Friday, 31 July 2026

Historia e Kulles Vrojtuese dhe e një Letre të Hapur


E kam konsideruar pjesërisht të mbyllur çështjen e Kullës Vrojtuese deri në çastin që ajo të shembet dhe sheshi të rifromulohet i hapur. Ishte një reagim në FB i urbanistit të nderuar Gjergji Kotmilo, që më bëri të rikthehem me mendje 12 vite më parë dhe të sjell një pjesë të reagimit të arkitektëve korçarëedhe me emra të përveçëm.

Pat qënë një skicë me dorë e Uillson që nuk di se ku e pashë, që më “tmerroi” se në Korçë po ngrihej një Kullë. Pyeta urbanisten Edvana Vangjeli, me të cilën komunikoja shpesh dhe më dha më tepër hollësi rreth saj. Mbase reagova menjëherë në blog dhe FB, por më pas duke parë heshtjen e intelektualëve dhe arkitektëve korçarë, bashkë me disa kolegë të mij (Maksi Pengo, Pandika Pleqi etj.) menduam të reagonim në mënyrë gjysëm institucionale për të bërë diçka. Ishim të gjithë të të njëjtit mendim se në atë shesh nuk duhej të ndërtohej një Kullë, madje projekti i paraqitur ishte i një Arkitekture Brutaliste, që kishte “perënduar” më se 40 vitë më parë. Nuk kujtoj pse zgjodhëm të ishim vetëm arkitektë korçarë që banonim jashtë. Urb. Vangjeli dhe ndoshta edhe dikush tjetër që punonte në Shqipëri ishte në një linjë me ne, por vendosëm që në Letrën e Hapur të ishin vetëm ata që punonim jashtë, për të mos pasur pasoja tek ata që mund të “ndëshkoheshin” nga Pushteti Qëndror dhe Vendor.

Letrës së Hapur drejtuar zv.Kryeministrit Peleshi ju bashkuan arkitektët Ilia Lera, Nensi dhe Klarens Karanxha, Jeta Xhufka dhe e ndjera Anxhela Mosko. Nuk paranoi të bashkohej urbanisti i njohur Gjergji Kotmilo dhe në minutat e fundit u tërhoq urb. Pandika Pleqi pas një konsultimi me motrën e saj që punonte diku në administratë dhe trembej se mund të kishte pasoja.

Sigurisht që “Letra” bëri një vrimë në ujë, por shoh sot, se “protagonistë “ kundër Kullës paskan qënë arkitektë të ndjerë, që përfaqësohen nga partnerët e tyre, arkitektë të gjallë që atë kohë nuk kanë “pipëtirë“ madje dhe një urbanist i kthyer në pastor, Kristi Minga. Nuk pashë kurrë reagime publike të tyre, por kjo nuk përbën provë të mirëfilltë për mungesë proteste.

Para dy-tre javësh pashë edhe një reagim kundër Kullës të inxhinierit të ndërtimit Miril Pero, banues dhe me veprimtari ndërtimore në Korçë, që nuk kishte bëzarë kurrë më parë rreth kësaj çështjeje.

Ky shënim nuk ka të bëjë aspak me “rrahje gjoksi” se ne bëmë diçka, se deri sa Kulla, për të keqen e qytetit, u ndërtua edhe ne dështuam. Por është një kujtesë, që në rast përsëritjeje të projekt-ndërtimevei të tilla, ata që jetojnë atje, duhet të zihen duarsh dhe të gdhihen në shesh për të mos lënë monstra të tjera. Këtë pata shkruar në disa nga shkrimet e shumta të asaj vere (anti-Kullë), por që binin në vesh të shurdhët, se ndoshta të gjithë mendonin se unë isha një “idiot”. Nuk kisha ide se ç’ndodhte në Shqipëri dhe se sa e rrezikshme ishte të kundërshtoje vullnetin e Ramës.

Në të njëjtën llogjikë, sot jam edhe një “idiot pa shtyllë kurrizore” sipas “luftëtarëve” apo “partnerëve të luftëtarëve” të asaj kohe, por dhe kjo nuk ka shumë rëndësi.

Ajo që vlen është se nga ngjarja e Kullës dhe reagimet ndaj saj duhet të nxjerrim mësime për të mbrojtur Korçën tonë, për të cilën të gjithë “bien therror se e duan deri në pikën e fundit të gjakut”.

Dhe shpesh nuk e kuptoj se për cilën pikë gjaku e kanë.

Thua është therrur dash në themelet e Kullës?

Thursday, 30 July 2026

Korça “gllabëron” Maliqin


Të më ndjejnë banorët e Maliqit dhe të fshtrave rreth tij për tonin qesharak, që mund të ketë shënimi im, por se pse më vjen si për të qeshur për gjithë këtë historinë e “zaptimit” të Maliqit nga Korça. Nuk di dhe pse Maliqi më është dukur gjithnjë si një qytezë “kot” edhe pse ishte i vetmi vend që prodhonte sheqer në Shqipëri. Mbase dukem shumë cinik, por më mirë të jem i tillë se i pasinqertë.

Kënetës (qëmoti e quanin edhe Gjoli i Maliqit) ja kishin vënë atë emër shumë e shumë kohë më parë. Prej fshatit Maliq, që nuk ishte bërë ende qytezë. U tha këneta dhe Partia mendoi të bënte Kombinatin e Sheqerit në Maliq, duke planifikuar që fushat torfike të përfituara nga bonifikimi të prodhonin edhe goxha panxhar.

Sovjetikët dhuruan fabrikën, edhe fondet për banesat kolektive “ala ruse” dhe Maliqi nisi të quhej qytet. Veçse qytet nuk ishte se ishte Maliq. Ishte pak a shumë si ajo shprehja e vjetër në Korçë që theshin “ka mbaruar Universitetin e Kakaçit” Kështu tingëllonte edhe po të theshe se jam një qytetar nga Maliqi.

Por i gjithë ky perceptim është i dikujt që në Maliq pat shkuar një herë në 8-vjeçare për një ndeshje volejbolli midis shkollave dhe deri sa doli në punë, nuk kishte shkelur më në atë qytezë që kishte edhe shkollë të mesme, edhe kinoteatër madje edhe Klub oficerash. Bileta e autobuzit në ato vite më duket ishte vetëm 6 lekë të vjetra, por dhe pse e lirë, nuk e kishim marrë kurrë mundimin me shokët të shkonim në Maliq. Ndoshta se në atë kohë nuk kishte as “evente” nga këto që bëhen tani kudo në Shqipëri (Raqka i bën më të mirat se merr dhe çmime). Mbase kishte shfaqje teatri se Maliqi pat nxjerrë plot aktorë nga Marko Bitraku, Piro Kita dhe deri tek Merita Coçoli, por kjo nuk ishte meritë e maliqarëve, por e regjisorit Dhimitër Orgocka, emrin e të cilit mban tani Kinoteatri apo Qëndra e Kulturës e qytezës.

Por tani, Korça që e “shpërfillte” dikur Maliqin (nuk besoj se mërzitet Gjergji Cikopana që ka qënë drejtor shkolle atje) do që ta bëjë pjesë të saj. Dhe zakonisht kur një Njësi më e madhe do të gëlltisë një Njësi më të vogël, kjo nuk bëhet për dobinë e më të voglës. Diçka ju ka shkuar ndërmend “të fuqishmëve” të Korçës që e duan brenda administrimit të tyre. Nuk besoj se e duan për Nastradinin e Gjergj Lucës, që i ka hipur gomarit sëprapthi. Nuk është ogur i mirë. Se si Nastradin do duket Hoxhë Nikshi, që ka dhe një foto mbi gomar të marrë diku në majat afër Skraparit.

Nuk di as ç’ka ndodhur me Kazanët prej bakri të fabrikës së sheqerit dhe as me stallat e NRGJ-së, se kam 3 dhjetvjeçarë në kurbet.

C’të ketë kaq me vlerë në atë qytet të projektuar nga sovjetikët?

Para 4 vitesh ndala për disa orë, se një grup kolegësh nga Tirana do i paraqisnin Topçiut dhe maliqarëve të tjerë një projekt për diçka tepër madhështore , të cilën tani nuk e kujtoj as se ç’ishte. Ndenja në një lokal me dy kate, me pak njerëz dhe ku kamarierja dhe banakjerja, të dyja ankoheshin se qyteza ishte e vdekur. Madje kur pyeta se ku mund të këmbeja disa kartmonedha të huaja, më treguan një dyqan jo shumë larg, por më thanë se dhe ai dyqan nuk hapej çdo ditë.

Ndoshta atje, “Rilindja 2.0” mendon të ndërtojë Polin e Ri të Korçës, një ide që edhe unë ka vite, që e shpreh? Ndoshta Poli i Inteligjencës Artificiale?

Se përsa i përket Artificial dhe Inteligjent, i tillë më është dukur Maliqi sa herë kam kaluar me autobuz në mes tij.

Le ta pushtojmë atëhere! Nuk do ketë më Maliq, por një Korçë të madhe me sloganin MKGA ose BKMS ose NIKO (Ndryshimi Infrastrukturor i Korçës Orbitale).

Xhefri i Epsheve, Gysi dhe Ermal Beqiraj


Nuk ka asnjë mundësi që Gysi dhe Ermal Beqiraj të kenë takuar Xhefrin e Epsheve (Jeffrey Epstein). Rrethet në të cilat vepronte “pedofili” i shumëlakuar nuk ishin të tilla, ku mund të qaseshin këta dy “lanxhukë“ të vatanit tonë. Ndoshta edhe nuk kishin dëgjuar për të para se ai të vetëvritej. Por më vonë me siguri që e kanë admiruar dhe kanë dashur të mësojnë prej modus operandi të tij. Madje vepra e tij ‘gjeniale” duhet të ketë entusiazmuar edhe ed Ramën, i cili nuk është dëgjuar të thotë ndonjë gjysëm fjale për të edhe pse si “lider global” jep mëndje për gjithë çështjet që ka kjo botë.

Edhe pse nuk njihet plotësisht “karriera” e Epstein dhe gjithë “zararet” që ka bërë në këtë botë, ku qarqet më të larta janë më se të fëlliqura diçka tashmë pranohet nga analistët e paanshëm.

Xhefri është një krijesë e CIA-s ose Mossad-it (mbase edhe e të dyjave njëkohësisht) për të ndikuar në aktorët e rëndësishëm në politikë dhe në biznes dhe rrejdhimisht edhe në ngjarjet e rëndësishme botërore.

Për më se 50 vjet (në opinionin tim modest) nuk ka për tu mësuar kurrë se ç’ka bërë ai tamam dhe se si ka nisur. Për fat të mirë, ai kishte vesin e fjetjes me adoleshente, gjë që i hapi petët e një lakrori të trashë, brenda të cilës ka shumë shtresa me “gjiriz”.

Gysi dhe Beqiraj (unë nuk di se cili ngjan më shumë me Xhefrin) bënë diçka të ngjashme me atë që pat bërë Jeffrey Epstein. Ishin ndërmjetësit e fëlliqur të “pushtetit” me “botën e biznesit dhe me “botën e krimit”. Në këtë pikën e fundit ja kalojnë edhe Xhefrit, se deri më tani nuk kanë prova për lidhjet me Mafian e ndonjë vendi edhe pse nuk ka se si të jetë e pamundur.

