Tuesday 4 October 2016

Populli im, lehtësisht i sundueshëm.

10 vjet më parë, në një forum shqiptar në internet paguar prej Koço Kokëdhimës dhe i drejtuar nga djali I motrës së tij, diskutohej me zjarr rreth politikanëve shqiptarë dhe sulmoheshin Nano e Berisha, si dhe ngrihej(nga nipi i 2K dhe ithtarët e tij) kulti i Edi Ramës. Shumë shqiptarë, i bashkoheshin mendimit, që Rama ishte një lloj Berishe “me xhinse” dhe për shkak të moshës së re, paraqiste më tepër rrezikshmëri për t[ ardhmen e vendit se Berisha.
Dhjetvjeçari kaloi shpejt, dhe nga skena është larguar përfundimisht Nano, Koço Kokëdhima pati “një shkëlqim dhe rënie” të rrufeshme dhe në skenë kanë mbetur protagonistë Berisha dhe “Berisha me xhinse”.
Druhem, se sulmi frontal ndaj tyre duke i cilësuar të korruptuar, vrasës, hajdutë, psikopatë, të droguar, intrigantë, të rrjedhur, kriminelë, idiotë, Makbethë, shpellarë, bllokmenë, komunistë, të pabesë, hileqarë, mafiozë, shumëfytyrsa, palaçër, qelbësira, e gjithë cilësorët negativë, që përmban fjalori jonë i pasur, nuk  I ka dëmtuar aspak, përveçse I ka çimentuar më fort në skenën politike, që për fatin tonë të keq, është skena kryesore e jetës së shoqërisë shqiptare.
C’mallkim rëndon mbi kokën e popullit tim(dhe tëndin i dashur lexues), që pas 45 vitesh nën sundimin e një Diktatori, për 25 vite(dhe për shumë që do vijnë) të sundohet nga dy njerëz që meritojnë një pjesë të mirë të epiteteve të përmendur më sipër? (Po e le mënjanë Nanon, që nuk u kthye në sundimtar, vetëm për shkak të një dembelizmi të pakufi.)
Berishës dhe Ramës nuk ja u fali kush pushtetin. i pari e mori duke treguar më shumë vullnet e ambicie , se të gjithë të tjerët, që ishin në të njëjtin start, ndërsa i dyti, vetëm me një kontribut gazetaresk dhe plot ambicie për pushtet e para, arriti të ngjitet në majë të pushtetit, për të mos u shkulur dot lehtë.
Asnjë analizë mes qindrash të bëra deri më sot, me banda mafioze, lobe amerikane e greke, agjentura serbe dhe ruse, kingmaker dhe kunderevolucione komuniste, vendime të Katovicës dhe tradita otomane, etj. etj, nuk japin spjegim të plotë se si mundet, që të sundohemi për vite të tëra vetëm nga dy njerëz.
Eshtë ndjenja jonë e vjetër pagane, t’i nënshtrohemi një idhulli? Të blatojmë në tempullin e tij, para, xhevaire, pyje, bagëti, livadhe e më pas të kthejmë shpinën dhe sa jemi larg tempullit ta shajmë me rrënjë e me degë?
Pas 8 muajsh do votohet për Sundimtarin e rradhës.
Dëshira “perverte” për të vazhduar me Ramën ose t’i kthehemi Berishës, po trumbetohet në artikuj gazetarësh, që e quajnë veten seriozë dhe të pavarur. Nuk dua as ata t’i cilësoj si sahanlëpirës, servilë, lakej, mafiozë, të korruptuar, puthadorës.

Janë si ti dhe si unë, shqiptarë lehtësisht të sundueshëm.

No comments:

Post a Comment