë rregullat morale dhe ligjet?

Për shumicën e njerëzve, dhe jo për “elitat”.

“Ajkat” e shoqërive do jenë gjithnjë në gjendje të manipulojnë “imazhet” e tyre për “sytë e botës”.

Mijëra vjet të shoqërisë njerëzore janë dëshmitarë të kësaj dukurie.


Monday, 1 December 2025

Spiunë apo patriotë?


Ka disa kohë që në internet qarkullon një listë e informatorëve të Shërbimit Informativ Shqiptar, shkurt SHISH, të cilët në mënyrë disi keqdashëse i quajmë spiunë.

Informatorët e pushtetit, në anët tona tradicionalisht i kemi quajtur spiunë, edhe shumë kohë përpara bashkëpunëtorëve të famëkeqit Sigurim i Shtetit, por gjithashtu mund të themi se kemi qënë të pushtuar, ose në një gjysëm-diktaturë si ajo e Zogut të Parë- Mbretit të shqiptarëve.

A duhet t’i quajmë edhe sot po njëlloj këta njerëz, të cilët i shërbejnë Atdheut, apo duhet të mendohemi më thellë dhe të themi se po bëjnë detyrën patriotike të mbrojtjes së Shqipërisë nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm?

Po le të kthehemi në fëmijërinë tonë apo edhe në atë të fëmijëve të ditëve të sotme.

Informimi i autoriteteve tinëz (prindër apo mësues) për një sjellje jo të pranueshme të motrës, vëllait, bashkënxënësit apo shokut, quhej me të drejtë “spiunllëk”. Tregonte një lloj dobësie të karakterit në formim të fëmijës. Do ishte ndryshe nëse “informimi” do bëhej hapur, ose më mirë akoma pas një “mos e bëj më këtë gjë se do i tregoj babit (apo mësuesit)”.

Ndaj ata që informojnë për të tjerët, qoftë në kushtet e një mjedisi pune apo të një kolektivi, me të drejtë mund të cilësohen si njerëz me karakter të dobët dhe që duan të përfitojnë nga autoritetet. Po a duhet përdorur i njëjti standart për ata që informojnë për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare?

Edhe këtu kemi të bëjmë me dy kategori. Ata që janë informatorë të rekrutuar dhe me pagesë dhe me dikë që informon (tinëz) sepse nuk mund ta bëjë hapur se mund t’i rrezikohet familja apo jeta.

Të rekrutuarit në Shqipëri në të gjithë rastet janë njerëz të dobët, që duan të përfitojnë, ose që duan të fshehin paudhësitë e mëdha të tyre.

Në listën e publikuar nga hakerat online, ka shumë oficerë policie, juristë dhe nëpunës, të cilët nuk kanë ndonjë arsye të bëhen informatorë të SHISH, veç asaj të të pasurit mbrojtje për veprimet e paligjshme që kanë kryer. Disa kanë mbajtur ose mbajnë funksione të larta në aparatin shtetëror. Pikërisht në këtë mënyrë, duke ju dhënë poste dhe mbajtur nën presion, fshihet “forca” për të qëndruar në majat e politikës e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ata e njohin mirë dhe e kontrollojnë këtë “pjesë të kalbur” të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

Ndaj dhe hakerat iranianë duhen falenderuar për ekspozimin e këtyre spiunëve, që nuk mund t’i quash patriotë.

Friday, 28 November 2025

Refleksion në Ditën që nuk e festoj


Kur mendoj se kush jam UNE, nuk më shkon mendja kurrë në atë që disa e quajnë identiteti kombëtar. Nëse do e përcaktoj me disa rrjeshta, më duket se në këtë univers të paanë, jam një strukturë e komplikuar molekulash, që më veçon nga qëniet e tjera gjalluese dhe që kam erdhur në ekzistencë sajë dashurisë së dy qenieve të tjera, më të dashurit e gjithë kohës që jam mbi këtë dhe. Gjithashtu jam një grumbull ngjarjesh, kujtimesh me njerëz të tjerë të dashur si dhe sendesh dhe procesesh që më kanë pëlqyer e më pëlqejnë. Këto i mendoj dhe i shpreh me një gjuhë që më ka mësuar nëna dhe që më bën të emocionohem më shumë se çdo gjuhë tjetër në botë.

Atdheu nuk hyn kërkund.

Flamuri aq më pak.

Vërtet ëndrrave sillem më shpesh rrugicave të qyetetit tim se rrugëve të tjera, ku kam udhëtuar, por dhe ato nuk më bëjnë të mendoj se me një pjesë të këtij Dheu kam më shumë lidhje se me pjesët e tjera të tij.

Vërtet ngazëllehem kur dëgjoj të flasin shqip, por kjo nga që me njerëzit që flasin njëlloj si unë mun d komunikoj më lehtë dhe më thellësisht. Asgjë tjetër nuk më bën më të afërt me ta se të themi me një lëkurëkuq të fisit Mohawk, që pi në ndenjësen pranë meje në një bar të Montrealit.

Ndaj nuk e festoj Ditën e Flamurit, por e shoh si një e premte si gjithë të premtet e tjera.

Unë nuk i pëlqej simbolet dhe shenjat. Kryesisht flamujt dhe stemat e shteteve dhe kombeve. Mendoj se janë krijuar për të justifikuar përçarjet dhe luftërat mes bashkësive të ndryshme njerëzore. Të ngjashme me erërat e urinës, që kafshët (kryesisht qenët) bëjnë për të përcaktuar territoret e tyre. Ndaj as përulem t’i nderoj apo më keq t’i puth siç mund të bëjnë rëndom shtetarë hajdutë dhe vrasës.

Janë krijuar që masat të manipulohen më lehtë dhe të japin edhe jetën, kur ta kërkojnë interesat e atyre që i udhëheqin dhe që marrin vazhdimisht pjesën më të madhe të të mirave që ka në natyrë apo atyre të prodhuara nga puna mijëvjeëare e “skllevërve”.

Le të shkojmë në diçka tjetër, që mendoj dhe lidhet me këtë Ditë.

C’do ishte ekzistenca ime nëse Plaku i Vlorës nuk do shpallte Pavarësinë e Shqipërisë 113 vjet më parë?

Skenari më i mundshëm do ishte që të isha pjesë e një bashkësie minoritare, të cilës i mohoej e drejta të shkollohej në gjuhën e saj, por që megjithatë në shtëpi fliste shqip. Për këtë do emigroja diku në Amerikë, Kanada apo Gjermani, ku njerëzit gëzojnë më shumë të drejta dhe ndjehen më të lirë. Nuk do kishte një rrjedhë të ndryshme nga kjo e sotmja. Sërish nuk do më bëhej vonë për flamurin shqiptar dhe aq më pak për atë grek. Dhe njëkohësisht do përbuzja njerëzit që djegin flamujt e të tjerëve, se është shënjë armiqësie dhe dëshire për të krijuar armiq.

Unë mendoj që bashkësitë, të cilat e kanë shumë të zhvilluar ndjenjën kombëtare janë bashkësitë më të prapambetura, më të rrezikshme, më të prirura për të luftuar dhe rrjedhimisht edhe më të rrezikuara për të mos pasur jetë sjumë e shumë të gjatë. Kjo më bën të ndjehem keq kur dëgjoj rrjeshtat e fundit të Hymnit Kombëtar:

Se Zoti vetë e tha me gojë,

Se kombet shuhen përmbi dhe,

Por Shqipria do të rrojë,

Për k’të, për k’të luftojmë ne.

