Monday, 14 July 2025

Kohë për muzikë dhe kohë për tallava


Vite më parë, një miku im muzikant më tregonte për një takim të orkestrave sinfonike të qyteteve shqiptare në Durrës, rreth vitit ‘72-’73. Veprimtaria pat qënë e suksesshme dhe përfshinte pjesë orkestrale të njohura të autorëve të huaj dhe vendas. Në mbyllje, në amfiteatrin e Durrësit (jo atë antik)ishte mbajtur një koncert me pjesët më të mira të luajtura nga disa nga orkestrat. Por organizatorët patën menduar që “mbyllja e mbylljes” të ishte me një putpuri melodish popullore të Shqipërisë së mesme, ku sigurisht përmblidheshin “Rra Faja nga fiku” e të tjera të ngjashme. Entusiazmi i të pranishmëve ishte i papërmbajtur. Shumë spektatorë nisën të luanin më këmbë, përdjedhjet trupore që nxisin ato tinguj. Sipas mikut tim, “Gjithë asaj veprimtarie serioze dhe të bukur, i vunë një bajgë të madhe në fund!”.

Por dukuria “tallava” është më se e pranishme në ditët e sotme, ku bie në sy dukshëm se krahas “populizmit” në politikë, ka dhe një “populizëm” në art dhe kryesisht në muzikë. Në lokalet shqiptare kryesisht dëgjohen melodi dhe tekste ordinere nga “këngët e dylberëve” dhe deri tek variacionet e tyre moderne me tekste të mbushura me fjalë të fëlliqura. Dhe këtu përfshihen edhe qytete si Shkodra e Korça, që kanë pasur traditë në kultivimin e muzikës së vërtetë, ose të ndjekjes së prirjeve të muzikës ndërkombëtare në periudhën para Luftës së Dytë.

Në lokalet e Korçës buçasin të ashtuquajturat “serenata”, që për nga përmbajtja e teksteve dhe akordet është më mirë të quhen “qaranada”. Plot sekrecione që dalin nga birat e një koke të të trullosur nga alkoli. Asgjë të përbashkët me serenatat që vlonin mbrëmjeve të Mesdheut nga Spanja e Franca dhe deri në Itali dhe Greqi. Po ve më poshtë vetëm disa vargje të një serenate të mesit të shekullit të XIX dhe më tej për ta krahasuar një refren që buçet restoranteve të Korçës.

Kur ninullës ja thua

Mbrëmja hyn n’kraharor

A më dëgjon ti mua,

Për ty se ç’far mendoj?

I ëmbli zë rizgjon

Më t’lumturat kujtime,

Këndo përher’ këndo

O bukuroshja ime!


Dhe le të përballim këto vargje me refrenin e një “qaranade” të krijuar diku rreth fundit të viteve ‘80 në Korçë.

Dhe ti vetëm qaje,

S’pranoje të qeshje,

Dhe më thërrisje si e marrë moj,

-Hajde, hajde!


Nuk di se në ç’lloj situate dashurore mund të ndodhë diçka e tillë. Vetëm në një marëdhënie skizofrenike. Ai i kërkon të qeshë, ndërsa ajo vetëm qan, por njëkohësisht edhe i thërret t’i shkojë pranë?!

Por për fat të keq, këngë të tilla jo vetëm nuk shuhen pas disa vjetësh, por përqafohen nga disa breza, që me një lloj dëshpërimi pështirosës vazhdojnë t’i këndojnë me “dhembkë“.

Duket që ka shumë pak kohë për muzikë të vërtetë.



No comments:

Post a Comment