Thursday 8 December 2016

Nuk është gjuha, “është ekonomia budalla”.


Thënia e famshme e Bill Klintën në fushatën e vitit 1992 “Is the economy stupid”, e cila politikisht korrekt mund të përkthehet “Eshtë ekonomia kokëfortë“, ndërsa në ngjyrimet më ekstreme “Eshtë ekonomia o gomar!”, ishte në themel të fushatës, që e bëri guvernatorin e panjohur të Arkansas-it, Presidentin e 43-të të SHBA.
Shumë gjëra kanë ndryshuar, që në atë kohë, por kjo shprehje është ende në thelbin e çdo fushate elektorale për President, guvernator apo anëtar kongresi në shtetin më të madh në botë.
Poitikanët tanë, e kanë shumë të lehtë të japin mendje dhe zgjidhje, për një vend gjigand dhe shumë paradoksal si Amerika. Cuditem, se si arrijnë pas gjithë punëve për Shqipërinë, daljeve pareshtur në televizion, përurimeve të veprave të rilindjes urbane, të studiojnë në themel politkën e ndërlikuar amerikane dhe të japin mend dhe konkluzione. Ishte kjo, që e shpuri Edi Ramën në gafën e madhe anti-Trump, të cilën do I duhet një kohë e madhe për ta korrigjuar. Ndoshta do I vlejë si mësim për të mos dhënë mend për Referendumin në Itali dhe për zgjedhjet e ardhme në Gjermani dhe Francë.
Në të njëjtën linjë, një zyrtar i lartë i qeverisë si zv.kryeministri Peleshi, në një shkrim të djeshëm në gazetën Mapo, shprehet pa droje, se një nga faktorët kryesorë të humbjes së Hillërit është gjuha politike në fushatë, apo ajo që quhet “politically correct”. Më tej ai shkon në idenë se “elita të tjera, që do flasin gjuhë më troç”(jo fjalë për fjalë në shkrimin e tij-NM)do fillojnë të qeverisin dhe sundojnë botën.
Duket, që zv.kryeministri jonë ka kuptuar pak, ose aspak nga zgjedhjet e fundit në Amerikë.
Tramp nuk fitoi se përdori të kundërtën e “politically correct”. Arsyet e vërteta të fitores së tij, janë kryesisht në ekonomia, por edhe ato që duken se nuk kanë lidhje me të , si urrejtja mes racave, mosbesimi në politikanët dhe në mediat e mëdha, mosbesimi në katstrofën ekologjike, janë të lidhura ngushtë me ekonominë.
Amerikanë nuk besojnë në ‘establishment”, jo për shak të të folurit politikisht korrekt, por se politikanët më shumë dhe gazetarët që ju shërbejnë GENJEJNE! Vetëm 12% e amerikanëve e shohin si pozitive punën e Kongresit Amerikan dhe kanë besim në të. shumë I ulët është edhe besimi në televezionet dhe gazetat e mëdha.
Obama, në 12 vjet të karrierës së tij politike, ka qënë politikani me gjuhë më të sofistikuar dhe më korrekte dhe fitoi në të gjitha garat si senator dhe president. Për fat të keq, njerzit u zhgënjyen edhe prej tij, se dalja nga kriza ekonomike e vitit 2008 shkoi thuajse e gjitha në favor të më të pasurve. Ishte kjo arsyeja, që në shtetin e Pensilvenias, një shtet kyç për fitoren, sipas një analisti të CNN-it, ishin shtuar “leaners”. (Këtë shprehje, që as gazetari nuk e kishte njohur më parë, ja spjegonte një barmen në Filadelfia, që karakterizonte si të tillë ata që mënjanonin trupin për t’i thënë pranë veshit “Këtë rradhë më duket do votoj për Tramp”. Vetë njerëzit, që kishin votuar tradicionalisht për demokratët, e kishin të vështirë të theshin hapur që do votonin kundër.)
Gjuha e kandidatit Berni Sendërs, ishte gjuhë politikisht korrekte dhe edhe pse socialist, çifut dhe 74 vjeçar, ai jo vetëm gati e mundi Hillërin, por në sondazhet e majit ndaj Tramp ishte 15 përqind para.
Po a e ndihmoi Tramp-in gjuha e thjeshtë dhe vulgare, apo pozicioni kundër “establishment”?
Ishte e dyta. Njerzit ndëshkuan në fushatën brenda Partisë Republikane, Xheb Bushin dhe Paulo Rubion, të cilët shiheshin si të përkëdhelurit e “establishment”. Ndërsa kandidati ekstremist, senatori Ted Kruz, edhe pse urrehet nga të gjithë kolegët e tij senatorë republikanë, arriti të dalë i dyti.
Në përbaljen me Hillërin, edhe pse i humbi të tre debatet, karta e “anti-establishment” dhe thirrjet “po të jem unë President do të të burgos”, i dhanë avantazhin që shumë pak e parashikonin.
Gjuha e thjeshtë dhe vulgare, sëbashku me njohjen e tij si njeri i “reality show”, e ndihmuan për të pasur një numur të madh ndjekësish në mitingjet e tij, që ishin kryesisht të bardhë të klasës punëtore, të pashpresë për shkak të transferimit të fabrikave ku punonin në vendet e botës së dytë e të tretë. Mitingjet e tij, ishin “show” të thjeshta, ku një miliarder shan skotën e politikanëve, të cilët i ka mbështetur vazhdimisht me donacione për të miratuar ligje në favor të tij. Edhe këtë njerzit e thjeshtë e dinin, por brenda vetes theshin, “të shpresojmë se është më pak i keq se gënjeshtarët që njohim’ dhe “ndoshta do e rregullojë ekonominë“.
Donald Tramp nuk është ekstremist.
Gjatë përfshirjes së tij në lojrat politike, ai ka qënë gjithnjë më pranë qendrës. Në nismën e tij të parë, për një komitet, që do studionte mundësinë e futjes në garë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, ai anonte nga e majta, bie ftoi publikisht Oprah Uinfrin, miliarderen zezake të medias, si kandidate për zv.presidente. Në këtë pikë, tramp ngjason edhe me Ramën dhe Peleshin, me ndryshimin se lëvizja e të dytëve ka qënë nga e djathta në të majtë.
Krerët e Partisë Republikane amerikane nuk e duan jo sepse tremben se mund të shkojë shumë djathtas, por se Tramp është i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm. Të njëjtën frikë kanë dhe përfaqësuesit e lartë europianë, se me të do e kenë më vështirë të bëjnë “bussiness as usual”. 
Në të kundërt të asaj që shkruan Peleshi, investitorët reaguan pozitivisht  dhe bursat po vazhdojnë të kenë tregues në rritje. Elitat sunduese nuk rrezikohen aspak.
Aq më pak rrezikohet “elita qeverisëse” shqiptare edhe pse mund të mbajë të njëjtën gjuhë mashtrimesh të përdorur deri tani nga të gjithë politikanët dhe të ngritur në art nga Rilindja.
Ne jemi gjithnjë të fundit që ndryshojmë.

No comments:

Post a Comment