Monday, 29 June 2026

Unë do shkoj në plazh, “inshallah” e rrëzojnë Ramën kur mos jem.


Revolucioni Flamingo, dashur pa dashur, u prek nga zakoni europian, që vera është për “plazh”. E them që është paneuropian dhe nuk ngjet në Amerikën e Veriut, jo se këtej bëjnë më pak pushime, por nuk ndodh ajo që ndodh në Europë, veçanërisht në gusht, kur gjithshka paralizohet. Amerikanoveriorët janë mësuar të bëjnë pushime më të shkurtra dhe përgjithësisht t’i shpërndajnë në disa stina të vitit.

Duket që në fillim të fundjavës që posa kaloi, ka një rënie të dukshme të numurit të protestuesve në Tiranë. Aspak e papritur. Indinjata dhe zemërimi janë në proporcion të zhdrejtë me temperaturat dhe veçanërisht me sezonin e plazhit. Dhe ky është një fakt kokëfortë ndaj të cilit nuk mund të tregosh pakënaqësi.

Por a kanë të drejtë protestuesit të pushojnë pranë ujërave të Adriatikut dhe Jonit, veçanërisht tani që Rama po jep shumë pjesë bregdeti për tu ndërtuar?

Nëse protestën do e quanim punë, sigurisht që kanë të drejtë të pushojnë dhe po të mbledhin ditët e pushimit që kanë protestuar, sejcilit i takojnë të paktën 8 ditë “shëllërje” në plazh. Po qe se Protesta do funksiononte si një korporatë, pjesëmarrësit o depozitonin kërkesat për leje në “grupin e mirëmbajtjes” dhe ata do akordonin lejet në varësi të kohës së paraqitjes dhe të kushteve të kërkuesit. Se nuk mund të lejonin të iknin të gjithë në një kohë. Por Protesta nuk është korporatë apo institucion, por një grumbullim spontan dhe vullnetar i njerëzve të pakënaqur nga qeverisja, ndaj nuk mund të ketë as kërkesa për leje dhe as akordim të tyre.

Por çdo njeri që del vullnetarisht të protestojë për diçka tepër të rëndësishme, sikundër është edhe ndryshimi i sistemit qeverisës të Shqipërisë, lejen ja jep dhe ja merr ndërgjegjes së tij. Dhe nëse ndërgjegjes së tij i ka bërë premtimin se nuk do shkulet nga protesta deri në rrëzimin e Ramës, atëhere mund të jetë në gjendje t’i rezistojë dëshirës së tij apo të partneres për të shkuar në plazh “si gjithë dynjaja!”. Në të kundërt, nëse është një përkrahës i protestës, por nuk do të prishë rehatin e tij, mund të shohë ndeshjet e Botërorit si edhe të shkojë për dy javë në plazh. Me mendjen tek protesta dhe sytë në celulari se mbase vjen ndonjë mesazh: “U kry! Rama dha dorëheqjen!”

Nuk dua as të kritikoj dhe as të sugjeroj diçka. Sigurisht që të protestosh për orë të tëra, çdo ditë, në mes të vapës, nuk është aspak komode. Eshtë më mirë të protestosh pak dhe të pyesësh: “Po këta të SPAK-ut ç’bëjnë?!”, “Po ndërkombëtarët ku janë, janë verbuar?” apo edhe të citosh Fishtën e të thuash “Evropa kurvë plakë“, por këto nuk të ndihin të arrish qëllimin që i ke vënë vetes. Veç i shërbejnë thyerjes së vullnetit tënd dhe ta kalosh si e kemi shtyrë gjithë jetën me “çiqitëmizëm”. Më pas nisesh në plazh me makinën tënde, diku ku e ka vilën një shok, apo mund ta kesh edhe tënden dhe kujdesesh për gruan fëmijët dhe tezen e moshuar. Se mbi familjen nuk mund të vihet asgjë!

Por Rama nuk shkon në plazh. As ai, as Berisha, as Taulant Balla e shumë lapangjozë të tjerë. Ata po presin që Ti të lodhesh, dhe pas Teje, protestuesit të zakonshëm’ të shkojnë në plazh edhe të gjithë të ngjashmit deri sa të mbetet një grup të rinjsh të vendosur, të cilët i kanë më të lehtë t’i injorojnë.

Rama do shkojë në plazh pasi Revolucioni Flamingo të ketë dhënë grahmën e fundit. Nuk do lejojë as lakejtë e tij të shkojnë. Për ta është një betejë për jetë a vdekje.

Por nëse nuk është e tillë për Ty, atëhere shijo plazhin brenda atdheut ose jashtë tij. Se mbase nuk jemi ende të gatshëm për Revolucion.

E them këtë se në të kundërt nuk do kishim mbajtur mbi qafë Ramën dhe Berishën që prej vitit të largët 2005.

(Por plazhin nuk e kemi lajthitur asnjë vit ama!)

No comments:

Post a Comment