Saturday 14 April 2018

Llalla nuk është “peshk i madh”, por “gomar i ngordhur”


Ka një entusiazëm të pajustifikuar në mediat tona, prej lajmit se “është prerë urdhëri i arrestit për Adriatik Llallën, ish prokuror i përgjithshëm”.
Ka disa muaj, që Llalla jo vetëm është “ish”, por edhe i larguar jashtë atdheut. Edhe pse mund të dijë disa gjëra, për të cilat ka mbyllur sytë dhe veshët, ai nuk ka asgjë për t’i ofruar drejtësisë shqiptare. Nuk është pjesë e rrjetit politiko-qeveritar, që ka rrjepur Shqipërinë në këto 27 vjet.
Eshtë një krijesë e sistemit të korruptuar të tranzicionit dhe po kthehet në viktimë e tij. Për tu mbrojtur ka vetëm disa qindra mijëra dollarë të bëra me rryshfete, një pjesë e të cilave edhe mund t’i konfiskohen dhe të mos jetë në gjendje për t’i përdorur për të paguar avokatët.
Adriatik Llalla, një i përndjekur nga Gramshi, që edhe shkollën e mesme e ka mbaruar natën (zërat dashakeqës thonë se dhe dëftesën e të mesmes e ka fallco), arriti të përfundojë me miq, pagesa dhe pak të mësuar, një shkollë të dobët të ligjeve dhe të marrë diplomën e juristit.
Eshtë një histori “Hirushi” nga ato, që ndodhin vetëm në vendet ish-komuniste, ku njerëz me një shkollim të pamjaftueshëm, arrijnë në poste të larta, në sajë të dinakërisë, konformitetit, këmbimit të ndereve dhe lëpirjes së mendereve.
Në kohën e Turqisë(në Shqipëri), as mund të ëndërronte Tik Llalla të bëhej “kadi” dhe në një të ardhme perëndimore të mëmëdheut, njerëzit si ai do e kenë të vështirë të drejtojnë zyra avokatie.
Adriatik Llalla, moralisht duhet të dënohet për ato të cilat nuk i ka bërë, se sa për ato, që ka bërë. Pronat që ka fituar në këto vite, janë ku e ku më të pakta se të politikanëve dhe familjarëve të tyre.
Nëse arrestimi i Llallës do përdoret në mënyrë propagandistike, si kapje “peshku të madh”, apo “afirmim i forcës së ligjit”, apo edhe “triumf i Reformës në Drejtësi” është e tepruar dhe e pandershme. Llalla tani është një “gomar i ngordhur”. Eshtë dikush, që nuk ka merituar të jetë Prokuror i Përgjithshëm. Prej largimit nga posti, ai ka qënë plotësisht joinfluent në ngjarjet politike apo juridike në Shqipëri. Për këtë, vërtet ka meritë procesi i Vettingut, që po largon edhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, por asnjë syresh nuk plotëson kushtet për të qënë “peshk i madh”. Prokurorët e Përgjithshëm apo Gjyqtarët e Kasacionit nuk e krijuan sistemin e kalbur shtetëror në Shqipëri. Ata vetëm kanë qënë ingranazhe të grasatuara të atij sistemi dhe kanë përfituar prej tij.
Nëse do flasim për “peshq të mëdhenj”, që drejtojnë ose lehtësojnë trafiqet e drogës, që bashkëpunojnë me krimin e organizuar pët të shantazhuar kundërshtarët, që përfitojnë miliona nga tenderat dhe privatizimet, ata duhen kërkuar midis politikanëve, duke nisur me ish-kryeministrat e duke përfunduar në ministrant e energjisë dhe komunikacioneve.
Emrat e tyre njihen nga të gjithë në Shqipëri dhe pa respektuar ndojë rend të caktuar alfabetik apo korruptiv quhen : Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, Fatos Nano, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Anastas Angjeli, Lulëzim Basha, Genc Pollo, Edmond Haxhinasto, Damian Gjiknuri, etj. etj.
Nuk është e vështirë për t’i zbuluar. Mjaft të kontrollosh dokumentacionin e shitje- blerjeve të energjisë elektrike jashte vendit, të privatizimeve në naftë, të ndërtimit të rrugëve, të koncensioneve në shëndetsi, të privatizimit të bankave, të licencave të hidrocentraleve dhe mes atyre , që kanë firmosur, në 90% të rasteve, do gjesh “peshqit e mëdhenj”.
A di Llalla se ç’kanë bërë disa prej tyre?
Edhe mund të dijë, por arrestimi i tij nuk sjell asnjë dobi për kapjen e tyre.

No comments:

Post a Comment