Tuesday, 12 May 2026

A ishte Zogu paranoiak?


Qasja ime dhe e miqve të mij të të njëjtit brez është lëkundur nga ajo e parjes së Zogut si një “shtetar karikaturë“, tek ajo e dyshimit se “ç’mall ishte” dhe deri në vlerësim si një reformator, imitues i Ataturkut.

Vetë ende nuk e kam të qartë se ç’farë ishte në të vërtetë Naltmadhënia nga Burgajeti. “Uzurpator i pushtetit”, “politikan race atdhedashës”, “diktator i një lloji të veçantë“ apo diçka nga të gjitha të mësipërmet. Ka disa fakte të cilat i pranojnë të gjithë edhe përkrahësit dhe kundërshtarët e betuar, që ka qënë më i riu mes politikanëve që ka luftuar për Shqipërinë dhe që ka dëshmuar trimëri. Gjithashtu ka dhe fakte të tjera të gjithëpranueshme, që kundër tij ka pasur disa kryengritje dhe shumë atentate. Tregues të një pakënaqësie të shumë shtresave për drejtimin e shtetit prej tij. Gjithashtu edhe me një finale largimi nga vendi me pasuri të mëdha të fituara mbi ligje të shpallura prej tij.

Por a ka qënë paranoiak?

Duke qënë “thuajse Diktator” është gati e pamundur që të mos ketë qënë i tillë. Për më tepër duke pasur shumë armiq të betuar, të cilët i kishte dënuar me vdeke ose burgim të përjetshëm në mungesë dhe si të tillë nuk mund të ktheheshin më në shtëpinë e tyre në Shqipëri.

Ka një ngjarje, e cila është lakuar shumë nga regjimi komunist dhe që është arrestimi i një numuri të madh komunistësh apo agjitatorë të komunizmit në janar të vitit 1939. Propaganda e Partisë së Punës e paraqiste si një ngjarje të madhe politike ku “Qemal Stafa kthehej nga i akuzuar në akuzues” dhe të tjera dëngla të ngjashme. E gjithë ngjarja nuk ishte diçka shumë e bujshme, sepse të arrestuarit nuk ishin njerëz të njohur në Shqipërinë e kohës.

Pikërisht për këtë dua të nënvizoj se Zogu ka pasur një lloj “tmerri” nga lëvizjet e majta dhe përhapja e ideve të social-demokracisë apo dhe të komunizmit në Shqipëri. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe, se si në mes të janarit të viti 1939, vetëm 3 muaj e gjysëm para se të ikte nga Froni, Zogu dhe Sigurimi i tij Publik merrej me komunistët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin këpucarë, furrxhinj, çirakë dhe nxënës shkollash.

Mund të ketë edhe një lloj shpjegimi tjetër, që për të tërhequr vëmendjen e publikut nga problemi i një pushtimi të mundshëm nga Italia, Zogu urdhëronte arrestimin e komunistëve, që ishin prej kohësh në përgjim.

Por frika e Mbretit të vetëshpallur shqiptar ndaj lëvizjeve politike të majta ka qënë konkrete, sepse është pasqyruara në Kushtetutën e tij. Në një kohë që vendi kishte fare pak industri dhe thuajse aspak sindikata dhe proletariat.

Përse arrestohen mbi 70 vetë të cilësuar si komunistë ? A kishte vërtet rrezik që “bolshevizmi” të përhapej dhe të rrezikonte pushtetin mbretëror?

Të ashtuquajturit komunistë u mbajtën vetëm dy javë nën hetim dhe plot 73 vetë u nxorrën para gjyqit dy javë më vonë. Në dukje një proces tepër i përciptë, ose e ashtuquajtura organizatë që mund të tentonte përmbysjen e rendit as ekzistonte. Dhe pa u mbushur muaji nga arrestimet, 50 të pandehur u dënuan me burg nga disa muaj dhe deri në 10 vjet për propagandë komuniste. Katër vetë me 10 vjet dhe pikërisht të njohurit Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto, drejtues të Grupit Komunist të Shkodrës. Me një fjalë ishte një “Diktaturë mbretërore”, që nuk lejonte as të flitej pro komunizmit.

Gjykata u detyrua të shpallte të pafajshëm 23 vetë, që nuk kishin pranuar akuzën se flisnin pro komunizmit.

Edhe një herë po i kthehem idesë, se Ahmet Zogolli, si çdo Diktator, duhet të ketë qënë edhe paranoiak ndaj mundësisë se mund të bëheshin komplote apo lëvizje për ta rrëzuar nga froni, që duhet ta pranojmë se e kishte uzurpuar. Nga një shtet me elementë demokratiko-liberale, i posaformuar dhe i brishtë, që ishte në fillimin e viteve ‘20 të shekullit të XX, Zogu me dorë të fortë dhe terror e ktheu në një Diktaturë, të cilës i dha edhe një formë Mbretërore.

Nëse bëjmë një paralele me kohën e tij dhe kohën e sotme, kam bindjen se Saliu dhe Rama i ngjajnë më shumë Zogollit se Hoxhës. Por duke shtuar se pavarësisht të majta apo të djathta, Diktaturat kanë shumë ngjshmëri. E megjithatë, duke shtuar elementët e korrupsionit financiar, dy ‘liderët” e sotëm ngjasojnë më shumë me Naltmadhninë se me Komandantin.

Dhe të dy janë paranoiakë. Një provë më tepër edhe për mundësinë e paranoiës tek Zogu.

Saturday, 9 May 2026

Spitali i Detit


Në Barcelonë ka shumë “bukuri” që lidhen me konceptimin e hapësirës brenda qytetit dhe me ndërtimet e saj. Mundet të zgjatesh e të zgjatesh duke përshkruar karakteristika të lagjeve të saj, si dhe të objekteve të veçanta duke filluar me ato të 200-300 vjetëve më parë e duke vazhduar me ndërtimet moderne. Por diçka, që nuk e kisha hasur në ndonjë qytet tjetër, më la më shumë mbresa se Sagrada, Casa Gaudi, madje edhe se pavioni i Van der Rohes.

Ishte një kompleks shëndetsor, bashkë me disa klinika dhe objekte të tjera ndihmëse. Quhej Hospital del Mar (Spitali i Detit). Ishte pak më tej se plazhi Barceloneta, më pranë detit se rrugët që projektohen në qytetet shqiptare dhe që në një mënyrë “majmunore” quhen Lungomare. Plazhi që i përkiste spitalit dhe ndërtimeve më pas tij quhej Sorromostro. Nga rëra, ku njerëzit shkonin dhe nuk kishte as shezlongje dhe as çadra për të paguar, e ndante një trotuar i gjërë , që shërbente edhe për hyrjen e këmbësorëve në spital dhe në klinikat, por kryesisht për shëtitjen e të gjithë atyre që donin të shijonin bukurinë e detit në çdo ditë të vitit. Po në atë trotuar dilnin të sëmurët duke ecur vetë ose në karriget me rrota të shoqëruar nga infermieret ose të afërmit. Shijonin diellin që nuk ndahej thuajse gjithë ditën dhe bukurinë e Mesdheut. Në plazhet e bukur Sorromostro dhe Barceloneta.

Pak më tej një kompleks ndërtimor tepër modern, për të cilin i nisur nga shabllonet që kam në kokë për zonat turistike, mendova se do ishte një qendër e madhe tregëtare, por në të vërtetë ishte një Institut Sudimor i quajtur “Parc de Ricerca Biomedica”. I projektuar me shumë shije dhe besoj se luan rol në studime për trajtime mjekësore të mbështetura jo në “Kimia”, por edhe në mbrojtjen e ujërave të detit më të rëndësishëm në glob.

Nuk kishte asgjë spektakolare në arkitekturën e Spitalit të Detit. Nuk di as se ç’lloj hapësirash dhe sa të këndëshme ishin për pacientëtë dhe personelin në brendësinë e tij. Nuk u përpoqa ta vizitoja. Por mrekulluese ishte idea, që për një nga shtresat më delikate të një qyteti dhe që janë të sëmurët, bashkësia qytetare kishte rezervuar një nga vendet me pamjen më të bukur dhe që ishte e ekspozuar ndaj diellit dhe ajrit të pastër gjithë ditën. Për t’i bërë të sëmurët të ndjeheshin psikologjikisht më mirë. Për të bërë që të shëroheshin më shpejt. Shumë nga dritaret e dhomave të tyre shihnin detin.

Ato 100-130 metra, ku shtrihej kompleksi i Spitalit të Detit përgjatë plazhit nuk ju ishin “shitur” korporatave që kanë në pronësi hotelet turistike. Nuk ishin lënë për të krijuar komplekse dëfrimi pranë plazhit (më tej kishte dhe të tilla dhe ishin më të famshmet në Barcelonë). Por ju ishin lënë njerëzve që vuajnë, ku nuk hyjnë vetëm pacientët por edhe familjarët që i vizitojnë. Shërbimi me autobuz qytetës deri tek dera e spitalit ishte jo vetëm i shpeshtë, por edhe disa orë pas mesnate, për të rifilluar më 5 të mëngjesit.

Këto më silleshin nëë mendje ndërsa lexoja rreth projekteve të Kullave stërmëdha që priten të nëdërtohen në plazhet e Vlorës, Velipojës dhe Sarandës. Përmenden edhe Golemi me Qerretin, por i gjithë plazhi nga Durrësi në Kavajë është tashmë “i mbaruar” dhe shtimi i kullave vetëm sa do shtojë shëmtinë dhe kaosin.