Të dy përfitonin pjesën e tyre të ndërmjetësit (edhe atë të biznesit Beqiraj) duke pasur lidhje të ngushta me Kryeministrin Rama dhe njerëzit e tij më të besuar. Gysi, si socialist me traditë të hershme familjare, shtrohej edhe në dreka të shtrenjta me Ramën “e ndershëm” dhe njëkohësisht edhe në dreka dhe darka me kriminelë në kërkim. E kryente mirë punën e tij se dhe filmonte plot biseda dhe skena seksi ku përfshiheshin njerëz të rëndësishëm të Shqipërisë.

Nga Beqiraj ka tashmë të botuar një foto me Makron, por mund të jetë krejt e rastësishme, sikundër mund të jetë e rastësishme edhe kapja e tij pas një fluturimi me një avion privat mbi një Central Bërthamor. Nuk besoj se Shërbimet Sekrete të ndonjë vendi kanë nevojë për fotot e Beqirit për të ditur se ç’ndodh në një vend të rëndësishëm në Francë.

I gjithë problemi, si në rastin e Xhefrit, është se këta njerëz janë aq të fuqishëm dhe me lidhje, sa posa u prenë fletë arrestimet e tyre ata u lajmëruan dhe u zhdukën. Madje u zhduk edhe koleksioni me verëra të shtrenjta i Gysit. Epstein u dënua shumë pak kur u arrestua herën e parë në Florida për krimin e rëndë të marëdhënieve me dikë nën moshë dhe trafikim prostitutash. Ndërhyrjet nga lart ishin veçanërisht të dukshme.

Beqiraj u kap, por nuk dihet nëse do ekstradohet apo jo nga Franca. Edhe ai mund të paraqesë viktimën se po “goditet politikisht” dhe të kërkojë strehim politik. Paratë e shumta dhe lidhjet me Ramën e ndihin edhe për këtë.

Gysi duket se ‘livadhis” i lirë në Shqipëri dhe ndoshta mund ta “këshillojnë“ që mos dalë haptas se duhet ca kohë që të “mbyten mackat”.

Me siguri që Gysë ka edhe në Sërbi dhe Rumani, por edhe në Itali dhe në Francë. Ky sistem (më pak i keqi i njohur) ka nevojë për “kodoshë“. Kodoshë që shpien në një “shtrat” poltikanëët me shëerbimet sekrete, me mafiozët dhe me biznesmenët.

Për fat të keq të Shoqërisë Njerëzore është kështu!

Veç që në Shqipëri këta veprojnë më hapur, me më pak zgjuarsi dhe prudencë, me më shumë lakmi, sepse si në çdo gjë, ne jemi të parët për “putanllëqe”.

Xhefri u vetëvra dhe u mbyll një kapitull.

Gysi dhe Ermali mund të arrestohen, por nëse nuk “zhduken” këta politikanë të tipit Rama dhe Berisha, të tjerë “Gysë dhe Ermalë“ do i zëvendësojnë.

Wednesday, 29 July 2026

“Besa” e një të pabesi


Nuk do shumë mend të dallosh falsitetin e një politikani dhe njeriu si Ed Rama, që shkruan një dokument-esse të titulluar “Besa” edhe pa lexuar asnjë gërmë të atij dokumenti. Rama ka qënë që në krye të herës “i pabesë“ edhe ndaj të afërmve të tij, sepse njihet kudo deklarata e tij në gjyqin e divorcit me të shkretën Makoçi, ku për të mos paguar detyrimet ndaj djalit të tij Greg, deklaronte se kishte mundësi që Makoçi të kishte shkuar me Kristaq Ramën dhe fëmija mund të ishte jo i biri , por i vëllai!

Por duke lënë mënjanë pabesinë e tij si njeri, duhet theksuar se e gjithë karriera e tij politke karakterizohet nga Pabesia. Kryesisht ndaj bashkëpunëtorëve të afërt, aleatëve dhe të njohurve.

E megjithatë do pranojmë se është një “kafshë politike” që ndjek parimet e Makiavelit të shkruara qartë tek libri i njohur “Princi”.

Sigurisht makiavelizmi në politikë është e kundërta e Besës, jo vetëm të së njohurës shqiptare, por edhe i çdo lloj parimi njerëzor të besnikërisë apo dashamirësisë. Tashmë në gjithë rrethet politike në vendet e zhvilluara, ata që kërkojnë “të mbajnë premtimet e dhëna në fushata”, quhen politikanë naivë dhe të dështuar. Dhe Rama e di mirë këtë, sepse ka gati 30 vjet në politikë dhe ka mësuar edhe ç’ndodh në botë.

Po pse e shkruan dhe trumbeton Edvini jonë dokumentin “Besa”?

Arsyet për mua janë disa:

  • “Besa” shqiptare është një lloj folklorizmi, që ende mund “të hajë bukë“ në kancelaritë europiane dhe ndoshta edhe matanë Atlantikut. Të huajt edhe kur nuk i besojnë shumë gjëra, kanë një prirje për të gjetur elementë ekzotikë tek shoqëritë e vogla dhe të prapambetura. Ende Brukseli dhe Uashingtoni nuk janë rrjeshtuar pro Flamingove, dhe “Besa” e Ramës mund të justifikohet prej tyre edhe si një hap për të tudur degën e ullirit ndaj popullit të pakënaqur shqiptar. Në fund të fundit për ta jemi ende një vend ku “popullsia indigjene’ mund të gënjehet me gjeste simbolike.

  • Arsyeja e dytë është mobilizimi dhe dhënia kurajë ndaj të tijve. Në filimet e protestës dukej se socialistët ishin të çorientuar dhe nuk dinin nga t’ja mbanin. Tashmë ata kanë një dokument të shkruar që ju jep shpresë dhe ju pasuron fjalorin mbrojtës të “kauzës së humbur” me shprehje origjinale dhe me më shumë se me “korba, sorra dhe gala”. Tani deputetët që do e studiojnë gjatë pushimve të tyre në vendpushimet e shtrenjta mund të shkruajnë “statuse pikante” në rrjetet sociale dhe të gjithë patronazhistët të bëjnë të lumtur rishpërndarje të tyre.

  • Arsyeja e tretë dhe më kryesorja është ndryshimi i narrativës. Edhe pse ai flet rreth gjendjes së sotme të shoqërisë shqiptare dhe protestave, shmangia nga studiot televizive, portalet e diskutimeve rreth gjendjes së Shqipërisë dhe protestave është në interes të Kryeministrit. Ai parapëlqen të flitet për dokumentin e tij (të rremë) dhe të stërhollohen debatet rreth asaj që ka shkruar. Gjithashtu është më e lehtë për analistëtë puthadorës të tij të mbrojnë një dokument dhe idetë e tij false se sa të mbrojnë gjendjen e shëndetsisë, arsimit apo korrupsionin e llahtarshëm. Ai shpreson që edhe të ndikojë tek shtypi i huaj, që mund të jetë disi dashamirës, për tu marrë me “kthesën” e Kryeministrit në çështjet mjedisore dhe në nevojën për dialog. Ndaj pasi shtrydhi mendjen rreth 40 ditë, “rilindasi” Rama erdhi në përfundimin gjenial se “muhabeti mund të marrë kthesë me “Besa” dhe njëkohësisht protestat mund të kufizohen me dhunë policore.

Nuk besoj se “BESA” ka ndikuar në Revolucionin Flamingo, edhe pse disa ditë u duk se u morrën me të. Dikush madje e grisi në mënyrë demonstrative. Por dokumenti i Kryeministrit duhet injoruar prej tyre dhe të gjithë shqiptarëve. Edhe diskutimi rreth tij. Nëse nga socialistët papagaj përdoret “fjala e premtuar” duhet të gjejë përgjigjen e menjëhershme, që vetëm për “fjalën e premtuar” nuk mund të diskutohet me një Kryeminstër Hajdut që drejton një Parti me një kupolë “hajdutësh.”

Me besën është spekuluar shumë gjatë historisë të shkurtër të shtetit shqiptar. Nuk di të them nëse Rama është politikani më i pabesë shqiptar.

Por si njeri jam i sigurt se ja kalon edhe Enver Hoxhës dhe Esat Toptanit si i pabesë.

Tuesday, 28 July 2026

Përse nuk ndahemi dot nga e kaluara?


C’farë është kaq magnetike, që na tërheq pas, tek e kaluara? Dhe jo vetëm në lojrat e fëmijërisë dhe dashuritë e para të adoleshencës, por edhe në rininë e vonshme? Thua duam të përsëritim atë kohë me gjërat e bukura të saj, por dhe me gjithë ato që nuk i kemi bërë, tani që dimë se si duhet të sillemi për të mos lënë asnjë rast të na ikë dore?

Sigurisht “formati” i një shënimi, apo edhe i një esseje disafaqëshe nuk mund të mjaftojë për të hulumtuar dhe analizuar dhe në përfundim t’ju gjesh përgjigje këtyre pyetjeve.

Sjelljet e njerëzve dhe qasja e tyre me të kaluarën janë të ndryshme e megjithatë, për shumicën, e kaluara është një periudhë të cilës i kthehen me ekzaltim, veçanërisht kur e kujtojnë faqe të tjerëve.

Dikush më tregonte për një të njohurin tim, që në tavolina tregonte se kur kishte qënë student, jo vetëm kishte qënë i shkëlqyer, por ju punonte rrengje pedagogëve dhe bënte një jetë shumë aktive në Tiranë duke dëfryer klubeve dhe restoranteve. “Heroi” i Tiranës ishte një vit poshtë meje në Fakultet dhe mund t’i ketë bërë këto “heroizma” kur ka qënë në vitin e fundit të Universitetit, se deri sa unë kam qënë në një konvikt me të, ai ishte një student i thjeshtë, që rrinte gjithë kohën me tuta dhe lëvizte vetëm nga konvikti në mencë, se ndoshta edhe mësimet dhe projektet nuk i linin kohë. Për më tepër, ai pati një karrierë të shkëlqyer më vonë, si drejtues për një kohë rekord i disa ndërmarjeve publike dhe flitej për fitime të mëdha , si dhe plot marëdhënie jashtëmartesore. Përse këtij “personi të plotësuar” i duhej një rikthim i rremë në një të kaluar të largët?

Shumë të tjerë (përfshi këtu edhe autorin e rrjeshtave) i rikthehen një të kaluare të 60 viteve më parë duke e kujtuar me gjithfarë ngjyrash edhe pse nuk ka pse të ketë qënë aq e shumëngjyrshme. Ka qënë një periudhë e viteve ‘60 nën Diktaturë, me plot e plot mungesa, por që si fëmijë nuk kishim se si t’i kuptonim. Askush nuk na i thoshte në shtëpi dhe “barrën e Diktaturës” e mbanin prindërit. Por edhe sot, që kemi parë dhe mësuar shumë, ne i kthehemi duke e idealizuar atë periudhë fëminore.

Një rast shumë interesant paraqet një i njohuri im në Facebook. Unë kam vetëm disa javë dhe nuk dija se ç’shkruhet në atë platformë, por shoh që i njohuri im i thurr lavde periudhës fundi i viteve ‘70 dhe deri më 1988, kur ka qënë në poste drejtuese në administratën e Korçës. Unë kam punuar me të dhe e kam vlerësuar si një nëpunës të aftë dhe të predispozuar për t’ju dhënë zgjidhje problemeve të sektorëve që drejtonte, por këtu ndal edhe ajo ç’ka mund të bënte ai. Dhe ishte vërtet më e shumta, sepse ai sistem jo vetëm që kishte kufizime të mëdha, por ndonjëherë edhe zelli i tepërt ngjallte zili tek nëpunës të lartë dembelë dhe të paaftë, të cilët ajo kohë i kishte të shumtë. Ndaj shpesh bëj pyetjen_ Përse i duhet këtij njeriu ky idealizim i një kohe “të pjerdhur”? Duke qënë dikush pranë qarqeve të mesme , por dhe të larta ai di se ç’luhej dhe ç’lloj absurditetesh kishte në ato rrethe, që ne , njerëzit e thjeshtë nuk i njihnim. Janë këto që mund të ndihmojnë çdo shqiptar të kuptojë më me themel se ç’ishte ai pushtet absurd. Por ai ka zgjedhur ta idealizojë edhe pse mund të mos ketë gjëra që i rëndojnë në ndërgjegje.

