Wednesday 30 November 2011

Kreu i III i Perdhunimit.

                                    HETUESI



            Hetuesi Fred Metani vazhdonte të shihte ëndrrën e shpeshtë, ku nuk arrinte dot të merrte celularin, që tingëllonte papushuar. "E di që jam në ëndërr, ndaj bjeri zambares sa të duash.." mendoi dhe i shtërngoi në gjumë sytë fort, si për ta larguar ëndrrën e bezdizshme. Melodia e njohur vazhdonte të tingëllonte, deri sa Fredi ndjeu një prapanicë të xhveshur, që e godiste në pjesen e poshtme të trupit. ”Celulari jot Fred,…merre ose mbylle fare” dëgjoi dhe u permend. Zgjati dorën dhe arriti aparatin zhurmonjës. Dalloi emrin e shefit të madh dhe foli. Nga ana tjetër u dëgjua një e sharë dhe me tej: ”...po ku mutin je futur Fred. Nisu menjehere! Jam në hotel  Adriana.” Tjetri kish mbyllur telefonin, kur Fred Metani donte të pyeste se ku ndodhej hoteli. Kërkoi në errësirë telekomandën dhe ndezi televizorin.
            - Mbylle Fred! As dy orë gjume s’kam bërë- thirri trupi i lakuriqtë nga nënmbulesa - vishu dhe ik atje ku të duan…do ketë hedhur trutë në erë ndonjë koqe tjetër!
            Ai vazhdoi të kërkonte kanalet deri sa dalloi një pamje të qytetit ku mund të lexohej tabela HOTEL ADRIANA. Ishte kanali 24/24. Ngriti zërin dhe dëgjoi folësen:             …është e pamundur në këto momente të mësosh gjë nga punonjësit e organeve kompetente. Ne do vazhdojmë të jemi të lidhur drejtpërdrejt me të derguarin tone ne vendin e krimit….Me degjon Arban?… Arban... C’të reja ke mundur të mesosh në vendngjarje?
            - Nuk ka asnjë të re. Të gjithë refuzojnë të intervistohen. Nuk lejohet asnjë gazetar në një distancë 100 metra nga hoteli… Edhe një gazetare e Gazetës Amtare, që mundi të depërtonte kordonin rrethues, është ndalur dhe shoqëruar për në Rajonin Policor të Qendrës… Masa të tilla, nuk janë parë, qysh nga vizita  e Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Europës. Duket krimi është i lidhur me ngjarjet më të fundit të politikes dhe në të mund të jenë implikuar persona shumë të rëndësishëm…”
            "Edhe një dosje tjetër." mendoi Fredi. "Dosje muti!" Për habinë e tij, edhe Nevila, që pak interesohej për kronikën e zezë, kishte nxjerre kokën nga mbulesa dhe po ndiqte të dërguarin në vendngjarje.
            - Vil, unë po bëj një dush e po nisem.
            - Mir…ti e di …duket serioze….po s’merret vesh ç’është…
            - Duhet ta thonë tani. Mbase kombinimi drogë me politikë.
            Fredi hapi dushin. U rrek ta kishte menjëherë të nxehte, për t’i lehtësuar kapitjen e natës së gjatë. Ishin kthyer rreth orës katër e gjysëm në apartamentin e saj. Kishte pritur deri sa ajo të mbaronte edhe këngën e fundit, në banakun e Klubit të Natës “Amazonat” duke pirë Chivas, dhe uiski në vend t'i sillte gjumë, kishte bërë të kundërtën. Orët e para të mëngjesit i kishin kaluar të dy xhveshur në shtrat duke u argalisur. Ai e puthte dhe i pëshpëriste në vesh: ”..do më lesh vall me ta hyp...” si per tu tallur me albumin e saj të fundit “Nuk të le as me ma hyp”. Ajo qeshte e giciluar nga fryma e ngrohtë në vesh dhe bërtiste “...jo,jo,jo... kurr s’të le më me ma hyp...” Kishin vazhduar të benin dashuri pa shkëputur buzët. Pastaj, të lodhur, kishin rënë në gjumë të thellë.
            - Fred, kush është Leon Gurazi?.-u degjua zeri i saj nga dhoma e gjumit.
            - Kush?- pyeti ai i çuditur, që dëgjonte emrin e njohur atë mëngjes.
            -Leon Gurazi….Keshtu po thone….ate kane perdhunuar.
            -Si…perdhunuar?! - thirri si në llahtarë Fredi dhe doli i qullur nga banja.
            - Fshihu Fred, se mos të përdhunoj edhe unë ty tani.
            Hetuesi nuk po e dëgjonte me Vilën, por u përqëndrua i gjithi të dëgjonte korrespondentin.
            ”…jemi njoftuar se sapo kanë arritur antarët e stafit të Gurazit, për të kërkuar dosjet dhe kompjuterin e tij portativ. Kjo gjë ju është ndaluar nga Kryetari i Zyrës së Përgjithshme të Hetimit. Dhoma e Leon Gurazit dhe gjithshka ndodhet atje, konsiderohen për momentin si skena dhe prova të krimit. Nuk ka asnjë koment nëse ka gjëra, të cilat mungojnë. Nuk duam të spekulojmë, se informacioni që marrim është tejet i cunguar dhe herë herë kontradiktor… Një gjë mund të thuhet me siguri; ç'ka i ndodhi Gurazit nuk është aksident, ndonëse e pazakontë… Mund të vazhdoni ju në studio…”
