Ka disa arsye, që po prek këtë temë të gjërë dhe pakëz delikate. E para është një trajtim me superlativa që ju bëhet artistëve të asaj kohe, që kur janë gjallë dhe veçanërisht kur ndahen nga jeta. E dyta është bagazhi tepër i varfër i batutave dhe referencave të shumë shqiptarëve, të cilët flasin nëpër studiot televizive, por edhe në jetën e përditshme. Duket se ajo varfëri e letërsisë, kinematografisë, teatrit, pikturës, ka lënë pasoja jo vetëm tek brezi që u rrit nën Diktaturë, por edhe tek brezat që pasuan.
Shumë njerëz mund të thonë se Diktatura ju dha hov Letërsisë dhe Arteve, se në kohën e Zogut jo vetëm që nuk bëhej fjalë për kinematografi shqiptare, por as për letërsi dhe arte të mirëfilltë. “Vetëm me hyrjen e Partisë, Letërsia dhe Artet morën hov dhe u vunë në shërbim të popullit dhe të së ardhmes së tij.” (Kjo e fundit mund të ketë qënë fare mirë një fjali e shkëputur nga një libër i historisë së asaj kohe, ose nga një fjalim i Ministrit të Kulturës apo edhe të Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.)
Por ajo kohë ka kaluar dhe nuk ka rëndësi se ç’thuhej atëhere. Të rënndësishme janë pasojat, si edhe trajtimi nga historianët, kritikët e artit, filozofët dhe sociologët.
Shumë vite më parë, më ra në sy një koment i një bashkëmoshatares sime në rrjetet sociale, që shkruante “E ke fajin vetë o Mane. Nuk zgjodhe mot të mirë për dasëm!” U kujtova që ishte një batutë nga filmi “Malet me blerim mbuluar”, që është një film jo shumë i njohur tek shqiptarët. Madje kam idenë se edhe TVSH në kohën e Diktaturës, hezitonte ta ritransmetonte shpesh. Por të tilla referenca ka vazhdimisht, nga përmendja e Robert Camçakizit nga Rama dhe stërpërdorimi i shumë batutave të tjera si “Do m’bësh kakërdhi do m’bësh”, “Paguan Kinostudioja” etj etj.
Kujtoj që në adoleshencën time, kishte gjithashtu përdorim batutash, por ishin nga romanet e Servantesit, Remarkut dhe Dymasë, apo nga “Ushtari i mirë Shvejk”. Megjithatë nuk janë batutat thelbësore për kulturën e një apo të disa brezave. Edhe pse varfëria e tyre në përmbajtje është një tregues.
Më e keqja qëndron në idenë se nën Diktaturë mund të zhvillohen Letërsia dhe Artet.
Njerëzit ekzaltohen kur përmendet një emër aktori, që ka luajtur një rol episodik në një film shqiptar dhe fillojnë e quajnë “ikonë“, “legjendë“ apo “kollos”. Duhet thënë se një pjesë e madhe e tyre, edhe pse ishin aktorë profesionistë, ishin tejet diletantë në mjeshtëri. Për të mos thënë që ishin edhe thellësisht të pakulturuar. Dhe kjo vlente edhe për artistët e shumë fushave të tjera, madje edhe për poetët, prozatorët dhe dramaturgët.
Diktatura hapi shkolla arti dhe nxiti që të bëheshin sa më masive, por njëkohësisht edhe “i mbyti” ato.
Ishte njëlloj sikur të lindje një fëmijë të shëndetshëm dhe ta ushqeje me të gjithë të mirat e mundshme, por njëkohësisht t’i prisje edhe gjymtyrët, edhe veshët, edhe gjuhën, që të të shihte me nderim dhe të të shërbente.
Edhe pse ky krahasim mund të mos e përcaktojë tamam raportin Diktaturë- Letërsi dhe Arte, është e vërtetë që artistët trajtoheshin më mirë se pjesa tjetër e popullsisë edhe me rroga dhe shpërblime, por edhe me mundësi për udhëtime jashtë shtetit, si dhe vlerësime në opinion. Një pjesë jo e vogël punonin nga 2-3 orë në ditë dhe kishin rroga më të mira se sa të një mjeku apo shkencëtari.
Por megjithatë, letërsia dhe artet ishin larg cilësisë të letërsisë dhe arteve europiane. Për disa dhjetvjeçarë u mburrëm me “Gjerdanin e Artë“, që Ansambli i Këngëve dhe Valleve mori në Dizhon (Ansambli në fjalë ishte vërtet trupë me nivel të lartë artistik) dhe vetëm në vitet ‘70 Kadareja nisi të konkuronte me shkrimtarët më të mirë europianë. Në artet vizive ishim larg avangardës europiane dhe në teatër mbase edhe 60-70 vite pas tyre. Kjo kishte arsyet e saj ideologjike dhe të censurës, por përsëri dalim tek niveli cilësor, që jo vetëm nuk ishte mes më të mirëve, por shumë e shumë më pas. Diçka më mirë ishte muzika instrumentale dhe arkitektura, dy arte, të cilat nuk i nënshtroheshin parimeve të realizmit socialist. Por të dyja nuk kishin ndonjë efekt tek masat, sepse e para ndiqej shumë pak dhe e dyta nuk ka se si të luajë ndonjë rol kryesor në formimin intelektual dhe kulturor të brezave.
Por propaganda dhe trajtimi i tyre herë me superlativa dhe herë me kamzhikë nga Hoxha bënte që ata vetë dhe populli të mendonte se ishin artistë të një kalibri botëror. Pas vitit 1973, kur i “shtypi” dhe disa nga mët mirë i futi burgjeve, sho Enver mbajti një fjalë në dhjetor 1974, ku disa artistë dhe aktorë i quante të nivelit më të mirë botëror. Sigurisht që kur 7-8 hynin tek “kalibri” më i lartë, të ngjshmit me ta ose më pak të talentuarit do ndjehesin të themi si Iv Montan, Robert Dyval apo Franko Nero. Unë nuk jam në gjendje të krahasoj artistët dhe njerëzit tanë të letrave me më të mirët e botës, por më duhet të përmend se në majat e Artit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë vetëm Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë, Ermonela Jahon, Ibrahim Kodrën dhe ndonjë emër tjetër, të cilin nuk e kujtoj ndërsa shkruaj.
(vijon)
No comments:
Post a Comment