Mos ju duket e largët, juve që e dini se kur jam lindur. 2 vjet e 8 muaj kalojnë “fët e fët” dhe kam të drejtë që po e mendoj që tani për ta festuar në mënyrën më të paharueshme, që të jetë e mundur. Dhe më e paharrueshme se atje ku më ka rënë koka nuk mund të bëhet. Ndaj do e festoj në Korçë me gjithë bujën dhe luksin e duhur, kuptohet sipas asaj që ma “lejon xhepi”. Minimumi 70 të ftuar, lokal dinjitoz me kuzhinë të përzjerë mishi dhe prodhimesh deti dhe më kryesorja – me muzikë “live”.
(Le të thotë kush të dojë, që pse nuk përdor fjalën mbrojtëse “kësmet” apo shprehjen “të jemi gjallë e gëzuar”, por unë festën do e bëj dhe edhe nëse “largqoftë!” do më ndodhë diçka si vdekje e parakohsme, paralizë nga mezi e poshtë apo Alzeimer akut, do e le që tani porosi, që ditën që llogaritet që mbush 70 vjet të sundojë gëzimi dhe hareja. “Live”.)
Nuk di pse më entusiazmojmë kaq shumë ditlindjet që kremtohen në Atdhe!
Kam parë disa video dhe jam ngazëllyer. Të afërm dhe miq, shokë dhe krushqi, fqinjë dhe njerëz të së njëjtës punë, që festojnë në një atmosferë dashurie dhe eksitimi. E si mos e kesh zili një festim të tillë! Rakia dhe vera që derdhen lumë, det birre dhe koka-kolash, tava me mish qengji dhe viçi (të derrit nuk do e përdor që mos ketë kufizime fetare në ftesat) dhe të gjitha që bëjnë të dalin avuj dashurie dhe yndyrë përkushtimi nga fytet, fytyrat dhe duart e atyre që këndojnë e kërcejnë. Urime dhe dolli të pandërprera, dekolte që rrezikojnë demostrime aksidentale të thithkave, tespije që shkasin edhe më mirë nga lyerja me dhjamë qengji, mollaqe stërmëdha të mbuluara me pantallona të ngushta, por që theksohen edhe për shkak të “braziliankave” dhe që tunden plot hir nën ritmin e “serenatave”, “stonime të mrekullueshme” të shkaktuara nga rakia muskat, fëmijë që luajnë “dans” në mes të sallës të çuditur se pse të rriturit klithin kaq shumë, duar të rrudhura që mbajnë duke u dridhur pirunin drejt copës të biftekut ndërsa dëgjohet edhe zëri pak i mekur i të zotit të tyre, që thotë se mishi duhej pjekur më mirë.
E mes gjithë kësaj “entusiazmaje” të begatë, këtij eksitimi të sinqertë, këtij kremtimi të një dite që askush nuk e di se ç’ditë është dhe ka për ta haruar të nesërmen, se asgjë nuk është kaq “me shënjë“, se në palcë të dimrit, në një dhomë të ftohtë të Maternitetit të Korçës u shfaq koka bajagi e madhe e një fëmije pa flokë, që edhe pas 70 vitesh është po e tillë, Unë, “sebepçiu” që vërtitem rreth tryezave me një gotë vere të kuqe në dorë, për të bërë “bromp” dhe që dëgjoj të përsëritet :“Hiç nuk dukesh si 70 vjeçar!”
Vetë e di se kam kohë që jam bërë “sa gomari i hallos”, por më vjen më mirë të më gënjejnë se sa të më thonë si ndonjë bashkëmoshatar “Bobo sa qënke plakur!”
Dhe në fund të trokitjes së gotave, prerjes së turtës, një vallzimi të Napolonit me ndonjë nga të ftuarat, një vallzimi të vënë në rradhë , diçka mes Lambadas dhe Kadrillës, pyetjes së orkestrantëve se në ç’orë kemi ndërmend ta mbyllim, do shkoj për të marrë mendimin e avokatit se si i dukej mbrëmja festive dhe do dëgjoj:
“Po mirë mo u bëre 70 vjet dhe nuk hoqe dorë nga marrëzitë! Kjo festë budallaqe ç’të duhej?!”
No comments:
Post a Comment