Monday 22 August 2022

Tomi


Ai kishte qënë gjithnjë Tomi për mua dhe moshatarët e mij. Një djalë biond që kishte mirësi dhe buzëqeshje në sytë e tij. Nuk kujtoj nëse e kisha njohur para vitit 1971, kur ishim në një turn në kampin e pionierëve në Voskopojë. Më ishte dukur se e njihja prej vitesh edhe pse nuk kisha këmbyer biseda me të. Ishte në një shkollë tjetër dhe ndoshta nuk kishte shumë interes për sportet, atje ku njiheshim me bashkëmoshatarët e tjerë dhe grindeshim për faullet dhe krijonim armiqësitë dhe aleancat fëminore.

Më pas, në adoleshencën tonë, përsëri ishte në një shkollë të largët nga e jona, por për të dinim më shumë. Këndonte bukur, i binte kitarës dhe dashuronte vajzën më të bukur të brezit tonë. Kishte edhe një grup shokësh , që këndonin shumë bukur. Kështu flitej. Unë e pata dëgjuar vetëm njëherë bashkë me një shokun tim, në një mbrëmje vjeshte me shi, kur rastësisht qëlluam në një strehë dhe na mësoi një këngë, të cilën nuk e kishim dëgjuar më parë. Ishte një këngë me tekst të Zhuljana Jorganxhiut, të cilën çuditërisht e mësuam menjëherë. Ishte ndoshta efekti që po mësonim një këngë nga Tomi, çka e bëri ta kapnim aq shpejt dhe ta këndonim me vone kur mblidheshim me shokët tanë të afërt.

Mç pas ndodhi këputja. Kishte ndodhur diçka që qyteti nuk e priste. Tomin e kishin arrestuar ndërsa përpiqej të arratisej nëpërmjet liqenit të Pogradecit. Ishim studentë dhe ndjemë lëndim. Nuk mësuam se si kishte ndodhur dhe se kush e kishte tradhëtuar. Ishte diçka që nuk donim ta dinim në hollësi për një moshatarin tonë që njihej në qytet vetëm për cilësi të mira. Na dukej sikur kishim edhe ne një pjesë të fajit për vuajtjet e tij. Dihej se si të trajtonin  në birucat e Degës së Punëve të Brendëshme.

Rreth fundit të vitit ’80 ishte më së fundi I lirë. E kujtoj edhe vendin ku u takova me të. Nuk e njoha. Ishte burrëruar. Në sytë kishte të njëjtën dritë dhe buzëqeshje. Më pas rinisi karrierën artistike dhe na gëzonte ne moshatarëve të tij, që mendonim se do kishte pasur një karrierë të suksesshme nëse do kishte arritur të ikte nga Shqipëria. Nuk e kishte pasur atë fat dhe vitet na kanë mësuar se në këtë jetë duhet edhe shumë fat.

Vitet e fundit, kur shkoj në Korçë e shoh më shpesh se jemi klientët e parë të një kafeneje që hap shpejt. Nuk e kam  dëgjuar të thotë as gjysëm fjalë mllefi ndërsa pimë kafenë dhe flasim për Korçën dhe muzikën. Shpesh pyes veten nga i buron kjo mirësi e pazakontë? Filozofia e jetës e përzjerë me muzikën i japin këtë qetësi?

Ai mbetet për mua dhe shokët e mij Tomi i talentuar, i buzëqeshur dhe i mirë. Tomi Kondakçi.

No comments:

Post a Comment