Thursday 8 April 2021

Ja pse u shpik…rrota!


Lajme të mira nga avokati im, që ishte në Korçë për të studiuar terrenin ligjor për kundërpaditë.

Cështja ligjore në Madrevo mund të zgjidhet pa gjyq. Nga kontaktet e tij me Rotarianët e Korçës kishte mësuar se Rotarianët janë shumë të fuqishëm në Madrevo dhe në Dobruxhë. Ka të ngjarë, që edhe ndonjë Ushkurov të jetë anëtar i Klubit. Pas bisedës me një Rotarian me origjinë nga Boboshtica, i cili me siguri duhet të dijë bullgarisht dhe latinisht, avokati kishte marrë premtimin që çështja mund të zgjidhej vetëm me një kusht:

-Unë të bëhem Rotarian.

Po bëhem në sekondë i thashë, po të më pranojnë. Unë rrotë kam qënë tërë jetën pa pasur ndonjë fitim dhe jo mos bëhem tani që shpëtoj nga një bela e madhe ligjore. Ndaj dhe nxitova të anëtarësohesha në Klubin e qytetit ku jetoj dhe ata më pritën krahëhapur. Jam i pari shqiptar që kërkoj të anëtarësohem dhe më përgatitën menjëherë kartën e anëtarësimit me foton përkatëse. (Në foto nuk dukem një Rotarian i vërtetë, por e rëndësishme është që jam pranuar.)

Kuotizacioni nuk është i madh dhe duhet çdo të martë të shkoj në një mbledhje me të gjithë anëtarët, po unë ku ta gjej, se këtu flas tërë kohën me vete. Deri të martën që vjen duhet të mësoj të këndoj këngën “Frere Jascques”, e cila është kënga e këtij 6 mujori e Rotarianëve të Sherbrooke. Si fillestar më thanë, që të mësoj të bëj zërin e dytë, se mund të kem vështirësi në notat lart. Po ç’më duhet zëri i parë! Unë edhe me të dytin stonoj.

“Frere Jacques, frere Jacques/ Dormez-vous, dormes-vous…” nuk është shumë e vështirë dhe kam 6 ditë kohë ta mësoj. Në youtube tani i kanë me së dhe me fjalë të shkruara dhe nuk është zor, si në kohët kur mësonim këngët me të gjorin Pavllo Sholla, që përpiqej shumë dhe kur këndonim të intonuar harronim fjalët, kurse kur i theshim llafet tamam, fallcarnim.

Nuk duhet të isha demoralizuar dhe nuk duhet të kisha rënë viktimë e “boboshtarka59”, por të kishe besuar më shumë në largpamësia, syçelësia, njohja e kodit penal, civil dhe administrativ e avokatit tim në Tiranë. Në sajë të kontakteve të tij mbitokësore, mbiujore dhe ajrore, u kthye në e zgjidhshme “çështja Ushkurov”. Mendo sikur ai të kishte edhe nëntokësore dhe nënujore. Do isha i pamposhtur!

Për më tepër tani jo vetëm që jam, por edhe ndjehem Rotarian! Jam i mbushur me një ndjenjë krenarie, përmbushjeje, misioni, përkatësije, vëllazërimi dhe paqedashjeje, që nuk e kam provuar kurrë më parë. Mezi e pres ditën e martë, kur të mblidhem me Rotarianët e tjerë dhe të këndojmë sëbashku “Frere Jacques”! Do jem pjesë e një vëllazërimi ndërkombëtar, me degë në të gjitha kontinentet, shtetet dhe qytetet kryesore të botës. Ndjej sikur kam bërë shpikjen më të madhe të të gjithë kohërave.

Kam shpikur Rrotën!

Mos u bëj rrotë k…!- sa më dërgoi sms avokati im, që e ndjeu ekzaltimin tim të parakohshëm Duhet ta dëgjoj!

No comments:

Post a Comment