Thursday, 4 June 2026

Varfëria e arteve nën Diktaturë dhe pasojat në Inteligjencën e sotme (2)

 


(vijim)

Letërsia dhe artet kanë një ndikim të madh në formimin e mendjes të fëmijëve dhe të rinjve. Më tepër se filozofia apo se shkenca të tjera shoqërore, ato përcjellin në një mënyrë jo të mërzitshme ide dhe dije. Tekstet e librave dhe traktateve filozofike janë të pakët që i lexojnë, por një roman apo një film e “përpijnë“ të gjithë dhe shpesh ju lënë mbresa të pashlyeshme, që ndikojnë edhe në sjelljen e tyre gjatë jetës.

Këtë gjë e kanë njohur të gjitha llojet e regjimeve, veçanërisht ata totalitare, që i janë munduar t’i venë shkrimtarët dhe artistët në shërbim të tyre. Me përjashtime të rralla, këto kanë sjellë që krijuesit të “vdesin shpirtërisht” dhe kryeveprat të jenë të pakta. Unë nuk pajtohem me një ide të Kadaresë, që trysnia që vjen nga Diktatura bën ndonjëherë që shkrimtari apo artisti të jetë para sfidave të cilat sjellin edhe përmirësimin e mjeshtërisë së tij.

Gjithsesi, për të mos hyrë në hullinë e një analize tepër teorike, duhet të them se edhe arritjet më të mira në letërsinë dhe artet e realizmit socialist shqiptar ndikuan jo vetëm në “trushpëlarjen” e masave, por dhe në varfërimin kulturor të tyre. Pikërisht sepse një “propagandë“ e “ujdisur” me disa elemente emocionues jo vetëm që e mëson gabim lexuesin dhe shikuesin, por edhe ja zhvesh shpirtin nga ndjenja fisnike njerëzore dhe ja redukton kulturën e nevojshme. Për rolin e madh në historinë e Shqipërisë të luftës nacional çlirimtare, më shumë se shumë paçavure të mbushura me heroizmin e partizanëve, ka ndikuar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Atje me një lloj arti (do ta quaja pak pervers) shqiptari i ri nxitet të urrejë jo vetëm pushtuesit por edhe koskat e tyre të zhvarrosura. Përpos idesë së shtrembër që në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare kishte ushtarë italianë dhe gjermanë të varrosur në sajë të luftës legjendare të udhëhequr nga Partia.

E përmenda këtë roman që quhet ndër kryeveprat e shkrimtarit tonë më të mirë, Ismail Kadaresë. Dhe shembuj të tillë, që sjellin varfërimin shpirtëror dhe intelektual të brezave ka plot e plot të tjerë.

Madje ekstreme të tilla në artet figurative ishin të dukshme edhe për vetë artistët, sikundër ishte rasti i pikturave dhe grafikave që paraqisnin gruan shqiptare në periudhën e revolucionarizimit të vendit. Me të drejtë Dritëroi thoshte se ishte tepruar në paraqitjen e saj gjithë maskulinitet, e veshur me kominoshe, me muskuj, me tipare burrërore, që nuk të shkonte në mendje ta merrje në shtrat.

Por ndikimi më i madh ka qënë nga shfaqjet teatrale, serioze apo komike dhe veçanërisht nga kinematografia. Këto shkonin edhe në fshatrat më të humbura të Shqipërisë, ku njerëzit nuk kishin as kohë dhe as mundësi të lexonin ndonjë libër apo të shihnin një ekspozitë të arteve vizive. Përsëri do mundohem të prek veprat e quajtura ndër më të arriturat, batuta të së cilave janë edhe sot pjesë e të folurës urbane apo komenteve të analistëve në studiot televizive. Këmbimet midis oficerit shqiptar dhe admiralit sovjetik tek filmi “Ballë për ballë“ emocionojnë edhe sot shumë nacionalistë mendjengushtë shqiptarë. Ishte një falsifikim i asaj ngjarjeje historike, që solli edhe stalinizimin e plotë të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe bashkë me të edhe mijëra krime të përbindëshme të viteve ‘70. Por autorët përdornin me mjeshtëri mitin e “Davidit kundër Goliadhit”, mit që rezulton i suksesshëm në gjithë artet e natyrës epike kudo në botë.

Mbajtja e njerëzve larg veprave të artit bashkëkohor, por edhe atij më të mirit të shekullit të XIX, e solli cungimin intelektual të disa brezave dhe bashkë me të edhe largimin e shqiptarëve nga artet. Vitet ‘80 shënuan një rënie të madhe të interesit për librin dhe të frekuentimit të ekspozitave të arteve. Kjo solli që edhe me hapjen e dyerve për kryeveprat e artit botëror pas vitit 1990, njerëzit treguan një mungesë të tërheqjes ndaj librave. U shtua interesimi për të blerë peisazhe, natyra të qeta dhe portrete, por edhe kjo më shumë në kuadrin e aranzhimit sa më të bukur të shtëpive, se sa të interesit për artin dhe botës interesante që ai përcjell.

Nuk është e rastit që njerëzit kanë më shumë se njëzet vjet, që “habiten’ nga telenovelat turke, të cilat janë gjithashtu një pseudoart i krijuar në një vend që është gjysëm-Diktaturë.

Duke u kthyer në një nga dukuritë që e bën të dukshëm varfërimin intelektual, kujtoj para më se 15 vjetësh, një këmbim e-maili me një student të degës dramatike të Akademisë të Arteve. Kur flisnim rreth teatrit në përgjithësi dhe atij shqiptar në veçanti, diku përmendi “I Madhi Orgocka”. Ishte fjala për regjisorin e teatrit të Korçës, Dhimitër Orgocka. I shkrojta që Orgocka nuk ishte “i Madh” dhe nëse donte të bëhej aktor i mirë, duhej të lexonte sa më shumë klasikët dhe gjithashtu të kishte mundësi të mësonte prej veprave të aktorëve dhe regjisorëve më të mirë botërorë. Nuk di se sa e vuri në vesh këshillën time dhe nëse ka të njëjtat mendime për artin dramatik shqiptar, por e përmend këtë, për të treguar se dikush i lindur pas vitit 1990 mund të kishte të tilla ide për çka ishte krijuar më parë dhe për protagonistët e atyre veprave mediokre dhe të dobëta.

(vijon)

No comments:

Post a Comment