Kullat patjetër do jenë hotele ose banesa kolektive me apartamente të shtrenjta. Nuk mendon njeri për të ndërtuar spitale në breg të detit në Shqipëri. Ndoshta nëpunësve të lartë dhe të mesëm mund edhe t’ju duket një ide idiote nëse një urbanist apo një mjek ja u përmend.

Shqipëria po kalon një periudhë të një kapitalizmi të egër dhe tejet të korruptuar, ku asgjë nuk është tashmë pronë e banorëve të saj. Sa vjen e më shumë hapësirat publike sakatohen dhe ju jepen të ashtuquajturve oligarkë, trafikantëve të drogës dhe korporatave të huaja. Tashmë edhe deti. Nëse do kishin edhe një pjesë të diellit edhe atë do ja u kishin shitur. Thuajse e kanë shitur dritën e tij që bije qyteteve shqiptare.

A po arrin fundi, ku nuk mban më?

Nuk kam imagjinatën e nevojshme të mendoj se deri ku mund të shkojë “tahmaja” e këtij grupi mafiozësh që kanë në kontroll Shqipërinë. Ndoshta po të arrij ta kuptoj edhe mund të kem probleme serioze të shëndetit mendor.

Por ndoshta do më pranojnë të kurohem në Spitali i Detit pranë plazheve Sorromostro dhe Barceloneta.

Cili ishte morali i shoqërisë korçare në vitet e kulmit të zhvillimit të saj (fund)


 (vijim)

Tek bashkësia muhamedane ( me disa ndryshime mes sunitëve dhe bektashinjve) roli i meshkujve kishte më shumë peshë dhe rastet kur vajzat vazhdonin shkollimin jashtë ishin të rralla dhe vetëm në disa familje shumë të pasura.

Divorcet ishin një dukuri shumë shumë e rrallë për të gjitha komunitetet dhe po e rrallë ishte tek muhamedanët mbajtja e më shumë se një bashkëshorteje. Po ve vetëm një shembull për të krahasuar ndryshimin e madh të bashkisë muhamedane shqiptare me atë të vendeve të Lindjes së Mesme dhe vende që nuk ishin më të prapambeturit. Në fundin e vitit 1930, kishte një krizë për gra tek arabët e Palestinës. Hebrejtë po blinin toka me qëllimin që të krijonin shtetin e ardhshëm të Izraelit dhe po i blinin me çmime shumë më të larta se ato të tregut. Arabët që shisnin filluan të blinin më shumë gra dhe disa kishin nga 10-12, se në atë shoqëri gratë ishin ato që punonin tokat dhe bënin edhe punë të tjera.

Tek romët, për shkak të varfërisë të atij komuniteti dhe një filozofie të mbetur prej kohëve të të qënit nomadë, qasja ndaj familjes ishte më pak e konsoliduar.

Për të njëjtat arsye qasja ndaj marëdhënieve seksuale apo marëdhënieve jashtëmartesore apo me disa partnerë ishin shumë liberale në bashkësinë rome. Shumë gra dhe vajza të atij komuniteti që “kopilonin” në shtëpitë e shtresave të pasura, jo rrallë hynin në marëdhënie me “afendikojtë“ dhe kishte raste edhe të fëmijëve të lindur nga këto lidhje. Gjithashtu ato që quhen sot në botë “shtëpitë me dritë të kuqe” ndodheshin në lagjen Katavarosh, e cila ishte e banuar thuajse e gjitha nga romët e fesë ortodokse, që në atë kohë quheshin “kaur evgjitë“. Në kohën e Zogut, qëndrimi ndaj prostitucionit ishte më liberal se sa të themi në kohën e Diktaturës.

Por në çështjet e lirisë seksuale dy bashkësitë e tjera të Korçës ishin thellësisht konservatore.

Ndryshimi midis shoqërisë të atij qyteti ishte shumë më konservator se i qyetetve të tjera ballkanike dhe tejet larg atij të qyteteve të Europës Qëndrore. Dhe ky ishte një qëndrim tepër autentik dhe jo i ndikuar nga shoqëritë e huaja. Korça kishte mbetur në një konservatorizëm të “periudhës viktoriane” edhe 40 vjet kur ky lloj konservatorizmi nuk ishte më në Angli. Dhe duhet thënë se lidhjet e qytetit me “Ingliterrën” ishin thuajse inekzistente. Studentët korçarë kishin shkuar në Universitetet e Francës, Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë dhe thuajse nuk kishte asnjë të studiuar në Angli.

Veçanërisht studentët që vinin nga Europa Qëndrore kishin një mendësi tepër “libertine” për sa i përket marëdhënieve seksuale. Ato shoqëri kishin praktikuar një hapje ndaj çështjeve të seksit qysh në fundin e shekullit të XIX dhe kishin arritur kulmin në vitet pas Luftës së Parë Botërore. Ndikimi i tyre ishte shtrirë edhe në Bukuresht dhe Sofje, ku të rinjtë ishin shumë më të hapur të eksperimentonin në këtë drejtim.

Por jo në Korçë.

“Morali” veçanërisht i femrave ishte nën mbikqyrjen e rreptë të një shoqërie konservatore. Veçanërisht gratë që “fshinin sokakët” e tyre dhe pasi mbyllnin punët e shtëpisë uleshin sofateve, ishin “rojet e moralit”. Nuk i shpëtonin syrit edhe të gjitha ato që kishin të fejuarit dhe burrat në kurbet dhe që “bashkoheshin” me ta në 3-4 vjet ose dhe më rrallë. Por duhet thënë se edhe vetë femrat ishin të ndërgjegjshme se “nderi seksual” ishte gjëja më e rëndësishme për një femër të denjë.

Ndonëse vajzat shkonin në shkolla, dhe sikundër kam përmendur më lart disa edhe në të mesme dhe në universitet, përsëri puna për to ishte “tabu”. Përjashtoheshin vetëm mësuesia dhe ndonjë infemeri, sepër punë të tjera as që bëhej fjalë. Ishte “qyteti më perëndimor në Shqipëri”, po ku nuk kishte asnjë kamariere femër. Madje përbuzja ndaj atij profesioni vazhdoi deri në vitet ‘70, ku ishte e papranueshme që një vajzë qytetare të punonte si kamariere. Pa përjashtim kamarieret që nisën të punonin lokaleve pas mesit të viteve ‘60 ishin vajza dhe gra nga fshati, që donin të punonin në qytet.

Se sa konservatore ishte shoqëria dëshmohet në një njoftim të vitit 1938 në një gazetë të kohës. Në të thuhet se Prefektura me të drejtë do ndalojë të punojnë në lokale disa vajza të huaja që punonin si kamariere. “Të shkretat” grek, sërbe, italiane apo rumune, me siguri që kishin ardhur në qytetin me gjendje të mirë ekonomike edhe për të bërë ca para nëpërmjet një “prostitucioni të përmbajtur”, por “syri konservator” ankohej për të rinjtë dhe burrat që rrinin deri vonë duke pirë në këto lokale dhe që më pas harxhonin të tjera lekë për të tjera shërbime. Duket e çuditshme që dhe gazeta mban një qëndrim tepër lavdërues ndaj Prefekturës që kërkon të dëbojë të huajat kamariere. Mbi bazën e cilit ligj do hartohej Urdhëri i Prefekturës? E gjithë kjo histori më kujton një këngë të Fabrizio De Andreit “Buzëtrëndafilja” (Bocca di Rosa) ku tregohet se si dëbohet nga një qytezë një vajzë “libertine”.

Dhe kur shkruaj për natyra të tilla si Buzëtrëndafilja , duhet të pranoj se ishin shumë shumë të pakta në qytetin tim në fundin e viteve ‘30 dhe fillimin e viteve ‘40. Ndoshta Neta Filçeja dhe ndonjë tjetër, dhe që tregoheshin me gisht, por nuk i “konfrontonte” asnjë qytetar.

Gjithashtu konservator ishte qëndrimi ndaj homoseksualizmit, madje shumë herë më tepër se në disa qytetet të Shqipërisë së Mesme. E megjithatë raste të njohura kishte dhe nuk i denonconte njeri ose më keq, t’i fusnin në burg sikundër ka ndodhur në kohën e Diktaturës.

Ndaj “veseve” të tjera të shoqërive perëndimore, Korça ishte më e “hapur” ndaj përdorimit të alkolit nga të tre bashkësitë, gjithashtu edhe kumar luhej edhe pse ishte i ndaluar me ligj. Tombola (bingoja) luhej hapur kafeneve dhe në “Pallas” që ishte hoteli dhe resoranti më i mirë, luhej gjysëm fshehur poker, zare dhe lojëra të tjera fati. Kishte shumë të pasur që ngryseshin dhe gdhiheshin në dhomat e kumarit, ku janë lënë jo rrallë edhe pasuri të tëra.

