Nuk është e sigurt se sa i urryer ishte Neroni në kohën e sundimit të tij brenda Perandorisë Romake dhe vendeve që kishin lidhje apo i trembeshun asaj. Një pjesë e mirë e shkrimeve antiNeron e kanë origjinën në vitet e mëvonshme, kur nga Kisha e krishterë, perandori narcisist ishte demonizuar në shkallë të gjërë për shkak të përndjekjeve që ju kishte bërë të krishterëve në fillimet e tyre.
Por me që flasim për një bashkëkohës, është e sigurt se Trump urrehet nga një pjesë e madhe e popullsisë së Globit. Ka adhurues të tij kryesisht në Amerikë, por edhe gjetkë, por bota përgjithësisht e urren.
Shembulli më i frekët është rasti i zgjedhjeve të djeshme në Kanada. Partia Liberale, e cila vetëm 4 muaj më parë ishte 24% poshtë kundërshtarëve Konservatorë në sondazhet, arriti jo vetëm të ngrihej nga “thellësitë humbëse” por edhe të fitonte zgjedhje që disa muaj më parë quheshin absolutisht të humbura.
Dhe kjo vetëm në sajë të një njeriu, që quhet Donald Trump.
E gjithë retorika e tij bullizuese, për kthimin e Kanadasë në shtetin 51 të SHBA, jo vetëm rriti mobilizimin politik të kanadezëve, por dhe i bëri të zgjedhin një parti drejtuese që të jetë sa më larg ideologjisë së Trump. Madje duke shpërfillur edhe interesat e tyre ekonomike, që mund të mbroheshin më mirë nga Partia Konservatore.
Interesante është se Trump duket i ekzaltuar nga ndikimi i tij mbi zgjedhjet kanadeze. Në një intervistë ai mburret se si Liberalët e bullizuar prej tij, arritën në saj të sulmeve të tij të ngriheshin në sondazhe! Për të mjafton të jetë kryefjala e të gjitha lajmeve në botë, qofshin këto të mira apo të këqija. Ai duket më se i lumtur, që ka tronditur botën me politikën e dështuar të tarifave, që po shkakton futjen e gjithë vendeve në një krizë ekonomike. Pak a shumë si artisti Neron, që vazhdonte të luante në harpë dhe të këndonte ndërsa Roma digjej. Por Neroni nuk kishte shumë vjet që posa kishte kapërcyer adoleshencën, ndërsa Donald është një “adoleshent” gati 80 vjeçar.
E vërteta është se fuqia e Presidentit amerikan është tmerrësisht e madhe dhe Trump po mundohet ta përdorë në maksimumin e saj të mundshëm. Pa ju bërë vonë se mund të shkatërrojë universitetet më të mira të botës, të prishë balancën e pushteteve në Amerikë dhe të dëmtojë thellësisht institucionet dhe ligjet ndërkombëtare që mbajnë rendin e sotëm botëror.
Dëmet e deritanishme edhe pse vetëm 100 ditë të sundimit të tij kanë qënë të mëdha, por njëkohësisht jo të vogla kanë qënë edhe “thyerjet e hundëve” të tij. Duke përjashtuar sigurimin e kufirit me Meksikën, Trump ka dështuar në shumicën e premtive të tij gjatë fushatës.
Ende nuk shenja paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.
Zgjedhja e çështjes së Palestinës duket po aq e largët sa është dukur në dekada,
Tregjet e letrave me vlerë kanë qënë në lëkundje histerike dhe jo në ngjitje.
Ekonomia amerikane nuk duket më e mirë se në vitin e kaluar.
Por narcisitit Trump i mjafton të jetë në qendër të vëmendjes dhe për fat të keq të shumicës së Globit ai është çdo ditë.
Deri në një kohë, kur ata që janë rrotull tij të kuptojnë se është i rrezikshëm për të gjithë dhe edhe nëse nuk i rezervojnë një fat të ngjashëm me Neronin, do e detyrojnë të kthehet në një politikan më normal.
Për sa i përket Kanadasë dhe njerëzve të saj, këto vite me këtë fqinj të çmendur do i kenë jo ak të vështira.



