55 vjet më parë, pikërisht në maj, pat nisur një lloj bisede në familjet korçare, në sofatet, në pushimet e drekës nëpër fabrika, që brenda disa muajsh u kthye në ethe. Dëshira për të patur një aparat televizori.
Po ç’pat ndodhur në qytetin juglindor të Diktaturës shqiptare në pranverën e atij viti? Aparatet televizive ishin shpikur më se 40 vite më parë, madje edhe vetë Shqipëria kishte prej disa vitesh një stacion televiziv.
Korça kishte qënë deri atë kohë një “zonë e vdekur” për valë televizive ndaj dhe në qytet nuk kishte aparate tv, madje edhe ndonjë që ishte blerë jashtë shtetit rrinte kot në banesën e pronarit.
Fjala ishte hapur se në jug të Jugosllavisë ishte vendosur një përforcues i TV Shkupit dhe mund të shihje programet e kanaleve jugosllave. Në një vend të mbyllur nga të gjitha anët, kur kontaktet me të huajt ishin të thjeshtuara vetëm në takimet me kushërinjtë shqiptaro-amerikanë që vinin vizitorë (jo të shumtë) gjatë muajve të verës dhe në dëgjimin e radiostacioneve të huaja, më në fund mund të kishin një dritare, ku të shihnin se ç’farë ndodhte në botë.
Hyrja e valëve televizive të Shkupit në zonën e Korçës, përkoi edhe me pragfillimin e Kampionatit Botëror të Meksikës, që për burrat shqiptarë ishte ngjarja më e rëndësishme botërore , e cila nga interesimi i kalonte edhe hyrjes së tankeve ruse në Pragë, atentatit ndaj Martin Luter Kingut apo edhe luftës në Vietnam.
Jeta e burrave shqiptarë në kohën e Diktaturës matej me kampionatin botëror të futbollit , që zhvillohej çdo 4 vjet. Ishte ngjarje ku mund të shpreheshe hapur se kë simpatizoje, pa pasur frikë se spiunët e shumtë. Kishte tifozë me Brazilin, që atë kohë ishte një diktaturë fashiste, me Anglinë, me të cilën nuk kishim marëdhënie diplomatike, madje edhe me Bashkimin Sovjetik, të cilin e kishim po aq armik sa kishim edhe Shtetet e Bashkuara.
Pikërisht kjo ngjarje vuri në lëvizje edhe dy-tre grupe, të cilët sollën aparate televizive në qytet. Një ishte një grup shoferash që bënin udhëtime në Europë (atë kohë quheshin shofer eksporti), të cilët ja dhanë aparatin në përdorim ndërmarjes kryesore shtetërore të transportit, që atë kohë quhej Parku i Mallrave. Në sallën e mbledhjeve të ndërmarjes, u vendos ky aparat televiziv dhe me hapjen e Kampionatit, shoferët, miqtë dhe familjarët e tyre filluan të ndiqnin ndeshjet e futbollit. Një aparat tjetër kishte mbetur nga mbyllja e Ekspozitës kineze të vitit 1969 dhe nisi të përdorej nga Komiteti Ekzekutiv, në sallën e mbledhjeve të tij, ku teleshikuesit ishin kryesisht nëpunës partiakë dhe të administratës. Pika e tretë ndodhej në shkollën “Stavri Themeli”, e dhënë përkohësisht nga profesori i njohur Ligor Mile. Mësues të shkollës dhe shumë mësues të tjerë , si dhe familjarë e miq të tyre ndiqnin me pasion lojën e idhujve të tyre, që i njihnin vetëm nga gazetat, radioja dhe nga filmi “Gol”. Ishin të pakët yjet e futbollit botëror që kishin luajtur në Tiranë dhe thuajse asnjë i tillë nuk kishte luajtur në stadiumin e Korçës.
(vijon)