Ramiz Alia, në një fjalim të fundit të viteve ‘80 përmendi një thënie të grekëve të vjetër: “Mos shiko pas, se pas do mbetesh!” Unë nuk ju besoj shumë thënieve të lashta dhe proverbave, se ato kanë gjithnjë edhe të kundërtat e tyre. Janë sintetizime të filozofisë popullore. E di edhe pse Ramizi e theshte. Donte të fshiheshin krimet e Diktaturës. Por në rastin e përgjithshëm, të shikimit pas, të rikthimit në mënyrë të idealizuar në e kaluara, nuk kemi të bëjmë me “ngeljen pas”. Eshtë diçka që lidhet ngushtë edhe me psikologjinë e individit, por edhe me psikologjinë e turmës. diçka tepër e papërcaktuar dhe fluide, për të cilën, ndoshta në të ardhmen (kur të jem rikthyer edhe më shumë në fëmijërinë time) do duhet të shkruaj edhe më gjatë dhe ndoshta me ide më të qarta.

Monday, 27 July 2026

Mes qiellit dhe liqenit

Pishat e larta e mbajtën qiellin

Mos lagej në ujrat e liqenit

Ndërsa mjegulla davaritej mes të dyve

Një mjegull e zbërdhyltë

    Gati e thatë,

        E përndritur

Si e zbritur yjeve.

Unë më kot prita diellin.

Ai kishte ikur me të parën kometë

Në një të largët Udhë të Qumështit

Më pat lënë vetë,

Nën një pishë gjunjëzuar

Në të kotën pritje të Kumtit.

Një pjesë meteori nga balta nxorra

Dhe mbi të trungut lëvore

Gdhenda emrin e saj,

Ishte një e zymtë ditë,

Nuk arrija të kuptoja stinën,

Edhe liqeni nuk ma thosh,

Veç dija që nuk ishte më Maj.


 

Mevlan Shanaj dhe artistët “e tredhur”


Shanaj, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare të viteve ‘70-’80, ka folur në një studio televizive për mbështetjen që duhet t’i jepet Revolucionit Flamingo dhe ka treguar habinë se pse artistët e mëdhenj e të vegjël kanë qënë kaq të pakët në mbështetje të protestave. Duhet të ketë përdorur edhe “tredhjen” gjatë intervistës, se në të vetmin portal që lexoj mes atyre të Tiranës, ishte si titull “tredhja e artistëve”.

Edhe pse kam shkruar për “zgjimin” tepër të vonuar të Shanajt dhe poeteshës Lako ndaj regjimit të Edi Ramës, përsëri mund të them që “më mirë vonë se kurrë“. Nuk ka shumë rëndësi as motivi i “zgjimit” pas 25 vitesh, sepse rrjeshtimi në anën e Flamingove është një domosdoshmëri në Shqipërinë e sotme.

Po pse janë “të tredhur” artistët në Tiranë dhe në Shqipëri?

Unë nuk kam një përgjigje të plotë rreth kësaj pyetjeje edhe pse kam shkruar disa herë për “korruptimin” e tyre. Rastet e Helena Kadaresë, Ardit Gjebresë, Inva Mulës, Robert Ndrenikës dhe emrave të tjerë, të cilët nuk i njoh se i përkasin brezave të tjerë, kanë qënë mëse flagrante.

Mendoj se në rradhë të parë ka të bëjë me formimin e tyre në kohën e Diktaturës.

Artistët në përgjithësi dhe në veçanti aktorët e teatrit dhe të kinematografisë ishin mes shqiptarëve ata që përfituan më shumë nga Diktatura.

Kishin një punë të sigurt, me orare të mira dhe të paguara mirë krahasuar me të tjerët dhe ndjeheshin shumë të vlerësuar. Dikur kam bërë një shkrim “Sa shumë Marlon Brando dhe vetëm një Kadare”. Ishte një mendësi e asaj kohe dhe që vazhdon edhe në ditët e sotme, që ishin jo vetëm të talentuar, por edhe gati sa artistët e Hollivudit. Pjesa më e madhe ishin tepër të panxënë dhe nuk lexonin thuajse fare. Detyrimisht ishin larg “shpirtit të lirë“ që është në thelbin e qënies të një artisti. Shumë prej tyre ishin dhe janë aq marrokë sa të mos kuptojnë edhe sot se cili është raporti i tyre me profesionistët e tjerë të shoqërisë shqiptare.

Edhe pse pjesa më e madhe e tyre u rrjeshtuan kundër sistemit në filimin e viteve ‘90, nuk e kishin të qartë që do vinin kohë të vështira për ta. Kujtonin se në sistemin e ri mund të ishin edhe më të nderuar edhe mund të fitonin më shumë. E panë, që nuk është e lehtë të mbijetosh me art në sistemin e Tregut të Lirë.

Kjo solli kapjen pas “pushtetit” dhe kujtdo që kishte në dorë t’ju jepte diçka për të jetuar mirë. Dhe ndodhën “piruetat” e shumë syresh, “sherret se kush të ishte drejtor” dhe plot veprime të tjera që nuk u hasën në profesionet e tjera. E detyrueshme ishte edhe “tredhja”, të cilën e kishte edhe Shanaj, por që papritur e kuroi pa ndonjë kurë hormonale.

Artistët më keq se kushdo mund të ndëshkohen nga Rama dhe ata e dinë që është e pamundur të mbijetosh kur nuk di të bësh ndonjë gjë tjetër.

Kjo vlen edhe për shkrimtarët dhe piktorët, edhe pse këta të fundit kanë pasur mundësi të shesin veprat e tyre tek privatëtë për çmime jo të këqija. Tek balerinët dhe këngëtarët lirikë ndodh e njëjta gjë, se po qëndrove i detyruar larg Teatrit të Operas, të cilin Rama e kontrollon prej kohësh, atëhere je vërtet në hall.

Ndaj të vetmit që janë të sigurt janë këngëtarët pop dhe ata të tallavave, të cilët mund të jetojnë mirë edhe pa ndihmën e pushtetit, por “ndërgjegja e tyre sociale” përgjithësisht është e varfër dhe ata preferojnë ta quajnë veten “apolitikë“ për të mos thënë që “aq mend kemi dhe nuk dimë se ç’të bëjmë“.

Për këtë arsye kryesore, kur filluan protestat, mua më shqetësoi indeferentizmi i Akademikëve dhe pedagogëve të Universiteteve, por jo i njerëzve të Letërsisë dhe Artit.

Njoh një artist të mirë, që i urren me gjithë shpirt socialistët e të gjitha kohëve, që shan e përshan në rrethe të ngushta, por nuk ngre as gishtin e vogël, se ka “hall” të marrë nga pushteti vendor ndonjë punë me vlerë të konsiderueshme.

Po pse duken “më të korruptuar” ata më të mirët?

Po ju kthehem katër emrave që kam vënë në krye të shkrimit dhe mendoj se “më të mirëve” ju ofrohen nga Pushteti “llokma të mëdha” për t’i pasur në shërbim të tyre me veprimtaritë që drejtojnë. Helena është e moshuar dhe nuk ka krijime të saj, por interesohet të marrë ç’të mundë për kujtimin e Ismailit; Gjebrea si gjirokastrit duhet të jetë shumë “tahmaqar” dhe Inva që nuk mund të konkurojë më në skenën ndërkombëtare ka nevojë për pushtetin.

Rasti i Bert Ndrenikës është pak më i komplikuar, se duket që lidhet me fëmijët e tij.

Mevlani është i lirë nga këto, se nuk mund të ketë më asnjë veprimtari artistike as si aktor dhe as si regjisor, që pretendon se është. Reagimi i tij (e përsërit që më mirë se të heshtëte) është reagimi i dikujt që ka kuptuar fundin e Ramës dhe do të jetë krah atyre që aspirojnë për Shqipërinë e Re,

Qytetar model?

Trembem se është shumë larg të qënit të tillë.

Sunday, 26 July 2026

Piciri

 


Shumë vjersha dhe bejte, që patëm mësuar në fillimet e shkollës kanë mbetur ende në mendjet tona. Një pjesë jo e vogël ishin naive dhe të pastrukturuara mirë, por e tillë ishte e letërsia e shkruar shqiptare, sepse gjuha u shkruajt shumë vonë. Andon Zakoja nuk ishte poet edhe pse e studionim si të tillë. Ndoshta as vjershëtor, por mbase një vargëzues do e quaja për të mos e ulur në “bejtexhi”. Gjithsesi ai ka dhënë për gjuhën tonë në një kohë që ishte ende një gjuhë fëminore.

Kujtoj shumë pak nga “Misiri” i tij, por disa vargje kanë mbetur në mendje, që më shtynë të shkruaj një “bejte-sheqerpare” nga ato që nuk marrin më shumë se 5 minuta gallatë të mendjes sime. Po e ve edhe në blog edhe pse mund t’i ul seriozitetin.


Piciri


Llumë, llumë dhe llumë prapë

Ka zën’ dhe n’Korçë të bëjë vapë

Po shyqyr kemi Festën e Birrës.

Kush tha Di Lana është gjakpirës?

Peleshi ësht’ djal’ për së mbari

Që kur del dimri dhe nis behari

Qytetin na e ka zbukuruar

(Dhe për të holla nuk ka lakmuar).

Kuptohet ka marrë ndonjë të shkoqur

Por edhe ne na ka kënoqur!

Së shpejti n’ Korçë do bëhet Lumi,

E deklaroi Raqkë Dudumi

Projekti bërë këtu e sa vite

Dhe si gjithnjë arkitekt Pite.

Nga Kulla do kridhemi drejt e në Lumë,

Me jetë nate, fare pa gjumë,

Festojm’ kërnacet dhe Karnavalet

Se Fejzullahu na i lan halet!

Jetojmë së bashku të gjith’ të lumtur

Hajduti me atë fije këputur.

Të gjithë festojmë bashkë te sheshi

Rroftë e qoftë Niko Peleshi!

Ku po shkon Shqipëria?


Dikush mund të përgjigjet duke u ngutur: “Po normal, drejt Bashkimit Europian!” Unë vetë nuk dua të nxitohem, se do më duhet të përdor fjalët dhe shprehjet “rrugëtim”, “si e kemi marëdhënien me BE”, “për momentin” apo dhe “fiks fare”, që i kanë të gjithë kaq për zemër në kryeqytet. Dhe kur i ka kryeqyteti, sigurisht që “provincat” do i përsërisin me shumë zell.

Më duket shumë më e komplikuar rruga që ka Shqipëria në këtë shekull. Një pjesë e komplikimit vjen nga gjendja e shoqërisë shqiptare dhe një pjesë jo e vogël është rrjedhojë e të gjithë situatës ndërkombëtare aspak të mirë në botë.