Me një fjalë ishte një shoqëri shumë e hapur ndaj zhvillimit, ndaj jetës artistike dhe sportive, ndaj ballove dhe kurseve të dansit, ndaj librave dhe kinemasë, ndaj mësimit të instrumentave muzikore, por tepër mbytëse ndaj marëdhënieve seksuale edhe midis të rinjve që duheshin. Në mënyrë anakronike virgjëria për vajzat e pamartuara ishte “dekorata” më e lartë. Nëse dikush rekomandohej si një kandidate e mirë për martesë mjaftonin dy cilësi “e ndershme” dhe “nikoqire”. Të tjerat si zgjuarsia, talenti apo zelli për punë nuk ishin të rëndësishme. Dhe e tillë vazhdoi edhe për dy tre dhjetvjeçarë më pas. Si rrjedhojë të virgjër mbeteshin deri në martesë edhe meshkujt që vinin nga shtresat e mesme dhe të varfra, duke përjashtuar këtu romët, që kishin një koncept më “universal” për arritjen e pjekurisë seksuale dhe “aplikimin e saj” në jetë.

Në pak paragrafë, ky ishte morali i qytetarëve korçarë në pragun e Lufës së Dytë Botërore.


Shenim: Ne foto konkursi Miss Korca ne vitet '30


Morali i shoqërisë korçare në vitet e kulmit të zhvillimit të saj


Ndonëse mund të mos gjej shumë mbështetës në këtë tezë, unë kam bindjen se Korça pati kulmin e zhvillimit të saj ekonomiko-shoqëror në periudhën 1936-43 dhe prej atij viti nisi e tatëpjeta. Ata që e kundërshtojnë me të drejtë mund të thonë se mbi cilat kritere dhe të dhëna statistikore unë e bazoj këtë deklaratë. Mund të përmendin edhe se kulmi i njëqyteti arrihet kur ka edhe numurin më të madh të banorëve dhe që përkon me fundin e viteve 80 të shekullit të XX, por unë do përpiqem më poshtë të jap vetëm pak arsye se përse kam dalë në këtë përfundim dhe më pas të shtjelloj, se cili ishte morali i shoqërisë korçare në vitet që unë i quaj si vitet e kulmit të zhvillimit.

Në fund të mbretërimit të Zogut, Korça ishte qyteti me numurin më të madh të banorëve, kishte prodhimin industrial më të madh në vend, ishte një nyje tregëtare e fuqishme dhe kishte prodhimin bujqësor dhe blegtoral më të madh në vend si prefekturë. Jo më kot kishte edhe numurin më të madh të deputetëve (nëntë) në Parlamentin shqiptar. Gjithashtu kishte numurin më të madh të shkollave si dhe një jetë shoqërore-kulturore të përparuar. E gjitha kjo ishte e shoqëruar me një bum të ndërtimeve private, si dhe me ndërtimin e një sërë objektesh të mëdha të karakterit administrativ, fetar dhe shoqëror. Fuqizimi financiar arriti majën në fillimin e vitit 1943.

Nëse pas Luftës së Dytë, popullsia u rrit në mënyrë të shpejtë, kjo ishte një rritje jo e natyrshme dhe jo e bazuar në ligjet e një ekonomie të shëndoshë. U hapën edhe shumë fabrika që nuk ishin rentabël për shkak të një sistemi të planifikimit qëndror dhe të bazuar mbi pronën shtetërore. Këto fabrika kishin nevojë për fuqi punëtore, e cila solli dhe migrimin e brendshëm nga fshatrat dhe qytezat drejt qytetit. Unë nuk kam asnjë dyshim, se nëse sistemi ekonomiko-shoqëror do kishte mbetur i pandryshueshëm, Korça do ishte bërë një qëndër e fuqishme industrialo-tregëtare e Shqipërisë dhe numuri i popullsisë, të themi në vitet ‘60, do kishte arritur 50-60 mijë banorë. I tillë ishte grafiku i saj i zhvillimit në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Le të parashtroj disa ide rreth asaj që është tema e këtij shkrimi.

Cili ishte morali i shoqërisë së Korçës në vitet kur pati arritur zhvillimin më të madh.

Ka një vjershë satirike të Kristaq Cepës në ato vite, ku goditet prapambetja shoqërore dhe kulturore e Tiranës, që ishte kryeqytet i vendit. Eshtë reflektim i drejtpërdrejtë i asaj, se si bashkësia korçare, sheh shoqërinë e kryeqytetit, të paaftë për tu modernizuar, për të mbajtur pastër qytetin dhe për tu veshur në mënyrë bashkëkohore në një masë të madhe.

Korça ishte pikërisht e kundërta. Mundohej të mbante një hap në ndërtime, veshje dhe zakone jo vetëm me qytetet e zhvilluara të Ballkanit, por edhe me ato të Europës Perëndimore. Kam përmendur në shkrime të tjera ndikimin e madh të emigrantëve, që përgjithësisht ktheheshin në qytet, ndikimin e Liceut Francez dhe të shkollave të tjera të mira, si edhe këmbimet e shumta tregëtare me Italinë. Sytë e shoqërisë korçare ishin shumë më shumë të drejtuar nga Italia se sa nga qytetet e mëdha greke.

Kur përmendin moralin unë mendoj se janë disa shtylla kryesore të tij. Qëndrimi ndaj punës dhe ligjeve, raportet mes njerëzve dhe veçanërisht në transaksionet financiare, shikimi i familjes dhe të ardhmes së saj, si dhe liria apo shtrëngimi seksual.

Korça (dhe këtu po përfshi gjithë prefekturën) ka qënë zona ku jo vetëm punohej më shumë, por kishte edhe shumë më pak korrupsion, nëse krahasohej me prefekturat e tjera.

Raportet mes njerëzve vazhdonin të ruanin traditën e Mesjetës, ku ishin shumë të vlerësuara Nderi dhe Fjala e dhënë. Ka qindra e qindra shembuj që shumë marëveshje edhe të rëndësishme mbylleshin dhe respektoheshin me një të shtrënguar të dorës. Po shtoj edhe diçka tjetër për vlerësimin dhe nderimin e qytetarëve të rëndësishëm. Rakoja (Irakli Qiriaku) ishte jo vetëm tregëtari më i fuqishëm në qytet, por edhe me diferencë të madhe nga gjithë tregëtarët e tjerë. E megjithatë ai nuk ishte një njeri që nderohej. Arsyeja ishte se Rakoja i përkishte tipit të tregëtarit të një kapitalzmi të egër, që mund të përdorte çdo lloj veprimi të paskrupullt për të shtuar fitimet dhe për të fundosur konkurentët. Jeta e tij shoqërore nuk kishte asnjë lidhje me atë të së quajturës Paria e Korçës.

Për sa i përket familjes, duhet të themi se nuk mund të përcaktojmë një qëndrim unik të pjesëve të veçanta të shoqërisë korçare. Eshtë fakt se kishte dy bashkësi, madje edhe një të tretë , që ishte ajo e romëve.

Edhe pse raportet mes të krishterëve ortodoksë dhe muhamedanëve në përgjithësi ishte i mirë, shikimi i familjes dhe rolit të individëve brenda saj nuk ishte i njëjtë. Feja dhe zakonet luanin rol në të.

Tek pjesa ortodokse, ndiqeshin parimet e ngjashme me ato të fqinjëve të tjerë ortodoksë. Një familje e shëndoshë, ku rolin drejtues e ka burri, por gruaja “qeveris” shtëpinë dhe kujdeset edhe për edukimin e fëmijëve, por edhe me një prirje që të kenë mundësi të shkollohen sa më mirë. Edhe pse fëmijët meshkuj konsideroheshin disi më të favorizuar, përsëri kishte një lloj pariteti dhe vajzat kishin nisur të shkolloheshin edhe në Universitete të huaja.

(vijon)

Friday, 8 May 2026

Unë dhe Korbi - poemë (5)

 

* * *


Veç Korbi nuk kishte mëshirë.

Në kristalet e ndritura të lëngut të panjës

Shfaqeshin fytyrat e të dashurve të ikur

Pezmet e rinisë dhe dashuria e fikur,

Vargjet e humbura dhe tablotë e dramës.

Fytyrat e ngrysura të mësuesve pa mend,

Dimrat e egër kur buka shpërndahej me slitë,

Trokitjet e forta pas mesnate,

Ndërsa kamioni priste jashtë të mbushej

Me të paktat plaçka e larg të nisej kur bëhej ditë.

“Mos më mundo me pamjet makabër

Të një të shkuare të largët sa piramidat,

Me to përzjerë janë blloqet që mbyllnin hyrjet,

Muri i madh ku përplaseshin kuajt,

Duart e heretikëve të përgjakura nga vidat.

E përmbledhura Rrotë e Torturës,

Që niste me Përshëndetjen e Pionierit

Më tej nderej bangave ku ndjeheshe mbërthyer

Në një botë të thatë dhe tmerrësisht të qartë,

Nën trysninë e fjalëve dhe numurave

Të stisura për të provuar në kartë

Një univers të ndryshëm nga i pafundmi

I mrekullueshmi , i vështiri për tu zbuluar,

Për tëtë kthyer në një qënie në kollonë rreshtuar

Që niseshe symbyllaz pa të dalë gjumi

Drejt rrënimit në grup ku s’shquhej më UNI.


* * *

Thursday, 7 May 2026

A duhet rivënë në skenë “Armiku i Popullit” në Korçë?


Ndoshta nuk janë të shumtë ata që e dinë se gati 90 vjet më parë, regjisori Sokrat Mio, vuri në skenë në Korçë dramën e Ibsenit “Armiku i Popullit”. Nuk kishte një trupë profesioniste në qytet, por luajtën dhe luajtën mirë aktorët amatorë të organizatës rinore “Rinia Korçare”. Quhej organizatë jashtëshkollore se nuk kishte lidhje me asnjë nga shkollat e njohura të qytetit.

