Saturday 11 June 2022

Diku prehet Pandi Lula


Ndoshta jo të gjithë e njihnin si Pandi Lula. Më të shumtit e thërrisnin Pandi Gjiza, me nofkë, si i thërrisnin dikur burrat në qytetin tim.

Në barin e një mikut tim është kjo foto e njohur etij, e bërë ka gjasa nga fotografi Eliano Kalemi, që është edhe portreti zyrtar i Pandit të shkretë. Ndjehet në të psikologjia e të çmendurit të mirë, por nuk dëgjohet zëri i tij i ngjirur prej baritoni, me të cilin zgjonte qytetin në kohët e tij më të mira. Pranë fotografisë i kanë vënë një çelës, me siguri për të treguar se Pandi Gjiza mbetet “QytetarNderi“ i qytetit. Dhe e meriton më shumë se disa prej atyre, që politika, interesat apo të tjera arsye i kanë bërë zyrtarisht “të nderuar” të qytetit tim edhe pa qënë të tillë.

Pandi Lula ishte i sëmuri mendor i mirë dhe i vrullshëm, që nuk shante kurrë njeri, veç arbitrave që bënin të humbiste “Skënderbeu”, ekipi jonë i zemrës. “Arbitri i shitur…lakraxhi…e anullovi gollin…Tirana, federata e ka fajin!” Në vitet e tij më të mira ishte të shtunë e të djelë në stadium dhe në këndin e lojrave me dorë, ku me dashamirësi e linin t’i ndiqte ndeshjet pranë fushës. Më pas ndiqte sportistët më të njohur dhe ata duke qeshur I flisnin për sportin, se ndoshta arumuni Lula nuk kishte ndonjë interes tjetër. Ndonjëherë e shihje rrugëve me një pompë kimikatesh të lëngëta në kurriz, duke spërkatur pusetat dhe pika të tjera ku mblidheshin insekte. Ishte puna e tij e përhershme, kur nuk ishte i shtruar në spitalin e të sëmurëve mendorë në Elbasan.

Në Korçë, në kohën e fëmijërisë sime, kishte disa të sëmurë si Pandi Gjiza, të cilët i njihte i gjithë qyteti, por vetëm emri i Pandi Lulës njihej në gjithë Shqipërinë. Ishte më paqësor se të tjerët, më energjik, por nuk shprehte asnjëherë keqdashje. I përkishte asaj kategorie të çmendurish, që përshkruan Simone Kristiki në këngën e tij “Ti rigalero una rosa ”, ku mes të tjerash thotë:” Të çmendurit jemi ne që askush nuk na kupton/ Kur edhe shoku më i mirë ju tradhëton!”  

Pandi Gjiza prehet diku në varrezat e Shën Triadhës. Në një varr pa emër, ose ndoshta edhe në një të sistemuar mirë nga të afërmit e tij nëse ka patur të tillë. Ishte dikur, një pjesë e ditës sonë, që në orët e para të mëngjesit, kur shkëmbente batuta me ata që rrinin në rradhën e qumështit dhe na zgjonte pa dashur si për të na thënë:

-          Si ju flihet o gjoja të mënçur në këtë kohë të poshtër që po jetoni!

 

No comments:

Post a Comment