Monday, 24 November 2025

Dukesha Bela dhe Viskonti Lali


Oborri i mbretit Eduin i Parë (ose Skënderbeu i Ri) duket tani më i trazuar se kurrë. Para një viti, në shënimin “ Oborri i degjeneruar i Skënderbeut të ri”, kisha prekur në mënyrë fotografike gjendjen e një klani qeverisës autoritar, ku veç vjedhjeve dhe skandaleve erotike, ka edhe intriga se kush t’i afrohet më shumë të Plotfuqishmit. Një tablo e ngjashme me oborret mbretërore të Mesjetës, por dhe ato të mëvonshme. Përshtypja ime në atë kohë ishte se Eduini i Parë qe i patundur në pushtetin e tij, po aq sa Luigji i Katërmbëdhjetë.

Kjo përshtypje nuk më ndryshoi as pas arrestimit të Lali Erit dhe u përforcua në zgjedhjet e majit të këtij viti.

Por duket se kam qënë jo tejpamës. Nëse titujt aristokratike të oborreve europiane janë të pandryshueshme, “titujt” e dhënë nga Eduini i Parë, mbret i shqiptarëve, socialistëve dhe patronazhistëve, nuk janë vetëm në dorë të mbretit. Struktura e Posaçme ja hoqi titullin Viskontit Lali dhe sëfundmi edhe Dukeshës Bela, të cilët krahas vjedhjes për vete dhe për llogari të Mbretit, 3-4 vitet e fundit ishin angazhuar në intriga ndaj njëri tjetrit. (Nuk duhet të harrojmë edhe Markezin Ahmetaj, një tjetër aristokrat i përfshirë në lojërat prapaskene, por që ishte syrgjynosur herët nga vetë Eduini i Parë.)

Njëri në burg dhe tjetra pa ofiqe, tashmë duhet të kenë harruar rivalitetin dhe intrigat dhe me siguri veç keqardhjes ndaj vetes, ndoshta mendojnë se janë bashkëgjyhnaqarë dhe bashkëvuajtës. Sajë tahmasë së tyre dhe zellit për të plotësuar grykësinë e tejskajshme të Palloshit të Gjatë.

Po a janë këto lëkundje, shënja se edhe froni mbretëror nuk është aq i sigurt?

Ndoshta për këtë mund të na japë ndonjë info më të saktë Baroni derdimen Di Lana (aq derdimen nuk është se çifligun e Korçës e administron mirë), por unë kam shkruar shpesh kundër tij dhe nuk kam kurajo ta pyes.

A ngjan Eduini në fund të vitit 2025 me Luigjin e Katërmbëdhjetë, apo po merr tiparet e strënipit të tij,

Luigjit të Gjashtëmbëdhjetë?

Dhe ky i fundit, për fat të keq, përfundoi në gijotinë.

Friday, 21 November 2025

Rasti interesant i Xhefrit të Epsheve


Disa nga gjërat që bënte Xhefri Epstin, janë të vjetra sa edhe qytetërimi. Kryesorja, dëshira perverte e të pasurve dhe të atyre me pushtet të madh për të shkuar me vajza të reja, edhe pse vetë mund t’i kenë kaluar 50-60 vjetët , madje dhe më tej.

Po aq i vjetër është edhe kodoshllëku, ose shpënia e vajzave në shtretët e njerëzve të tjerë të pasur dhe të famshëm.

Filmimi i “mëkatarëve” në situata kompromentuese (seks jashtë martese, marëdhënie homoseksuale apo me vajza nën moshë), për tu përdorur më vonë si shantazh, është një tjetër “zakon” i vjetër, të paktën prej shpikjes së aparatit fotografik.

Pra duhet përmendur, që rasti i pervertit Epstin nuk është i pazakontë. (Hezitoj ta quaj pedofil, se në këtë kategori mendoj se duhet të futen vetëm ata që duan seks me fëmijë nën moshën e pjekurisë seksuale. Megjithatë nuk kundërshtoj cilësimin përdhunim për ata/ato që shkojnë me adoleshentë nën moshën ligjore kur mund të japin konsesnsus dhe që në Amerikë është 18 vjeç.)

Ajo që e bën të komplikuar dhe interesant këtë çështje është se ka një ndërthurje të mjeteve financiare nga burime të panjohura me shërbime sekrete të të paktën dy vendeve dhe me personalitete që variojnë nga “mbretërorët”, presidentët dhe kryeministrat e deri tek miliarderët, njerëzit e artit dhe shkencëtarët.

Epstin kishte “ndjellë“ në rezidencën e tij në Nju Jork, në avionin e tij dhe në ishullin e tij në Karaibe nga Bill Klinton dhe Donald Trump, Ehud Barak dhe Alen Dershovic, Princ Endrju dhe Bill Gejts dhe deri tek Lerri Sammers e Dejvid Koperfild. Një pjesë syresh janë dokumentuar, që kanë shkuar me vajza nën moshë. Por edhe të tjerët nuk kanë shkuar për të “diskutuar problemet e Njerëzimit”, por për të dëfryer pa u parë nga publiku me vajza të reja.

Sigurisht dhe kjo është diçka që ndodh në të gjitha vendet ku ka miliarderë dhe shtetarë të plotfuqishëm, por shkalla e implikimit në këtë rast është e pazakontë. Duket qartë se Epstin ëshë mbrojtur jo vetëm nga miliardat e tij, por nga CIA dhe Mosad, sepse nuk është e lehtë të shantazhosh njerëz të pasur e të fuqishëm. Në këtë mënyrë ai siguronte pagesa të mëdha për shërbimet e tij financiare ose investime në “hedge fund” të tij. Them që nuk është e lehtë të bësh presion kur nuk ke mbrojtje të fortë, se njerëzit e fuqishëm nuk e kanë të vështirë të “të heqin qafe”, nëse e “tepron zullumin”.

Një veçanti tjetër e këtij rasti është prania e shumë çifutëve. Xhefri vetë ishte hebre dhe po e tillë ishte partnerja e tij “në krim” Gilejn Maksuell, vajza e një sharlatani tjetër, që njihej botërisht si agjent i Mosad-it. Hebrej të tjerë janë is-kryeministri izrailit Ehud Barak, avokati i njohur Alen Dershovic, prestigjitatori i famshëm Koperfild, ish-ministri i Thesarit dhe ish-Presidenti i Harvard Lerry Sammers dhe plot të tjerë. Thuajse të gjithë nuk janë fetarë, por ajo që i bashkon është feja e prindërve të tyre. Nuk dua të tingëllojë si antisemite, por këta çifutët veç që janë të pasur dhe me shumë ndikim, qënkan edhe shumë “të ndezur”.

Ndërsa shkruaja këto rrjeshta, “çudia Epstin” u bë edhe më e madhe, kur mësova se kishte pasur marëdhënie të afërta edhe me Noam Comskin, madje pas dënimit të tij të parë për trafikim për prostitucion të të miturave?!

Comski, intelektuali më antiestablishment, i vlerësuar për qëndrimet e tij parimore politike në gjithë botën, i mospranuar në mediat kryesore amerikane, kishte mbetur i habitur nga kureshtja dhe njohuritë e Xhefrit, si dhe nga lidhjet e tij ndërkombëtare.

Perverti magjik Epstin, që nuk dihet se si i kishte bërë milionat dhe nuk dihet saktësisht se si i kishte “futur në thes” “zotërit” e kësaj bote.