Nuk po i shkruaj këto rrjeshta as për të idealizuar shoqërinë korçare të vitit 1937 dhe as për ta krahasuar me nivelin artistik të trupës së teatrit sot. Nuk është qëllimi im dhe për më tepër nuk mund të bësh krahasime midis vlerave të një shfaqje që mund ta shohësh sot dhe të diçkaje që as e ke parë dhe as nuk është rregjistruar.

Dua të tregoj për mendësinë moderne të Sokratit dhe të aktorëve, që zgjodhën për të vënë në skenë pikërisht “Armiku i Popullit” të Ibsenit. Ndoshta dramaturgu më modern i asaj kohe dhe një më të mirët e të gjitha kohërave. E megjithatë u zgjodh një pjesë që tregonte rreth një shoqërie të largët nordike dhe disi të largët nga ajo e një qyteti ballkanik. E megjithatë ata këmbëngulën që të sillnin për spektatorët “Armikun” dhe jo të themi “Shtëpia e Kukullës apo “Heda Gabler”, vepra po të dramaturgut norvegjez.

Ishte pikërisht mesazhi që donin t’i përcillnin shoqërisë shqiptare të kohës.

Tek “Armiku i Popullit” që është një dramë edhe me elementë humori dhe satire, në qendër është përplasja e një mjeku idealist, që kundërshton funksionimin e disa banjave termale të posahapura në qytet, për shkak se kanë ndotje që dëmtojnë shëndetin e njerëzve dhe gjithashtu edhe mjedisin. “Lufta” e hapur ndaj politikanëve dhe biznesmenëve të qytetit, e le mjekun jo vetëm të vetmuar, por edhe përballë vëllait të tij, që është një figurë e rëndësishme në administratën vendore.

Dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që Mioja dhe të tjerët zgjodhën këtë dramë, për të evidentuar se i njëjti problem i madh është edhe në qytetet shqiptare dhe veçanërisht në Korçë, që ishte qyteti më i përparuar i kohës i shtetit shqiptar. Ishin përplasjet e korçarëve të kthyer nga universitetet europiane me administratën e ngathët dhe të prapambetur të regjimit të Naltmadhnisë së tij. Dhe sigurisht që pjesa teatrale do ndikonte në shoqërinë korçare për të marrë anën e të shkolluarve të mënçur dhe të pakorruptuar përballë shumë nëpunësve dhe politikanëve anadollakë.

Nuk mund të them nëse ata që merren me teatrin sot në Korçë kanë mësuar rreth pjesës në fjalë në Institutin e Arteve. Sigurisht që kanë bërë në leksione Ibsenin edhe pse nuk di që teatri i Korçës, në 75 vjet të ekzistencës së tij të ketë vënë në skenë ndonjë nga veprat e dramaturgut të madh.

Por shoqëria jonë, sot më shumë se kurrë ka nevojë të shohë pjesën në fjalë. Sepse më shumë se kurdoherë, intelektualët idealistë (presupozoj se ka të tillë) mbyten menjëherë nga politikanët, madje të të dyja krahëve.

Po përmend vetëm një aspekt, të cilin e njoh dhe e kam prekur shpesh në shkrime. Ndërtimet shumë të dobëta të projektuara nga arkitekti Uillson, kompleksi i Belvederes që jo vetëm nuk qëndron mirë, por ka dëmtuar shumë një pjesë të rëndësishme të gjelbëruar, si dhe ngjeshja e ndërtimeve brenda lagjeve kryesore, që ka cënuar së tepërmi kushtet natyrore të banimit që janë drita e diellit dhe gjelbërimi i domosdoshëm për pastrimin e ajrit.

Edhe nëse nuk ka përplasje të hapur të një “mjeku idealist” me Bashkinë, përsëri është një përplasje e heshtur e opinionit publik, që nuk ka kurajo të ngrihet dhe të protestojë, por vazhdimisht shprehet kundër problemeve që preka më lart. Dhe pikërisht për këtë ka frikë se mund të etiketohet “Armik i Popullit” sikundër mjeku Stokman në dramën e Ibsenit.

Dikush me të drejtë mund të thotë, se kjo pjesë teatrale pikërisht për këtë arsye nuk mund të gjejë dot skenën. Teatrin e kontrollojnë politikanët që kanë Qeverinë dhe Bashkinë. Por nëse edhe artistët e qytetit tim “kanë shitur shpirtin”, atëhere do më duhet me keqardhje të them, se gjendja është gati e pashpresë.

Në shfaqjen e vitit 1937, të pritur shumë mirë nga spektatorët, luanin Dhimitër Trajçe, Vangjel Grabocka, Andon Pano dhe të tjerë. Trajçeja e rivuri në skenë në fundin e viti 1944 me Teatrin partizan të krijuar në fund të luftës. Edhe vetë Dhimitër Trajçeja do kishte fatin të shpallej gati “Armik” nga shteti diktatorial, i cili u mjaftua me përjashtimin e tij nga Partia, gjë që e bënte pionierin e teatrit shqiptar të ndjehej gjithnjë i rrezikuar.

Eshtë ky fat i intelektualëve të ndershëm dhe idealistë në shumë shoqëri dhe veçanërisht në ato me sisteme autokrate.

Nuk kam shpresë se spektatorët korçarë do munda ta shohin shpejt në skenë veprën domethënëse të Ibsenit.

Shqipëria nuk ka nevojë për Idealistë!

Ku je o Kolloz!


Një shoqja ime më tregonte para disa ditësh, që në Facebook, i cili është i mbushur me vlerësime për të gjallët dhe të vdekurit, qarkullon edhe shprehja “Je Kolloz!” dhe u zilepsa. Se nuk dua të më thonë as “respekte”, as “ikonë“, as “legjendë“, por po të më quanin “Kolloz” do ndjehesha vërtet “i plotësuar”, Se nuk mund të jesh më shumë se Kolloz. Disa parapëlqejnë ta shkruajnë Kolos ose Kollos, por mua më pëlqen varianti me z në fund. Me të i ke thënë të tëra.

Se mendo sikur të më drejtoheshin me shprehjen “je Kolloz i letrave”, apo “O Kolloz i mendimit karakteristi korçar” apo akoma më tepër “O Kolloz i arkitekturës ishbashkëkohore!” Sa bukur do tingëllonte!

Vlerësimi me këto emra të përgjithshëm nuk është i ri dhe aq më pak i periudhës së mediave shoqërore. Në shkollë, një bashkëstudent i imi ju drejtohej të tjerëve me shprehjen: “Po ku je o Kuadro!” dhe kjo ngjiti, sa unë edhe sot i drejtohem me “kuadro”. Po ashtu një ortaku im ju drejtohej të njohurve dhe të panjohurve me cilësimin “Figurë“ dhe me këtë ishte brenda se nuk kishte nevojë t’ju sqaronte se nuk ja u mbante mend emrin dhe se do ja u harronte sakaq edhe po t’ja theshin. Me të papërcaktuarën “figurë“ ishte brenda se me përkëdheli ju kishte thënë se ishin njerëz të njohur dhe me vlera. I gjithë qyteti e dinte këtë dhe e quante “Leko Figura”. Veç një kryetari komune, që nuk ishte i sigurt për fjalën dhe që poshtë shtëpisë i thërriste që të dilte në dritare “O fytyrë! O Fytyrë!”

Po gradat “kuadro” dhe “figurë“ unë i kam marrë në rini dhe tani nuk mund të pranoj asnjë tjetër veç “kolloz”.

Se edhe të tjerat më të larta se dy të parat dhe që janë “ikonë“, legjendë“, “gjigand” dhe “faktor” janë bërë aq bozë sa nuk më duken të vlefshme për profilin tim profesio-intelektual.

Por kur mendoj se krahasohem me atë të Rodosit, në shalët e të cilit kalonin anijet stërmëdha me vela atëhere miklohem, ndjehem Dikushi dhe them se mund të kem një vend në historinë e Dusharit, fshat nga i cili e kam dhe origjinën.

“Kollozi nga Dushari” mund të shkojë shumë mirë, pa përcaktuar se në cilën fushë të mendimit, shkencës apo aplikimit unë jam ngritur mbi supet e Kollozëve të tjerë.

Si shumë po kërkon” do hidhet menjëherë avokati im dhe do më kujtojë se askush nuk më mban as për “kuadro” se në të kundërt do më kishin “dhënë akses” në fondet e Bibliotekës “Thimi Mitko”. Dhe vërtet, tani që po e mendoj “hollë hollë“ unë nuk kam aspak famën e një “Kollozi” as në qytetin tim dhe aq më pak në Qarkun e Korçës, ku përfshihet edhe Dushari ku ka lindur gjyshi. Se po të kisha edhe pakëz nam, Kryetari i Këshillit të Qarkut do kishte vënë një postim në Facebook ku të më uronte ditlindjen me tekstin e përafërt: “Si sot lindi në Korçë kollozi i mendimit kritik korçar, që me punën e tij ka nderuar fshatin Dushar të origjinës, lagjen nr 7 ku ka jetuar dhe më gjërë.” Dhe këtu nuk kishte as përse të përplasej me gruan e tij që qëlloi që është Drejtore e Bibliotekës, se në shkurt unë nuk kisha bërë asnjë kërkesë për “akses” në dosjet e digjitalizuara.

Por kjo nuk do më detyrojë që të pajtohem me cilësimet “ikonë“ apo “faktor”. Ose të më thërresin Kolloz o hiç fare! (Se dhe kam vuajtur pak nga kompleksi i Napoleonit në rininë e hershme.)

