Wednesday 15 September 2021

Një administratë palaçosh


M’u kujtua sot shprehja e një mësueses time, e cila i drejtohej Edi Ramës në prani të Niko Peleshit: “E kam thënë unë që vetëm Edi Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” Kjo duhet të ketë ndodhur në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

Si për ironi të fatit, disa muaj pasi kishte fituar zgjedhjet, i vetmi Shqipëribërës mori një vendim, ku në listëne Muzeve Kombëtarë nuk përfshihej më Mësonjtorja e Parë Shqipe. Mësuesja ime dhe shumë mësues të tjerë nuk kishin si ta mësonin këtë, pork orçari Niko Peleshi ishte anëtar i asaj qeverie. (Të tjera mësuese në të njëjtën drekë falas gjatë zgjedhjeve të 2017-ës patën ngritur në qiell Nikon.)

Nuk di si ndjehen sot, ose si u ndjenë gjatë diskutimeve për Mësonjtoren në mars këtij viti mësueset pensioniste, por gjykoj se kanë ndjerë një dhimbje në shpirt për vlerat e nënçmuara tç Mësonjtores.

Vendimin e Këshillit të Ministrave të 17 majit 2018 nuk e kundërshtoi as Bashkia e Korçës, në interes të së cilës është fuqizimi i institucionit, por ndoshta në Bashki nuk e lexon njeri Gazetën Zyrtare, ose mendojnë se “i di më mirë Edi me Nikon këto punë!”

Për tre vite të tjera, Mësonjtorja pati një status të dyfishtë edhe Muze Kombëtar sipas VKM.nr 13 të janarit 1997 dhe jo pjestare e listës së Muzeve Kombëtarë të majit 2018. Ndërkohë Muzeu vazhdonte të degradonte deri sa pas tërmetit u rrezikua edhe gjendja konstruktive e tij. Bashkia nuk kishte pse të merrej me të se nuk e kishte në varësi, ndërsa Ministria e Kulturës nuk e kishte Muze Kombëtar, por një muze të zakonshëm.

Deri sa më në fund gjendja po bëhej më e rëndë, po afroheshin zgjedhjet e përgjithshme, ndaj u mendua që me një gur të vriteshin disa zogj “Muzeu të meremtohej, populli i Korçës të gëzohej dhe grupi Rilindas që do realizonte projektin të nxirrte ndonjë të shkoqur.”

Kjo është e gjithë historia e një administrate qëndrore dhe vendore kllounësh, të cilët po bëjnë Shqipërinë duke zhbërë vlerat!

Do vazhdonte Mësonjtorja me të njëjtin status “as mish as peshk”, po të mos kishin ndodhur kundërshtimet gjatë përurimit të këtij marsi. Më pas kujtohen ministrat të ujdisin këtë “çorbë të qelbur” duke bërë një vendim të ri të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet statusi më i ulët dhe shfuqizohet VKM e vitit 1997. Tani Mësonjtorja është në periudhë “tranzicioni” dhe administrohet nga Muzeu Mesjetar. Se ç’lidhje ka Muzeu Ikonografik me Mësonjtoren këtë e dinë vetëm “ronxhobonxhot” që drejtojnë këtë shtet dhe përdorin paratë e taksapaguesve si ja u do “e zeza zemër”!

No comments:

Post a Comment