Tuesday, 18 November 2025

Ti ishe Era (Marinela- Aera isun)

 

Ti ishe Era


Dhe tani ti po largohesh

Unë ëdërroja të rrije tek unë

Besoja jeta të merrte tjetër udhë

Dhe tani ti largohesh.


Dhe tani ti po largohesh,

Kalove si një re e shpejtë ,

Në timin gri qiell të shkretë.

Dhe tani ti largohesh.


Ti ishe si era

Ndaj është e kotë për ty të qaj

Ti ishe si era

Duart më dridhen e dot s’të mbaj.


Dhe tani ti po largohesh

Unë do vuaj vetminë e çmendur

Botës të vogël kam për tu endur

Dhe tani ti largohesh.


Dhe tani ti po largohesh,

Zbehet më tepër figura jote

E hidhur “Përse?” m’bën të derdh lotë

Dhe tani ti largohesh.

Përfundimisht largohesh.

Kërthiu

Dje ecja nxitimthi

Pa ditur ku shkoja dhe përse isha nisur,

Në gjoks me kujdes shtrëngoja

Një kërthi cullak

Nga shpërgejtë marrë,

Në një dhomë ku askënd nuk njihja

Nga dy lëneshat e pashme,

Një mesoburri me kokë të rruar

Dhe një djaloshi qimedirsur.

Tepër i vockël ishte kërthiu,

Diçka më i madh se një dorë muratori.

Një të qarë të mekur pati,

Mendova se ngriu,

I ngutur shkela akujve të këtij nëntori.

Doja ta ktheja sërish,

Në vatrën nga e kisha marrë,

Por rrugën e kthimit dot nuk gjeja.

E vjetra e errët pas mbetur kish’,

Në gjirin tim dridhej e reja.

Bora qëmtonte

Unë ecja gjithë mund,

Kështu qënka e thënë

Gjithë jetën të endem

Të të tjerëve ëndërr të përkund.

Wednesday, 5 November 2025

Mamdani fiton në NY, por jo Qorri në Tiranë


Zohran Mamadani, një i ri social-demokrat thuajse i panjohur në politikën amerikane fitoi garën për Kryetar Bashkie të qytetit më të madh dhe më të pasur në Amerikë. Veç të tjerash, Kryebashkiaku i ri i përket fesë myslimane, një cilësi kjo jo shumë tërheqëse për shoqërinë amerikane dhe veçanërisht për Nju Jorkun pas tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001.

Fakti që në këtë botë, që polarizohet gjithnjë e më shumë , një i majtë (jo i moderuar) fiton në metropolin e Uoll Stritit është domethënës dhe tregon se pjesë jo të vogla të shoqërisë amerikane po i kundërvihen politikave të Trump, politika të cilat po e rrisin më shumë këtë polarizim mes super të pasurve dhe të varfërve.

Por aq sa përshtypje pozitive më krijon fitorja e Mamadanit, shumë herë më shumë më shqetëson fakti, që një social-demokrat si Arlind Qorri, nuk mund të arrijë më tepër se 10% në sondazhet për garën e ardhme për Kryetar Bashkie të Tiranës.

Si është e mundur, që në një qytet ku korrupsioni dhe polarizimi i shoqërisë është aq i prekshëm, njerëzit sërish të përkrahin më shumë Manastirliun e përfolur për vjedhje të buxhetit shtetetëror?

Si është e mundur, që në një vend ku kryeministri thotë hapur se është përkrah biznesmenëve dhe kundër sindikatave, shumica përsëri të përkrahin kandidatin e kryeministrit?

Si është e mundur, që pensionistët, të cilët nuk mund t’ja dalin të jetojnë nëse nuk ndihen nga fëmijët të mos votojnë në shumicë për dikë që ju premton rritje të ndjeshme të pensioneve?

Shumë njerëz mund të thonë se me Ramën në krye nuk ka zgjedhje të lira, por kjo sërish nuk spjegon se pse në sondazhe arrihen rezultatte të tilla.

As me televizionet proqeveritare dhe me paratë e oligarkëve nuk shpjegohet dot një dukuri e tillë. Në Nju Jork u derdhën shumë para kundër Mamdanit dhe shumica e mediave ishin kundër tij.

Unë mendoj se shoqëria shqiptare është e trembur, e tredhur mendërisht dhe shpirtërisht e korruptuar.

Pragmatizmi “të kapim c’a t’kapim” dhe “më mirë voto për të fortin se mund të kapësh ndonjë thërrime” ka hyrë thellë në mendjet e njerëzve dhe i bën të stepen e të mos shohin të mundshme rrëzimin e klasës së hajdutëve që është në pushtet.

Ndryshe unë nuk e shëjegoj dot rezultatin e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet parlamentare dhe sondazhin e fundit për Arlind Qorrin.

Jemi ende shumë shumë larg shoqërive të emancipuara të vendeve Perëndimore.

Wednesday, 24 September 2025

Pse e burgosi Rama Lalin?


Edhe pse Erion Veliaj është kthyer prej kohësh në një kufomë politike dhe ndoshta nuk duhet shpenzuar shumë kohë për të, ende dua të kuptoj përse Rama, që e shkelte përditë me këmbë e dërgoi pas hekurave.

Prej më se një vit, kam pasur bindjen që ai e shiti edhe pse përgjërohet sikur i dhemb prangosja e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Ndonëse nuk e njoh Ramën dhe gjithashtu se kam idenë e intrigave dhe ngjarjeve në “oborrin e tij mbretëror” do përpiqem të shtroj disa hipoteza dhe t’i krahasoj se cila prej tyre është më racionale.

  • Veliaj po mundohej të shtinte n dorë PS-në. Nëse bëjmë krahasime me periudhën e Diktaturës, kur Hoxha “shpikte” herë pas here “grupe puçiste” nga paranoja se do mundoheshin ta rrëzonin apo t’i godisnin familjen pas vdekjes, kjo hipotezë duket e logjikshme. Megjithatë nuk besoj se kjo është arsyeja, sepse Rama jo vetëm e kontrollon plotësisht Partinë, por edhe pse Veliaj qoftë nga personaliteti apo edhe nga lidhjet brenda PS-së nuk kishte forcën minimale për të rrëzuar “Të gjatin”.

  • Rama i trembej afërsisë gati dashurore të Veliajt me Aleks Sorosin. Kryeministri shqiptar i njeh mirë marëdhëniet me të huajt para dhe pas kulisave dhe është i sigurt, që të huajt, veçanërisht kur nuk janë politikanë kryesorë të Amerikës nuk mund të të rrëzojnë nga froni.

  • Ajola pat refuzuar kërkesën e Edit për një marëdhënie jashtëmartesore. Duke ditur pak se ç’lloj bjerrje morale ka në “elitën” politiko-ekonomike në Tiranë si dhe aventurat e shumta të Edit, kjo mundësi duhet përjashtuar.

  • Veliaj po fitonte (vidhte) më shumë se Rama nga lejet e ndërtimit dhe tenderat e Bashkisë. Edhe pse Bashkia e Tiranës ka një buxhet gjigand, burimin kryesor financiar ka Qeverinë dhe sigurisht që shefi i saj nuk mund të lejojë kurrën e kurrës që “oficeri Veliaj” të përfintonte më shumë se “gjeneral Rama”.

