Tashmë kanë kaluar disa ditë nga ‘e papritura” e 11 majit, kur PS-ja u gdhi me 9 deputetë më shumë nga sa kishte. Asnjë nga sondazhet gjatë fushatës nuk e kishte nxjerrë partinë e Edit mbi 50%. Por ja që doli dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër vetëm të kuptosh se si është e mundur që pas kaq “zullumeve” të 4 viteve të fundit, Edi dhe hajdutëtë e tij të marrin më shumë vota se më parë.
Në disa shënime të mëparshme pata parashikuar mosndryshimin, por edhe një tkurrje të votave të partisë në pushtet. Mendoja (ndoshta më shumë shpresoja) se njerëzit do votonin për tre katër partitë e reja dhe “monopoli” i dy partive kryesore do ishte në rënie e sipër. Por nuk ndodhi ashtu. Shumica e shqiptarëve nuk votuan për hallet e tyre, por për hallin e Ramës dhe atë të Berishës.
Edhe pse është dukur në zenith të karrierës së tij politike, Rama kishte një hall këtë rradhë. Të siguronte edhe 4 vite qënien në krye të shtetit për t’i shpëtuar një burgosjeje të mundshme (edhe për të shtuar pasuritë e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë.) Vërtet që ka edhe një pjesë shqiptarësh të lidhur me hallin e Ramës, për të mos humbur privilegjin e atij që ka në dorë fondet publike dhe i vjedh, për të mos rrezikuar statusin e oligarkut dhe të mirat e lidhura me të, apo edhe për të mos humbur vendin e punës dhe rrogën modeste. Por këta nuk janë shumica e votuesve të PS-së. Më të shumtit janë njerëz që rropaten në sektorin privat, pensionistë që mezi blejnë bukën dhe gazetat, të rinj që nuk dinë se çdo ju sjellë e ardhmja. Dhe çuditërisht, edhe këtë rradhë ata i “qanë hallin” Ramës dhe i dhanë votën. Të supozojmë se shumë prej tyre i tremben rikthimit të Berishës, apo e Djathta ju duket “gogol”, por kishte disa nisma të tjera politike të majta ose të qendrës, të cilat mund të përpiqeshin për t’ju lehtësuar peshën e halleve.
Por akoma më të çuditshëm janë ata që votuan për PD-në.
Vota për Partinë Demokratike ishte vota për hallin e Berishës. Berisha do të shpëtojë familjarët e tij nga një burgosje e mundshme dhe këtë duket se ja arriti me ndihmën e votuesve të djathtë shqiptarë. Nuk arrij të kuptoj se si mund të votosh për një politikan të diskretituar si ai, në një kohë kur je edhe i sigurt se nuk “mund të të bëjë derman!” Pjeset e qendrës dhe e të djathtës të spektrit politik ishte plot me parti dhe lëvizje me njerëz të papërlyer dhe mund të votoje Shehajn, Lapajn, Shehun, madje edhe Kocaqin, për të shpresuar në mos ndryshimin e menjëhershëm, por një ndryshim në zgjedhjet e ardhme vendore dhe në ato të përgjithshme. Por 30 % e shqipëtarëve i “qanë hallin” Berishës dhe Ilir Metës.
Këto rrjeshta janë shumë shumë larg një analize të zgjedhjeve. Më tepër janë konfirmim i vargjeve të stërpërsëritura gjatë 34 viteve të fundit:
Shqipëri moj të kam dhjerë,
S’të kuptova asnjëherë!

No comments:
Post a Comment