Sunday 19 June 2022

Makthi i një nate vere


Nuk di nga se e pata mbrëmë atë ëndërr-makth, që nuk e kisha parë ndonjëherë gjatë jetës sime. Nga vapa, nga një melodi që dëgjohej larg a nga stina e dasmave që po afron në atdhe. Ndoshta nga asnjëra prej tyre.

Pashë sikur isha në dasmën time. I larë, i rruar dhe i kruar dhe i veshur me një smoking. Jo e gjitha ka mbetur ende e gjallë sepse mjedisi i dasmës alternohej nga një sallë me shkëlqim të çuditshëm në një sipërfaqe të gjelbër e kufizuar nga një korije. Isha koshient që martohesha dhe kisha shumë detyra për të përmbushur, por nuk dija se me kë martohesha dhe nuk më bëhej vonë të shihja atë me të cilin do kaloja pjesën e mbetur të jetës.

Mendjen e kisha tek miqtë, që jo vetëm ishin në lëvizje e sipër , por shumë syresh ndryshonin fytyrat. Ndryshonin fytyrat dhe vendet ku ishin ulur dhe më të shumtëtë dukeshin të pakënaqur. Kjo më mundonte. Se me kë do martohesha nuk më dukej se do ishte ndonjë problem se mund ta lija pas pak kohësh, por qejfmbetjet do ishin të përhershme. Dhe pa u rregulluar të gjithë në vendet e tyre, papritur nisi të këndojë Eli Fara, që stononte sa herë i afrohej një krushk i gjatë dhe diçka i pëshpëriste në vesh. Pranë kisha një mikun tim të afërt, që diçka binte me krushkun e gjatë, por kur I thoja të largonte gjatoshin nga Eli ai shkrihej në gaz. Duhet të ishte rrumbullosur mirë para se të niste dasma. Nuk më kujtohej të kishte qënë në limuzinë mes shampanjës që derdhej lumë.

Ju afrova vetë Elit, që kishte nisur të lëshonte një si piskamë, por sa po I thoshja të ulte pak zërin më tha :Jam Spanja Pipa!, gjë që më tronditi dhe mendova se do isha në dasmën e dikujt tjetri. Por jo isha në dasmën time dhe këtë ma vërtetoi fytyra e shqetësuar e avokatit tim, që po më kërkonte për të më thënë se duheshin menjëherë dy unazat. “Cilat unaza?” e pyeta i hutuar dhe ai më futi një të sharë, që nuk kishte aspak karakter dasmor. Për fat të mirë, avokati u largua pa këmbëngulur shumë për unazat, por më la me një mikun tim që maste vazhdimisht temperaturën nën sqetull me një termometër të vjetër dhe këmbëngulte që duhet ta matja edhe unë në atë ditë të rëndësishme të jetës sime. E futa termometrin në sqetull por më binte vazhdimisht dhe miku im shqetësohej gjithnjë e më shumë. Më shpëtoi një piktor me buzë të holla dhe që dikur duhet të kishte patur kaçurrela, që solli një kuadër të tij si dhuratë dhe më kërkoi t’ja hiqja mbështjellësen.

Ja hoqa gjithë kureshtje dhe pashë se edhe një tufë grash të ftuara po prisnin me po aq kureshtje, kur më tmerroi ajo që pashë. Ishte figura im cullak dhe për më tepër, organi mashkullor i imi, i rrethuar nga një tufë qimesh të gjelbra ishte vizatuar mbi sup. Nuk dija ku ta fshija ndërsa buzëholli buzëqeshte nga veshi i djathtë i tij e deri tek gjysma e hundës, që më bëri të mendoj se nuk vinte nga bota jonë. Gratë kureshtare morrën të shkonin drejt kories të indinjuara dhe nuk kisha as guxim t’ju thoja mos largoheshin se dasma sa kishte filluar.

Më pas u shfaq njeriu me dacin e zi, për të cilin nuk isha i sigurt në ishte i ftuar nga unë apo nga pala kundërshtare. Diçka mbaja mend që kishim shënuar në ftesa për qentë, por për macet nuk isha i sigurt nëse kishim pranuar t’i lejonim apo jo. Megjithatë daci dukej shumë miqësor dhe nëse i ftuari do e mbante të përqafuar gjithë kohën, nuk kishte rrezik të futej nën fustanin e ndonjë të ftuare nderi. Për më tepër e vetmja e ftuar nderi ishte Dua Lipa dhe ajo mbante një minifund tepër të shkurtër. Niko Peleshi, i ftuari i nderit nga meshkujt nuk kishte fustan.

Diçka e njohur kishte nisur të luhej nga orkestra që përbëhej nga një që i binte daulles dhe një tjetër që i binte zurnasë. Ishin tingujt e të mirënjohurës “Valle e Napoleonit”, që bënë që të ftuarit të ndryshonin fytyrat e tyre të vrerosura në ato gazndjellëse, por sërish më afrohet avokati i shqetësuar dhe nën zë më thotë “Ku e ke shaminë e beqarit?Shaminë e kujt?- e pyeta. “Të beqarit, gomar- më tha- ta dhashë para se të niste dasma!” Nisa të kërkoja me rradhë të gjitha xhepat po sigurisht që shami nuk kishte. Për më tepër duhej edhe ajo e beqarit që më kishte dhënë avokati. “Nuk bën shami tjetër?”- e pyeta duke kërkuar me sy ndonjë shok të afërt që nuk po luante valle dhe mund të më nxirrte nga ajo situatë e vështirë. “Nuk mund të quhet e konsumuar martesa!”- më tha i preokupuar, por konsumimi i martesës nuk ishte ndonjë gjë që më shqetësonte. Mjaft të kryhej riti. Avokati nxorri nga dosja një shami tjetër dhe më tha ta ndizja: “Digje shaminë e beqarit!” dhe ai ishte çasti më i paqtë i gjithë atij makthi. Se për t’ju vënë gjërave zjarrin jam i vetmi. Shamia e njomur me raki u ndez dhe unë nisa ta rrotulloja gjithë gaz mes dasmorëve që duartrokisnin nën ritmin e daulles dhe të zurnasë. Kështu deri sa një nga kordonat e mëdhenj të mëndafshtë, që zbrisnin nga shandani i madh i sallës mori zjarr dhe më pas dihet se ç’ndodh… Mes klithmave të grave, hargalisjeve të të dehurve, dasmorët nisën të vraponin drejt daljeve të mbyllura, gjë që shtoi lëvizjen e masave të ajrit dhe ndihmoi flakadanët…

…U zgjova i djersitur dhe me zemrën që më rrihte si kurrë ndonjëherë…Ishte mesi i një nate pragvere…

 

No comments:

Post a Comment