Saturday 26 February 2022

Zelensky dhe hajdutët tanë


Përballja e presidentit ukrainas Zelensky me sulmin rus është vërtet për tu admiruar. Një aktor komik, që pak vrojtues në botë e kishin marrë shumë seriozisht më parë, po i tregon botës se cilat janë vlerat e vërteta të një udhëheqësi që mendon se i shërben popullllit të tij. Zelensky edhe mund të jetë në martirët e kësaj lufte absurde në këtë shekull që karakterizohet nga grykësia e elitave. Do doja shumë të mos I ndodhte gjë dhe të mos kthehej në një shtatore, para të cilës tallen politikanët e tipit Trump, Erdogan, Orban e me rradhë gjithë “lapangjozët” e Europës Lindore.

Nuk ka se si mos bësh dashje pa dashje krahasimin me politikanët tanë dhe jo vetëm këta, që kemi nëpër këmbë.

Në prill 1939, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve, pasi nuk gjeti dot opingat prej lëkure, që kishte premtuar se do vishte dhe do shkonte në mal të luftonte pushtuesit, u nis për në Greqi me një shpurë prej 1500 vetësh dhe me vlera të mëdha monetare, të marra nga thesari i vendit. Nuk organizoi asnjë rezistencë të armatosur dhe nuk shpërndau as armë në popullsinë shqiptare që kërkonte armë të mbrohej. Më pas rrodhi një histori e dhimbshme e luftës dhe një edhe më e dhimbshme për shqiptarët pas përfundimit të luftës.

Në mars 1997, presidenti shqiptar Sali Berisha, pasi zhyti në kaos të gjithë vendin për të ruajtur pushtetin, largoi familjen në Itali dhe gati u nis edhe vetë për të shpëtuar lëkurën nga protesta e drejtë e popullit të tij. Tashmë ky hajdut demagog premton një “revolucion që nuk ndalet”, për të shpëtuar sërish veten dhe familjarët nga një gjyq i mundshëm për vjedhjet e mëdha që kanë bërë.

Në shtator të vitit 1998, kryeministri Fatos Nano, ja mbathi për në Maqedoni pas sinjalizimeve se opozita do bënte grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Për të gjithë është e qartë se si do reagonin hajnat Rama, Meta, Basha dhe kompani nëse Shqipërisë do i kanosej ndonjë rrezik i armatosur nga jashtë apo edhe nga brenda. Do ja mbathnin si ish-presidenti i Afganistanit, që iku nga Kabuli me valixhet me paratë e vjedhura.

Ndaj qëndrimi i Zelenskyt, që në fillimet e tij nuk di pse më kujtonte Xhevon nga Kolonja, është i jashtëzakonshëm, gati i pakonceptueshëm për kohën e grykësisë dhe komoditetit që po kalojmë!

Jetë të gjatë Volodymir!

No comments:

Post a Comment