Tuesday, 15 July 2025

Xhefri i Epsheve dhe bota jonë


Xhefri Epstin (Jeffrey Epstein) është kthyer në një figurë të pavdekshme edhe pse ka vrarë veten 6 vjet më parë në një qeli të një burgu në Nju Jork.

Në kohën e sotme, kur qindra fëmijë e të rinj vriten nrenda disa orësh nëpër konfliktet e armatosura në botë, lajmet hapen dhe mbyllen me pyetjen: Ka pasur apo jo një listë klientësh të Epstein?

Eshtë një histeri e ushqyer nga mediat tradicionale, por edhe nga ato sociale. Pas këtij lajmi kryesor sigurisht qëndrojnë interesat e superkorporatave, të cilat nuk duan të diskutohet shumë rreth standartit të jetesës, rreth rritjes tej kufijve të shpenzimeve për armatime dhe minimit të vazhdueshëm të procesit të Paqes Botërore. Grupe shumë të fuqishëm duan të flitet sa më pak rreth këtyre pikave të nxehta ndaj hedhin në tregun e ushqimit mediatik, dosjen interesante seksuale të Xhefrit.

Madje edhe kur dikutohet gjërë e gjatë kësaj çështjeje, shmanget thelbi i saj. Ajo paraqitet si një teori konspirative rreth një rrjeti pedofilësh që kryesojnë të majtën politike në Amerikë dhe Botë.

E vërteta është diçka shumë e njohur.

Jeta e shumë supermiliarderëve sillet kryesisht rreth seksit, shampanjës dhe drogës. Janë këto çka ndodhin qoftë në partit në jahtet në Mesdhe, në ishullin e Xhefrit apo në rezidencat luksoze të Berluskonëve, Didit dhe shumë miliarderëve të tjerë. Janë të gjitha ngjarje që mbahen në sekret të plotë dhe dalin në sipërfaqe kur ankohen viktimat, ose kur ndonjë është nën 18 vjeç. Edhe pse kujt prej organizatorëve nuk ju bëhet vonë për vajzat e reja pjesëmarrëse dhe as ju kërkojnë kartën e identitetit pëe t’i pyetur për moshën. Kjo është di]ka e njohur jo vetëm mes të ftuarve por edhe të qindra shërbyesve dhe rojeve që sigurojnë mbarëvajtjen e tyre. Në këto orgji krijohen aleancat mes të fuqishmëve dhe shpesh edhe merren vendimet që ndikojnë mbi jetën e mijëra njerëzve. Dhe super të fuqishmit nuk duan që kjo jetë qejfesh e tyre të cënohet.

C’farë rëndësie ka për miliona njerëz të thjeshtë në Amerikë nëse publikohen të plota apo jo ato çka brenda dosjes Epstein?

Ja do mësojnë emrat e politikanëve dhe mbretërorëve apo miliarderëve që kanë përfituar nga shërbimet e rrjetit të tij të prostitutave! E pastaj?

Ja do mësojnë se Xhefri punonte për shërbimin sekret izraelit dhe filmonte njerëzit e rëndësishëm që flinin me vajza të reja në ishullin e tij apo banesën e tij në Manhatan për t’i shantazhuar më vonë! E pastaj?

A mund të shërbejnë këto njohuri për të ushtruar presion mbi politikanët dhe supermiliarderët, që të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës? Që mos ndihin njëri tjetrin për të përfituar në kurrizin e të mjerëve?

Aspak!

Nëse nuk luftohen rrënjët e së keqes, që kanë korruptuar keq Demokracitë perëndimore, kjo lloj mpleksje politiko-financiare-imorale nuk ka për të ndryshuar kurrë.

