Sunday 28 December 2014

Dimër

Një dimër pa të ftohtë
Dhe ku nuk të bezdisin arinjtë polarë në tv;
Dëbora i ngjan një mielli me krunde;
Që të ul kolesterolin;
Nuk di ku ndodhesh ti.
Në një plazh akujsh,
A në një krater të shuar.
Unë sharroj palmat e tharra,
(Nuk di pse e dua si djep arkivolin)
Me një sharrë elektrike,
Që dridhet
Dhe me zor e mbaj në duar.
Një dimër pa netë,
Dhe pa shkëlqim dritash mbi stalaktite,
Me ndjenja pështjellë letra shumëngjyrshe
Të grisura dimrit , që shkoi.
I mbetur vetë
Në një hapësirë ku duket gjithshka
Qartë,
Tmerrësisht qartë
Dhe të vërtetat e saj nuk mund t’i tregoj.
Një dimër pa fshika në buzë,
Dhe plot shënime të lëna në mes,
Me portrete fëmijësh me buzë të fshikura
Dhe keqardhje të kthyer në kartmonedha
Futur në një zarf të njollosur të ndërgjegjes,
Që dita ditës vdes,
Nga frika,
Më tepër se nga shpresat e fikura.
Poshtë është qielli,
Po aq sa është sipër.
Me krahë nuk mund të përqafoj veten,
Ti je larg

Dhe është dimër.

No comments:

Post a Comment