Thursday 11 December 2014

"Diçka ndodhi" i Xhozef Heller (pjese nga Kreu I)

Diçka duhet të më ketë ndodhur ndonjëherë.
                Ndoshta ka qënë atë ditë, kur u ktheva në shtëpi me temperaturë dhe grykë të mahisura dhe pashë babanë dhe mamanë të xhveshur në shtrat, që më ka lënë frikën nga dyert; tmerrin për t’i hapur dhe dyshimin për dyert e mbyllura. Ose kur mësova, që ishim të varfër, kur isha rritur edhe pak, ajo më ka bërë të jem ky që jam. Ose edhe dita, kur vdiq babai, që më bëri të ndjehesha fajtor dhe plot turp - se kujtoja se isha i vetmi djalë i vogël në botë pa baba. Mbase ishte edhe kur kuptova, që nuk do kisha kurrë shpatulla të gjëra dhe krahë muskulozë, ose të isha vërtet i zoti, vërtet i fortë, vërtet trim të arrija në Përfaqësuesen Amerikane të Futbollit ose të bëhesha kampion boksi; ajo ndienja e trishtë dhe shkurajuese, që sado të përpiqem për të bërë diçka në jetë, do jetë dikush pranë meje, që do e bëjë shumë më mirë. Ose duhet të ketë qënë atë ditë, kur hapa një tjetër derë dhe pashë motrën e madhe cullak duke tharrë flokët në banjë. Më thirri si e lojtur edhe pse e dinte, që e ishte lënë vetë derën pa reskë dhe unë e kisha hapur se nuk dija, që ishte brenda. Më tmerroi.
                Gjithashtu më kujtohet me një lloj çudie sot, se kanë kaluar shumë kohë nga ajo ditë e nxehtë vere, kur nga që s’kisha ç’bëja hyra në depon e qymyrit pas pallatit tonë dhe gjeta shtrirë tim vëlla me motrën kërthinjake të Billi Fosterit, që ishte moshatare me mua, bile në të njëjtën klasë. Tamam tamam unë kisha shkuar në depo të mbërtheja rrotat e një karroce fëmijësh, që kisha gjetur në plehrat, në një arkë pjeprash e ta bëja qerrkë për ta hequr pas. Kur hyra në atë errësirë, dëgjova një si shpupurisje të mekur por të shqetësuar, sikur të kisha shkelur mbi ndonjë gjë të gjallë. U drodha dhe ndjeva dhe pluhurin e qymyrit, që ngrihej. Buzëqesha i lehtësuar kur në një qoshe, ku hynin ca rreze drite pashë tim vëlla të shtrirë me një tjetër. Shpëtova. I thirra:
-          Ej Edi. Ti Edi je? C’bën atje Edi?
Edhe ai thirri:

-          Qërroju , që këtu doç i djallit! – dhe më shtiri me një copë qymyr.
(vijon)

No comments:

Post a Comment