  • Rama i hodhi SPAK-ut dhe turmave të revoltuara nga superkorrupsioni një “ushqim” për t’i tulatur përkohësisht. Më duket si një nga arsyet kryesore se përse Rama ideoi skemën “Nesti Angoni”, që i lejonte SPAK-ut goditjen ndaj të përfolurit Veliaj, për të cilin kishte fakte të dukshme që e përfshinin në aferën e inceneratorit të Tiranës, por prokurorët hezitonin ta proçedonin se duhet prej ti të shkonin tek Rama, që ishte koka e çështjeve të djegësve të plehrave në Shqipëri.

  • Rama do t’ju tregojë vartësve se gjithsejcili është jo vetëm lehtësisht i përjashtueshëm nga detyrat apo nga Partia, por mund të shkojë edhe pas hekurave nëse ashtu e gjykon Vëllai i Madh. Eshtë dhe kjo arsyeja e dytë, se pse Rama e e dogji Lalin. Përfitimet që i vinin nga vrasja e dy zogjve me një gur, ishiun shumë më të mëdha edhe se sa një kosto politike në zgjedhjte parlamentare. Madje ndoshta “guri” solli edhe vrasjen e një zogu të tretë, sepse ai fitoi më shumë vota dhe deputetë se në gjithë zgjedhjet e mëparshme.

A do përpiqet sadopak që Lali dhe Ajola të mos dënohen shumë?

Kjo është pyetje që ndoshta duhet trajtuar në një shënim tjetër.

Sunday, 21 September 2025

Pas 5 vjetësh nuk do i hanë as qentë.


Ka një shprehje shumë të vjetër, ndoshta që në krijimin e tregut të parë - “Në pazar mund të blesh çdo gjë veç mendve.” Shprehja përdorej në shumë raste, veçanërisht kur dikush bënte shpesh veprime jo të mençura ose njihej si mendjepak dhe megjithatë shitej për i zgjuar.

Dukej që shprehja do mbetej sa universale aq dhe e përjetshme, por mbas mijëra vjetësh, pikërishtnë kohën që jetojmë do mundim të të blejmë “mend” në shitore ose on-line.

Jo më larg se viti 2030, korporatat e miliarderëve, që kanë kapitale trilionshe, do hedhin në treg mikroimplante me Inteligjencë Artificiale që vendosen në tru, syze me IA të avancuar dhe implante tatu me IA që vendosen në lëkurë. Të gjitha do jenë në gjendje të kthejnë një njeri të zakonshëm (madje dhe një të prapambetur mendërisht) në gjeni. Duket një pikë kulmore e zhvillimit të Njerëzimit.

Sigurisht që nuk do jenë të lira (si “telefonët e squt” që i gjen sot edhe në qoshet më të humbura të globit), se nuk besoj se miliarderëve ju intereson një botë e tejmbushur me gjenij. Duhet të jenë “bajagi” të shtrenjtë. Ndoshta në kufirin e disa milion dollarëve.

Po çdo ndodhë me ata që nuk kanë miliona për tu bërë gjenij?

“Bytha ju zjeftë!”- mund të thotë ndonjë cinik, por unë jam më i moderuar dhe besoj tek Njerëzimi ndaj them : “Ata duhet të shkojnë në shkollë!”

Vërtet shkolla nuk të bën superinteligjent, por mes qindramijërave kanë dalë edhe nga shkollat të tillë. Do jenë shumë larg gjenijve me syze inteligjente, por do punojnë për ta, se këta të dytët do kalojnë pjesën më të madhe gtë kohës duke luajtur golf dhe shëllërur jahteve. Më shumë se në ditët e sotme, pasi me inormacionin që kanë në syze mund të kontrollojnë lehtësisht bizneset e tyre.

C’do ndodhë me ata që mbarojnë shkollat e mesme dhe universitetet ?

Do ketë ende nevojë për infermierë, mësues, gjellbërës, kamarierë, policë, masazhatorë, peshkatarë, dekoratorë, bahçevanë, pastorë, peshqirmbajtës, këngëtarë, mbledhës bimësh medicinale dhe plot e plot profesione të tjera të sektorëve të shërbimeve dhe turizmit. Të papunët e shumtë ose duhet të punësohen në “industrinë e drogës”, ose duhet të kthehen në bujqë që sigurojnë vetë ushqimin e familjes së tyre.

Do ketë më shumë përplasje dhe vrasje në “industrinë e drogës’, se bosët dhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të blejnë “syze magjike” dhe të kthehen në pjestarë të nderuar të klasës sunduese, por këto janë pasojat që na i sjell zhvillimi dhe do na duhet t’i pranojmë.

Duket si një e ardhme e zymtë për “të shumtit që ende nuk kanë shkuar me të shumtit”. Por do jetë një epokë e stabilizuar, diçka mes skllavërisë dhe feudalizmit, se për të mos u ngritur në revoltë “të shumtit”, gjenijtë do ju digurojnë falas minimumin e jetesës në këmbim të betimit para flamurit se do jenë kundër dhunës, kundër ideve për përmbysje dhe grumbullimit të parave në shuma disa milionshe. Gjithashtu do gëzojnë të drejtën e fjalës dhe të besimit fetar.

A do ketë më luftëra?

Hmmmmm... pyetje e vështirë, se kam dyshime që pa pasur luftë, gjenijve do ju duket jeta monotone.

Si dikur perëndive në Olimp.

Wednesday, 3 September 2025

Fundi i verës, por jo fundi i luftrave


Parashikimet e mija të zymta për vitin 2025 duket se nuk ishin aq të errëta sa është realiteti i sotëm në botë.

Ukrainasit dhe rusët vazhdojnë të vriten me mijëra në javë.

Palestinezët vdesin nga bomba, plumbat ose nga mungesa e ushqimit apo ujit.

Diktatori Xi, tregon forcën ushtarake kineze duke paur përkrah diktatorët e Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Shtete të mëdhenj e të vegjël po rrisin me dy-tre herë buxhetet ushtarake duke pretenduar se vetëm kështu mund të fitohet paqja!

Në këtë klimë tensioni të gjithanshëm, Trump, njeriu me më shumë pushtet në botë kërkon në mënyrë histerike t’i jepet çmimi Nobël për paqe, sepse ka ndalur 6 luftra të vërteta dhe 3 të tjera që pritej të fillonin! (Njëkohësisht do që Departamentin Amerikan të Mbrojtjes ta quajë Departamenti i Luftës.)

Në një periudhë më të shkurtër se 8 muaj, që kur Trump nisi të firmosë urdhëra ekzekutivë në Zyrën Ovale, shoqëria njerëzore është më e çoroditur se kurrë, në 80 vitet e fundit që prej Luftës së Dytë Botërore.

Institucionet e bashkëpunimit ndërkombëtar janë dobësuar së tepërmi.

Lëvizja botërore për paqe është në pikën e saj më të ulët.

Udhëheqësit autokratë duken si një dukuri normale dhe e pranueshme edhe në shoqëritë demokratike.

Urrejtja ndaj emigrantëve dhe sulmet ndaj tyre janë shtuar në të gjitha vendet e zhvilluara.

Një genocid i hapur po ndodh në Mesdhe dhe askush nuk është në gjendje ose nuk do ta ndalë.

A ndodhemi para një pike vlimi, që mund të sjellë më pas një konflikt të armatosur jashtë përmasave rajonale?

Eshtë e frikshme të mendosh për më të keqen, por nuk bën dobi as të shpresosh symbyllaz se gjërat do përmirësohen.

Nëse pjesët më racionale dhe më idealiste të shoqërisë njerëzore bëhen bashkë dhe i rezistojnë kësaj gjendjeje të sëmurë, ende ka shpresa që një katastrofë e ardhshme mund të parandalohet para se të jetë shumë vonë.

