Friday, 23 May 2025

“Paqedashësi” Trump


Ka shumë simpatizantë të së Djathtës në Amerikë dhe në Europë, që i besojnë “gënjeshtrës” të Donald se ai është një njeri i prirur pas biznesit dhe prandaj edhe një paqedashës i klasit të parë. Për këtë përmendin jo vetëm deklaratat e tij gjatë fushatës së fundit, por veçanërisht faktin, se në ndryshim nga presidentët e tjere amerikanë, ai nuk nisi asnjë luftë të re, gjatë presidencës së parë të tij.

Ndonëse edhe ky fakt vlen për të diskutuar, sepse gjatë 4 viteve u itensifikua lufta kundër ISIS, po e marrim si të vërtetë, se ai jo vetëm nuk nisi një luftë të re, por u përpoq edhe të mbyllte luftën në Afganistan.

Por a mund të jetë Trump një Paqedashës?

Një president amerikan mund të jetë paqedashës nëse ka cilësi thellësisht njerëzore dhe njëkohësisht është tërësisht i pandikuar nga ai që presidenti Ajzenauer e quante “kompleksi industrialo-ushtarak”.

Nga gjithë presidentët amerikanë të pasluftës së Dytë, vetëm Xhimi Karter i kishte këto cilësi.

Trump është tipik narcisist, që ndjen dhembshuri vetëm për veten e tij dhe ndoshta edhe për fëmijët e tij. Pavarësisht nga fjalët, atij nuk i bëhet vonë as për fëmijët e Gazës dhe as për ushtarët ukrainas dhe rusë, që vriten në luftën midis dy vendeve.

Si një biznesmen tepër i ndjellur nga fitimet, ai e di mirë se luftrat nuk janë biznese të këqija, ndaj nuk ka se si të jetë i pandjeshëm ndaj interesave të bizneseve të prodhimit të armatimeve.

Fakt është, që edhe pse shtiret si njeri antiluftë, ai filloi këtë vit një të tillë kundë Huthëve të Jemenit, e cila zgjati 58 ditë dhe u mbyll me marëveshje, kryesishtpër shkak të shpenzimeve kolosale që kishin bombardimet në Jemen.

Po ç’farë po ndodh me dy konfliktet e armatosura, atë të Ukrainës dhe atë të Gazës, të cilat sipas tij do mbylleshin që ditën e parë të tij në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Izraeli vazhdon genocidin mbi palestinezët e Gazës, madje e ka përshkallëzuar gjatp 4 muajve të Presidencës Trump 2.0 Edhe pse ka në dorë, që të ndalë furnizimin e Izraelit me bomba dhe raketa, Donald nuk po e bën, madje as po e kërcënon Netanjahun me mundësinë e një hapi të tillë.

Po aq të dështuara kanë qënë përpjekjet e tij për një armëpushim në Ukrainë. Pardje, ai njoftoi aleatët europianë, se Putin nuk është i interesuar për armëpushim, sepse po avancon në frontin e luftës?!

Atëhere ku mund t’i gjejmë prirjet paqedashëse të këtij sharlatani, që e heq veten si kryemjeshtëri i Marëveshjeve?

Në kërcënimet për të rizotëruar kanalin e Panamasë qoftë edhe me forcë ushtarake?

Në deklarimet se Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA, pa përjashtuar edhe mundësinë e një ndërhyrje të armatosur mbi 50 mijë eskimezët e ishullit?

Unë nuk i besoj tezës marksiste, se “luftrat janë bashkëudhëtare të sistemit kapitalist”. Pas Luftës së Dytë Botërore, në shumë qarqe politike europiane dhe amerikane, ka pasur prirje për t’i mbyllur sa më shpejt konfliktet e armatosura në botë. Edhe pse nuk janë mbyllur të gjitha, ka të tilla ku janë gjetur marëveshjet, si edhe plot të tjera të parandaluara.

E megjithatë unë nuk besoj se Trump i përket kësaj kategorie politikanësh.

Ndaj dhe nami i tij dhe i Amerikës sot në botë, sa vjen dhe përkeqësohet.

No comments:

Post a Comment