Tuesday 10 January 2023

Njohuritë merren…kafeneve


Nuk pata mundësi të hyja në Bibliotekën Kombëtare vitin që kaloi. Më tepër isha kureshtar të shihja si kishte ndryshuar ajo që quhej Salla Shkencore, në të cilën në vitet ’80 mund të shihje plot figura të shquara të shkencës dhe letrave shqiptare. Por shkova shpesh në Bibliotekën e Korçës, për të punuar në kompjuterat e mirë të sallës  “Thimi Mitko”, që ishte edhe, nëse nuk gaboj, një nga sallat e fondit të hapur. Fondi i Hapur, kjo risi e Bibliotekës së Re, përbëhet nga rafte librash, të cilat mund t’i marrësh pa ndihmën e bibliotekares dhe “nën përgjimin” e kamerave, që garantojnë “mosvjedhjen” e librave.

Ishan dër të parët , që shkoja, i ndjekur nga një çift adoleshentësh, që vinin më shumë për të flirtuar në mënyrë të kulturuar dhe më pas arrinte një shkrimtar, i cili nuk përdorte kompjuterat, por shkruante ose lexonte nga dosja e tij. Kur dilja, firmosja në rregjistrin hyrës-dalës, që gjatë ditës nuk besoj se përmbante më shumë se 30 emra dhe firma.

Ku i merrnin gjithë ato njohuri, që zotëronin, qytetarët e vendlindjes time?

Në biseda me njerëz të suksesshëm, të cilët nuk kishin përfunduar shkollën e mesme, por mund të kishin diploma të shkollave të larta, konstatova me kënaqësi se dinin gjithshka. Mund të të tregonin rreth globalizmit, makroekonomisë, veprimtarisë së CIA-s, renditjes së universiteteve, llozhave masonike, funksionimit të bursave, arkitekturës së Dubait, piktorëve të Amerikës Latine dhe shumë e shumë gjërave të tjera, të cilat nuk i kujtoj.

Me një pjesë syresh kisha bërë biseda të gjata para se të emigroja dhe kujtoj, që përgjithësisht flisnin për femra dhe ndonjë kontrabandë, por rrinin si guakë, kur prekeshin tema të tjera. Tani jo vet[m dinin shumë, por me elokuencë përcillnin njohuritë e tyre tek bashkëbiseduesit, mes të cilëve isha edhe unë. Më vinte zor t’i pyesja se ku i kishin mësuar të gjitha këto gjëra ndaj hamendësoja se katër vende ishin më të mundëshmet. Shkollat, Biblioteka, televizori dhe kafenetë. Të parat përjashtoheshin, se bashkëbiseduesit nuk kishin as kohën dhe as durimin e nevojshëm për të ndjekur shkolla të mira qoftë edhe online. Të dytën e kisha të verifikuar gjatë orëve , që kaloja në Bibliotekë dhe mbeteshin televizori dhe kafenetë. Nuk jam aq naiv sa të besoj ndonjë njohuri komplotiste, që ekziston një “kurë me njohuri”, të cilën pasunarët në Shqipëri e marrin nëpërmjet tabletave çdo mëngjes.

Më erdhi në mendje shkolla peripatetike, që ishte përpjekur të hapte dikur profesor Konda, sipas modeleve të Greqisë së Lashtë. Tashmë ishte zëvendësuar nga “shkolla kafenetike”, ku mësohet lehtësisht dhe në mënyrë të efektshme. Kur je vetë, para ke televizorin me dhjetra kanale shqiptare (pasunarët e qytetit tim dinë kryesisht greqisht dhe çobançe), që të mësojnë ç’të të dojë zemra dhe kur je me të tjerë, sidomos me të ardhur nga Tirana, merr njohuritë më të fundit nga politika, ekonomia, jeta e VIP-ave në botë dhe intrigat ndërkombëtare.

A ndodh e njëjta dukuri në Tiranë?

(Ka ndodhur që në sistemin me pak kafene.)

No comments:

Post a Comment