Revolucioni Flamingo i ka vënë në vështirësi socialistët. Një video që qarkullon në Internet dhe që nuk duket se është e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, tregon fytyrat e vrerosura të krerëve socialistë, që dëgjojnë me vëmendje fjalën e shefit të madh. Nuk dihet as se kush e ka bërë videon dhe pastaj e ka nxjerrë në “tregun e lirë“, sepse telefonat janë dorëzuar para hyrjes në sallë, por ndoshta vetë ekipi IT i Partisë Socialiste, që duket se filmon çdo veprimtari për ta pasur në Arkivin e Komitetit Qëndror të Partisë. (Apo nuk ka më tani Komitet Qëndror?)
Të pushton trishtimi kur sheh merakosjen e krerëve të shtetit, në këtë hapje të sezonit turistik, kur të gjithë duhet të jenë të gëzuar, entuziastë dhe çakërrqejf, se shkollat po mbarojnë dhe pas dy javësh do i lëshohen dy deteve që lagin Atdheun e dashur. (Më të shumtit shëllehen pranë deteve të tjera në botë, por ky nuk është mëkat.)
Por mënxyra ka ndodhur dhe ata nuk mund të buzëqeshin, sepse një grup “axhaminjsh” tashmë ka tërhequr shumë pasues me ato flamingot e tyre të shpifura dhe po kërkojnë në “sahan kokën e Shefit”. (Disa mezi po presin që koka e Shefit të fluturojë, se ju ka ardhur në majë të hundës nga poshtërimet që ju bën rregullisht, por puna ja u do të duken të mërzitur.)
Dhe më e keqja është se i Gjatgjithëfuqishmi, po ju kërkon hesap se pse nuk po prononcohen hapur kundër Revolucionit Flamingo, duke përjashtuar vetëm djalin kurajoz nga Librazhdi, Taulant Balla. Ai ka shtuar se është “dhe i vetëm trim në luftë“, por fytyrëvrerosurit e dinë, se po ja hodhi këtë rradhë, disa koka prej tyre do priten. Dhe kjo i bën të mendohen thellë se nga t’ja mbajnë. T’i “hyjnë detit më këmbë dhe të sjellin Ivankën nga jahti në Zvërnec” apo “të dalin një xhirro nga protesta dhe t’ju shkelin syrin Flamingove”?
Më kapi pikëllimi ndërsa shihja aq të mërzitur Peleshin, Manastirliun, Ikonomin, Braçen, Kukon, Hoxhën, Shehun, Miskën, Markon, Shoqen Shenka, Murrën e tërë të tjerët, disa të posakthyer nga bota e nëndheshme për të përballuar këtë “situatë të jashtëzakonshme”, e cila mund të kapërcehet vetëm me “mobilizim të jashtëzakonshëm”.
E vetmja shpresë që më bëri mos bija në dëshpërim ishte pamja e shpenguar e Ilir Pëndavinjit. Deputeti aq i famshëm për “heshtjen lakonike” të tij, tundte një stilolaps si për t’i thënë Shefit, që “vetëm pena e tij mund ta shpëtojë“. Ishte një zotim i heshtur, që ai do nisë të shkruajë pa ndërprerë, gjithë ato ide që ka bluajtur në kokën e tij asimetrike gjatë tre legjislaturave. Ndoshta “karshillëku” kishte edhe nënkuptimin “nëse e do shërbimin e penës sime” duhet të paktën të më vesh Ministër të Jashtëm. Pëndavinji zotëron 5-6 gjuhë të huaja, nga të cilat, greqishten e ka gjuhë të nënës. Dhe për më tepër ka shpënë në përsosmëri artin e “të mosfolurit”, gjë që e bën një diplomat të shkëlqyer.
Ndaj pavarësisht nga videoja e trishtë, “djalli nuk është aq i zi sa duket”.
Le të presim ndryshimet e shpejta në Qeveri dhe nëse emri i Ilir Pëndavinjit do jetë atje ku ai e meriton, atëhere mund të them me bindje se Revolucioni Flamingo do dështojë.
Do realizohet kështu edhe profecia e Baba Vangas, profeci që nuk është kuptuar mirë dhe është mbajtur tepër sekret dhe që fjalë për fjalë është:
“Shqipëria do shpëtohet nga Gjuhëpreri”
No comments:
Post a Comment