Po qe se shumë shpejt ja arrij ta fitoj këtë cilësim mendoj se do e kem më të lehtë të fitoj edhe në zgjedhjet e ardhme për përfaqësues i popullit në Parlament. Se psh deputetin më të famshëm nga Korça, zotin Tedi Blushi nuk kam dëgjuar ta quajë njeri “kolloz”.

Nuk mund të kënaqem me pak!

Nuk jam as Jovan Bregu, për të cilin i biri theshte me gojën plot “vdes për tu bërë njëçiçkë magazinjer!”

Magazinjerllëkun ja kisha lënë Selkës dhe Habibit që në të mesme, sepse unë synoja la e më la.

Dhe do t’ja arrij një ditë!

Edhe ju të gjithë do më shkruani në komente:

Ku je o Kolloz!”

Wednesday, 6 May 2026

Met Gala dhe galat imituese


Këtë maj, kur jo vetëm qindra rusë dhe ukrainas vriten çdo ditë, kur rrezikohemi të përshihemi në një konfrontim ndoshta dhe bërthamor, kur rreziku i një krize globale ekonomike që do shkatërrojë miliona jetë njerëzish po troket, lajmet kryesore të javës janë rreth të përvitshmes Met Gala.

Foto të shumta të VIP-ave të veshur “për të lënë mendjen”, komente se kush ishte dhe kush nuk ishte, një shkëlqim vanitoz dritash dhe ngjyrash, marramendës për shumë njerëz me xhepat plot dhe me kokët bosh, por që miliona të tjerë në botë i bën t’ju përzjehen rropullitë.

Ka më pak se 80 vjet, që kur ka filluar kjo “ngjarje”, që tani e kalon edhe parakalimin e yjeve të Hollivudit në qilimin e kuq. Edhe ai një parakalim po aq vanitoz, por që është pjesë e jetës së vendeve perëndimore dhe veçanërisht e grave.

Gala në fjalë është krijuar për të mbledhur fonde për Institutin e Kostumeve, pra për të nxitur zhvillimet në industrinë e Modës së veshjeve. Bileta deri në vitet ‘70 nuk i kalonte 100$ ndërsa këtë vit, kur njerëzit vriten më shumë se kurrë dhe benzina është dyfishuar, bileta ishte 100 mijë $.

Nuk do më binte ndërmend të mësoja se ç’ishte Met Gala, se përgjithësisht shfaqje të tilla më duken thellësisht të shëmtuara dhe të shkëputura nga realiteti. Nuk ka mbushur një javë, që diçka e ngjashme ishte gjatë garës së famshme me kuaj në Kentaki, ku gratë pasunare vishen luks dhe venë në kokë disa kapele idiote. Por atje të paktën është një manifestim i të pasurve, që nuk kanë ç’i bëjnë paratë, por venë baste se cili kalë do dalë i pari. Ndërsa Met Gala dhe gala të tjera të mëdha dhe të vockëla që e imitojnë kanë pretendimin se bëhen për të mbledhur fonde për çështje, jo rrallë, shumë humanitare.

Me moton : Shikomëni mua sa bukur vishem se po mbledh fonde për të uriturit në Etiopi!

Për të kuptuar më mirë se cilët janë organizatorët dhe promovuesit e Met Gala mjafton të përmendësh Ana Uintur (Anna Wintour) që prej më se 30 vjetësh është “Presidentja” e Galas. Bazuar tek ajo është krijuar filmi “Djalli vesh Prada” dhe karakteri i luajtur nga Meril Strip.

Edhe pse nuk jam as femër dhe as gay, mundohem ndonjëherë të kuptoj nëse ka diçka të logjikshme dhe njerëzore në këtë “mahnitjen” ndaj veshjeve që duhet të kesh në ngjarje të rëndësishme si dasma, koncerte të Vitit të ri në Vienë apo në ballot për përurimin e Presidentit amerikan. Ndonjëherë i them vetes se është e ngjashme me tërheqjen që njerëzit kanë drejt arteve vizive. Por është një “mrekullim” kaq i shkurtër, kaq i përkohshëm dhe aq i paqëndrueshëm po i njëjtë si Moda e veshjeve, që ndryshon tani më shpesh se njç herç nç vit, për të rrëmbyer nga xhepat e njerëzve që “rrojnë për tu veshur” edhe ato para që nuk i kanë. Se nuk ka asnjë kuptim që veshjet ndryshojnë kaq shpesh dhe që duhet të ndjekësh se ç’është “trendy” dhe se ç’farë ngjyrë ta kesh veshjen kur shkon në një restorant klasi. Nga frika se mos të qeshin kokëboshët që njohin me themel modën e fundit.

Më keq akoma është kur një “vanitet “ i tillë përdoret si karrem për të tërhequr VIP-a dhe pasunarë për të mbledhur fonde për arsimin, shëndetsinë apo për fëmijët palestinezë që kanë humbur gjymtyrët nga bombardimet e izrailitëve.

Nëse jam një student që nuk paguaj dot koston e lartë të Universitetit; nëse jam një i sëmurë me kancer që nuk di se sa jetë kam dhe nuk paguaj dot operacionin; nëse jam një fëmijë që kam nevojë për një protezë apo një karrige me rrota undë do pështyja në Gala të tilla ku pres të zgjidhin qesen të pasurit se duan të duken bukur dhe jo shumë të shëndoshë. Janë shfaqje të shëmtuara, që nuk prekin askund themelet e deformuara të sistemeve qeveritare të vendeve të zhvilluara. Përkundrazi ju venë atyre një maskë humanitare, filantropie dhe dashurie njerëzore. Nuk ka asnjë fije dashurie njerëzore tek njerëzit që kërkojnë të demonstrojnë “klas” kur mbledhin para për të gjorët.

Unë (dhe shumë të tjerë si unë) dhjes mu në “klasin” e tyre të rremë!

Të kesh klas do të thotë të ndjesh se përse vuan ai njeriu që fle nën urë; përse duhet të punojë si striptiste studentja që nuk paguan dot shkollën për infermiere; përse nuk mund të paguajë seancat e kemioterapisë dikush që nuk është në gjendje “të navigojë sistemet e sigurimeve shëndetsore”. Dhe të luftosh në çdo mënyrë për to. Për të ndryshuar ligjet që i lenë njerëzit e sëmurë të flenë në çadra parqeve, që detyrojnë vajzat e reja të prostituojnë, që lenë të vdesin një të sëmurë me kancer. Dhe të luftosh çdo ditë me sa mundesh. Me diskutime rreth fateve të njerëzve në vend se të diskutosh se sa bulur dukeshin lulet në fustanin e Nikol Kidman apo a i dukej vendi i fshehtë Bleona Qerretit nën veshjen rrjetë. Me protesta të mëdha për të ushtruar trysni mbi ligjvënësit’

Ky është “klas” dhe jo ai që kanë vendosur tradicionalisht të pasurit për tu dalluar nga njerëzit që nuk kanë.

Bëni një gala ku veshja të jetë si atyre që flenë nën urë. Të bëni njerëzit e ndërgjegjshëm se sa keq është të jesh i pangopur, i veshur keq dhe të mbash erë.

Atëhere do bindesha se kini KLAS.

Ku haje ti student?


Pyetje shumë e përgjithshme, sepse studentëtë janë të shumtë në botë dhe gjithashtu janë shumë të ndryshme kohët e studentëve universitarë. Në kohët e para Luftës së Dytë, ishte karakteristikë e studentëve në Europë të kishin vështirësi për të ngrënë. Gjelltoret dhe restorantet ishin të shtrenjta dhe një pjesë jo e vogël, hante pensioneve dhe shumë herë nuk kishte të paguante për “vaktin” e ardhshëm. Nuk kishte hyrë ende sistemi i konvikteve dhe mencave, që është dukuri kryesisht e pasluftës së Dytë, Ka dy vargje të këngës së njohur të Aznavur “La Bohemë“, ku jepet në mënyrë konçize se ç’ndodhte me një student arti në Paris në vitet ‘30.Unë që ngordhja urie/ Dhe ti që pozoje nudo

Por situata ndryshoi veçanërisht në vendet e quajtura socialiste, ku Universitetet dhe arsimimi u bënë “pronë e të gjithëve”. Të njëjtin model ndoqën edhe vendet perëndimore europiane dhe jeta e studentëve edhe pse e varfër nuk ishte më ajo, kur duhej të punoje ose “të pozoje nudo” për të përballuar studimet.

Por unë të gjitha këto i kam të lexuara se njoh vetëm kohën kur kam qënë vetë student në Tiranë dhe edhe pse shteti kishte krijuar menca për studentët, ushqimi përgjithësisht linte shumë për të dëshëruar. Nuk di nëse furnizimet ishin të kufizuara apo në se vidhej shumë, por në ato të pakta raste kur kam ngrënë bashkë me shokët e mij, nuk kemi qënë kurrë të kënaqur.

