Në 15 vite të këtij blogu, shpesh kam shkruar për ngjarjet në Shqipëri dhe jam rrekur të denigroj politikanët kryesorë shqiptarë duke nisur nga Berisha dhe më tej Nanon, Metën, Veliajn, Peleshin dhe ndonjë kryetar bashkie. Kam prekur probleme të përgjithshme të shoqërisë dhe të politikës shqiptare si dhe jam përqëndruar në ngjarjet e lidhura me qytetin tim të lindjes, Korçën dhe krahinën e saj. Në shumicën e rasteve ishin përpjekje të dëshpëruara që një miku im i karakterizonte me fjalët: “Pushkën e ke të mirë, por gjuan në bythë elefanti!” Nuk di pse nuk u shkurajova, sepse nuk dallohem për durim të madh. Ndoshta indinjata ishte e madhe dhe mbase kisha edhe kohë për të vrarë, sepse e dija se ishin përpjekje thuajse tërësisht të kota. Madje dhe kisha shkruar disa herë për këtë, veçanërisht në shënimin: “Pse duhet luftuar një betejë që dihet se është e humbur!” Nuk më kujtohet me saktësi se cilat ishin argumentat e mija në favor të tezës, sepse kanë kaluar shumë vjet.
Sot, një miku im i mirë, më dërgoi një ngjarje shumë sinjifikative, të panjohur për mua, e cila edhe pse nuk ishte nisur si një analogji e asaj që bëj unë, më bëri të ndjehem mirë:
“Kleriku pacifist A.J Muste rrinte me netë të tëra para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër luftës në Vietman. Një natë një gazetar e pyeti:”Vërtet mendon se do ndryshosh politikat e këtij Shteti duke ndenjur këtu me një qiri në dorë? Muste u përgjigj:”Oh nuk e bëj për të ndryshuar Shtetin. E bëj që ky Shtet mos më ndryshojë mua.”
Unë nuk jam A.J.Muste dhe as jam duke qëndruar në shënjë proteste vetë para Kryeministrisë apo para Bashkisë së Korçës. Por ndoshta pa e ditur edhe unë e kam bërë që të shpëtoj veten dhe sistemi mos më ndryshojë. Kam patur edhe fatin të mos jetoj në Shqipëri se ndoshta atje do e kisha shumë më të vështirë të shkruaja në këtë mënyrë. Do më duhej të përballesha me shumë marifete njerëzish të ligj, që nga privimet në punë dhe deri në sulmet dhe talljet e hapura. Sepse të gjithë kanë mënyrat e tyre për të mbrojtur karakterin e tyre. Mënyra e mbrojtjes e Muste është më e thyeshmja dhe kërkon karakter shumë të fortë.
Ndoshta do më kishte ndihmuar dëshira për të mos njollosur kujtimin e atit tim, që ishte me të vërtetë një njeri i kulluar. Kam pasur ç’të turpëroj! Astu si mund të bëja me turp edhe nënën time, që ndonëse më me “këmbë në tokë“ se im atë, nuk do pajtohej kurrë me korrupsionin, servilizmin dhe me shitjen e të tjerëve.
Ndaj dua të jem thellësisht i sinqertë me ju që më lexoni, që shpesh ndjehem edhe si Don Kishot, si edhe po aq shpesh si njeri që përpiqet të shesë moral. Por ndoshta më shumë se formimi im, shtysa për të shkruar kundër “padronëve të fëlliqur” të kësaj bote është një ndjenjë “egoiste” për të ruajtur veten që mos hyj kurrë në ato rrethe. Dhe shkrimet kritike detyrimisht që më kanë mbajtur larg tyre sepse kam në qafë zilen e “lebrozit”, zilen që quhet “Kuendemi”.
Dhe këtë zile tashmë nuk e heq dot nga qafa edhe sikur të dua.
No comments:
Post a Comment