Wednesday 28 December 2022

"Objektiviteti" i epërm


Ka pasur disa nga kritikët e shkrimeve të mija, që më akuzojnë për "mungesë objektiviteti". Kjo për shkrimet që lidhen me arkitekturën dhe me politikën. Eshtë më mirë se të të akuzojnë për shpifje apo gënjeshtra. Ndonëse më duket e pamundur të jesh plotësisht objektiv kur shkruan për zhvillime politike dhe shoqërore, përfshi këtu urbanistikën dhe arkitekturën, të cilat nuk janë shkenca ekzakte, them se për një autor është me vlerë nëse përpiqet të jetë sa më pranë të vërtetës objektive. Sepse "objektiviteti" ipastër ekziston vetëm në laboratore.

As nuk pretendoj se kam shumë "objektivitet" në ato , të cilat shkruaj, sepse gjithshka që del nga "koka" ime ka kaluar në shumë filtra "subjektive", të cilat kanë të bëjnë me formimin tim shoqëror, politik dhe profesional. Shto këtu edhe ndjenjat për grupe shoqërore të caktuara, ideologji të caktuara dhe individë të caktuar. Ndaj nuk ka se si të jem objektiv.Unë nuk mund të nisem të shkruaj për dukuri pozitive në Gjermaninë e Hitlerit edhe pse mund të ketë pasur të tilla. Filtrat e subjektivitetit tim më "ndalin" të shkruaj për atë lloj teme. Po kështu,për shembull, do i shmangem shkrimeve kritike për disa vepra të Valter Gropiusit për shkak të adhurimit që kam për figurën e tij si arkitekt. Shembuj të tillë mund të sjell me dhjetra.

Po a më bëjnë këto filtra, që realitetin shoqëror, politik dhe ndërtimor në Shqipëri ta shoh me syze të errëta? A kanë të bëjnë me atë, që dua të them në një lloj mendimi subkoshencial, që kam marrë një vendim të duhur që jam larguar nga Shqipëria? 

Një nga arsyet e asaj që quhet "mungesë objektiviteti" tek shkrimet e mija ka të bëje me një fakt "objektiv", që unë i mëshoj kritikave në to. Si e kam përsëritur, më duket jo e dobishme të shkruaj për "punët e mira" të qeverive qëndrore apo atyre vendore,sepse jo vetëm që ka një numur të madh papagajsh, të cilët e bëjnë këtë gjë, por gjithashtu mendoj se "të mirat" e burokracisë shqiptare janë ku e ku më të pakta se kusuret e tyre. E njëjta vlen për ndërtimet, arkitekturën dhe urbanistikën. Shembujt negativë mbizotërojnë dhe gabimet nuk janë gabimet që bën cilido profesionist i fushës, por "faje" të detyruara kryesisht nga një sistem korruptiv bashki-investitor-arkitekt.

Eshtë e vërtetë që jo gjithshka është bardhezi në shoqërinë, politikën dhe arkitekturën shqiptare. Po ashtu nuk mund të jenë personazhe bardhezi Berisha, Rama, Meta, Peter Uilson, Niko Peleshi dhe të tjerë persona publikë të stigmatizuar në shkrimet e mija të shumta të 11 viteve të fundit. Por nëse "pesha"  e tyre në zhvillimet shoqërore dhe ndërtimore në Shqipëri rëndon shumënga negativiteti, atëhere mendoj se jam më tepër "objektiv" se sa ata që ju thurrin elozhe apo nga ata që sillen si "qingji i butë, që pi dy nëna". Në këtë botë, kur "public relations" kanë marrë rëndësi më shumë se kurrë, dhe kur të gjitha llojet e mediave kontrollohen nga regjimet, është e domosdoshme të shkruash në mënyrë kritike edhe nëse të akuzojnë për mungesën e një "objektiviteti të epërm". 

Ky i fundit i takon Olimpit dhe jo vdekëtarëve. 

No comments:

Post a Comment