Shpesh vras mendjen se si është e mundur, që vetëm dy udhëheqës politikë kanë mbetur kaq gjatë në krye të shtetit tonë. Prej vitit 1991 Sali Berisha dhe prej vitit 1999 Edi Rama.
Pasi e kam kthyer dhe vërtitur në mendje faktorë shoqërorë, gjeopolitikë, ideologjikë, të kultit të individit, të rolit të narcisistëve në drejtimin e masave, të mungesës së trenave, të rritjes së kultivimit të boronicës dhe shumë të tjera kam arritur në të njëjtin përfundim që arriti detektivi mesjetar i Kadaresë tek “Kush e solli Doruntinën”- Timonierin e madh dhe Xha Saliun, i mban në krye të këtij vendi Besa.
Besa e shqiptarit është ajo ]ka vendos të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Një pjesë e madhe e besnikëve shqiptarë i kanë dhënë besën Saliut dhe një pjesë edhe më e madhe ja kanë dhënë Edi Ramës. Ashtu si dikur shumica dërmuese i pat dhënë besën shokut Enver!
Ka edhe një pjesë shumë të vogël me të pabesë, ose si e quajnë në mënyrë të sofistikuar ‘elektorati gri”, por kjo pjesë e popullsisë (atipike) shqiptare sa më shumë kalon koha dhe aq më shumë zvogëlohet.
Ndaj dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar pas zgjedhjeve të 11 Majit. Besnikët e PS-së (ose Partia e Sumës)do mbeten në shifrat 42% dhe besnikët e Ko-hale-cionit “Ta bëjmë Shqipërinë Madhështore” do qëndrojnë fort në 28%. Votat e të pabesëve do shpërndahen në partitë e vogla, por për shkak të formulës së zgjedhjeve edhe më se gjysmat e tyre do shkojnë në dobi të dy partive me besnikë.
Kështu që Kuvendi i ri, krahas punës për të rritur begatinë e popullit shqiptar, do ketë si përparësi edhe të reformojë Drejtësinë, ose më mirë atë pjesë të saj që quhet SPAK.
SPAKU- duhet t’i hiqen dhëmbët me majë dhe t’i zëvendësohen me proteza. Sepse dy partitë me besnikë nuk mund të lejojnë të shkojnë burgjeve Abi, Lali Eri, Bela Balluku, Fatmir Mehdiu, Ilir Meta, Taulant Balla, Ilir Beqaj, Monika Kryemadhi e sa e sa të tjerë, që përbëjnë ajkën e shoqërisë shqiptare. Një elitë, të cilën me shumë mundim dy partitë e krijuan në këto 35 vite dhe nuk mund të lejojnë të shkojë “për dhjamë qeni” për disa pak qindra miliona euro të zhvendosura nga xhepi i madh publik në disa xhepa të vogla.
Dhe këtu vijmë në përfundimin e Besës së shqiptarit.
Me ndërgjegje të plotë apo të detyruar nga nënndërgjegja, shqiptarët i kanë dhënë Besën Korrupsionit dhe për këtë do shpërblehen me mirëqënie ose me mjerim.
Varet nga këndvështrimi.

No comments:
Post a Comment