Funksiononte në këtë mënyrë e ngrëna në mencë. Paguaje për gjithë muajin (tek Jorgjia) dhe nuk jam i sigurt në ishte dicka mes 2400-2500 te vjetra dhe paiseshe me “latat” që kishin një vleftë të ndryshme për vaftet e ndryshme. Pjesët e vogla të letrës me datë dhe “vakt” të shënuar ja jepje kuzhinieres dhe zgjidhje mes disa gjellëve që ofroheshin në drekë, sepse mëngjesi dhe darka sikur kishin vetëm një opsion. Ata që Partia dhe Qeveria i paiste me bursë ose gjysëm burse, i merrnin falas “latat” dhe ishin të detyruar të hanin në mencë. Atë që ishte gatuar dhe racionin që të jepte kuzhinierja e trashë, që shërbente atë rradhë. Buka blihej në hyrje të mencës tek një punonjëse tjetër dhe gjithkush blinte sa i haej. Buka ishte e zezë dhe “bio”, por përgjithësisht të gjithë studentëtë dhe veçanërisht vajzat “buçkoseshin” në Qytetin e Studentit. Nuk kishte asgjë poetike mencave. Të rinj të uritur që ngopniin barqet me disa ushqime që në shtëpi nuk do i vinin në gojë. Por ndoshta kishte këmbime vështrimesh dhe ëndërra erotike, që shtoheshin pasi barku mbushej “dingë“.

Unë isha në student “i përkëdhelur” (bashkë e shokët e mij) sepse prindërit e kishin parë të arsyeshme, që të merrnim nga 4 mijë të vjetra në muaj, që t’ju kushtoheshim mësimet dhe të na bëhej koka sa një qyp me tule dhe dije. Dhe ne nuk i zhgënjyem për tulet. Dijet i lamë për të ardhmen.

Ju drejtuam restoranteve të Tiranës, dhe veçanërisht “Vollgës”, që atë kohë kishin nisur ta quanin “Drini”, por ne si simpatizues të Eseninit dhe Majakovskit ne vazhdonim ta quanim “Vollga”. Kështu i linim në fillim takimet për drekat dhe më vonë nuk kishte nevojë as për të lënë takim se i dinim oraret dhe tavolinën ku uleshim. Nën kontrollin dashamirës të kryekamarierit Bajram Haruni.

Ishte vërtet restoranti më i mirë në Tiranë. Ndoshta ja kalonte vetëm restoranti i posahapur i 15-katëshit, por atje jo vetëm që nuk shkonin studentët, por edhe të tjerët drekonin dhe darkonin rrallë. Vollga darkave kishte dhe një orkestër të mirë që luante muzikë orkestrale të huaj.

Studentët nuk ishin të shumtë, por mes të rregulltve kishte korçarë, gjirokastritë dhe disa shkodranë. Nuk patëm parë në katër vite studentë të tjerë të hanin rregullisht. Por shumë studentë të hanin në “Arbëria”,“Donika”, “Internacionali”, “Elbasani” dhe në SHQUP. Tek ky i fundit hanin vetëm ata që kishin mundur të gjenin fletë-hyrje se gatuhej mirë dhe çmimet ishin të arsyeshme.

Ka raste, kur bisedojmë me studentë të kohës sonë dhe disa tregojnë se nuk hanin në Mencë, më lind dëshira për të kujtuar ato kohë, madje edhe “menutë“ e restoranteve, që disa i kishin shumë “fikse”. Dhe i pyes si në titull: Ku haje ti student?

Ka syresh që hanin në “Donika”, në “Interi” ose në “Elbasani”, por ka dhe që e kanë pasur “ëndërr’ të hanin në restorant dhe disa raste të veçanta që kanë pasur gjatë katër viteve, ju kanë mbushur mendjen që hanin gjithnjë atje. Nuk janë të shumtë dhe ndoshta as duheshin përmendur, se studentët sigurisht që hanin sipas mundësive financiare të familjes , ndaj se të haje në mencë ose në “Vollga” nuk ka të bëjë aspak me atë se cili je ti. Ndoshta edhe më të shkëlqyerit ishin ata që hanin në Mencë. “Restorantistët” pasi kishin ngrënë rëndë dhe kishin pirë edhe ndonjë “plloskë“ me verë, do bënin goxha rrugë deri në Qytetin e Studentit dhe më pas do i futnin një “birko gjumë“ që të “honepsin” ushqimin. Ndaj dhe studionin më pak dhe si përfundim nuk shkëlqenin. Por përsëri vihesh para dilemës të shkruar bukur nga Milloshi “Më mirë Sokrat i vuejtum apo derr i kënaqum”.

Unë dhe shokët e mij zgjodhëm të ishim derra të kënaqum.

Unë dhe Korbi - poemë (4)

 

* * *


Kokën luajti rrëmbimthi në një t’vetëm çast

Dhe sfondit shqoi profili i tij i mprehtë

Sqepi i verdhë, i fuqishëm me një pikëz gjaku

S’doja as një grimcë të humbja nga ai rast

Ndaj pa lëvizur muskul u ngujova tek pragu.

“Do e thotë tashmë Kumtin.

Të shtojë të mistershmen është e kotë.

E kupton që pa u tutur po e pres Fundin

Edhe pse dua sa më shumë të vërteta të di,

Para se të ik nga kjo Botë.”

Ai sqepin hapi dhe lëshoi një “Krrauuu...”

Klithmë që mureve të erës u përplas

Si një piskamë therrëse Luginën përtej çau

U duk se u përkulën mështeknat

Panja e madhe që më bën hije verës

Në trungun e vjetër, nga del lëngu ngjitës, keqaz u plas.

Dukej që ishte i Përtejmë

Ai shpend i madhërishëm me forcë magjie

Që me një të vetme krakaritje

Drurin e fortë gjithë nyje dhe fije

Në dysh e ndante dhe prej tij nxirrte

Dhjetra dhe dhjetra botë, të vocërra por në rritje.

Në gjithsejcilën syresh

Si të përthyera në një prizëm shihja dritë,

Të dhimbshmet dhimbje të viteve shihja,

Dyzimet, thashethemet, kërcënimet dhe shpifjet

Ato që pata kaluar në të hershmet ditë.

“Ndale shpend i mallkuar!

Ndale këtë të llahtarshme magji,

Ku kujtimeve më shumë ngjyra ju jep;

Ku përjetoj ato çka kam dashur të fshija,

Ku sendërtohet tmerri që hoqa në rini!”


* * *

Tuesday, 5 May 2026

Dy fjalë për shkollën e muzikës “Tefta Tashko”


Në një diskutim me bashkënxënësit e mij, që kanë qënë me mua në atë shkollë dhe më pas kanë vazhduar edhe të mesmen po atje, u prek niveli cilësor i saj. Ishte një shkollë e re, e bërë më vete në vitin 1970. deri atë kohë kishte qënë fillimisht si klasë muzike e shkollës “Mësonjtorja e Parë“ dhe më pas e asaj “Themistokli Gërmenji”. Meqënëse mbeti brenda godinës ku ishte shkolla e mesme e përgjithshme deri kur jam larguar unë nga e mesmja, historitë e dy shkollave ishin disi të përzjera dhe ne edhe pse tek e përgjithshmja dinim diçka se ç’ndodhte tek Muzika.

Një nga bashkënxënëset këmbëngulte që ishte shkolla më e mirë në Shqipëri në ato kohë, gjë që përputhej edhe me vlerësimet e mësuesit të muzikës Vaskë Kolaci dhe të ish-prefektit Nertil Jole, dikur nxënë i asaj shkolle.

Me “shpirtin e kundërshtimit” unë kërkoja disa prova rreth cilësisë së saj në vitet prej 1966 dhe deri më 1978. Me keqardhje kisha konstatuar në vite, që shumë nxënës që studionin me orë të tëra në 8-vjeçare dhe në të mesme violi dhe piano, ose nuk arrinin të shkonin në Institutin e Arteve, ose edhe kur pranoheshin atje, nuk shkëlqenin si instrumentistë. Dhe vërtet ishte për të ardhur keq, se disa prej tyre kishin qënë nxënës shumë të mirë në lëndët e përgjithshme, por kishin ndjekur ëndërrën të bëheshin instrumentistë të mirë, dirigjentë ose kompozitorë. Një ëndërr vërtet shumë e bukur, por që veç sakrificave kërkonte edhe mësues shumë të mirë. Historia botërore e muzikës ttek të gjitha shembujt e gjenive i ka që shkojnë nga një mësues i shquar tek një tjetër. Vërtet nuk shkruaj që tek ne do dilte Listi apo Paganini, por disa nxënës ishin vërtet të shumë talentuar dhe shumë të përkushtuar sa mendoj se nëse nuk kanë qënë mes yjeve të muzikës shqiptare, diçka nuk ka shkuar mirë tek shkolla “Tefta Tashko”. (E theksoj në vitet e sipërpërmendura.)

Përse mund të vlejë ky shkrim? A ka kuptim që të vihen në “peshoren e cilësisë“ mësuesit e shkollës së Muzikës të 12 viteve të sipërpërmendura?

Nëse e mendoj thellë, vërtet më duhet të pranoj që nuk ka asnjë vlerë për lexuesin që nuk ka lidhje me muzikën në përgjithësi dhe me shkollën në veçanti. Por nëse do isha dikush që kisha humbur sa e sa lojëra të fëmijërisë dhe rinisë për t’ju kushtuar një ëndërre fisnike, një shkrim të tillë do e lexoja dhe mund të thoja që është një “shkrim thellësisht i gabuar” ose se “ka diçka të vërtetë në të.” Të gjithë kemi nevojë të hedhim një sy në fillimet e shkollimit dhe të hapave drejt profesionit.

