Duket, që njerëzit e thjeshtë, që duan paqen në botë, janë po aq të pafuqishëm, sa gjyshërit tanë patën qënë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në Europë dhe në Azi. 3 shtete me ambicie të zhvillimit kapitalist, por jo me tregje të mjaftueshme, Gjermania, Itali dhe Japonia, nisën pushtimin e vendeve të tjera deri sa konflikte kulmuan në përfshirjen e gjithë Fuqive të Mëdha , në atë që ka qënë masakra më e madhe njerëzore dhe që quhet Lufta e Dytë Botërore.
Kulmi i asaj masakre kolektive ishte hedhja e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku në disa minuta u shuan në mënyrën më të tmerrshme qindra mijëra njerëz.
U duk se Njerëzimi pat nxjerrë mësime nga “marrëzia” e vet dhe filloi një periudhë e gjatë “përmbajtjeje”, kur Paqja ishte refreni kryesor. U krijuan organizata ndërkombëtare, të cilat mund të garantonin paqen dhe të parandalonin një Luftë të re Botërore. Dhe megjithëse gjatë 80 viteve pati luftra në rajone të ndryshme të botës duke nisur me Korenë, Vietnamin. Lindjen e Mesme, shumë vende të Afrikës, nuk pati konflikte të armatosura që mund të sillnin Luftën e Tretë Botërore. Një rol në këtë ekuilibër ka luajtur edhe fakti që Amerika dhe Bashkimi Sovjetik ishin të dyja fuqi bërthamore. Më pas “klubit bërthamor” ju shtuan edhe Franca, Britania e Madhe, Kina dhe më tej Izraeli, India dhe Pakistani. E fundit ka qënë Korea e Veriut.
Por gjatë gjithë viteve ‘50, ‘60, ‘70 dhe ‘80, pati një lëvizje të madhe kundër luftës në të gjitha vende e zhvilluara botërore, duke nisur me SHBA dhe vendet europiane, por të mbështetura në Kombet e Bashkuara edhe nga një shumicë e madhe qeverish në botë. Tashmë, protestat e fuqishme kundër luftës në Vietnam ose kundër luftës në Irak, duket sikur i përkasin një mijëvjeçari tjetër. Edhe pse për këtë topitje të shoqërive perëndimore nuk mund të fajësosh administratën Trump, duhet pranuar se rikthimi i tij në Shtëpinë e bardhë ka ndikuar së tepërmi në gjallërimin e erërave të luftës.
Mbështetja e pakufi ndaj Izraelit (që është një histori e vjetër e administratave amerikane) nga kjo administratë dhe ‘injorimi” thuajse i të gjitha organizmave ndërkombëtare, ka sjellë në një situatë, ku “të fortët” mund të shpalosin arrogancën e tyre pa përfillur vendet e tjerë dhe popujt e tjerë. Asnjëherë si sot nuk është kryer një genocid i hapur ndaj palestinezëve dhe e gjithë bota e qytetëruar të ngrerë supet dhe të mërmëritë vetëm disa fjalë “qortuese’ ndaj Izraelit.
Fare hapur, në takimin e fundit të G7 në Kanada, u duk se sa “impotentë“ janë vendet e mëdha perëndimore, që në vend të dënonin sulmin e Izraelit ndaj Iranit, konstatuan se “Irani është i rrezikshëm” , madje nuk ishin në gjendje as të miratonin një dokument në mbështetje të Ukrainës.
Por nëse qeveritë perëndimore, kanë ide komplekse ndaj gjeopolitikës si dhe luftrave, që lidhen me interesa ekonomomike, me interesa të industrisë militare, me pasurimin e miqve dhe familjeve të tyre, është e pafalshme për njerëzit e thjeshtë, që duan një letë pa luftra, të trefohen kaq të paralizuar. Duket sikur mendësia e shumicës së njerëzve në vendet e zhvilluara është “Who cares!” (Ose në një shqipe vulgare “Na pla bë!” Po vriten fëmijët në Gaza! (Who cares!) Po vriten mijëra të rinj rusë dhe ukrainas! (Who cares) Lufta e Iranit mund të sjellë shkallëzim të konflikteve në botë! (Who cares)
E vërteta e hidhur është që me këtë “naplabë“ të përgjithshme nuk është çudi që flakët të përfshijnë zona të mëdha në botë dhe rradha të na vijë ne dhe fëmijëve tanë.
Dhe ne rrimë duarlidhur si idiotë dhe votojmë për këta zarba që na drejtojnë dhe nuk jemi në gjendje të ngrihemi për t’ju ndalur dorën.

No comments:
Post a Comment