Nëse ruhet statukuoja, ne jemi anëtarë të NATO-s dhe kjo na bën të mbrojtur nga rreziqet që mund të na kanosen nga jashtë. Dhe këto nuk janë për tu injoruar, se edhe dje, sërbi Vuçiç (mik i Ramës) kërcënoi rajonin dhe veçanërisht ne, me një fjalë të mbajtur në diplomimin e ushtarakëve në një akademi të Sërbisë. Pak a shumë tha që duhet ta mbrojmë me armë Kosovën si pjesë e Sërbisë dhe të mbrohemi gjithashtu nga një “koalicion ushtarak Kroaci-Kosovë-Shqipëri”. Nuk është thjesht retorikë. Tregon se sërbët po përgatiten për një situatë në një Botë të ndryshme nga e sotmja. Edhe pse shpalli një lloj “neutraliteti” dihet që aleati i tyre është Rusia e Putin dhe e cilitdo nacionalisti rus që do vijë pas Vollodjas së Tmerrshëm.

Ne jemi një vend i vogël, me një ushtri të dobët dhe që vidhet nga “hajdutët” në pushtet. Tani po vendosim edhe të shkojmë në 2% të PPB për shpenzimet ushtarake. Kuptohet që do shkurtojmë nga programet sociale që dhe tani janë mizerabël. Dhe këtë e bëjmë jo se kemi një strategji afatgjatë për “Mbrojtjen e Atdheut”, por që të na vijë Trump në takimin e NATO-s në Tiranë.

Kosova është jo e njohur nga shumë shtete europiane dhe nga disa organizata ndërkombëtare. Në rast ndryshimesh në “pllakat gjeo-politike” askush nuk mund të jetë i sigurt për statusin që do ketë.

Por edhe nëse nuk do ketë ndyshim cilësor në marëdhëniet ndërkombëtare dhe as do ketë përplasje Turqi- Izrael apo Turqi-Greqi, ne kemi problemin e madh të brendshëm, që është “molepsja e shoqërisë shqiptare”.

Po, shoqëria shqiptare është shumë “e infektuar” nga korrupsioni i pacak dhe nga përpjekjet e shumë shtresave të popullsisë për të “fituar shpejt me shumë pak përpjekje”.

Unë dyshoj shumë në një përmirësim të shpejtë të gjendjes edhe pse Revolucioni Flamingo ka dhënë shënja të mira. E kam këtë pesimizëm sepse shoh që shtresa më aktive e popullsisë dhe që është rinia dhe mosha e mesme, ose mendojnë të emigrojnë, ose nuk e kanë të qartë që përmirësimi duhet të nisë nga vetja, duke punuar më shumë dhe duke luftuar edhe “korrupsionin e vogël” të motrës, vëllait apo shokut. Nuk më shqetëson “korrupsioni gjigand” i Ramës dhe Belas, se atij do i vijë fundi një ditë, por atij të voglit që nis me mosdeklarimin e plotë të të ardhurave për të paguar më pak taksa, me pagesën e rryshfetit për të përshpejtuar çështjen në gjykatë, me pagesën nën dorë ndaj mjekut dhe infermieres, me gjetjen e “kush e ka në dorë“ për të marrë lejen e ndërtimit dhe sa e sa të tjera si këto.

Eshtë ky korrupsion i vogël dhe i tejshtrirë që nuk na le “të bëhemi si gjithë Europa”, që frenon shumë profesionistë të mirë shqiptarë të rikthehen në Atdhe.

Ndaj edhe pse e di, që Rama nuk e ka të gjatë, jam shumë i shqetësuar se ç’do ndodhë në periudhën post-Rama me vendin ku kam lerë.

Dikush përsëri do ngutet të thotë: “Po normal që ne nuk bëhemi dot kurrë!”, një përgjigje që nuk ka asnjë vlerë dhe nuk ka asnjë bazë të vërtetë.

Por pikpyetja e madhe mbetet.

Ku po shkon Shqipëria?

Saturday, 25 July 2026

Si është e mundur?

Si është e mundur

Pas gjithë atyre kapërthimesh të lakuriqta

Viteve të tëra endur,

Kur as qumështi që buronte nga i nënës gji,

Nuk pihej aq dendur,

Nga i njomthi kërthi,

Sa puthjet tona,

Ne pranë një piste u pamë

Si atëhere kur nuk pyesni se sa aviona

Fluturonin mbi tonat krerë;

Përplasëm të akujt vështrime

Dhe ti u largove menjëherë

Pasi belbëzove “Si jini?”

Dhe shtove “Jo, se nxitoj!”

E frigur nga zëri i stuardjesës që thërriste

Më shumë se nga i rikthimit tundim?

Dhe unë linjën me kosto të ulët mora

Mbi ndënjësen plandosur,

Si mbi të shumtat vite të mija,

Duke harruar se cili muaj ishte

Dhe se sa ishte ora,

I pëlotur mbi një dashuri të sosur.




Kush është Ardit Konomi?


Për herë të parë, këtë emër e hasa në një koment në FB, rreth 14 vjet më parë. Ishte një kohë, kur platformat e rrjeteve sociale kishin ndikuar në lëvizjet që u quajtën “Pranverat Arabe”. Me naivitet pata menduar se ishte e mundur që diçka e tillë mund të ndodhte edhe në rrethet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Ishte koha kur kërkohej me ngulm një emër i përshtatshëm për t’u bërë President i Shqipërisë dhe me bindjen se duhet të ishte një grua me integritet, mendova të krijoja një lëvizje për të nxjerrë nga FB një knandidate të mirë. Pata menduar shoqen e klasës sime Shpresa Prifti (Kureta). Asokohe në mos gaboj, ajo ishte kthyer në Tiranë pasi pat qënë Ambasadore në Austri.

Nuk kisha vrarë mendjen as të gjeja Shpresan dhe as ta pyesja nëse donte, por “lëvizja” u përhap dhe u bënë një numur jo i pakët ndjekësish. Dhe atëhere u shfaq Ardit Konomi, ndoshta i përfshirë në lëvizje nga ndonjë i njohuri i tij.

Kujtoj që reagimi i tij ishte krejt i pavënd dhe me një lloj kapadaillëku mendjelehtë, duke thënë mes të tjerash që të tilla propozime nuk mund të bëhen në këto platforma , që më detyroi t’i shkruaja se nuk ishte e nevojshme të tregonte në publik “se sa gomar ishte”. Konomi u revoltua dhe pasi më kërcënoi me padi për fyerje, më njoftoi se dhe gruaja e tij ishte indinjuar dhe ai po mendonte të priste biletën e të vinte në Kanada e “të më jepte një mësim të mirë!” Atëhere pyeta se kush ishte ky “mësimdhënësi” dhe fatkeqsisht mësova se ishte djali i dy miqve të mij në Korçë.

Nuk e zgjata më debatin me të dhe disa vjet më vonë mësova se ishte bërë deputet i PS-së. Sigurisht që kuptova motivet e “kreshpërimit” të asaj kohe dhe për më tepër, pashë edhe një deklaratë tepër “servile” të nënës së tij, mësueses sime kujdestare Nikoleta Konomi. Në një drekë me kërnace në Pazarin e Korçës gjatë një fushate elektorale, ajo i tha në sy Palloshit :”E kam thënë që vetëm Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” Dhe Rama vërtet e bëri!

Unë nuk di se ç’post mban tani Arditi dhe nëse është i përfshirë në garat politike, por që kur kam hyrë në FB (dy javë më parë) e shoh shumë aktiv në Facebook. Diçka propagandon për mbjellje pemësh dhe vendosje dritash dhe mbase edhe bën shumë për Korçën dhe qarkun. Ajo që më bie në sy është se Konomi, që dikur përcaktonte se përse mund të përdorej “platforma e Facebook” tani e përdor sa majtas dhe djathtas për të propaganduar veprimtaritë e tij. Vite më parë e bënte edhe për të propaganduar ndërtimin të një ure për këmbësorët midis dy maja malesh në Moravë.

Njerëzit evolojnë. Ndoshta pasi ka marrë disa “mësim-pësime” nga Rama dhe Peleshi, edhe Arditi e ka kuptuar se “Rama e dhj.. Shqipërinë!“ dhe nuk është më e nevojshme të presë biletën dhe të më japë mua “një mësim të mirë“ (kuptohet që do ishte një dru i lehtë).

Përfundimi im logjik i gjithë “çështjes Ardit” është se dhe dikush i ardhur nga dy prindër shumë të mirë, i përfshirë në “rrugën marroke” të karrierës politike, bën gabime të rënda, të cilat janë të vështira për tu shlyer më vonë.

Në anët tona është thënë prej kohësh:

Po të ndjekësh Brumbullin përfundon në Hale!”

Arditi ndoqi për disa vjet Brumbullin Niko. Tani nuk është aq e lehtë të pastrohet plotësisht.


Njerëzit i tremben Fjalës!


Më vjen keq që më të shumtët në Shqipëri i tremben Fjalës së Lirë. Dhe jo vetëm “hajdutët e pushtetit”, por dhe shumë të tjerë, që janë edhe të mënjanuar tashmë nga e gjithë jeta publike, veç pjesëmarrjes në rrjetet sociale dhe ndonjë mbledhje përkujtimore.

Unë nuk kam më shumë se 20 ditë në FB dhe shoh që disa komente të mija i fshijnë. Njerëz të veçantë dhe organizata. Përgjithësisht mundohem të ruaj etikën e duhur, por asnjëherë nuk e shoh të nevojshme të “rrumbullakos” kritikat ose të mos ve emra të lidhur me dukurinë që kritikoj.

Nuk i kam ndjekur të gjitha komentet e fshira, sepse e gjykoj se dëmtojnë më shumë ata që i kanë fshirë se sa mua. Unë prej “fshirjeve” nuk arrij as të marr ndonjë sinjal se po e kaloj “vijën e kuqe” të kritikës. Gjithashtu nuk më bëhet vonë të kthehem në “bonist” në atë mënyrë mund të marr më shumë “lajka” dhe “respekte”.

Sigurisht që nuk është një ndjenjë e mirë të kuptosh se të tjerëve jo vetëm ju vjen “hidhur’ nga ato që shkruan, por dhe t’i quajnë “të padenja”. Një i afërmi im, arriti deri atje sa të më telefononte dhe të më “reziloste” për disa komente në lidhje me një Shfaqje Serenatash në Festivalin MIK. Mes akuzave ishte, që unë nuk isha kompetent të kritikoja shfaqje muzikore. Ma merr mendja se komentet ishin fshirë me kohë.

Për të qeshur ishte një këmbim i imi me aktorin Mevlan Shanaj. Nuk e kam mik në FB dhe as e ndjek, por nuk di pse më del shpesh ndonjë postim i tij. Ai citonte një shprehje nga filmi “Koncert në vitin 1936”, që e quante “film ikonik”. Mua më bezdisin përdorimi i pavend i fjalëve të huaja ose përshtatja “budallaqe” e tyre në shqip. Komentova se mos donte të shkruante “film ironik” dhe aktori me shumë dashamirësi më shpjegoi se isha keqkuptuar dhe se c’kuptim kishte “ikonik”. Kur mësoi se dija se ç’shkruaja, më sulmoi në mesazhe duke më thënë se mund të kisha mbaruar shkollën e kinematografisë së Devollit dhe se ai kishte dhënë leksione për 10 vjet në degën Master të regjisurës në Kinematografi.

A e teproj unë në kritikat dhe në tonet “therëse” të tyre?

