Sunday, 14 June 2026

Kori i zonjave të vendargëtimit “Vatra”


Nuk dita si ta quaja vendin ku mblidhen zonjat pensioniste shqiptare të Bostonit. E quajta vendargëtimi sepse më duket vërtet i tillë. Eshtë një lloj “kampi ditor” ku shkojnë dhe bisedojn, këndojnë edhe lexojnë. Mësojnë çdo ditë të reja edhe se më të shumtat duhet të jenë mbi 75 vjeçare. Ka edhe zotërinj, por ata nuk ishin pjesë e kompleksit, që këndonte nën drejtimin e një maestroje me siguri shqiptar.

Atje pensionistet tona kalojnë një pjesë të madhe të ditës, në sajë të ligjeve “pro të varfërve” që ka shteti i Masaçusetsit. Zonjat tona nuk janë të varfëra, por më të shumtat nuk kanë patur mundësi të punojnë për shumë vite në SHBA, ndaj në “sytë“ e shtetit të Mass. ato janë me të ardhura të pamjaftueshme dhe kompania që i siguron, paguan edhe për funksionimin e vendargëtimit “Vatra”.

Nuk dua të zgjatem rreth atyre që e krijuan, sepse me siguri është shkruar në mediat shqiptare dhe ato shqiptaro-amerikane. Veç doja të bëja një krahasim me bashkëmoshataret e tyre, të cilat jetojnë në Shqipëri.

Dy miq më kanë thënë se pensionistët, veçanërisht zonjat, në Shqipëri jetojnë më gjatë se bashkëatdhetarët e tyre në Diasporë dhe veçanërisht janë më aktivë. Kishin disa shembuj që e mbështesnin këtë konstatim të tyre. Gjithashtu si argumenta sollën jetën shoqërore më aktive dhe ecjet e domosdoshme në qytete ku shërbimet e transportit publik nuk janë të mira. Nuk i kundërshtova se nuk kisha fakte apo të dhëna statistikore. Unë nuk di se sa shkon mesatarja e jetës për pensionistët shqiptarë jashtë vendit, po qe se i krasojmë me mesataren e jetës së pensionistëve shqiptarë. Ka diçka që nuk shkon. A është e mundur që në vende me cilësi ushqimesh më të mirë dhe shërbime shëndetsore disa herë më të mirë se në Shqipëri jeta të të shkurtohet më shpejt? A thua një farë “izolimi” dhe vetmije i rrëzon psikologjikisht shqiptarët e moshuar që jetojnë vetë apo në azile pleqsh dhe i bën të vdesin më shpejt nga dëshpërimi?

Unë nuk kam përgjigje për këto pyetje tepër të vështira, por kur shkoj në vendin tim, të moshuarit sepse më duken si “shumë të shtrembëruar”. Mund të jetë një perceptim i gabuar, që lidhet ndoshta edhe me “syzet e errëta”, që mbaj në Atdhe, ose me një frikë se në Diasporë unë do vdes më parë se po të isha në Korçë.

Por ajo që sheh në kët vendargëtimi pensionistësh në Boston të bën të mendosh se vendet më të pasura dhe veçanërisht ato që kanë politika sociale më të mira, i bëjnë pensionistët më aktivë. Masaçusets është ndër shtetet me të tilla poltika. Nuk ngul këmbë të them se nuk ka qëndra të këtij lloji të themi në Teksas apo në Dakotën e Veriut, por në gjithë shtetet amerikane që qeverisen nga “e majta” ka të këtij lloji. Nuk jam i sigurt nëse ka në Montreal dhe në Toronto, por në Kanada këto janë më të mundshme dhe po njëlloj edhe në vendet skandinave, Angli apo Gjermani.

Të moshuarit në vendet e zhvilluara dhe gjysëm të zhvilluara e kanë të domosdoshme jetën shoqërore. Në këto vendet familjet janë gjithnjë e më të vogla dhe distancat gjithnjë e më të mëdha, sa herë herë nuk i përqafon dot fëmijët edhe për muaj të tërë. Të paktën ke mundësi t’i shohësh në video e të të shohin. Edhe në Shqipëri ngjan thuajse e njëjta gjë, se një pjesë e madhe e fëmijëve jetojnë jashtë dhe 80 vjeçarët ndjehen të vetmuar. Diçka të tillë kishte në thelb edhe kënga “Nan” ndonëse në tone shumë dramatike.

Por ata burra e gra që shkojnë kafeneve dhe takohen me bashkëmoshatarët e tyre afër të 80ve dhe më shumë, ose kanë “ndonjë lekë mënjanë“, ose marrin vazhdimisht nga fëmijët. Shteti thuajse nuk bën asgjë. Dhe një pensionist nuk ka nevojë vetëm për “llogje” por edhe për disa veprimtari që ta mbajnë gjallë. Edhe të këndojë në një kor si gratë e mira të Bostonit, qoftë edhe sikur të stonojë. Eshtë një lloj kthimi në fëmijëri me ëndrrat për të qënë si të gjithë bashkëmoshatarët dhe për të luajtur dhe dëfryer bashkë me ta.

(Solon e këngës që pashë në video e këndon një shoqe e mirë e mamasë sime. U gëzova edhe për të, se këndonte bukur me gjithëse nuk është më e re si dikur kur këndonin me zë të ulët në zyrën e llogarisë.)

Këndoni zonja të mira bashkëatdhetare të Bostonit, se jeta do ju shtohet! Veç “harroni” atë “yllin e kuq që ju rrinte në ballë trimave”, se po këndoni me më shumë zjarr tani , në sajë të yjeve të shumtë të flamurit amerikan!

No comments:

Post a Comment