            Fredi ende s'arriti të kuptojë saktësisht, se ç'farë i kishte ndodhur Leos. C'ishte ky përdhunim? Të ishte hakmarrje për historitë e tij të dashurisë? Kishte patur një lloj simpatie të veçantë për të. Që në vitin e parë të Fakultetit. Leon Gurazi asokohe ishte studenti më i njohur i Juridikut. Ndoshta dhe më i miri. Flitej se do e mbanin në Fakultet, ndonëse bënte fjale vazhdimisht me profesorin e të Drejtës Kushtetuese, i cili ishte edhe Dekan. Përflitej edhe për disa histori dashurie, mes te cilave dhe një me vajzen e ambasadorit italian, gjë që i kushtoi dhe emërimin. E caktuan Kryesekretar në Gjykatën e qytezës malore Sh., tete orë me makinë larg Katedrave dhe Institucioneve të tjera Qendrore. Tre vjet më vonë, Fred Metani u emërua ndihmës gjyqtar në të njëjtën gjykatë. Leonin e gjeti po atje, të ngritur në rangun e Ndihmës gjyqtarit. Kishte filluar edhe të pinte. Ishte kthyer në nje rakidashës zuzar, i afruar me njerëzit dhe jo konformist. Mbrëmje të tëra i kaluan në të njëjtën dhomë, pranë gotave të rakisë, duke qeshur me historitë e Kryetarit të Gjykatës dhe duke sharë Byronë Politike. Në qytezë i quanin "ndihmës gjyqtar Gurazi dhe ndihmësi i tij". Fredi nuk rrekej te fshihte nënshtrimin e plotë ndaj personalitetit të Leos. Nuk i vinte zor edhe kur përpiqej ta imitonte se si vishej, si pyeste gjatë proçeseve gjyqësore dhe deri në gjestin se si Gurazi kruante pjesën e sipërme të kokës, kur nuk donte të përgjigjej. Nuk zgjati shumë kështu.  Leoni u martua dhe iku nga dhoma. Një vit më vonë edhe Fredi u martua dhe u transferua në një qytet tjeter. Nuk ishin takuar më.
            “…mbriti nje lajm nga Selia Vjollcë. Pas një ore Kryetari i Partisë do japë një konferencë shtypi rreth  çështjes Gurazi. Ky ishte i vetmi njoftim i zëdhënëses të Partisë. Pa asnjë koment tjetër. Ne do ta japim drejtpërdrejt konferencën e shtypit. Pas pak, do kemi te ftuar në studio, piktoren Majda Zaharian, Presidente e Unionit të Mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut. Ajo do japë opinionin e saj dhe të Unionit, që drejton, mbi krimin e fundit politik …”
            "...e i gjori Leo," mendoi Fred Metani "hyrë dhe në gojën e Majdas tani", dhe vazhdoi të vishej shpejt. Arriti të lidhë kravatën pa patur mendjen tek Nevila, e cila po e ndiqte e shqetësuar me sy. Në këto tre muaj që jetonin bashkë, asnjëherë nuk i ishte dukur kaq i preokupuar. Ndoshta ajo lloj shkujdesjeje dhe qetësie ndaj çdo çudie, e kishte bërë të shkonte për herë të parë me të në shtrat, e muaj më pas ta ftonte të rinte në apartamentin e saj. Tani po i dukej i ndryshuar, thua se ky përdhunim absurd e kishte prekur në diçka të shenjtë, në egon e mashkullit, që s'mund të pranojë të përdhunohet. ”Mire t’ju bëhet!" mendoi, "të shihni dhe ju njëherë se ç'çshtç të zenit me zor… se vetëm dini të zini”, por pastaj ju duk vetja fajtore, shumë e vogël, që e perfshiu dhe Fredin në grupin e përdhunuesve të mundshëm. Ai ishte tepër i butë me të dhe ndoshta i tillë kishte qënë me të gjitha femrat. Atë çast ai kishte veshur edhe pardesynë e gjatë dhe dukej më i hijshëm në trishtimin e tij. Nevilës i erdhi ti turrej dhe t’ja hiqte sërish gjithshka, që kishte në trup, ta merrte në shtrat, dhe t’ja mbante kokën në gjoksin e saj të bukur. Deri sa t’i kalonte trishtimi dhe të fillonte të qeshte.
            - Ika Vil..-dhe hapi derën, që të nxirrte në dhomën e ndenies.
            -…Mmmm…po …mmmm…puthja…- u përkëdhel vajza dhe zgjati buzët e hapura.
            - Po. Tani.- tha pa asnjë lloj ngjyre në zë Fredi dhe u përkul ta puthte. Ishte një puthje pa shije, pa asnjë provokim, nje çikje buzësh, që nuk thoshte asgjë dhe nuk priste asgje në këmbim. Dukej e gjithë qënia e tij ishte diku gjetkë, larg, ndoshta në një dhomë të vogël hoteli. Në atë të qytezës malore Sh. ose në këtë të llahtarshmin me emrin Adriana.
           



No comments:

Post a Comment