A do ja dalim?




Tuesday, 15 July 2025

Xhefri i Epsheve dhe bota jonë


Xhefri Epstin (Jeffrey Epstein) është kthyer në një figurë të pavdekshme edhe pse ka vrarë veten 6 vjet më parë në një qeli të një burgu në Nju Jork.

Në kohën e sotme, kur qindra fëmijë e të rinj vriten nrenda disa orësh nëpër konfliktet e armatosura në botë, lajmet hapen dhe mbyllen me pyetjen: Ka pasur apo jo një listë klientësh të Epstein?

Eshtë një histeri e ushqyer nga mediat tradicionale, por edhe nga ato sociale. Pas këtij lajmi kryesor sigurisht qëndrojnë interesat e superkorporatave, të cilat nuk duan të diskutohet shumë rreth standartit të jetesës, rreth rritjes tej kufijve të shpenzimeve për armatime dhe minimit të vazhdueshëm të procesit të Paqes Botërore. Grupe shumë të fuqishëm duan të flitet sa më pak rreth këtyre pikave të nxehta ndaj hedhin në tregun e ushqimit mediatik, dosjen interesante seksuale të Xhefrit.

Madje edhe kur dikutohet gjërë e gjatë kësaj çështjeje, shmanget thelbi i saj. Ajo paraqitet si një teori konspirative rreth një rrjeti pedofilësh që kryesojnë të majtën politike në Amerikë dhe Botë.

E vërteta është diçka shumë e njohur.

Jeta e shumë supermiliarderëve sillet kryesisht rreth seksit, shampanjës dhe drogës. Janë këto çka ndodhin qoftë në partit në jahtet në Mesdhe, në ishullin e Xhefrit apo në rezidencat luksoze të Berluskonëve, Didit dhe shumë miliarderëve të tjerë. Janë të gjitha ngjarje që mbahen në sekret të plotë dhe dalin në sipërfaqe kur ankohen viktimat, ose kur ndonjë është nën 18 vjeç. Edhe pse kujt prej organizatorëve nuk ju bëhet vonë për vajzat e reja pjesëmarrëse dhe as ju kërkojnë kartën e identitetit pëe t’i pyetur për moshën. Kjo është di]ka e njohur jo vetëm mes të ftuarve por edhe të qindra shërbyesve dhe rojeve që sigurojnë mbarëvajtjen e tyre. Në këto orgji krijohen aleancat mes të fuqishmëve dhe shpesh edhe merren vendimet që ndikojnë mbi jetën e mijëra njerëzve. Dhe super të fuqishmit nuk duan që kjo jetë qejfesh e tyre të cënohet.

C’farë rëndësie ka për miliona njerëz të thjeshtë në Amerikë nëse publikohen të plota apo jo ato çka brenda dosjes Epstein?

Ja do mësojnë emrat e politikanëve dhe mbretërorëve apo miliarderëve që kanë përfituar nga shërbimet e rrjetit të tij të prostitutave! E pastaj?

Ja do mësojnë se Xhefri punonte për shërbimin sekret izraelit dhe filmonte njerëzit e rëndësishëm që flinin me vajza të reja në ishullin e tij apo banesën e tij në Manhatan për t’i shantazhuar më vonë! E pastaj?

A mund të shërbejnë këto njohuri për të ushtruar presion mbi politikanët dhe supermiliarderët, që të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës? Që mos ndihin njëri tjetrin për të përfituar në kurrizin e të mjerëve?

Aspak!

Nëse nuk luftohen rrënjët e së keqes, që kanë korruptuar keq Demokracitë perëndimore, kjo lloj mpleksje politiko-financiare-imorale nuk ka për të ndryshuar kurrë.

Dhe kryesorja mes këtyre rrënjëve është roli përcaktues i Super Korporatave në jetën demokratike të një vendi. Janë këto që kontrollojnë në Amerikë të dy partitë dhe nuk ka rëndësi të madhe nëse zgjidhet Bajden apo Trump. Në të dy rastet ato janë të fituara. Në të dy rastet luftrat vazhdojnë dhe po njëlloj vazhdojnë partit shumëmilionshe ku abuzohet me brishtësinë ekonomike të vajzave të reja, qofshin këto mbi apo nën 18 vjeç.

Monday, 14 July 2025

Kohë për muzikë dhe kohë për tallava


Vite më parë, një miku im muzikant më tregonte për një takim të orkestrave sinfonike të qyteteve shqiptare në Durrës, rreth vitit ‘72-’73. Veprimtaria pat qënë e suksesshme dhe përfshinte pjesë orkestrale të njohura të autorëve të huaj dhe vendas. Në mbyllje, në amfiteatrin e Durrësit (jo atë antik)ishte mbajtur një koncert me pjesët më të mira të luajtura nga disa nga orkestrat. Por organizatorët patën menduar që “mbyllja e mbylljes” të ishte me një putpuri melodish popullore të Shqipërisë së mesme, ku sigurisht përmblidheshin “Rra Faja nga fiku” e të tjera të ngjashme. Entusiazmi i të pranishmëve ishte i papërmbajtur. Shumë spektatorë nisën të luanin më këmbë, përdjedhjet trupore që nxisin ato tinguj. Sipas mikut tim, “Gjithë asaj veprimtarie serioze dhe të bukur, i vunë një bajgë të madhe në fund!”.

Por dukuria “tallava” është më se e pranishme në ditët e sotme, ku bie në sy dukshëm se krahas “populizmit” në politikë, ka dhe një “populizëm” në art dhe kryesisht në muzikë. Në lokalet shqiptare kryesisht dëgjohen melodi dhe tekste ordinere nga “këngët e dylberëve” dhe deri tek variacionet e tyre moderne me tekste të mbushura me fjalë të fëlliqura. Dhe këtu përfshihen edhe qytete si Shkodra e Korça, që kanë pasur traditë në kultivimin e muzikës së vërtetë, ose të ndjekjes së prirjeve të muzikës ndërkombëtare në periudhën para Luftës së Dytë.

Në lokalet e Korçës buçasin të ashtuquajturat “serenata”, që për nga përmbajtja e teksteve dhe akordet është më mirë të quhen “qaranada”. Plot sekrecione që dalin nga birat e një koke të të trullosur nga alkoli. Asgjë të përbashkët me serenatat që vlonin mbrëmjeve të Mesdheut nga Spanja e Franca dhe deri në Itali dhe Greqi. Po ve më poshtë vetëm disa vargje të një serenate të mesit të shekullit të XIX dhe më tej për ta krahasuar një refren që buçet restoranteve të Korçës.

Kur ninullës ja thua

Mbrëmja hyn n’kraharor

A më dëgjon ti mua,

Për ty se ç’far mendoj?

I ëmbli zë rizgjon

Më t’lumturat kujtime,

Këndo përher’ këndo

O bukuroshja ime!


Dhe le të përballim këto vargje me refrenin e një “qaranade” të krijuar diku rreth fundit të viteve ‘80 në Korçë.

Dhe ti vetëm qaje,

S’pranoje të qeshje,

Dhe më thërrisje si e marrë moj,

-Hajde, hajde!


Nuk di se në ç’lloj situate dashurore mund të ndodhë diçka e tillë. Vetëm në një marëdhënie skizofrenike. Ai i kërkon të qeshë, ndërsa ajo vetëm qan, por njëkohësisht edhe i thërret t’i shkojë pranë?!

