Duke shkruar nga komoditeti i poltronit para kompjuterit është e lehtë të japësh “mendje”. Ndaj dhe dua të jem i kujdeshëm në këtë shkrim, që mund të tingëllojë si “ai që i tregonte arat të jatit”. Por largësi, një stakimi emocional dhe njohja e raporteve mes vendeve të mëdha dhe të fuqishme me vendet e vogla, ndoshta më jep mundësinë të paraqes idetë e mija për gjendjen e sotme të Revolucionit Flamingo, vështirësitë dhe pengesat që ka, si dhe për ndonjë shkallëzim të mundshëm, që mund të japë për ta dhe për Shqipërinë frytet e duhura.
Nuk duhet pritur dorëheqja e Ramës vetëm me trysninë e protestës së përditshme edhe sikur 200 mijë vetë e më shumë të dalin në shesh.
Rama nuk mund të firmosë Dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme, se është njëlloj si të firmosë urdhër arrestin e tij.
Gjithashtu është thuajse e pamundur, që ai të detyrohet nga të tijtë të largohet, duke qënë përballë alternativës, që ata do bashkojnë votat me një pjesë të Opozitës dhe ta largojnë. Diçka e tillë ka ndodhur me Niksonin më 1974 dhe edhe pse Senatin e kontrollonte Partia Republikane, për shkak të skandalit të madh të Uotergejtit që zgjati mbi një vit dhe që shpuri në bankën e të akuzuarve bashkëpunëtorët e tij të afër,. Senatorët e mënçur Republikanë i thanë që duhet të ikësh, se ne do bashkojmë votat me Demokratët dhe do ketë “impeachment”. Por “senatorët” e PS-së nuk ngjasin kërkund me senatorët republikanë amerikanë të vitit 1974.
Ndaj para Revolucionit Flamingo mbeten vetëm dy alternativa:
Të shtojë numurat dhe të nxjerrë një përfaqësi të besueshme, që të hyjë në bisedime me përfaqësues të lartë të BE dhe pasi t’i bindë ata të mbështesin 5 kërëkesat e formuluara prej tyre. Por kjo rrugë është e gjatë, kërkon që Flamingot të nxjerrin grupin që do kërkojë nga ambasadorët kryesorë në Tiranë, që të pranohen në një takim me krerët kryesorë të BE-së. Nuk duhet harruar që burokratët e Brukselit nuk duan telashe. Ata mund të parapëlqejnë shuarjen e protestës me një anullim të projektit dhe me disa ndryshime ligjore. Por pa përkrahjen e hapur të tyre dhe me shtrëngimin po prej tyre të Ramës, dorëheqja nuk mund të arrihet. Nuk duhet gjithashtu Flamingot të shkurajohen as nga takimi i Ramës me Makronin, që është dukur si një mbështetje për Ramën. Nuk ka qënë i tillë.
Të paralizojë jetën e vendit duke pasur mbështetje në gjithë Shqipërinë dhe në shumicën e sektorëve të jetës ekonomiko administrative të vendit. Nëse në qytetet kryesore të vendit (dhe jo vetëm në Tiranë) Flamingot nuk arrijnë të kenë pas sindikatat për Grevë të Përgjithshme; nëse nuk arrijnë të bindin bizneset e vogla të mbyllin më të shumtat e shitoreve që nuk tregëtojnë ushqime; nëse nuk bindin dot mbështetësit e tyre që janë ende në administratë që të mos paraqiten në punë; nëse nuk arrijnë që të bindin ato biznese që janë dëmtuar në prodhimet e tyre për shkak të politikat e Ramës që të mbyllin përkohësisht bizneset e tyre, atëhere nuk ka rrugë tjetër për të detyruar Ramën të ikë nga Froni i tij.
Ndoshta ata që janë “truri” i këtij Revolucioni janë duke i shqyrtuar këtë alternativa ndërsa unë shkruaj këto rrjeshta, por mendoj se vetëm me të qënit në turmë të madhe dhe duke protestuar pa thyer një xham dhe pa u përplasur me asnjë polic, edhe sikur një muaj tjetër e më shumë të vazhdojë me këtë itensitet nuk mund të arrijë që të detyrojë një njeri , i cili rrezikon 25 vite burg të lerë pushtetin që e mbron.
Në vitin e mbrapshtë 1997, Sali Berishës ju dha një alternativë për të ikur nga vendi, të cilën ai thuajse e pranoi dhe më pas ndyshoi mendim për të keqen e Shqipërisë.
Të huajt as këtë opsion nuk kanë për t’ja dhënë Ramës, se jo vetëm që ai është i implikuar në shumë afera korruptive, por dhe situata e vendit nuk është si kaosi i vitit 1997.
Ndaj të gjitha sa thashë më lart më bëjnë të jem i trembur se vështirësitë para Revolucionit Flamingo janë të mëdha dhe se koha nuk punon në dobi të tij.
Le të shpresojmë se do ketë një përshpejtim të tij në një drejtim që do sjellë rezultatin e duhur!
No comments:
Post a Comment