Edhe mund të jetë e vërtetë, por ndodh se e gjykoj, që e vërteta nuk mund të jetë as shumë “rozë“ dhe as “e parrezikshme”. Nddonëse e di që nuk kam “monopolin e të vërtetës”, shpesh shkruaj me indinjatë rreth të vërtetave që më duken krejtësisht të qarta. Madje kritikat e mija janë më therrëse në rastet kur zhgënjehem nga njerëz, grupe njerëzish apo organizata dhe institucione.

Dy komentet e mija kritike ndaj postimeve të një organizate bamirëse (Albanian Fighting Cancer USA) u fshinë, madje edhe u “bllokova’ si ndjekës i profilit të Organizatës në FB. Sigurisht, që kjo nuk më bën të shkruaj se sa “të lavdishëm” janë Filantropët apo Pastorët, por është tregues se lëkura e shumë e shumë njerëzve është tejet e hollë për të “mbajtur” kritika.

E fundit ishte fshirja e disa komenteve të mija nga miku im Gjergji Cikopana, i cili jo vetëm është aktiv në FB, por dhe është ankuar se Socialistët e Fuqishëm ja fshijnë komentet. Për fat të keq, edhe ai, edhe pse në pension, e sheh të udhës të fshijë komentet e mija në një “postim krenar” për 24 vjetorin e Klubit të Rotarianëve të Korçës.

Unë nuk e kam vështirë dhe as zor të shkruaj gjatë për atë Bashkim Dallkaukësh, por nuk e gjykoj se ja vlen për të humbur kohën time dhe atë të lexuesve.

Gjithashtu e kuptoj se është në të drejtën e kujtdo të fshijë komentet apo edhe të më “shkelmojë“ nga “miqësia”, ndjekja në platformat socuiale, apo dhe të raportojë në to për “sjellje brutale”. (Kjo e fundit nuk ka se si të ndodhë se fjalët më të rënda që përdor në shqip janë “kungull” dhe “idiot”.)

Por t’i trembesh Fjalës së Lirë dhe ta censurosh është një mëkat tejet i madh.

Eshtë të mos kesh kuptuar se ç’është Liria! 

Friday, 24 July 2026

Si shantazhohen deputetët e PS-së nga Rama


Reagimi i sotëm i Ramës, ndaj diçkaje tepër të vogël, që kishte ngritur Erion Braçe, ishte edhe njëherë konfirmimi i presionit të hapur që ai bën mbi ta. Ka vite që e bën ndaj vartësve të tij, duke nisur me Arben Ahmetajn, të cilin e “flaku mes ujqërve” posa mësoi se ai kishte dorëzuar tek çifti Meta-Kryemadhi, një dosje që shpinte në burg Teri Kokën dhe disa të tjerë për inceneratorin e Elbasanit. SPAK-ut ju shkel syri se mund të nisnin padinë ndaj ish-zëvendës kryeministrit dhe ndoshta u dërgua edhe ndonjë dosje që e implikonte Tigrin.

Tigri përfundoi në “ekzil” që të mos përfundonte në burg dhe të dënohej. Mund të përfitonte një dënim të lehtë po qe se do kthehej kundër Ramës, por do humbte “pasuritë personale të vjedhura”. Hakmarrja ndaj Tigrit ishte paralajmërimi për të gjithë ata që dilnin nga rrjeshti.

Fatmir Xhafaj ishte dikush tjetër, që donte të tregonte një lloj “protagonizmi’ dhe të paraqitej si soushëllist me merita dhe që dinte shumë, edhe pse është një tjetër kungull i PS-së. Rama nuk pëlqen as protagonizëm ndaj dhe e vuri në vende tç ulëta në zgjedhjet e vitit 2021, por Xhafaj, si pehlivan me përvojë, përfitoi nga aleancat me Veliajn dhe fitoi votën popullore dhe vendin e deputetit. Sigurisht që kjo i kushtoi Erionkës, se u pa jo vetëm si “karshillëk” nga Bosi, por edhe si përpjekje për të krijuar një grup të fuqishëm mes deputetëve të PS-së për të qënë gati për tranzicionin e tij në krye të Partisë. Në SPAK, me miratimin e Palloshit u dërgua një letër-dosje dhe prokurorët që e kuptuan mesazhin “nga lart” e arrestuan Erionin për të brendëshmet shumë të kushtueshme të Ajolas.

Xhafaj dhe të tjerët e morën “mesazhin” nga Skënderbeu, por nuk e kishte kuptuar plotësisht, ajo që e kishte quajtur me “përdëllim” Skënderbe, piktorin me origjinë nga Durrësi. Kujtoi se pas shumë postesh të marra, ajo mund të “hiqte’ qafe Belan trashaluqe dhe e përfoli tek të huajt pa miratimin e Edit. I kushtoi postin si dhe krijoi mundësinë e përjashtimit të saj. “Mamica” vazhdoi të reagonte me “integritet” por u kërcënua nga Rama se do fliste, dhe nuk kuptohej nëse do fliste për korrupsionin e saj apo për ndonjë “çështje morali”. Spiropali qëndroi brenda Partisë duke hedhur ndonjë “vickël’ herë herë, por pa patur kurajë të dilte hapur kundër Kupolës. Një tjetër rast i pastër që tregon se shantazhi funksionon.

Shantazhi i fundit, ndaj të “korruptuarit përgjysëm” Erion Braçe, ishte më i thjeshtë. Braçe ishte afruar më parë deri në postin e zv. KM, për “t’i mbyllut gojçn” dhe më pas ishte flakur pa ndonjë post me rëndësi, pasi i ishte plotësuar “dosja” me abuzimet në Bujqësi. Sot ju tha vetëm “Mbylle gojën se boll të kemi përkëdhelur” dhe Braçe miushi, që bëhet trim me gazetarët i uli menjëherë veshët.

Të tjerët “të rëndësishëm” brenda PS e dinë mirë këtë lojë, ndërsa të rinjtë ose nuk kanë asnë meritë dhe janë të lumtur që Palloshi i ka zgjedhur, ose mendojnë se është më mirë të bëjnë durim për të bërë karrierë në të ardhmen.

Kjo është gjendja e PS. Pak a shumë si në kohën, kur sho Enver i kishte likuiduar të gjithë “shokët e vjetër”. Mjaftonte një trashje e zërit të tij dhe anëtarët e Birosë të përmireshin. Kuptohet pa i hequr të mbathurat dhe pa e nxjerrë. Shoqja Shenka nuk kishte ç’të nxirrte.

Eshtë për të ardhur keq, që 44 vjet pas vitit 1982, njerëzit që drejtojnë Shqipërinë janë të njëjtit njerëz si ata “merhumët” e shkretë, që nuk ju lanë dot as ndonjë lekë trashëgim fëmijëve të tyre.

I vetmi ndryshim është që këta kanë “rrëmbyer” nga një llokmë për t’ja u lënë trashëgim.

Libri “Shkëlqimi dhe rënia e Korçës në shek. XX”


Libri që i premtova lexuesve të mij të pakët në fund të vitit që kaloi, ka mbetur në 30% të tij. Dhe kjo jo nga mungesa e fjalëve dhe ideve të mija (këtë vit kam llomotitur më shumë se kurrë), por për arsye “objektive”.

E para dhe më kryesorja, ka qënë “bllokimi” që më ka bërë Bashkia me institucionin e saj “Thimi Mitko”, që nuk më lejon të shfrytëzoj në distancë gazetat e vjetra të dixhitalizuara. Në korrespondencën e dëndur të para disa muajve me Bibliotekën, m’u bë e qartë se nuk do “luanin nga istikami”. Madje edhe në një bisedë të shkurtër me biblotekaren Dardha, m’u tha se vetëm Drejtorja dhe një nëpunëse e specializuar mund të më ndihte.

Përse ndodh kështu?

Nuk ka gisht Raqka (të cilin herë herë e quaj Ligavec Gollash) se kam parë dy javët e fundit që ka qënë shumë miqësor me mua. Nuk besoj të ketë dorë edhe Nikoja, se pas “ndjesës publike” që bëra në drejtim të tij nuk them se ka arsye të pengojë hovin tim intelektual. Gjithashtu ngarkesa e punëve nuk e lejon të merret me mua. Mbase Petrika Tollkuçi, që është rastësisht dhe bashkëshort i Drejtores dhe që i trembet një konkurimi të mundshëm nga ana ime për Kryetar Bashkie mund të ketë dorë, Nëse unë e botoj sivjet librin, kam dëshmi të fortë se jam kandidati më i përgatitur për Kryetar i Bashkisë së Korçs.

Por ndërsa kjo ka qënë pengesa kryesore, në dy javë që jam në FB, kam parë se ka dhe shumë gjëra të tjera që më pengojnë dhe stepin.

Në postimet e shumta të mikut tim Gjergji Cikopana në FB, shoh interpretime të viteve ‘80 për gjendjen e Korçës, të cilat janë të kundërta me ato ç’ka kam shkruar në kapitullin për ato vite. Sipas Cikopanas kanë qënë “vite të arta” për arsimin dhe kulturën, të cilat duhet edhe të studiohen nga studiuesit si dukuri tepër të veçanta. Dhe një nga studiuesit jam unë. Unë i kam nxjerrë ato vite “fishek”. Nuk ngopeshim dot me mish, qumësht dhe djathë dhe detyrimisht as mund të bënim arsim dhe kulturë të mirë. Po mua, më kanë shpëtuar (sidomos pas ‘84 kur u ktheva nga Universiteti) shfaqjet e panumurta të Korçës, të cilat të bënin të të kalonte dhe zalisja nga të pangrënët. Vërtet një kg mish në javë me tallon për gjithë familjen, por shfaqje pa mbarim sa nuk soste Cajupi dhe Morava, por një pjesë jepeshin në Maliq, në sallën që mban sot emrin e madh “Dhimitër Orgocka”.

Më step edhe fakti, që Peleshi me Raqkën, ose si dikush me shaka e quante dyshja “Niqka” po sjellin rikthimin në vitet e mëdha të Liceut Francez. Dhe për këtë i ndih edhe Aleanca Frankofone, e cila organizon tani në Korçë dhe “kafe frankofone”, “lakror të ardhur frankofon” dhe “paçe frankofone”. Vërtet kjo është një dukuri e shekullit të XXI dhe nuk ka lidhje me librin tim, por dhe në të, unë kam prekur “frankofonët” si servilë të sho Enver, që e ngrinin në qiell si Profesorin e Madh, kur e dinin tërë ditën që kishte dhënë vetëm Edukatë Morale në Lice.

Ka edhe të tjera postime në FB që më bëjnë të rimendohem për ato ç’ka kam shkruar deri tani, gjë që mund të shpjerë botimin e librit pas vitit 2027, vit kur mbahen zgjedhjet vendore. Krejt i paefektshëm.

Ta vazhdoj në linjën që e kam nisur, apo ta kthej timonin?

Kjo është çështja!


Thursday, 23 July 2026

Më trego provën!


Thuajse të gjithë që akuzohen për diçka në publik thërresin me zë të larëtë: “Më trego provën!” ose Mbi ç’prova e mbështet!” Përvoja e jetës më ka bindur se në 99.99% të rasteve, ata që mbrohen në këtë mënyrë janë fajtorë për atë që ju thonë në sy gazetarët, opinionistët apo kundërshtarët e tyre. Dhe nuk është fjala vetëm për politikanët. Për të gjithë llojet e profesioneve duke nisur me akademikët, biznesmenët, shoferët e urbaneve, shefat e policisë, avokatët, mjekët dhe deri tek poetët.

