Në marsin e vitit 1994, ndërsa shoqëronim një të huaj dhe i shpjegonim situatën politiko-shoqërore të Shqipërisë, një miku im po këmbëngulte që ne kishim nevojë për Monarki. I befasuar nga ajo ide e tij, unë kundërshtova duke e konsideruar një kthim prapa në stadin shtetëror të vendit. U befasova edhe nga që e dija që kishim një formim të ngjashëm dhe edhe pse antikomunistë të vendosur në ato vite, gjithnjë kishim vlerësuar idetë e revolucioneve borgjeze në Angli, Francë dhe Gjermani. Në favor të teorisë së tij, ai përmendte se vendet Skandinave dhe Anglia edhe pse monarki, kishin një demokraci më të përparuar se Republikat e Europës Perëndimore. Nuk prekëm Shtetet e Bashkuara sepse e dinim që nuk mund të bëhe krahasim mes vendit tonë të vogël dhe një gjigandi si Amerika.
Një arsye tjetër sipas tij ishte se Nr 1 i Shqipërisë (President apo Kryeministër) po sillet e vepron si një mbret , ndaj nuk ka asnjë kuptim që kjo të mos sanksionohet me ligj, dhe “gjakblutë“ të marrin atë që ju ka takuar dhe ju takon?!
Nuk di se cilat janë sot pikpamjet e mikut tim, por edhe nëse është kthyer kundër Monarkive nuk më duket e çuditshme. Ai ka një cilësi që vazhdon të studiojë dhe të lexojë dhe si rrjedhojë edhe të evoluojë në opinionet e tij. Gjithashtu ka edhe një tjetër cilësi të spikatur, e cila është shumë pozitive : Kur arrin në bindjet e reja, i fshihen pa dashur në mendje bindjet e vjetra dhe nëse ju rikthehesh diskutimeve të kohëve të shkuara i mohon në mënyrë kategorike. Ja kam pasur zili këtë cilësi të pavullnetshme dhe që atë nuk e trazon në ndërgjegje, se si në një kompjuter, dosjet i janë fshirë automatikisht.
Po le ta mbyll këtë parantezë të hapur aksidentalisht, sepse nuk shton asgjë në argumentin tim të përsëritur se Monarkitë nuk duhet të ekzistojnë në vendet e zhvilluara kudo në botë. Eshtë tejet jashtëlogjike që njerëz të pasur dhe tëprivilegjuar të kalojnë privilegjet e tyre(të paguara nga taksapaguesit). Dhe kjo në një kohë moderne, kur shumë miliarderë nuk ju lenë as të gjithë pasurinë fëmijëve të tyre.
Dosjet e Xhefrit të Epsheve dëshmuan se sa të korruptuara janë oborret mbretërore, të cilat deri diku janë hermetike dhe në pamje të jashtme duken plot flori dhe kristale. Nuk janë vetëm Princi shumë merakli Ndreçkë dhe kuqka e tij Sarah që të bëjnë të të luajë mendja me ato që kanë bërë. Këtu mund të futësh lehtësisht të ndjerën Lizavetë e Dytë dhe Lipin e saj, që bënë çështë e mundur të mbulonin pisllëqet e të birit. Plot titullarë të tjerë dhe nëpunës të oborrit kanë qënë aktivë në mbulimin e poshtërsive dhe korrupsionit.
Oborri i Mbretit të Norvegjisë dhe oborre të tjera europiane, kanë dalë zbuluar në dosjet e Xhefrit. Dhe prej dosjeve nuk janë hapur të gjitha. Dhe Xhefri ishte një njeri i vetëm edhe pse çuditërisht i zoti dhe me shumë lidhje. Po sa Xhefra dhe Xhefrica të tjera veprojnë si Kryekodëoshë të oborrtarëve dhe të pasurve të tjerë në botë?
Dikush mund të thotë se ja i hoqëm Monarkitë, por super të pasurit dhe politikanët e rëndësishëm do vazhdojnë nga orgjitë, manipulimet e Bursave dhe aferat korruptive. C’ndryshon?
Ndryshimi është i madh!
Politikanët e fuqishëm i nënshtrohen votës dhe mund t’i heqësh edhe pse shumë syresh po përpiqen të krijojnë Dinasti.
Super të pasurve nuk ke ç’ju bën nëse ata arrijnë t’i fshihen ligjit.
Por këto çerdhe të molepsura keq, që janë oborret mbretërore dhe që gjoja ushtrojnë funksionin e mbajtjes së balancës së pushteteve duhen qërruar sa më parë!
Dhe këtu nuk jam i ndikuar një lloj jakobinizmi, por nga një logjikë e ftohtë, që nuk pranon trashëgim të posteve dhe privilegjeve, që pahguhen nga taksapaguesit.
A mund të zgjidhet me një të rënë të shkopit magjik?
Sigurisht që jo.
Shkopin magjik si skeptrin dhe kurorën i kanë ende bastardët që i quajmë Mbretër!
No comments:
Post a Comment