Tuesday, 9 June 2026

“Velijsi” me fytyrë të qeshur


Nuk më kishte shkuar në mendje të shkruaja gjatë për Nertil Jolen, sepse e njoh shumë pak si një njeri që merret me politikë. Di se nga cila familje vjen dhe për hir të të vërtetës më duhet të them se për gjyshin dhe hallën e tij kam pasur përshtypje shumë të mira. Vaska piktor dhe Nadjezhda pianiste. Artistë dhe njerëz të mirë.

E preka pak tek shkrimi për Stavri Botkën se më vine çudi, që edhe pse shkruante gjatë për shkollën e muzikës së Korçës, nuk prekte aspak mësuesin e nderuar, që rrinte jo larg shtëpisë së tij. Por padija nuk është mëkat. Gjithashtu nuk është mëkat të kesh një baba të përfolur për korrupsion kur ishte nënkryetar bashkie i Korçës.

Por që të kesh qënë një njeri i klanit “Erion Veliaj” dhe prej tij të jesh emëruar si prefekt i Korçës, për të pasur më vonë një karrierë si Kryetar Bashkie dhe ndoshta edhe më lart, sigurisht që nuk është një shënjë e mirë. Dëshmon se ke qënë pjesë e një rrethi jo shumë të mirë “arrivistësh” të cilët duan të marrin ç’ka mundin nga sistemi. E megjithatë edhe kjo nuk është e mjaftë për të akuzuar politikanin (potencial) me fytyrë të qeshur Nertil Jole. Edhe pse mund të ketë qënë pjesë e atyre rretheve vanitozë, nuk është e thënë që të jetë përlyer. Për më tepër, nga lidhjet me atë klan, Nertili ka humbur edhe postin e prefektit dhe tani nuk di se me se merret dhe në aspiron ende të jetë kandidati i PS-së për kryetar bashkie në zgjedhjet e vitit që vjen.

Por Nertili, që është në moshën e fëmijëve të mij, çuditërisht është kundër protestave që po ndodhin në Tiranë dhe në Korçë dhe për këtë nuk e sheh as të udhës të heshtë. E them çuditërisht, sepse edhe duke qënë një anëtari PS-së, nuk ke si të mos jesh “i lodhur” nga sjellja arrogante e Edi Ramës. Nuk ka mundësi të marrësh mundimin që në tastierë të hedhësh rrjeshta ndaj një proteste, që në thelb të saj nuk është as për integritetin territorial të Shqipërisë dhe as kundër investimeve të huaja.

Eshtë kundër korrupsionit të tmerrshëm dhe arrogancës së Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Nëse nuk ke ngjyer në çorbat e prishura të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, nëse nuk ke asnjë lidhje me drejtorët e “5D”, atëhere i dashur Nertil, nuk ka pse të hidhesh kundër revoltës qytetare. Eshtë edhe në të mirën e PS-së të pastrohet nga Rama dhe të ngjshmit me ta. Këta Gargantuanë të korrupsionit (Rama, Balluku, Veliaj) duhet të zhduken nga faqja e politikës shqiptare. Bashkë me Berishën dhe bijtë e tij.

Ndaj i buzëqeshuri Nertil, do të sugjeroja që nëse nuk e gjen veten në politikën e një Shqipërie të ardhme, ndoshta është e mira të provosh një karrierë në ndonjë studio kinematografije, se nga pamja je “bajagi” simpatik. Në Shqipëri nuk ka të tilla, por mund të shkosh kudo në botë, madje edhe në Hollivud dhe Bollivud. Në këtë të fundit do të duhet të mësosh të kërcesh vallet indiane, por nëse nuk e ke pasur të vështirë të kërcesh vallen e Veliajt, nuk do e kesh të vështirë t’i mësosh ato. Veshi për muzikë nuk të mungon.

Mendohu “Velijsi” me fytyrë të qeshur.



No comments:

Post a Comment