Para dy javësh, një i njohuri im, që shkruan vjersha, më kërkoi “provën”, pasi i thashë në një grup Interneti, faqe disa bashkëmoshatarëve “pres prej vite të bësh diçka për të shlyer atë vjershën që ke bërë për Niko Peleshin”. Reagimi ishte gati “ligjor”, ndonëse dhe ai vetë nuk ishte i sigurt në e kisha unë ‘provën” apo jo. E kisha lexuar atë vjershë gati 10-12 vjet më parë dhe ata që ma kishin dërguar më kishin përmendur edhe komentet e vetë autorit rreth motiveve për vjershën. Sigurisht që nuk e kisha ruajtur edhe pse kisha shkruar disa herë në blog rreth saj.

Të mbledhurit e “provave” nuk është puna as edhe një gazetari opinionist dhe jo më e imja, që kam një blog personal ku shkruaj opinionet e mija rreth atyre që ndodhin dhe kanë ndodhur në botë. Nëse do mbaja “prova” për gjithshka që kam shkruar, nuk do më mjaftonin dhomat e shtëpisë sime, por mbase as edhe një magazinë e marrë me qera.

Por le ta lemë “bejten kushtuar Peleshit’ dhe të përqëndrohemi në ajo çka është e rëndësishme dhe që ka të bëjë jo vetëm me fjalën e shkruar. Ka të bëjë jo vetëm kur dikujt i përmend në sy diçka që njihet nga më të shumtit e njerëzve. Ka të bëjë edhe me bisedat e lira, kur flasim për ngjarje, për njerëz realë dhe për personazhe të historisë. A kemi “prova” për gjithshka që themi?

Eshtë e pamundur! Larg qoftë!” nëse hyj në një debat me Alfred Cakon unë nuk kam “provë“ se toka është e rrumbullt dhe jo “pjatë“ si thotë Fredi i Bajramit.

Dhe thuajse kjo vlen edhe për çdo gjë tjetër që diskuton dhe përmend, që konsiderohen “fakte të njohura”, jo se ti ke ndonjë provë, por Njerëzimi e ka pranuar si diçka me një probabilitet të lartë. Për shembull unë kam përmendur imoralitetin e Feçor Shehut, që ishte i njohur në Tiranë kur ai “ishte ende majë kalit”, por edhe sot nuk kam ndonjë “provë“ për të.

Dhe nsëe ju rikthehem disa mijëra postimeve që kam në blog, me siguri që vetëm për disa mund të gjej shpejt e shpejt një “provë të pakundërshtueshme”, e cila mund t’i rezistojë edhe një verifikimi ligjor në një gjykatë të paanshme.

E nisa këtë shënim jo se dikush më ka sfiduar ligjërisht prë diçka që kam shkruar ‘të zezë mbi të bardhë“, por se gjithnjë e mendoj se sa e vështirë është për gazetarët investigativë të mbledhin prova. Gjithashtu se sa e vështirë është të diskutosh me dikë, që preket vetë ose jo, por për çdo lloj shtjellimi apo tregim të një ngjarjeje të kërkojë prova. Si provë, as kujtesa e jote nuk mund të shërbejë, se si është e provuar në kriminalistikë dhe gjatë hetimeve serioze në botë, edhe dëshmitarët okularë nuk e kujtojnë të njëjtën ngjarje njëlloj. Madje pas disa vitesh edhe ata vetë nisin të kundërshtojnë dëshmitë e mëparshme dhe jo se e bëjnë qëllimisht, por se “prova” në mendjen e tyre është turbulluar dhe “përdredhur”.

Ndaj kur shkruaj se Rama, Meta, Peleshi dhe shumë të tjerë janë hajdutë unë nuk kam as minimumin e provave. Pranohet si “fakt i njohur” nga të gjithë sepse ka aq shumë dëshmi njerëzish të besueshëm, që në dhjetra e dhjetra afera, këta njerëz kanë marrë para nga të taksapaguesve. Meta po përballet edhe në gjyq, por përderisa nuk është shpallur fajtor, sipas vjershëtorit që përmenda në hyrje, as për atë unë nuk kam ndonjë “provë“.

Unë nuk kam ndërmend të mbledh prova.

Por nuk kam ndërmend edhe të heq dorë nga e shkruara. Të përmend ato që di. Të quaj si të vërteta ato gjëra që i kam besuar dhe pse as i kam parë dhe as kam pasur kontakt me ndonjë prej shqisave të mija me to.

Dikur me shaka kam shkruar, se unë nuk kam “provë“ as se kam lindur në Maternitetin e Korçës mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1959.

Por kam besuar prindërit e mij, që më kanë thënë këtë gjë, kur kam filluar të kuptoj dhe më pas kam parë çertifikatën e lindjes të lëshuar nga Gjendja Civile e Korçës.

(Nuk di nëse dhe kjo përbën ndonjë provë, se ka qënë im atë që i ka deklaruar nëpunëses së Gjendjes Civile se ka lindur i biri, Naumaq, në atë ditë dhe ajo e ka rregjistruar.)

Wednesday, 22 July 2026

Një postim , një reagim dhe dy qëndrime


Rreth 12 ditë më parë, një e njohura ime, pat bërë një postim në faqen e saj në FB si një reagim ndaj një shkrimit tim të këtij blogu, që unë vetë e kisha postuar në Facebook. Nëse nuk gaboj, titulli i shkrimit ishte “Dëshmia e vetë arkitektit, që “shkatërroi” Korçën” dhe kishte të bënte me një pjesë të asaj që kishte shkruar ark. australian Uillson tek libri famëkeq “The Albanian Files”. Disa të njohur të mij më dërguan tekstin e postimit duke shprehur habinë me reagimin e saj. Flitej për një lloj shërbimi që i kisha bërë unë dikur Niko Peleshit, kur arkitektët e panjollosur dhe luftarakë të Korçës përplaseshin me të. Postuesja (jo arkitekte) shprehte indinjatën ndaj njerëzve “pa shtyllë kurrizore” (ku hyja dhe unë), të cilët ndryshojnë pozicion kur pushtetarët (në këtë rast Peleshi) ja “u kthen nga myka” dhe ata nxjerrin mllefin.

Nuk më çuditi fort postimi edhe pse nuk të vjen mirë të të lakojnë për keq në publik. Bëra një reagim të matur në faqen time, pa e shpërndarë me tag se nuk kishte asnjë rëndësi nëse Postuesja e lexonte. Nuk ishte dikush që ja vlen dhe nuk është me “friends” të mij në FB, që të kisha dëshirë ta lexonte reagimin tim ku nuk përmendje ndonjë emër.

Nuk di as se sa “like” apo “komente” pat marrë postimi kundër meje, sepse nuk kam mundësi ta shoh atë faqe dhe nuk jam bërë kureshtar. Por askush nuk më përmendi reagimin e të tjerëve, qoftë pro meje apo kundër meje. Ndoshta ka qënë një reagim i vakët edhe i miqve të saj më entuziastë.

Disa ditë më pas, mu rikthye në mendje e gjithë kjo “çështje” jo serioze dhe mendova që mes “friends” të saj janë edhe disa nga miqtë e mij më të afërt. Kuptova se njerëzit që janë dashamirës ndaj meje kanë dy lloj qëndrimesh. I pari ishte ai i tënjohurve jo të afërt, që ishin çuditur dhe më njoftonin. I dyti ishte ai i miqve, që edhe pse pohonin që e kishin lexuar, ose e lexuar pasi ja u përmenda unë, nuk e kishin parë të udhës të shkruanin diçka në faqen e saj ose diku gjetkë.

Po unë, “viktima”, si ta kuptoj këtë gjë?

Miqtë e mij e gjykojnë se nuk ja vlen të merresh me të?

Miqtë e mij e gjykojnë se ç’ka kishte shkruar ishte pranë të vërtetës, por për hir tim nuk mund të bënin “like”?

Miqtë e mij u gëzuan që morra një “dackë“ pasi kam shitur shumë moral?

Apo unë thjesht kujtoj se janë miqtë e mij?

Diçka tepër e thellë duket edhe në këtë ngjarje ‘të sipërfaqshme”. Gishtin po e drejtoj përsëri në vetja, për të thënë se nuk i kam lënë vënd vetes të më dalë dikush në mbrojtje!

Tuesday, 21 July 2026

Korça ka një problem të madh – Meritokracinë


Ndonëse e kam ditur prej kohësh, që vendosja e njerëzve bazuar në meritat dhe aftësitë e tyre në vende pune të rëndësishme dhe të duhura ka qeënë një problem i vjetër në Shqipëri dhe në Korçë, kam menduar se deri diku, sot, jemi më mirë se të tjerët. Për shembull, pavarësisht nga të metat, të gjithë Kryebashkiakët e 35 viteve kanë qënë studentë shumë të mirë dhe profesionistë të mirë në fushat e tyre. Ndoshta nuk mjaftojnë vetëm Kryetarët e Bashkisë, por kur dikush ka “’mend” nuk ka prirje të mbledhë “pyka” rreth vetes.

Thashë që e kam ditur prej kohësh, se im atë pëlqente të theshte një shprehje të Kadaresë të thënë në rrethe të ngushta: “Në socializëm përfitojnë të paaftët!” Dhe “kunguj” kishte nga të gjithë llojeve (dimërakë, të Stambollit, kungulleshka) në krye të të gjitha ndërmarjeve dhe institucioneve. Disa kishin arritur të bëheshin edhe Sekretarë të Parë ose Kryetarë të Komitetit Ekzekutiv.

Ishte e kuptueshme, që kjo të ndryshonte kur sistemi u rrëzua dhe diçka ishte “by default” sepse të aftët mund të punonin në sektorin privat, pa patur nevojë të vlerësoheshin nga “Shefat e Kuadrit”.

Nuk ndodhi krejt ashtu në administratë, ndonëse në fillim, nga PD pati emërime të mira të bazuara në vlerat dhe aftësitë. Por njëkohësisht u gabua në heqjen pa arsye të njerëzve të aftë edhe mund të kishin qënë “të organizuar” apo vinin nga një familje me lidhje të forta puniste. Njerëzit ishin ngritur kundër Diktaturës, pikërisht që këto gjëra mos ndodhnin.

Më pas (pas vitit ‘93) çdo lloj emërimi ishte partiak dhe u rishfaqën “kungujt”. Unë ika më ‘97 dhe nuk di se si ka vazhduar, por herë herë shoh ndonjë emër të njohur, që e di “sa i vlen lëkura”. Nuk ka nevojë të hedh emra se lista mund të jetë shumë e gjatë. Shumë vite më parë kam shkruar për një që kam pasur në shkollën e mesme dhe që nuk dallohej për inteligjencë, që duke qënë në një vend drejtues detyroi një nëpunëse të gjorë të vriste vetem duke e transferuar në Ersekë. Më vonë, shumë patronazhistë dhe ‘kunguj” të tjerë zunë ta quanin Zonja e Hekurt.

Si e përmenda për Kryebashkiakët, fitorja e parë e Peleshit mu duk e duhur, se edhe pse kishte treguar “bishtpërdredhje në politikë“, pat qënë dikush që të mesmen e kishte mbaruar me Medalje Ari. E kisha njohur (bashkë me Raqkën) para se të emigroja dhe më dukej me mend dhe vullnet. Koha tregoi se për të “sunduar” Korçën i duheshin sa më shumë “kunguj”. Dhe ata si gjithnjë shfaqen, të gatshëm për të shërbyer, servilë dhe arrogantë, të korruptuar dhe korruptues, sepse në ka një gjë që dinë të bëjnë mirë “të paaftët” është të jenë servilë me ata lart dhe arrogantë me ata poshtë. Gjithashtu edhe të vjedhin.

