Saturday, 27 June 2026

Përse i duhej Qoses mjekrra?


Të jetë vërtet thjesht shqiptar proverbi “Vetëm mjekrra e Qoses nuk bëhet!” apo e kanë edhe popuj të tjerë? Unë nuk përdor ChatGPT dhe asnjë aplikim tjetër të Artificialkës, por vërtet më duhet ta di këtë. Nga një shikim i shpejtë i proverbave rreth të Pamundurës nuk gjeta asnjë që të lidhej me Qosen. Kishte nga “derrat nuk fluturojnë“, “kur të fluturojnë gomerët” dhe deri tek poetikja japoneze “era nuk kapet me rrjetë“, por asgjë që të lidhej me “leshtë“ qofshin të mjekrës, të tepelekut, të sqetullave apo të vendeve intime.

Logjikisht unë kam të drejtë të mendoj se në një epokë të rëndësishme të shoqërive ilire, arbërore apo shqiptare, ka qënë në krye të vendit një Qose, i cili nuk e ka pranuar dot që nuk kishte qime në mjekërr. Kuptohet që duhet të jetë më i hershëm se Skënderbeu, se Heroi kishte dypëllëmbë mjekërr, por nuk besoj të ketë qënë as Piroja i Epirit, edhe pse në monedhat e kohës ai paraqitet se nuk ka të tillë. Bashkëkohësit e tij romakë nuk mbanin mjekrra ndaj duhet të ketë qënë Moda e “faqeve të rruara mirë“.

Ndoshta diku mes kohës së Pirros dhe të Skënderbeut duhet të ketë qënë ky Sundimtari Qose, që e ka kuptuar se do ishte e pamundur që të kishte një mjekërr të tij. Dhe me siguri ka qënë në Mesjetën e Hershme, se në atë kohë mjekrra ishte tepër në modë dhe një tregues i maskilinitetit.

Kjo puna e qimeve të mjekrrës , si shumë e rëndësishme për të qënë një mashkull i vërtetë, ka qënë edhe në ditët tona. Kujtoj që prisnim me padurim të na dilnin qimet e para në mjekër dhe nuk ndjeheshim mirë, kur shokë të klasës kishin filluar të kishin push në faqe, por ne ende nuk kishim. Kur vinim briskun e parë ndjeheshim tamam burra.

Nuk di se sa lidhje ka midis të qënit “leshtor” me superaktivitetin seksual, por një ide e tillë qarkullonte në kohët e adoleshncës sime. Madje një mësues biologjie që duhet të dinte diçka rreth raportit “qime-seks” një herë ngacmonte një shokun tonë që nuk kishte qime në gjoks, dhe si rrjedhojë mori përgjigjen “nuk kemi lart po kemi poshtë presor!”.

Por këto punët e veprimtarisë seksuale kanë qënë të zgjidhura që në kohët e lashta, se edhe popujt primitivë i njihnin ushqimet afrodiziakë, si dhe mënyra të tjera natyrale për të shtuar “epshet” tek meshkujt. Ndaj Qose Sundimtari duhet të ketë pasur një kmotiv tepër estetiko-psikologjik që ka dashur të ketë patjetër mjekër. Dhe për këtë me siguri ka provuar gjithshka, që nga melhemet për lyerjen e fytyrës dhe deri tek terapitë hormonale që njiheshin në atë kohë. (Kësaj ja futa kot, se nuk di a mund të ketë pasur terapi hormonale në Mesjetën e Hershme.) Dhe pasi ka kërkuar deri “prapa Diellit”, shëronjësit pranë tij kanë dalë në përfundimin “Vetëm Mjekrra e Qoses nuk bëhet!” Dhe kështu është përhapur në popull dhe ka mbetur deri në ditët tona si simbol i të Pamunudrës.

Por duke pasur vetëm këtë proverb dhe asnjë dokument tjetër, edhe sot ne nuk mund t’i japim përgjigje pyetjes “Po ç’i duhej mjekrra Qoses?” Deri diku kjo na bind, që “udhëtimi në kohë“ (time travel) nuk është i mundur, se ata që shkuan deri “prapa Diellit” do kishin udhëtuar në kohë dhe do gjenin metodën e “mbjelljes së qimeve, që është aq efikase sot.

Do e kishin aplikuar tek Sundimtari Qose dhe pas djegies të temjanit do përdornin fjalët magjike:

Abrakadabra...Të mbiftë lesh!”

No comments:

Post a Comment