Në një nga këto ditë votova për Parlamentin e ri kanadez. Një fletë votimi e thjeshtë, sa gjysma e një formati A4, që ishte ku e ku e krahasuar me “gazetën” e madhe, që është fleta e votimit të Tiranës, me dhjetra parti dhe me qindra emra kandidatësh.
Ne patëm një “hop të madh cilësor”, kur kaluam nga një sistem monoparti në pluriparti. Edhe në Diktaturë kishim të drejtën e votës individuale dhe të fshehtë, por kishim një fletë votimi shumë të thjeshtë, të cilës as nuk ja hidhnim sytë. Kishim një lloj bezdie ta lexonim nën sytë vigjëlues të veprimtarëve të Frontit Demokratik, të cilët mund të hetonin një lloj mëdyshje në vendosmërinë tonë për të votuar kandidatët e Frontit. Veprimtarët ishin të etur që votimet të mbylleshin sa më shpejt, për t’ja u kaluar qendrave të tjera të votimit.
Edhe pse kishte një Parti, në mënyrë të çuditshme ne votonim për një organizatë masash që quhej Fronti Demokratik dhe që ishte një organizatë absurde, ku më të shumtët e njerëzve nuk e dinin me se merrej. Ndoshta i vetmi qëllim i saj ishte të përgatiste zgjedhjet. Pakkush e dinte se kush ishte “i madhi” i Frontit në kryeqytet apo në rrethe. Unë e dija se kush ishte sekretar i Frontit në Korçë, sepse ai kishte një zyrë në Pallatin e Kulturës, një vend ku hynim shpesh për të parë ekspozita, shfaqje falas apo edhe të shihnim ndeshjet e shahut plot grindje mes shahistëve amatorë të qytetit. Zyra e Fronti ishte ngjitur me dhomën plot tym duhani ku luhej shah.
Sekretari i asaj kohe ishte një model tipik i punonjësve të sotëm të administratave lokale. I përparuar për kohën. Ai përvetësonte çka kishte në dorë, duke filluar me bezet e kuqe të flamurëve, bonot e ushqimit të funksionarëve të Frontit në fshatra dhe deri në kompesatot që përdoreshin për kutitë e votimit. Forcat e Rendit e kapën rastësisht, por e dënuan jo pak. Plot 25 vjet. Ishte një aventurë e rrezikshme të vije dorë ato kohë në pronën socialiste dhe veçanërisht në prona që kishin edhe një lloj simbolizmi politik.
Nuk e kujtoj si u bëra anëtar i Frontit. Asokohe të gjithë ishin Frontistë, veç ndokujt, që i ishte e hequr e drejta e votimit. Sa mbushje 18 vjet, bëheshe anëtar i FD-së dhe për këtë nuk kishte nevojë për lutje. Dikush, diku, në shkollë ose në lagje, ishte i ngarkuar me përgjegjësinë e shpërndarjes së librezës për anëtarët e rinj, që do ishin edhe votuesit rishtarë. Ndoshta ishte viti 1977, kur si votues i ri duhet të shkoja në një takim ku do shpallleshin kandidatët e Frontit për Këshillat dhe Gjykatat popullore. Sepse sikundër edhe sot, në atë kohë votohej më vehte për Kuvendin dhe më vehte për psuhtetin vendor. Madje kishim të drejtë edhee të votonim ose jo për gjykatësit- xhelatë të Diktaturës, që dënonin jo pak në emër të popullit.
Në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, të mbushur plot, ishin të gjithë “mëhallaxhinjtë“ e mij. Dikush në presidium lexoi listën e gjatë me emra dhe më pas , një pas një u ngritën disa njerëz që lavdëruan kandidatët e veçantë, gjë që të krijonte bindjen se ishin zgjedhur njerëzit më të mirë dhe më të devotshëm. Nuk kujtoj asnjë emër prej tyre. Kujtoj që pati një vërejtje për një gjykatës, për të cilin u tha se nuk fliste me të jëmën, por që shpejt u sqarua nga disa pjesëmarrës të tjerë, se nuk ishte faji i gjykatësit, por ishte i të jëmës. Ky ishte “pagëzimi” i im me atmosferën elektorale dhe ai i vërteti do bëhej ditën e dielë, kur unë të hidhja në kuti “plumbin për armikun”.
E diela e votimeve ishte një nga ditët më të bezdisura të vitit. Nuk ngopeshe dot me gjumë, se pa shkuar ora 6 e mëngjesit, të trokisnin në dera për të shkuar sa më parë në qendrën e votimit. Përpara qendrës prisnin një numur i madh njerëzish, ku më të qeshurit ishin pleqtë, se ishin zgjuar në kohë dhe kishin të bënin diçka të ndryshme nga rradha e përditshme e qumështit. Madje sa kishin blerë dy shishe. Më të rinjtë ishin edne përgjumësh, por nuk e shprehnin dot bezdinë, sepse nuk ishte politikisht korrekt.
Më pas dera hapej në kohë dhe me rradhë kryenim ritin e shpejtë të tregimit të pashaportës, marrjes së fletës së votimit, palosjen e menjëhershme dhe futjen pa mëdyshje nç të çarën e kutisë së votimit. Ndonjë që kishte më shumë frikë, ose ishte më gomar se ne të tjerët, ndërsa hidhte votën theshte edhe “Të rrojë Partia”, që e bënte edhe më qesharake të gjithë atmosferën.
Të tillë e kujtoj votimin tim të parë, që nuk kishte asnjë ndryshim edhe nga votimet e tjera të kryera në kohën e Diktaturës. Asnjëherë nuk mora vesh se për kë votova dhe nuk kisha asnjë interes të dija. Të gjithë “kishim rënë në ujdi” të votonim sepse duhej votuar.

No comments:
Post a Comment