Dhe kryesorja mes këtyre rrënjëve është roli përcaktues i Super Korporatave në jetën demokratike të një vendi. Janë këto që kontrollojnë në Amerikë të dy partitë dhe nuk ka rëndësi të madhe nëse zgjidhet Bajden apo Trump. Në të dy rastet ato janë të fituara. Në të dy rastet luftrat vazhdojnë dhe po njëlloj vazhdojnë partit shumëmilionshe ku abuzohet me brishtësinë ekonomike të vajzave të reja, qofshin këto mbi apo nën 18 vjeç.

Monday, 14 July 2025

Kohë për muzikë dhe kohë për tallava


Vite më parë, një miku im muzikant më tregonte për një takim të orkestrave sinfonike të qyteteve shqiptare në Durrës, rreth vitit ‘72-’73. Veprimtaria pat qënë e suksesshme dhe përfshinte pjesë orkestrale të njohura të autorëve të huaj dhe vendas. Në mbyllje, në amfiteatrin e Durrësit (jo atë antik)ishte mbajtur një koncert me pjesët më të mira të luajtura nga disa nga orkestrat. Por organizatorët patën menduar që “mbyllja e mbylljes” të ishte me një putpuri melodish popullore të Shqipërisë së mesme, ku sigurisht përmblidheshin “Rra Faja nga fiku” e të tjera të ngjashme. Entusiazmi i të pranishmëve ishte i papërmbajtur. Shumë spektatorë nisën të luanin më këmbë, përdjedhjet trupore që nxisin ato tinguj. Sipas mikut tim, “Gjithë asaj veprimtarie serioze dhe të bukur, i vunë një bajgë të madhe në fund!”.

Por dukuria “tallava” është më se e pranishme në ditët e sotme, ku bie në sy dukshëm se krahas “populizmit” në politikë, ka dhe një “populizëm” në art dhe kryesisht në muzikë. Në lokalet shqiptare kryesisht dëgjohen melodi dhe tekste ordinere nga “këngët e dylberëve” dhe deri tek variacionet e tyre moderne me tekste të mbushura me fjalë të fëlliqura. Dhe këtu përfshihen edhe qytete si Shkodra e Korça, që kanë pasur traditë në kultivimin e muzikës së vërtetë, ose të ndjekjes së prirjeve të muzikës ndërkombëtare në periudhën para Luftës së Dytë.

Në lokalet e Korçës buçasin të ashtuquajturat “serenata”, që për nga përmbajtja e teksteve dhe akordet është më mirë të quhen “qaranada”. Plot sekrecione që dalin nga birat e një koke të të trullosur nga alkoli. Asgjë të përbashkët me serenatat që vlonin mbrëmjeve të Mesdheut nga Spanja e Franca dhe deri në Itali dhe Greqi. Po ve më poshtë vetëm disa vargje të një serenate të mesit të shekullit të XIX dhe më tej për ta krahasuar një refren që buçet restoranteve të Korçës.

Kur ninullës ja thua

Mbrëmja hyn n’kraharor

A më dëgjon ti mua,

Për ty se ç’far mendoj?

I ëmbli zë rizgjon

Më t’lumturat kujtime,

Këndo përher’ këndo

O bukuroshja ime!


Dhe le të përballim këto vargje me refrenin e një “qaranade” të krijuar diku rreth fundit të viteve ‘80 në Korçë.

Dhe ti vetëm qaje,

S’pranoje të qeshje,

Dhe më thërrisje si e marrë moj,

-Hajde, hajde!


Nuk di se në ç’lloj situate dashurore mund të ndodhë diçka e tillë. Vetëm në një marëdhënie skizofrenike. Ai i kërkon të qeshë, ndërsa ajo vetëm qan, por njëkohësisht edhe i thërret t’i shkojë pranë?!

Por për fat të keq, këngë të tilla jo vetëm nuk shuhen pas disa vjetësh, por përqafohen nga disa breza, që me një lloj dëshpërimi pështirosës vazhdojnë t’i këndojnë me “dhembkë“.

Duket që ka shumë pak kohë për muzikë të vërtetë.