Por për fat të keq, këngë të tilla jo vetëm nuk shuhen pas disa vjetësh, por përqafohen nga disa breza, që me një lloj dëshpërimi pështirosës vazhdojnë t’i këndojnë me “dhembkë“.

Duket që ka shumë pak kohë për muzikë të vërtetë.



Wednesday, 25 June 2025

Pse po firojnë gomerët?


Mes lajmeve të këqija të këtij viti spikat një që lidhet me një specie të rëndësishme të kategorisë së kafshëve shtëpiake, specien Gomar. Numuri i gomerëve në botë po firon në mënyrë drastike. Dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin që kanceleritë në gjithë botën po mbushen përherë e më tepër me gomerë dhe gomarica. (Një shembull kuptimplotë ishte në mes të majit në Tiranë, në një takim të rëndësishëm të krerëve të zyrave më të rëndësishme të Europës. Pikë kulmore ishte përgjunja e gomarit tonë të madh Rama në tapetin e kuq para gomaricës me mbiemër Pjepri, e cila pëlliste “Mjaft tani Edi, mjaft!)

Shkaku i zhdukjes së gomerëve është Kina. Ose më saktë 500 milion qinezkat.

Në lëkurën e gomarit ka një lloj xhelatine të provuar në shekuj, që përdoret në prodhime kozmetike për gra. Ky është shkaku që në 10 vitet e fundit, numuri i goemrëve në Kinë ka shkuar nga 10 milion në 2 milion. Për këtë kinezët i janë drejtuar kontinentit afrikan, ku mbarështoen gjysma e gomerëve të botës. (Numuri i përgjithshëm në botë nuk është shumë i madh. Sipas statistikave luhatet midis 52-55 milion.) Kjo ka sjellë jo vetëm rritjen e çmimit të tyre (për shembull në Kenia një gomar që shitej 6 muaj më parë shitej 500 dollarë amerikanë tani shkon 1400) por edhe grabitje të gomerëve në fshatra dhe në shumë raste – ekzekutim, rrjepje dhe marrje të lëkurës. Kjo ka ngjallur panik mes qeverive të vendeve afrikane edhe më tepër se ngrohja globale.Shumë shpejt një pjesë e tyre do mblidhen në Bregun e Fildishtë të diskutojnë ndalimin e eksportit të gomerëve.

Duket që Kina komuniste, që ka bërë shumë shpikje në 30-40 vitet e fundit (shumica të kopjuara nga Perëndimi) nuk i ka dhënë dot zgjidhje rritjes galopante të kërkesës për lëkurë gomari në tregun e saj të brendshëm, duke krijuar “fabrika” të rritjes së gomerëve të ngjashme me pularitë. Problemi kryesor është që kafsha gomar nuk është shumë pjellore. Duket kontradiktore, që një specie që njihet për madhësinë e konsiderueshme të organit gjenital, nuk ka pjellori të lartë. Kjo vjen ndoshta nga një lloj dembelizmi seksual i gomerëve, ose nga cilësia jo e mirë e vezoreve të gomaricave. Edhe eksperimentimi i lashtë i ndërzimit të gomerëve me pela, solli kafshën hibride, që e quajmë mushkë.

Gjithsesi kriza është reale dhe duket pranë kolapsit. Ose gomerët do shpallen shpejt si specie në zhdukje e sipër, ose Bashkësia Ndërkombëtare duhet të detyrojë Kinën Komuniste të heqë dorë nga përdorimi i xhelatinës speciale për prodhime kozmetike.

(Kam dyshimet e mija, që edhe Miqësia Shqiptaro Kineze prej vitit 1960 deri më 1978, nuk ka qënë e bazuar kryesisht në ideologjinë marksiste-leniniste sikundër pretendohej, por në një marëveshje për këmbimin e gomerëve me Kombinatin Metalurgjik dhe dy-tre hidrocentrale. Ishte e lehtë të përdorje emra si “Celiku i Partisë“ apo “Drita e Partisë“, por nuk mund të thuhej hapur se ato ishin falë “Gomarit të Partisë“. Ndaj kjo çështje mbetet tepër sekret edhe në ditët e sotme.)

Kam frikë se ky shënim i shkurtër nuk do nxisë një lëvizje të fuqishme për mbrojtjen e gomerëve, madje po qe se përkthehet në ndonjë gjuhë afrikane, lexuesit e kontinentit të zi me të drejtë do thonë : “Le gomerët që po na i zhdukin, po s’na lenë rehat as mizat!”

Wednesday, 18 June 2025

Ne, të pafuqishmit për të ardhmen e fëmijëve tanë


Duket, që njerëzit e thjeshtë, që duan paqen në botë, janë po aq të pafuqishëm, sa gjyshërit tanë patën qënë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në Europë dhe në Azi. 3 shtete me ambicie të zhvillimit kapitalist, por jo me tregje të mjaftueshme, Gjermania, Itali dhe Japonia, nisën pushtimin e vendeve të tjera deri sa konflikte kulmuan në përfshirjen e gjithë Fuqive të Mëdha , në atë që ka qënë masakra më e madhe njerëzore dhe që quhet Lufta e Dytë Botërore.

Kulmi i asaj masakre kolektive ishte hedhja e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku në disa minuta u shuan në mënyrën më të tmerrshme qindra mijëra njerëz.

U duk se Njerëzimi pat nxjerrë mësime nga “marrëzia” e vet dhe filloi një periudhë e gjatë “përmbajtjeje”, kur Paqja ishte refreni kryesor. U krijuan organizata ndërkombëtare, të cilat mund të garantonin paqen dhe të parandalonin një Luftë të re Botërore. Dhe megjithëse gjatë 80 viteve pati luftra në rajone të ndryshme të botës duke nisur me Korenë, Vietnamin. Lindjen e Mesme, shumë vende të Afrikës, nuk pati konflikte të armatosura që mund të sillnin Luftën e Tretë Botërore. Një rol në këtë ekuilibër ka luajtur edhe fakti që Amerika dhe Bashkimi Sovjetik ishin të dyja fuqi bërthamore. Më pas “klubit bërthamor” ju shtuan edhe Franca, Britania e Madhe, Kina dhe më tej Izraeli, India dhe Pakistani. E fundit ka qënë Korea e Veriut.

Por gjatë gjithë viteve ‘50, ‘60, ‘70 dhe ‘80, pati një lëvizje të madhe kundër luftës në të gjitha vende e zhvilluara botërore, duke nisur me SHBA dhe vendet europiane, por të mbështetura në Kombet e Bashkuara edhe nga një shumicë e madhe qeverish në botë. Tashmë, protestat e fuqishme kundër luftës në Vietnam ose kundër luftës në Irak, duket sikur i përkasin një mijëvjeçari tjetër. Edhe pse për këtë topitje të shoqërive perëndimore nuk mund të fajësosh administratën Trump, duhet pranuar se rikthimi i tij në Shtëpinë e bardhë ka ndikuar së tepërmi në gjallërimin e erërave të luftës.

Mbështetja e pakufi ndaj Izraelit (që është një histori e vjetër e administratave amerikane) nga kjo administratë dhe ‘injorimi” thuajse i të gjitha organizmave ndërkombëtare, ka sjellë në një situatë, ku “të fortët” mund të shpalosin arrogancën e tyre pa përfillur vendet e tjerë dhe popujt e tjerë. Asnjëherë si sot nuk është kryer një genocid i hapur ndaj palestinezëve dhe e gjithë bota e qytetëruar të ngrerë supet dhe të mërmëritë vetëm disa fjalë “qortuese’ ndaj Izraelit.