Korça i njeh më mirë se unë se cilët janë drejtorë dhe drejtoresha, deputetë dhe deputetesha. zv.ministra dhe zv.ministresha, të lindu dhe të rritur në Korçë. Dikur, më tregonin se një deputet korçar, që kishte marrë diplomën e universitetit me para, nuk dinte as për ç’lloj dege ishte diplomuar?! Dhe kjo “dikur “ ishte në këtë shekull.

Por dje pashë një intervestë të një kolegu, që kuptova se Meritat nuk kanë asnjë vlerë. Urbanisti Kristi Ravoniku (është gjysëm koleg se unë nuk jam urbanist) tregonte në një kanal televiziv, që e kishin pushuar nga puna për “arsye politike”. Meqënëse ka ndodhur rreth vitit 2015 dhe duke mos ditur se ç’lloj orientimi politik ka pasur dhe ka Kristi, gjykova që duhen ta kenë bërë “Soushëllistët”. Se më 2015 ata kanë pasur në dorë edhe Pushtetin në Tiranë dhe në Korçë. Duket që Kristi, i cili atë kohë paska qënë Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të gjithë Qarkut të Korçës, ka qënë politikisht kundër Niko Peleshit. Sepse në intervistë nuk tha se e kishin shkarkuar se kishte kundërshtuar politikat zhvillimore të Qeverisë Rama apo të Bashkisë së Korçës. Thjesht heqje nga puna për qëllime politike.

Kjo gjë nuk duhet të ndodhë më. Unë nuk e kam njohur urbanistin Kristi profesionalisht se kam ikur shpejt nga Korça, por ta heqësh politikisht dhe më pas të vendosësh ndonjë “patronazhist” a nuk e di se kë kanë vendosur i bën dëm Korçës , Pogradecit, Kolonjës dhe Bilishtit bashkë. Nuk di se si kanë rrjedhur punët e Urbanistikës dhe Arkitekturës në Qarkun e Korçës, por nëse janë përkeqësuar, këtu kuptojmë se sa dëm sjell heqja e njerëzve me vlera morale dhe profesionale.

Flamingot edhe për këtë janë ngritur. Se nëse nuk kemi një Zegjine nga Korça, ndoshta kemi të tjera të ngjashme, që ngrihen në detyra të larta vetëm për devotshmërinë ndaj “kauzës” dhe vazhdojnë “kauzën duke vjedhur edhe vetë. Megjithatë, duhet të themi , që nuk kemi ende nga këto zonjat me detyra të rëndësishme, që “hyjnë e dalin kazinove”. Edhe pse i afruar në PS nga Nano (i njohur për të luajur në ruletë), Peleshi nuk ka lejuar që patronazhistët e Korçës të preken nga ky ves fatal.

E megjithatë heqja e Kristit për “arsye politke” dhe emërimi i plot njerëzve pa asnjë meritë, i ka sjellë dhe do i sjellë dëme Korçës.

Ndaj korçarët, të njohur në më se 100 vjet për thënien “u bë dhe by.. e këtij për atë post?!” duhet të ndjehen më shumë për të arritur një të ardhme, ku njerëzit të emërohen më shumë në sajë të Meritave, se sa të “partishmërisë“ apo dhe “aftësisë për të lodruar në shtrat me Shefin”.


Sunday, 19 July 2026

Shtet nuk mund të krijohet kur nuk ka qytetarë


Para tre muajsh, gjatë një vizite në Tiranë, shkrojta diçka rreth të qënit Qytetar. U përqëndrova në kuptimin që kjo fjalë ka marrë gjatë Revolucionit Francez dhe se si tre miq dhe kolegë të mij, profesionistë shumë të mirë në Tiranë, nuk e përmbushnin të qënit Qytetar edhe pse dy prej tyre ishin lindur dhe rritur në Kryeqytet.

Prej vitesh dyshoj në të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Nuk është e mundur të bëhet Shtet nëse në një shoqëri të një vendi nuk ka qytetarë, ose ka pak syresh.

Dikush mund të hidhet e të paraqesë statistika se sa qytetarë ka në raport me fshatarët, por ai sigurisht që nuk di kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Qytetar mund të jesh edhe po të jetosh në një fshat të vogël majë malit, sikundër nuk mund të jesh edhe pse prej brezash jeton në qytet.

Ju riktheva këtij shqetësimi pasi pashë sot postimin e një miku, për përvjetorin e 24-ërt të formimit të Klubit Rotarian të Korçës. Nuk e kam vrarë mendjen ndonjëherë të di se ç’është në të vërtetë një Klub i tillë, por di diçka që të jesh anëtar i tij duhet të kesh miratimin nga të gjithë anëtarët. Miku im kishte postuar edhe një listë me firma (ndoshta nismëtarët e vitit 2002) të Klubit dhe paraqiste edhe kontributet e Rotarianëve kryesisht në mbështetjen e arsimit.

Unë i njoh pjesën më të madhe të emrave në atë listë. Mund të them pa frikë se janë shumë të pakët ata që mund t’i quaj Qytetarë. E përsëris që të qënit banor i qytetit, si dhe arsimi i lartë e deri në Doktoratura nuk të bëjnë qytetar.

Spikat emri i “Pastruesit të Korçës” Maksi Fejzullahu dhe më pas ka nga të përfolurit për korrupsion dhe deri në ata që kanë ndërruar nga tre katër Parti në periudhën e pluralizmit. Nuk po i ze me rradhë se do ishte humbje kohe për mua dhe për ata që marrin mundimin të lexojnë këto rrjeshta.

Po përse më shqetëson mua një Klub i veçantë? Njerëzit kanë të drejtë të mblidhen, të organizohen në mënyrën që duan dhe të bëjnë atë që duan. Ky është kuptimi i një shoqërie të Lirë.

E vërtetë. Rotarianët as konkurojnë për poste bashkiake apo për të qënë të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Bëjnë veprimtaritë e tyre dhe mundohen të ndihmojnë qytetin ose “të shesin” sikur e ndihmojnë qytetin. Nuk i vjen e keqe kujt as se ata zmadhojnë veprimtaritë e tyre dobiprurëse as se me ndonjë të njohur bëjnë ndonjë emision televiziv që i paraqit si Mjek Heronj, që punojnë në malësi edhe pse nuk shkojnë aty por sa marrin rrogën. Fshatarët e zonës janë të kënaqur.

Por nëse një pjesë e tyre, janë të lidhur ngushtë me Pelesh-pushtetin e Korçës dhe bëjnë ç’është e mundur për ta mbajtur sa më gjatë më këmbë, atëhere unë dhe gjithë korçarët e thjeshtë kemi një problem të madh. Të tjerë të arsimuar, jo të përfshirë në politikë (sipas tyre), po na i shesin sapunin për djathë.

Dhe na mjafton sapuni që na shet Peleshi me Filon.

Nuk na duhet ai që shet Maksi Fejzullahu me Ylli Qirinxhiun dhe të tjerët rotarianë të shquar.

Saturday, 18 July 2026

Mi fa schifo!


Nuk di pse më erdhi ndërmend kjo fjalë pasi pashë disa foto të postuara nga Ligaveci Gollash në FB. Nuk e përdor italishten shpesh dhe nuk kam qënë në Itali prej disa vitesh. Në vend të më vinte për të thirrur në një shprehje shqip apo anglisht (sharëse), më erdhi pikërisht kjo: Mi fa schifo!

Fotot ishin rreth një veprimtarie, (nuk di se kush e kishte organizuar Këshilli i Qarkut, Ministria e Shëndetsisë apo Bashkia) ku promovohej puna e një organizate bamirëse shqiptaro-amerikane. Nuk di nëse promovohej vetëm ndihma e saj për Korçën apo e gjithë veprimtaria shumëvjeçare, por kjo nuk ka shumë rëndësi.

Kam shkruar edhe më parë rreth dyshimeve që kam për Organizatat Jo Qeveritare në përgjithësi, si dhe për fondacionet bamirëse të shqiptaro-amerikanëve dhe shqiptaro-kanadezëve. Nuk di nëse ka të ngjashme të shqiptaro-gjermanëve, shqiptaro-francezëve apo arnauto-turqve. Nuk mund të shkruaj për vende, të cilat nuk i njoh.

Disa herë jam ndalur për veprimtarinë e një Filantropeje të shquar shqiptaro-amerikane të quajtur Fotini Allteni ose Foti Kokeri, e cila ka mjaft veprimtari edhe në Korçë, madje mund të ketë qënë pjesë edhe veprimtarisë të cilën “ngrinte në qiell” Sotiraq Filoja.

Ajo që më trondit për keq, është paturpësia e këtyre njerëzve që drejtojnë të paktën për 15 vjet në Korçë, që mburren se e kanë bërë një qytet europian dhe tani mburren edhe me ato çka i bëhen spitaleve të Korçës “për sadaka”.

Filo përmend edhe traditën filantropike të Korçës, a thua se e ka të trashëguar nga Raqi Meleja.

Korça ka pasur filantropë me nam nga Lakçeja, Mytevelinjtë, Turtulli dhe të tjerë, por bëhej fjalë për një Korçë të prapambetur nën sundimin otoman dhe më pas pjesë të një shteti të posaformuar.

Nuk ka përse sot t’i dhurohen spitalit në Korçë karrige për të sëmurët që sapodalin nga kimioterapia.

Eshtë turp për Korçën e shekullit XXI!

Eshtë një turp i shkaktuar nga emra të caktuar dhe që quhen Edi Rama, Niko Peleshi, Olgerta Manastirlli dhe ti o Ligaveci Gollash, që ndoshta nuk di se në ç’gjendje janë spitalet e Korçës! Se besoj kur kini probleme të familjarëve nxitoni të shkoni në Selanik ose në Tiranë.

Në veprimtari pashë të kapardiseshin Petrika Tollkuçi dhe prefektja Zegullaj, që po si Filoja ndoshta nuk e kanë kaluar derën e pavioneve që kanë nevoja të ngutshme.

Por më trondisin për keq edhe organizatat bamirëse të shqiptaro-amerikanëve, që kanë jetuar në Shqipëri dhe e njohin sistemin.

Korça nuk është në gjendjen kur doli nga Diktatura dhe spitalet kishin nevojë për gjithshka. Atëhere vërshuan bamirësit, disa edhe me qëllim për përhapjen e fesë së tyre. Ndoshta e njëjta gjë ndodhi pas katrahurës të vitit 1997.

Ka të paktën 30 vjet, që shteti shqiptar funksionon, merr kredi dhe ndihma, ndaj nëse nuk do vidhej nuk do ishte kjo gjendje që spitalet mos kishin shiringa, peshore apo karrige për paskemios. Ndaj ndihma me këto materiale nga donacionet e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo dhe e amerikanëve nuk duhen hedhur për të mbushur vrimat e krijuara nga vjedhjet e pushtetarëve. Eshtë një shërbim i keq që ju bëhet shqiptarëve edhe pse shumë njerëz mund të duartrokasin.

Të rrjeshtohesh krahas hajdutëve dhe të dalësh foto me ta, në një kohë që vendi zjen nga protestat e Flamingove është e kundërta e Filantropisë. Ose është një bamirësi për kleptokratët.

Ndaj e gjitha kjo Mi fa schifo!

