(vijim)
Flitej edhe për një tv tjetër, që ishte në shtëpinë e dikujt, por ku nuk mund të shkonin shumë njerëz sepse aq mbante një dhomë e një shtëpie apo apartamenti të asaj kohe. Pra në gjithë qytetin prej 65 mijë banorësh kishte 4 televizorë, dhe të gjithë ishin të etur të gjenin një mik për të mundur të hynin në një nga mjediset e “mrekullueshme” ku mund të shihnin një ndeshje të futbollit më të përparuar.
Kjo ngjarje ishte zanafilla e qindra e qindra letrave, që korçarët ju dërgonin të afërmve të tyre në Amerikë dhe Australi për t’ju dërguar një televizor. Kërkoheshin adresa edhe të kushërinjve të largët, madje edhe të ndonjë fqinji të dikurshëm me shpresën se mund t’ju përgjigjeshin me një- Po, ja së shpejti do ja u nisim!
Dëshira për të pasur me çdo kusht një tv përballë pamundësisë për të gjetur një të tillë, krijonte edhe ide fantastiko shkencore, si ajo e kthimit të radiove të mëdha në televizor, duke ju shtuar një kinoskop dhe ndonjë “llambë“ apo tranzistor tjetër! E tillë ishte dëshira për të parë atë çka shumica e shqiptarëve nuk mund ta shihnin dhe që ishte jeta nëpër botë.
Edhe pse nuk dihet përqindja e kërkesave tek familjarët që jetonin jashtë Shqipërisë për t’ju dërguar një tv, morrën përgjigje pozitive, duhet thënë se që me përfundimin e kampionatit Botëror, nisën të vijnë televizorët e dërguar nga shqiptaro-amerikanët. Të afërmit kishin patur vështirësi në fillim për të blerë aparate të përshtatshme, për shkak se aparatet që shiteshin në Amerikë kishin sistem voltazhi me 120 V. Kështu që kishin pyetur lart e poshtë për të gjetur një firmë europiane dhe kishin përfunduar në një italiane në prag të falimentimit, e cila prodhonte tv të markës “Fanola”. Fanolat e para 19”arrtën gjatë verës dhe nuk shquheshin për cilësi, por më pas shqiptaro-amerikanët nisën të dërgonin edhe tv të markave më serioze, si Filips, Gruding e Sabba. Shteti i Diktaturës as i nxiste dhe as i pengonte dërgesat, sepse ju merrte pritësve një minimum prej 27 mijë lek të vjetra tarifë doganore. Në “shtetin e vetëm pa taksa në botë“, aparati televiziv i kushtonte një familjeje shqiptare rrreth 300 dollarë, ndërkohë kur të afërmit jashtë shtetit kishin shpenzuar edhe 500-600 të tjera për blerjen dhe transportin.
Gjithsesi kjo nuk e ndali euforinë për të kërkuar një tv, dhe më pas edhe për të kërkuar para borxh për pagimin e doganës. Në atë kohë, një pagesë e tillë ishte gati sa 6 rroga mujore mesatare të një shqiptari.
Filloi atë kohë periudha 3-4 vjeçare e ndjekjes së emisioneve televizive në grupe të mëdha mbi baza farefisnie dhe komshijsh. Në dhoma të vogla të shtëpive dhe apartamenteve të kohës, mblidheshin deri 40 vetë nga fëmijët cullakë dhe deri në pleqtë që dremisnin. Ndiqeshin koncerte, filma serialë, veprimtari sportive dhe gjithshka tjetër ofronte stacioni i TV Shkupit që shpesh këmbente emisione me Beogradin, Zagrebin dhe Sarajevon.
Më pas u vendos edhe përforcues për valët e televizionit shqiptar, por ky i fundit kishte dhe më pak orë transmetimi, si dhe programe shumë të kontrolluara. Catitë dhe tarracat u mbushën me antena televizive, të gjitha të bëra në mënyrë artizanale në fabrikat dhe ofiçinat shtetëtore me materiale të vjedhura. Nuk kishte antena në shitje dhe gjithashtu nuk shiteshin tubo metalike për ngritjen e tyre. Në dy tre vjet, tonelata të tëra tubosh çeliku dhe bakri ju vendosën si kurorë me gjemba qytetit.
Kishte nisur fundi i izolimit të plotë të shoqërisë shqiptare.

No comments:
Post a Comment