Pas thuajse 50 vjetësh nga ajo periudhë lexon shkrime dhe komente që e kujtojnë “Tefta Tashkon” jo vetëm me nostalgji, por edhe në mënyrë të ekzaltuar. Përmenden suksese, lista të gjata me emra mësuesish, tituj dhe dekorata dhe askush nuk shpreh as më të voglën dhimbje, për ata fëmijë që sakrifikuan aq shumë dhe nuk e arritën ëndërrën jo për kufizimet që kishte sistemi, por se shumë nga mësuesit e listës ishin vetë “dështakë‘ dhe si të tillë nuk mund të formonin instrumentistë të shkëlqyer. Korit të lavdëruesve i bashkohen thuajse të gjithë që kanë kaluar nga ato banga edhe pse thellë brenda vetes e dinë të vërtetën. Eshtë si të rishikosh filmin “Tingujt dhe Fëmijët”, që ishte një film gjysëm artistik dhe gjysëm dokumentar, që tregonte se sa bukur shkonte çdo gjë në shkollën e Muzikës.

Nuk ka qënë kështu. Këtë e dinë më mirë ata që kanë bërë atje 12 vjet dhe veçanërisht ata , që në Institutin e Arteve kanë studiuar krahas nxënësve, që vinin nga shkollat e tjera të muzikës.

Një nga mësuesit e parë të asaj shkolle, i quan si të “lavdishme” vitet prej 1965 deri më 1974 në një fjalë të mbajtur para nxënësve më 2005. Dhe materialin e e paraqitur e quan të përgatitur edhe në bashkëpunim me mësueset Besa, Lefkë dhe Maqkë. Më pas thekson se “shkolla mori të tatëpjetën” kur drejtoria nisi të bashkëpunojë me Degën e Punëve të Brendëshme?! Po sipas tij, kur rikthehet në vitin 1986, e gjen shkollën “të degraduar”. Më duhet të them, se instrumentistët më të mirë janë përgatitur pas vitit 1980, në sajë të një numuri jo të vogël pedagogësh të rinj të dalë nga Instituti. Por në atë mbledhje përkujtimore të vitit 2005, askush nuk ngrihet e të thotë që “këto nuk janë të vërteta”. Askush nuk ngrihet e të thotë, që vërtet kemi punuar dhe kemi përgatitur shumë nxënës, por për shkak të mangësive tona “kemi marrë edhe shumë më qafë“.

Reflektimi në një moshë të caktuar rreth arritjeve dhe të metave në punë është i domosdoshëm për cilindo. Jo thjesht për ndershmëri intelektuale apo për hir të së vërtetës. Veçanërisht tek mësuesit kjo është e domosdoshme për t’ju përmbajtur misionit fisnik që i kanë caktuar vetes që në krye të herës.

Por kjo bëhet duke pranuar kufizimet, që mund të ishin të kohës dhe mund të ishin të formimit , por mund të ishin edhe të neglizhencës. Sepse me punën e tyre ata kanë ndihmuar ose dëmtuar ëndërrat e bukura të shumë fëmijëve që donin të bëheshin muzikantë dhe jo sazexhinj. Dhe ashtu si i pëlqen mësuesit kur sheh nxënësit që “fluturojnë“ në profesion ashtu edhe duhet t’ju kërkojë të falur për kusuret e tij.


Monday, 4 May 2026

Miopia dhe kokëfortësia e atyre që abuzojnë me pushtetin


Abuzimi me pushtetin (edhe me të thjeshtën gjë që ke në dorë) ësjtë karakteristika kryesore e shoqërive të prapambetura. E kemi parë në çdo aspekt të jetës nën Diktaturë. Abuzonin thuajse të gjithë. Nga Diktatori dhe deri tek kapteri i thjeshtë, që ishte magazienier i depove ushtarake dhe që “mund të ta nxinte jetën” se nuk e kishe pastruar mirë automatikun apo se pelerina prej muashamaje, kishte një birë që nuk e kishte pasur më parë.

Ata që nuk abuzonin me “atë që kishin në dorë“ ishin njerëzit më të mënçur, më mendjehapur dhe më të formuarit si karaktere. Ata kishin kuptuar që të abuzoje ishte jo vetëm miopi, por edhe mendjelehtësi edhe mungesë e lirisë vetiake. Por nuk ishin të shumtë. E megjithatë hasje jo pak në rradhët e mësuesve, mjekëve dhe shkencëtarëve. Ndonjëherë edhe tek ndonjë përfaqësues i ligjit.

Për fat të keq, edhe pse kanë kaluar më se 50 vjet nga koha e fëmijërisë dhe adoleshencës së brezit tim, abuzimi me pushtetin nuk është pakësuar. Madje duke qënë “levë“ kryesore e “të kapurit ndonjë lek”është bërë edhe më masiv. Tani sheh nëpunës nga më të rëndomtët, që i bëjnë teje të vështira proceset e shërbimit ndaj qytetarëve për të krijuar mundësinë e “xhvatjes”, ose edhe thjesht për ‘të të quajtur nder” diçka, të cilën e kanë për detyrë ta bëjnë. Ka raste që të tilla “abuzime” kanë kaluar në çmenduri kriminale, se ju është refuzuar shërbimi mjekësor njerëzve që ju rrezikohej jeta.

Eshtë një nga dukuritë më të urryera të një shoqërie. Ndodh jo rrallë që njerëz “që kanë pak në dorë“ ja u bëjnë jetën të vështirë grave dhe vajzave të bukura për të fituar favore seksuale dhe ju duket edhe si ‘po normal, unë dua të fle me atë pjeshklën”.

Dua të ilustroj më pishtë këtë dukuri me një sjellje tërësisht “idiote” të një “institucioni” që “ka në dorë një shërbim ndaj qytetarëve”.

Eshtë përgjigja e fundit që kam marrë nga Biblioteka “Thimi Mitko” në lidhje me një kërkesë të thjeshtë për leximin nga ana ime të numurave të një gazete të vitit 1937. E kam prekur në dy shkrime të ashpra dhe disa lexuesve ju krijohet përshtypja se po “bëj shumë zhurrmë për asgjë“, por e gjitha ka të bëjë me “murin” që krijojnë ata që kanë diçka në dorë. Në rastin tim nuk është ndonjë dëm i madh për “qytetarin viktimë“, por në raste të tjera si në kthimin epronave, në legalizim të ndërtimeve , në pjesëmarrje në tendera etj etj. e njëjta dukuri është me pasoja të llahtarshme.

Po ve sërish të plotë përgjigjen e “Thimi Mitkos” ndaj kërkesave të mija. (Askush nuk ve emrin si punonjësi që merret me rastin tim, ndaj dhe unë do i referohem emrit të rilindasit të ndjerë.)


Eshtë qesharake, se si “Thimi Mitko” këmbëngul për të mos bërë shërbimin ndaj një lexuesi. Tani nuk mund të mbrohet më pas ligjeve dhe rregulloreve të sajuara, por shpik ‘ngritjen së shpejti të një domeni publik”. Dhe pikërisht “Thimi Mitko”, që prej 5-6 vitesh që ka ndërruar shtëpi, nuk ka as librat që kishte për t’ja u vënë në dispozicion lexuesve.

Eshtë në mënyrën më të qartë abuzimi me diçka krejt të vogël që “Thimi” ka në dorë. Logjika se “kujton ti se do marrësh ato që kërkon pas gjithë atyre sulmeve që ke bërë ndaj meje?!”

Po e përsëris edhe njëherë se çdo qytetari shqiptar, që ndeshet me sorrollatjet nëpër zyrat e administratës së çdo niveli në Shqipëri, shqetësimi im mund t’i duket qesharak. Por është e njëjta dukuri. Në këtë rast, sorollatja që më bëhet mua nuk më bëhet për të kërkuar para, por thjesht për të treguar se ne jemi dhe “Ali dhe Kadi” dhe po mos dish të sillesh, dimë ne si të sillemi me ty.

Prandaj edhe kokëfortësia e këtij rasti e bën “Thimi Mitkon” edhe më miop, edhe më rropullipërzjerës.

Ndoshta duke qënë në këtë “biznesin e leximit”, punonjësit e Bibliotekës do arrijnë të lexojnë më mirë edhe këto rrjeshta, edhe emailet e mija, për të kuptuar se po dëshmojnë gjithnjë e më tepër se sa pak fara kanë brenda kafkave të tyre.

Sunday, 3 May 2026

Unë dhe Korbi - poemë (3)

 

* * *


“ Unë nuk kam humbur timen Lenorë

Nuk kam as një të dashur që dergjet sëmurë.

Unë nuk kërkoj nga kush Përjetësinë

As të di se ç’do ndodhë në të ardhmen orë

Nuk dua t’ja di as në krakarit Kurrë!

Por nëse qiejeve zbrite të më gjesh të zbehur

Të frigur nga vdekja që po afron,

Të them prej vitesh e kam trupit pështjellur,

Veçanërisht të ftohtave netë,

Kur edhe dielli të dalë vonon.

Ndaj nëse ke ardhur të më thuash se Përtej

Atje ku qielli merr fund dhe është një e zezë birë

Që bën gjithshka të zhduket e s’ka më Hapësirë

Se atje gëlltiten me miliona diej

Gjithshka merr fund e nuk do jem i lirë,

Më duhet të të them se për mua s’është e re

Kur të ftohtët shkon drejt absolutes Zero

Kur nuk di nëse teposhtë a në ngjitje je

Të vërtetën e dhimbshme në palcë kam ndjerë

Kam kuptuar se kur s’do jem Këtu nuk ka Atje.