Fare hapur, në takimin e fundit të G7 në Kanada, u duk se sa “impotentë“ janë vendet e mëdha perëndimore, që në vend të dënonin sulmin e Izraelit ndaj Iranit, konstatuan se “Irani është i rrezikshëm” , madje nuk ishin në gjendje as të miratonin një dokument në mbështetje të Ukrainës.

Por nëse qeveritë perëndimore, kanë ide komplekse ndaj gjeopolitikës si dhe luftrave, që lidhen me interesa ekonomomike, me interesa të industrisë militare, me pasurimin e miqve dhe familjeve të tyre, është e pafalshme për njerëzit e thjeshtë, që duan një letë pa luftra, të trefohen kaq të paralizuar. Duket sikur mendësia e shumicës së njerëzve në vendet e zhvilluara është “Who cares!” (Ose në një shqipe vulgare “Na pla bë!” Po vriten fëmijët në Gaza! (Who cares!) Po vriten mijëra të rinj rusë dhe ukrainas! (Who cares) Lufta e Iranit mund të sjellë shkallëzim të konflikteve në botë! (Who cares)

E vërteta e hidhur është që me këtë “naplabë“ të përgjithshme nuk është çudi që flakët të përfshijnë zona të mëdha në botë dhe rradha të na vijë ne dhe fëmijëve tanë.

Dhe ne rrimë duarlidhur si idiotë dhe votojmë për këta zarba që na drejtojnë dhe nuk jemi në gjendje të ngrihemi për t’ju ndalur dorën.

Monday, 9 June 2025

Qentë dhe Buçet e 2025


Ky vit, sipas kalendarit kinez nuk është viti i Qenit, por i Gjarpërit. Viti i Qenit do jetë pas 5 vitesh (rastësisht qëllon edhe me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian) e megjithatë gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, Qentë kanë qënë më të përmendurit, më aktivët dhe më përfaqësuesit mes kafshëve të buta dhe të egra që bredhin rrugëve, luginave. deteve. lumenjve dhe qiejve të Globit tonë.


  • Irani posa ka zgjeruar ndalimin e shëtitjes i shoqëruar nga një qen. A është kjo kundër qenve, kundër pronarëve të qenve, apo baskëpunimit qen njeri, kjo nuk është e qartë, sepse Irani si një shtet totalitar jep pak informacion për të huajt, ose jep informacione të rreme.

  • Kostoja e jetesës ktëtë vit në Kanada është rritur me 2.4%. Por kjo është për njerëzit. Rritja e kostos për të mbajtur një qen, në krahasim me vitin e kaluar është rritur 18%. Kjo tregon që qentë dhe buçet e familjeve kanadeze kanë rritur pretendimet. Se nuk ka se si shpjegohet, që rritja e kostos të jetë rritur 8 herë krahasuar me atë të njerëzve. Shkurt, qentë kanadezë kanë filluar nga pordhët. Dhe qeni më i vogël dhe me më pak pretendime i kushton qenmbajtësit 18 mijë dollarë, ndërsa qeni i madh dhe “pordhac” i kushton buxhetit familjar 54 mijë dollarë. (Rastësisht kjo shifër e fundit është sa rroga mesatare e një kanadezi, para se të zbriten taksat.)

  • Një rast të habitshëm përbëjnë sot qentë e Cernobilit. Për shkak të kushteve tërësisht të veçanta të radiacionit të lartë, ata kanë evoluar brenda disa dhjetvjeçarëve sa për qindra mijëra vjet. Flitet se disa prej tyre kanë nisur të lehin e disa rrokje, që jep shpresë se shumë shpejt do flasin. Të mendosh nëse do ketë një projekt gërshetimi të qenve të evoluar me Inteligjencën Artificiale. Mund të arrihet në një qenqytetërim të paparë.

  • Karvani i Edi Ramës ka ecur aq para, sa edhe vetë Kryekarvanari nuk ka asnjë problem me qentë që lehin. Madje ka ndodhur edhe një proçes i çuditshçm që edhe më “cinikët” mes qenve nuk bëzajnë. I vetmi që ka qënë i shqetësuar për “qenërinë mediatike”, është Erion Veliaj (dikur një qen-asgjesues), por dhe ai po kalon një “jetë qeni” në një burg të Tiranës ose Durrësit.

  • Më spektakolarja e këtij viti është grindja e Qenit më të fuqishëm në botë, me Qenin më të pasur në botë. Mëse një javë, e gjithë botat i kushton vëmendje vetëm lehjeve të tyre në platformat X dhe Truth. Janë lajmet e para në gjithë mediat tradicionale. Dy kafshë me pushtet të paparë, po i ngërthehen njëri tjetrit si dy qenër rrugaçë të Rrugës së Brrakës. Dhe njerëzit nuk dinë se anën e cilit qeni të mbajnë. O tempora , o mores! O canis familiaris!

Friday, 6 June 2025

Vera 1970 dhe ethja-tv (fund)


(vijim)

 Flitej edhe për një tv tjetër, që ishte në shtëpinë e dikujt, por ku nuk mund të shkonin shumë njerëz sepse aq mbante një dhomë e një shtëpie apo apartamenti të asaj kohe. Pra në gjithë qytetin prej 65 mijë banorësh kishte 4 televizorë, dhe të gjithë ishin të etur të gjenin një mik për të mundur të hynin në një nga mjediset e “mrekullueshme” ku mund të shihnin një ndeshje të futbollit më të përparuar.

Kjo ngjarje ishte zanafilla e qindra e qindra letrave, që korçarët ju dërgonin të afërmve të tyre në Amerikë dhe Australi për t’ju dërguar një televizor. Kërkoheshin adresa edhe të kushërinjve të largët, madje edhe të ndonjë fqinji të dikurshëm me shpresën se mund t’ju përgjigjeshin me një- Po, ja së shpejti do ja u nisim!

Dëshira për të pasur me çdo kusht një tv përballë pamundësisë për të gjetur një të tillë, krijonte edhe ide fantastiko shkencore, si ajo e kthimit të radiove të mëdha në televizor, duke ju shtuar një kinoskop dhe ndonjë “llambë“ apo tranzistor tjetër! E tillë ishte dëshira për të parë atë çka shumica e shqiptarëve nuk mund ta shihnin dhe që ishte jeta nëpër botë.

Edhe pse nuk dihet përqindja e kërkesave tek familjarët që jetonin jashtë Shqipërisë për t’ju dërguar një tv, morrën përgjigje pozitive, duhet thënë se që me përfundimin e kampionatit Botëror, nisën të vijnë televizorët e dërguar nga shqiptaro-amerikanët. Të afërmit kishin patur vështirësi në fillim për të blerë aparate të përshtatshme, për shkak se aparatet që shiteshin në Amerikë kishin sistem voltazhi me 120 V. Kështu që kishin pyetur lart e poshtë për të gjetur një firmë europiane dhe kishin përfunduar në një italiane në prag të falimentimit, e cila prodhonte tv të markës “Fanola”. Fanolat e para 19”arrtën gjatë verës dhe nuk shquheshin për cilësi, por më pas shqiptaro-amerikanët nisën të dërgonin edhe tv të markave më serioze, si Filips, Gruding e Sabba. Shteti i Diktaturës as i nxiste dhe as i pengonte dërgesat, sepse ju merrte pritësve një minimum prej 27 mijë lek të vjetra tarifë doganore. Në “shtetin e vetëm pa taksa në botë“, aparati televiziv i kushtonte një familjeje shqiptare rrreth 300 dollarë, ndërkohë kur të afërmit jashtë shtetit kishin shpenzuar edhe 500-600 të tjera për blerjen dhe transportin.