Hoxha në dhomën time


Arrrita në qytetin mesdhetar pasi pata bërë një rrugë të gjatë me avion dhe taksi. Taksia më ndaloi jo larg nga hoteli ku kisha prenotuar dhe nxitova të shkoja të rregjistrohesha e të bëja një dush. Kishte “goxha” shkallë në hyrje, por edhe një pandus për handikapatët me pjerrësi diku në 60 gradë, që e bën të sigurt rënien me kokë prapa të invalidit në karrige me rrotëza. Por hoteli ishte i mirë, recepsionisti shumë i sjellshëm dhe dhoma e pastër dhe e kompletuar. Më krijoi një gjendje humori të mirë sa që pas dushit nuk u shtriva të “merrja një dremkë“, por nxitova të dilja për të parë qytetin. Kisha qënë edhe më parë në atë qytet, por kisha kureshtje të shihja se sa kishte ndryshuar.

Rrugët ishin të njëjta, nuk kishte shumë lëvizje se ishte një pasdite e vonë, por më ranë në sy shumë makina të parkuara rrugëve. Madje edhe në rrugë jo shumë të gjëra të atij qyteti që ka dhe të asfaltuara dhe të shtruara keq me gurë. Por gjithshka tjetër ishte e mirë. Ndoshta ajri i rënduar, por e dija që nuk isha në Sherbrooke, ku ka shumë pyje, jo shumë trafik makinash dhe është mbi tropikun e kancerit. Nuk ka se si të jetë njëlloj në një qytet mesdhetar.

Njerëzit, si dhe më parë, ishin shumë miqësorë dhe kamarierët e të dy sekseve shumë të sjellshëm. Të sillnin atë që ju kërkoje, menjëherë sa ju a kërkoje dhe përafërsisht si ja u kërkoje. Duket që zhvillimi i turizmit dhe ndoshta edhe ndonjë kurs universitar për kamarierë kishte ndikuar për të. Hëngra darkë në një restorant që kishte specialitet mishin e pulës dhe hëngra më shumë se sa mundja, se racioni më i vogël ishte gjysëm pule. Mu kujtua historia e një sportisti të njohur të anëve tona, që porosiste në Rumani një pulë të tërë dhe ajo nuk e ngopte, histori që ma kishte treguar me shumë humor brilanti Piro Kasati.

Ama gjysmën e pulës e hëngra dhe një pjatancë me perime të pjekura, që mund të më mbante edhe tre ditë pa qënë nevoja të haja. (Hoteli ku flija nuk shërbente mëngjes dhe “kishte hesap” ta kurseje mëngjesin). Dhe kështu e shtyva mbrëmjen duke ngrënë dhe duke shëtitur më pas “për ta honepsur” dhe në orën 10 hyra në dhomë. Një tjetër dush dhe direkt në dyshek. As tv dhe asgjë tjetër. Isha i ngrënë dhe për gjumë i kapitur. Krejt ndryshe nga partizani Meke i Dritëroit që kishte qënë “i pangrënë dhe për gjumë i kapitur”. Ishte qetësi dhe me siguri që më 11 duhet të kisha fjetur top. Mes ligave të ëmbla dhe ëndrrave të bukura që po shihja gjatë atij gjumi të thellë, Ai u shfaq! Në fillim kujtova se ishte ndonjë i dehur që këndonte në dhomën ngjitur. Por jo. Ai ishte në dhomën time dhe po më këndonte mu në vesh! Ishte hoxha i qytetit që falte ndoshta namazin se nuk i njoh mirë të kënduarat e hoxhëve. Pashë orën. 4.15 e mëngjesit. Mërmërita një të sharë nëpër dhëmbë, pastaj kujtova orientimin tim laik dhe ndërsa hoxha vazhdonte këngën në arabisht, nisa të shkoja ndërmend vargjet e një kënge apo bejteje, që ime më përsëriste kur flitej për hoxhë:

Doli hoxha në dritare,

Shih moj nan se kush ka vdek

Paska vdek nji goc me halle

Nj’ajo goc q’i kam dash vet!

Pa e thënë tre herë bejten, hoxha pushoi. Më gjumi nuk më zinte. Hpa dritaren ta shihja nëse ishte ende majë minares po nuk dukej gjë.Mu kujtua që në fëmijëri, edhe në dhomën ku flija dëgjohej hoxha. Nga dritarja e dhomës mund ta shihje edhe çallmën e tij tek ballkoni majë minares. Edhe atëhere nuk më pëlqente që më nxirrte gjumin, por për këtë mendoi Partia dhe sho Enver dhe kur isha 7-8 vjeç e ndaluan. Ndaluan edhe këmbanat që ma nxirrnin gjumin të dielave dhe që nuk ishte hiç e këndshme, se të dielave donim të flinim më shumë. Kishim luajtur deri vonë natën “me komant”.

Dola përsëri në qytet dhe kur isha afër qëndrës, pashë një kryq të madh të ndriçuar majë malit më të lartë. Mendova mirë hoxha që ndjek traditat e Arabisë Saudite dhe duhet të këndojë që ta dëgjojnë edhe 50 kilometra larg, po ky kryq traditën e kujt ndjek? Të Rio De Zhaneiros?

Nuk më vjen aspak mirë, kur shoh në qendra të banuara nga disa bashkësi, shënja të qarta të simboleve fetare që sikur rivalizojnë njëri tjetrin, Sikundër të krishterët nuk kanë pse të prishin gjumin e tyre më 4.15 (riti përsëritej në të njëjtën orë të pasdites, kur unë dua përsëri të fle) ashtu edhe myslimanët nuk kanë pse të shohin një kryq gjigand mbi malin që ju përket edhe atyre. Ose dhe sikur në atë pjesë të jetë pronë private, Bashkia nuk ka pse të miratojë ndërtimin e një kryqi.

Të nesërmen ika nga ai qytet. Recepsionisti më tha që edhe po të ndërroja hotelin, përsëri do e dëgjoja hoxhën.

Thashë boll e dëgjova Hoxhën Enver që kur u linda dhe deri më 11 prill 1985.

Ika.

Friday, 17 July 2026

“Arroganca” e karriges


Ishte verë dhe relativisht nxehtë për Korçën. Kisha më pak se dy muaj që kisha nisur punën pas studimeve dhe kuptohet që isha, si i themi ne në anët tona, “këlysh i pagoditur”. Më kishin thirrur në një zyrë të Ekzekutivit bashkë me disa eprorë dhe kolegë të mij për të na ngarkuar me një punë, e cila nuk kishte qënë e planifikuar. Dikush, ndoshta një kompozitor, pat sugjeruar që akustika e kinema “Morava” ishte ku e ku më e mirë se ajo e “Cajupit” dhe kishte lindur idea për të bërë disa dhoma zhveshjeje në anën juglindore të skenës së kinemasë së vetme të qytetit, për të patur shfaqje me karakter muzikor. Dhomat janë të domosdoshme për artistët.

Ndoshta isha thirrur edhe më parë për të bërë projektin e asaj shtese, sepse kujtoj që diçka pamë nga një tarracë e Klubit të Gjuetarëve. Por takimi për të cilin po flas kishte të bënte me ndërtimin e atij objekti të vogël (jo më i madh se një shtëpi dykatëshe) nga ana e brigadës sonë të punëtorëve, e cila merrej me meremetimin e objekteve arsimore dhe kulturore.

Kishim rezervat tona që para mbledhjes sepse ishte një ngarkesë pune shumë e tepërt, sidomos në sezonin e pushimeve shkollore, kur të gjithë specialistët tanë ishin shumë të ngarkuar me punë.

Pas shpjegimit të situatës se përse ishte thirrur mbledhja rreth një tavoline në formë T-je, (si ishin të zakonshme në zyrat e drejtuesve në kohën e Diktaturës), nga nëpunësi i lartë që drejtonte sektorin, pasi pashë që eprorët e mij nuk po “bëzanin” i thashë që ne nuk mund ta merrnim përsipër, për arsyen kryesore, të cilën e përmenda më lart.

Më pa drejt dhe me shumë seriozitet më tha: “Këtu të kemi thirrur për të të thënë ta bësh dhe jo për të të marrë mendim!” Nuk pati diskutim të mëtejshëm, se të gjithë eprorët e mij po rrinin kokëulur dhe ndonëse mora sikur të mbroja ç’ka kisha thënë (me zakonin e hershëm të kokëfortësisë sime) e pashë se isha përballë një muri të panjohur më parë. Ishte “Arroganca e karriges”. Më tepër më çuditi fakti se nëpunësi ishte i ri (mbase 10 vjet më i madh se unë) dhe i njohur për zgjuarsi, por duket gjatë viteve në zyrat e shtetit e kishte mësuar se për të bërë atë që e quante të duhur të përdorte dhe arrogancën. Ikëm nga mbledhja dhe unë ngacmoja një kolegun tim shumë më të madh në moshë duke i thënë “E pe rrezikun dhe hyre në llogore, rrase dhe helmetën! “dhe ai qeshte, por ishte “qen i rrahur”.

Nuk e kujtoj si i vajti filli zbatimit. Ndoshta ju ngarkua Komunales a ndoshta e bëmë edhe ne, por prej asaj dite isha krejt i ç’interesuar të “përëlasesha” me pushtetin dhe njëkohësisht humba çdo zell për punë. Me nëpunësin “që më tregoi vendin” më vonë u bëmë miq, se pashë që kishte shumë dëshirë të bënte gjëra të mira për Korçën në sektorin e tij. Më pat mbështetur pa rezerva në disa projekte ku isha angazhuar dhe e kam quajtur gjithnjë si nëpunësi që ka bërë më shumë për qytetin në kohën kur kam punuar unë.

Por duke ardhur nga auditoret e Universitetit dhe jo me simpati për atë sistem, që çalonte në çdo drejtim, provova edhe “shijen” e asaj që merr pasi thua “Jo”. Nuk thashë edhe shumë “po” më pas, sepse nuk ishte në natyrën time, por nuk më dukej në vitin ‘84-’85, se ai sistem i kalbur, i mbrojtur edhe me “arrogancën e drejtuesve” do kishte një fund të shpejtë.

Sot hasim të njëjtën Arrogancë, madje edhe deri në absurditet në zyrat e pushtetit vendor dhe të atij qëndror. Madje, në ndryshim me atë kohë, kjo vjen nga përballja me “hajdutët”. Këta të fundit e kanë pjesë të pandarë të modus opernadi të tyre, që të jenë arrogantë, sepse në këtë mënyrë edhe mund të xhvasin më shumë. Nuk ka nevojë as të përmendësh emra, se thuajse shumica, nga i Gjatëgjithëfuqishmi dhe deri në një shef Urbanistike qyteti të zakonshëm janë të tillë. Mbulojnë njëkohësisht edhe mungesën e aftësisë. Ndaj ajo fjala e vjetër “ju flet karrigeja” është sot më aktuale se kurrë. Mua (dhe të tjerëve si unë të emigruar) na bie shumë keq në sy sepse jetojmë në vende ku “arroganca” në zyra thuajse nuk haset. Madje edhe kur je para një gjyqtari apo prokurori. Por në Shqipëri nuk është kështu dhe unë e ndjej edhe vetë, se edhe për një kërkesë të thjeshtë të shikimit të “dosjeve” të dixhitalizuara të gazetave të vjetra të Bibliotekës së Korçës ndeshesh me një “mur absurd”.

Sigurisht që nuk është më qershori i vitit 1984, kur sa kisha nisur punë, por e gjithë shoqëria shqiptare ka shumë rrugë për të bërë që të mposhtë korrupsionin dhe arrogancën.

Ndoshta edhe unë do jem gjallë e ta shoh.