Ndaj mos më mundo me heshtjen që nuk flet,

Por sillet rrotull në të ideve eter

Ku gjithkush atë që do të lexojë zgjedh,

Atë që i duket më e çmuar rrëmben,

Atë që e bën të ndjehet i Përjetshëm merr.”


* * *

Saturday, 2 May 2026

Petrika Pllaha dhe Kolegji “Preka”


Petrika Pllahën e kam njohur në vitin 1992. U emërua drejtor i Drejtorisë Arsimore prej nga varej edhe Qëndra Ekonomike e Arsimit , ku punoja ato kohë. Kisha dëgjuar që ishte nga mësuesit më të mirë të fizikës në Korçë dhe e njihja si fytyrë, por nuk më kishte lidhur puna. I takonte edhe një brezi shumë vite para brezit tim. Kur u njohëm më pat përmendur edhe një lidhje miqësie mes familjes së tij dhe familjes së babait tim. Nuk dija shumë hollësi rreth Pllahave, veç që ishin një familje shumë e mirë korçare dhe kishin qënë të kamur. Naum Pllahën, kushëririn e tij të parë e pata njohur, se bënte gjithë punën planifikuese të Seksionit të Arsimit në kohën e Diktaturës. Një njeri zotni.

Petrika kishte vrullin dhe idealizmin e dikujt, që donte të kthente sistemin e vjetër arsimor, në një sistem të lirë dhe modern. Me njohuritë që kam nuk di se sa arriti, sepse për atë gjë nuk mjafton vetëm vullneti i një njeriu. Duhen edhe shumë bashkëpunëtorë dhe për fat të keq Pllaha nuk kishte të ngjashëm rreth tij. Madje kishte dhe nga ata që abuzonin pas shpinës së tij.

Por sot dua ta kujtoj mikun tim të vetëm 4-viteve, për diçka, që vërtet ja dhuroi Korçës dhe nga e cila kanë dalë kaq breza nxënësish të formuar mirë, dhe shumë syresh shkëlqejnë sot në botë.

E kam fjalën për Kolegjin “Preka”, ose që ndryshe quhet Shkolla e Maltës.

Në vitin 1991 ishte ngritur në Korçë një degë e misionit të Nënë Terezës, ku jetonin disa murgesha (njëra prej tyre kosovare) dhe një prift katolik kanadez At Gery Uolsh (Garry Walsh). Nuk di se si u njoha me At Gerin, ndoshta gjatë përpjekjeve që ai bënte për të marrë një truall nga shteti për të ndërtuar Kishën Katolike. U takova disa herë me të, sepse më pëlqente të flisja anglisht, një gjuhë që e kisha mësuar në shkollë, por e kisha tepër pasive. Trualli u miratua dhe Kisha nisi të ndërtohej sipas projektit të arkitektit Arben Spaho. Në vitin 1992, At Gery më kërkoi të takoja dy gra të pasura nga Malta, Kisha Katolike e të cilës dukej se ndihte drejtpërdrejt Kishën e Korçës. Nuk di nëse jam i saktë, por njëra quhej Lilien dhe tjetra Frensis dhe donin të shihnin mundësinë për të ngritur një shkollë në Korçë, për të ndihmuar Universitetin Fan Noli dhe për të bërë edhe ndonjë gjë tjetër në dobi të qytetarëve të Korçës. Njoftova Petrika Pllahën për dëshirën e tyre dhe më sugjeroi të kërkoja ngritjen e një shkolle profesionale me drejtim shkencat kompjuterike. I shoqërova dy zonjat nga Malta në disa nga shkollat në zonën pranë Universitetit dhe ju përcolla idenë se nevoja e jonë më urgjente ishte një shkollë profesionale me drejtim kompjuterik. Nuk jam i sigurt nëse u takuam me to dhe At Gerin edhe me Petrika Pllahan. Vetëm mbaj mend mirë, se u koordinuam edhe me shokun tim Edi Joxhen për një vizitë në universitet si dhe një vizitë me to në Dardhë, ku biseduam edhe me rektorin e asaj kohe Dhimitër Skënde.

Zonjat ishin vërtet gra serioze dhe të vendosura dhe pasi pëlqyen godinën e Shkollës së Ulët të Ndërtimit, premtuan se do bënin ç’ishte e mundur edhe pranë qeverisë së Maltës për të ngritur shkollën. Mbajta një korrespondencë via faks me to, ku parashtronim me hollësi nevojat për degët e shkollës profesionale dhe për numurin e mundshëm të nxënësve. Dhe mundësia e shkollës u bë reale, me ndryshimin se ata kishin vendosur të ngrihej një shkollë e mesme e përgjithshme me programet në anglisht. Petrika dhe ne të tjerët ishim entusiastë, se po i dhurohej një shkollë e vërtetë qytetit.

Këtu nis merita tejet e veçantë e mësuesit të shquar të fizikës. Kishte dhjetra pengesa për miratimin e shkollës, që nisnin me një pakënaqësi të Kishës Ortodokse në Korçë, për rrezikun e përhapjes së katoliçizmit dhe pengesat bëheshin dhjetë herë më të vështira në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit. Me një vullnet të admirueshëm, Petrika bëri përpjekje pas përpjekjesh për ndryshime në legjislacionin për shkollat e huaja private. Shumë bëri edhe për të bindur “anadollakët” e Ministrisë se nuk bëhej fjalë për një shkollë fetare. Përpjekje për të siguruar miratimin dhe liçencën e Kolegjit, që do administrohej dhe drejtohej nga një përfaqësuesit e një Urdhëri Murgjish Katolikë maltezë. Dhe pas më shumë se një viti ja arriti! I dhuroi qytetit të tij një institucion tepër serioz. Jam i bindur se pa përpjekjet e paepura të Pllahas, ai projekt kishte për të mbetur në mes të rrugës.

Godina e mirë e shkollës u përshtat për kushtet që kërkonin ata që do e administronin, me ndihmë financiare nga Malta. Në javët e fundit të gatitjes së saj, u vizitua edhe nga Guido del Marko, që disa vite më parë kishte qënë zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Gjatë gjithë kohës që kryheshin punimet, Petrika ndiqte nga afër ecurinë si dhe shihte me vëmendje programet e hollësishme shkollore të shkollës. Administratorët morrën si mësues thuajse të gjithë mësues nga Korça, që dinin mirë anglisht dhe disa lëndë i jepnin vetë. Pllaha bënte shpesh shaka për afërinë e tij me murgjit dhe me “rrezikun” të kthehej murg edhe vetë. E shihja me admirim dhe gëzohesha që ja doli.

Shkolla(nëse nuk gaboj) i hapi dyert për nxënësit në shtatorin e vitit 1993 dhe prej asaj kohe, me gjithë skepticizmin e shumë arsimtarëve të gjimnazeve të Korçës, filloi të ngrihej në nivelet më të mira dhe në shumë drejtime t’ja u kalonte shkollave me traditë dhe me trupa mësimdhënieje të konsoliduara.

Gjtihnjë kam pritur me interes të dëgjoja fjalë të mira për Kolegjin “Preka” dhe besoj se Petrika ka pasur një ndjenjë shumë herë më të fortë.

U largova nga Korça në verën e vitit 1997 dhe edhe pse pyesja për Petrikan, nuk di se sa kohë vazhdoi të drejtonte Drejtorinë Arsimore. Vite më vonë mësova me keqardhje që ishte ndarë shumë herët nga jeta. E dija që kishte probleme shëndetsore, por nuk besoja se mund të ikte aq shpejt. Një njeri i mënçur dhe i drejtë. Një njeri i përkushtuar ndaj arsimimit të brezave të rinj. Një njeri që nuk trembej se me vendimet e tij mund të bënte edhe armiq.

Ishte aq i mirë, i mënçur dhe i pastër shpirtërisht Petrika Pllaha.

Vetëm me atë shkollë që i dha qytetit duhet të jetë në Panteonin e Korçarëve të Urtë.


Shenim: Ne foto Joe Steinberger, Petrika Pllaha dhe Sotiraq Gjata

Unë dhe Korbi - poemë (2)

 

* * *


Kthetrën e djathtë pak para nxorri

Dhe sytë më të hapur i kishte

Në kulm të kokës pendëzat shkëlqenin

Pendëzat më të afërta me mendjen

Që thithnin dritën ndërsa binte mbi lirishte.

“Mos duhet një hap më shumë të hedh

Në këtë botë të ashpër dhe tinzare.

Mos rri më i mbrojtur në timin ledh,

Të ndjek të vërtetën dritë

Ndërsa përreth hidhen fishekzjarre?”

Por Korbi si Sfinksi heshtëtë madhërishëm.

Shtangësia e tij më shtonte dyshimin

Se tmerrësisht larg të tijave mendime

Kisha hulumtuar mundimshëm

E të zhdrejtë kisha nxjerrë përfundimin.

I shtangur isha prej të zezës së frikshme

Që aq bukur rrinte mbi lirishten e blertë.

Misteri i kumtit të tij në ajër nderej

Ishte aq e habitshme

Se çdo më ndodhte prisja nga ajo qënie e sertë.

Se ç‘duhet të bëja më tej

Mos gaboja më kurrë, sërish e sërish.

Kë kishte takuar në të largëta qiej;

C’farë kishte parë në të ardhmen time

A të më njoftonte fundin e shpejtë ardhur kish?


* * *