Tuesday, 23 June 2026

Trump, Meloni, Rama dhe të tjerë palaço


Ka një përplasje qesharake në mediat botërore mes deklaratave të Trump dhe kryeminstres italiane Meloni. Sipas “The Donald” italania Meloni i ishte lutur të bënte një foto me të gjatë takimit të G7 në Paris. Meloni e hodhi poshtë si gënjeshtër dhe vazhduan komentet mes analistëve dhe komentatorëve se “a e lagu bishtin dhelpra apo nuk e lagu”.

Them se nuk kemi parë të tillë “legenllëk” drejtuesish shtetesh gjatë jetës sonë si në këto vitet e fundit.

Ndonjë deklaratë apo veprim ekstrem ka pasur gjithnjë, si mund të përmendet “nxjerrja e këpucës nga Hrushovi në OKB për t’i rrënë podiumit që të mbahej qetësi” apo kur presidenti amerikan Xhonson pas një fjale të mbajtur nga kryeministri kanadez Pearson më 1965 i tha “më përmore mbi qilim!”. Ka patur deklarata “të kripura dhe të tepruara” nga Cërçill, De Gol, Nikson dhe të tjerë personalitete të njohura politike, por asnjëherë kaq të shumta dhe në këtë nivel si në këtë shekull që ka kaluar vetëm një të katërtën e tij.

Sigurisht që Trump ka “pjesën e luanit’ në gjithë këtë palaçollëk shtetarësh, por nuk është ai që e ka nisur. “Anormaliteti “ i sjelljes të një kreu shteti nisi me Berluskonin, i cili e filloi me shakatë e tij erotike pa kripë dhe vazhdoi deri në komentet për prapanicat e Angela Merkel apo për “marrjen ngjyrë në diell” të Obamës. Jo më kot, Mbretëresha Elisabetë, gjatë një fotoje kolektive pas një takimi të G20, kur Berlu nisi të thërriste “ zoti Obama”, ju tha të pranishmëve :“po ky budalla ç’thërret kështu?”

Duket që modeli “Berluskoni” ju pëlqeu shumë politikanëve të tjerë, të cilët nisën të përdornin nga këto lloj “karagjozllëqesh” jo vetëm në rrethet e tyre të ngushta, ku lakejtë gajasen me shakatë e bosit, por edhe në konferenca shtypi si dhe në takime me homologët e tyre. Janë të njohura shumë veprime jo prej burri shteti të Putin, mes të cilave sjellja e qenve të tij në një takim me Merkel duke ditur që kancelarja gjermane nuk i duron dot qentë.

Por Trump theu çdo rekord dhe do duhen faqe të tëra për të shkruar deklaratat e tij publike me fyerje ndaj krerëve të tjerë të shteteve, vendeve të veçanta, që janë të turpshme për një adoleshent rrugaç.

Dhe këtij “kllouni”, kryeministrja italiane Meloni i thurrte lavde dhe mundohej t’i “fitonte zemrën” në dobi të mbështetjes së tij për “Fratelli d’Italia” dhe për Italinë. Por Meloni nuk ngurronte të flirtonte hapur edhe me Musk dhe të sillej si e papërgjegjshme edhe me “kllounin” tonë, Edi Rama.

Puthja e tij ndaj saj në një takim mes shumë krerësh shteti dhe përpara fotografëve nuk ishte lajthitje e Ramës. “Shakara të tilla bajate” Edi ka provuar më parë, në takime private apo në pushimet në vilën qeveritare në Vlorë, që i jepnin zemër për ta provuar edhe faqe gjithë botës. Dhe vazhduan me rënie në gjunjë në të tjera takime bilaterale apo ndërkombëtare. Rama nuk e njeh turpin para opinionit publik shqiptar, por duket se as Meloni nuk ka turp para italianëve.

Dhe duket që politikanët e tjerë të lartë, edhe pse mund të jenë më të përmbajtur, shohin me simpati këto sjellje në publik, që njerëzve me mend “ju sjellin zorrët në goja”. A vjen kjo nga që froni të bën që vetja të të duket i pagabueshëm dhe mund të mos përfillësh asnjë etikë morale njerëzore, unë nuk jam i sigurt ta them. Por një president si Holland i Francës , që shkonte tek e dashura me motoçikletë dhe kaskë si shpërndarës picash, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një idiot i papërgjegjshëm.

Nuk di se ç’’mund të bëjë në të ardhmen Trump, Meloni, Lukashenko apo Rama, për të përmendur vetëm disa nga këta “palaçot” sjelljet e të cilëve janë më të njohura.

Ndoshta dëshira për popullaritet dhe sa më shumë ndjekës në rrjetet sociale, i bën disa prej tyre të bëjnë çdo lloj “kllounade” për të qënë në qëndër të vëmendjes. Por tani nuk kanë pse të mundohen shumë vetë, sepse Inteligjenca Artificiale krijon mundësi për video ku këta shfaqen me të gjithë personalitetin e tyre prej “shakaxhiu defiçient”.

Duket që nuk kemi më nevojë, që këta vetë të krijojnë situata të tilla të turpshme.

No comments:

Post a Comment