Gjithsesi kjo nuk e ndali euforinë për të kërkuar një tv, dhe më pas edhe për të kërkuar para borxh për pagimin e doganës. Në atë kohë, një pagesë e tillë ishte gati sa 6 rroga mujore mesatare të një shqiptari.

Filloi atë kohë periudha 3-4 vjeçare e ndjekjes së emisioneve televizive në grupe të mëdha mbi baza farefisnie dhe komshijsh. Në dhoma të vogla të shtëpive dhe apartamenteve të kohës, mblidheshin deri 40 vetë nga fëmijët cullakë dhe deri në pleqtë që dremisnin. Ndiqeshin koncerte, filma serialë, veprimtari sportive dhe gjithshka tjetër ofronte stacioni i TV Shkupit që shpesh këmbente emisione me Beogradin, Zagrebin dhe Sarajevon.

Më pas u vendos edhe përforcues për valët e televizionit shqiptar, por ky i fundit kishte dhe më pak orë transmetimi, si dhe programe shumë të kontrolluara. Catitë dhe tarracat u mbushën me antena televizive, të gjitha të bëra në mënyrë artizanale në fabrikat dhe ofiçinat shtetëtore me materiale të vjedhura. Nuk kishte antena në shitje dhe gjithashtu nuk shiteshin tubo metalike për ngritjen e tyre. Në dy tre vjet, tonelata të tëra tubosh çeliku dhe bakri ju vendosën si kurorë me gjemba qytetit.

Kishte nisur fundi i izolimit të plotë të shoqërisë shqiptare. 

Thursday, 29 May 2025

Vera 1970 dhe ethja-tv


55 vjet më parë, pikërisht në maj, pat nisur një lloj bisede në familjet korçare, në sofatet, në pushimet e drekës nëpër fabrika, që brenda disa muajsh u kthye në ethe. Dëshira për të patur një aparat televizori.

Po ç’pat ndodhur në qytetin juglindor të Diktaturës shqiptare në pranverën e atij viti? Aparatet televizive ishin shpikur më se 40 vite më parë, madje edhe vetë Shqipëria kishte prej disa vitesh një stacion televiziv.

Korça kishte qënë deri atë kohë një “zonë e vdekur” për valë televizive ndaj dhe në qytet nuk kishte aparate tv, madje edhe ndonjë që ishte blerë jashtë shtetit rrinte kot në banesën e pronarit.

Fjala ishte hapur se në jug të Jugosllavisë ishte vendosur një përforcues i TV Shkupit dhe mund të shihje programet e kanaleve jugosllave. Në një vend të mbyllur nga të gjitha anët, kur kontaktet me të huajt ishin të thjeshtuara vetëm në takimet me kushërinjtë shqiptaro-amerikanë që vinin vizitorë (jo të shumtë) gjatë muajve të verës dhe në dëgjimin e radiostacioneve të huaja, më në fund mund të kishin një dritare, ku të shihnin se ç’farë ndodhte në botë.

Hyrja e valëve televizive të Shkupit në zonën e Korçës, përkoi edhe me pragfillimin e Kampionatit Botëror të Meksikës, që për burrat shqiptarë ishte ngjarja më e rëndësishme botërore , e cila nga interesimi i kalonte edhe hyrjes së tankeve ruse në Pragë, atentatit ndaj Martin Luter Kingut apo edhe luftës në Vietnam.

Jeta e burrave shqiptarë në kohën e Diktaturës matej me kampionatin botëror të futbollit , që zhvillohej çdo 4 vjet. Ishte ngjarje ku mund të shpreheshe hapur se kë simpatizoje, pa pasur frikë se spiunët e shumtë. Kishte tifozë me Brazilin, që atë kohë ishte një diktaturë fashiste, me Anglinë, me të cilën nuk kishim marëdhënie diplomatike, madje edhe me Bashkimin Sovjetik, të cilin e kishim po aq armik sa kishim edhe Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht kjo ngjarje vuri në lëvizje edhe dy-tre grupe, të cilët sollën aparate televizive në qytet. Një ishte një grup shoferash që bënin udhëtime në Europë (atë kohë quheshin shofer eksporti), të cilët ja dhanë aparatin në përdorim ndërmarjes kryesore shtetërore të transportit, që atë kohë quhej Parku i Mallrave. Në sallën e mbledhjeve të ndërmarjes, u vendos ky aparat televiziv dhe me hapjen e Kampionatit, shoferët, miqtë dhe familjarët e tyre filluan të ndiqnin ndeshjet e futbollit. Një aparat tjetër kishte mbetur nga mbyllja e Ekspozitës kineze të vitit 1969 dhe nisi të përdorej nga Komiteti Ekzekutiv, në sallën e mbledhjeve të tij, ku teleshikuesit ishin kryesisht nëpunës partiakë dhe të administratës. Pika e tretë ndodhej në shkollën “Stavri Themeli”, e dhënë përkohësisht nga profesori i njohur Ligor Mile. Mësues të shkollës dhe shumë mësues të tjerë , si dhe familjarë e miq të tyre ndiqnin me pasion lojën e idhujve të tyre, që i njihnin vetëm nga gazetat, radioja dhe nga filmi “Gol”. Ishin të pakët yjet e futbollit botëror që kishin luajtur në Tiranë dhe thuajse asnjë i tillë nuk kishte luajtur në stadiumin e Korçës.

(vijon)

Friday, 23 May 2025

Pikëllimi dhe e qeshura shpesh janë bashkë


Historitë e vdekjeve, edhe në mosha të reja, që për familjen janë tragjike, por edhe për komunitetin janë të dhimshme, jo rrallë kanë pasur edhe episode komike, që kanë bërë të venë buzë në gaz të pranishmit. Kjo për shkak të marrëzive që thonë njerëz, që flasin në mënyrë të gabuar, në vendin e gabuar dhe në çastin e gabuar. Tensioni i krijuar në raste të ditëve të vdekjes dhe funeraleve, ka krijuar edhe shpërthime të qeshurash, që sa absurde duken, por po aq të shpjegueshme psikologjikisht janë.

Shumë raste të tilla mbeten në kohë dhe tregohen si anekdota.

Një syresh që më ka bërë të qesh, ishte në rastin e një vdekjeje të një mesogruaje, e motra e së cilës gjatë të qarës me kuje thoshte:

- Se ti nuk ishe ndonjë çapaçulkë moj Niqiiii!

Marrokja e rradhës është nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, tashmë e zgjedhur deputete, Besa Spaho, Mes pikëllimit të humbjes së parakohshme të ish-Kryekadastristit Artan Lame, ajo poston në mediat sociale një foto me të ndjerin, me poshtëshënimin:

- Latumirë Drejtor. Të dua shumë.

Më solli menjëherë kujtimin e të famshmit Fotaq Gafa, që i drejtohej zëvendës dekanit një mëngjes pranvere : -Mirmëngjes shoku zëvendës Hajredin!

Më pas mendova, se do kishte qënë më mirë që poshtëshënimi të kishte qënë npë italisht:

-Adio direttore. Ti voglio tanto bene.

Do kishte qënë të paktën një marrëzi eurosocialiste.