Wednesday, 3 September 2025

Fundi i verës, por jo fundi i luftrave


Parashikimet e mija të zymta për vitin 2025 duket se nuk ishin aq të errëta sa është realiteti i sotëm në botë.

Ukrainasit dhe rusët vazhdojnë të vriten me mijëra në javë.

Palestinezët vdesin nga bomba, plumbat ose nga mungesa e ushqimit apo ujit.

Diktatori Xi, tregon forcën ushtarake kineze duke paur përkrah diktatorët e Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Shtete të mëdhenj e të vegjël po rrisin me dy-tre herë buxhetet ushtarake duke pretenduar se vetëm kështu mund të fitohet paqja!

Në këtë klimë tensioni të gjithanshëm, Trump, njeriu me më shumë pushtet në botë kërkon në mënyrë histerike t’i jepet çmimi Nobël për paqe, sepse ka ndalur 6 luftra të vërteta dhe 3 të tjera që pritej të fillonin! (Njëkohësisht do që Departamentin Amerikan të Mbrojtjes ta quajë Departamenti i Luftës.)

Në një periudhë më të shkurtër se 8 muaj, që kur Trump nisi të firmosë urdhëra ekzekutivë në Zyrën Ovale, shoqëria njerëzore është më e çoroditur se kurrë, në 80 vitet e fundit që prej Luftës së Dytë Botërore.

Institucionet e bashkëpunimit ndërkombëtar janë dobësuar së tepërmi.

Lëvizja botërore për paqe është në pikën e saj më të ulët.

Udhëheqësit autokratë duken si një dukuri normale dhe e pranueshme edhe në shoqëritë demokratike.

Urrejtja ndaj emigrantëve dhe sulmet ndaj tyre janë shtuar në të gjitha vendet e zhvilluara.

Një genocid i hapur po ndodh në Mesdhe dhe askush nuk është në gjendje ose nuk do ta ndalë.

A ndodhemi para një pike vlimi, që mund të sjellë më pas një konflikt të armatosur jashtë përmasave rajonale?

Eshtë e frikshme të mendosh për më të keqen, por nuk bën dobi as të shpresosh symbyllaz se gjërat do përmirësohen.

Nëse pjesët më racionale dhe më idealiste të shoqërisë njerëzore bëhen bashkë dhe i rezistojnë kësaj gjendjeje të sëmurë, ende ka shpresa që një katastrofë e ardhshme mund të parandalohet para se të jetë shumë vonë.

A do ja dalim?




No comments:

Post a Comment