Saturday, 6 June 2026

Përgjigje e hapur për letrën e hapur të Mevlan Shanaj


Artisti i njohur i filmave shqiptarë, ka shkruar një status ndaj mikut të tij Edi Rama, ku i thotë jo vetëm se është i zhgënjyer, por dhe i kërkon edhe të shpjegojë PSE-në.

Eshtë shkruar bukur dhe mund të emocionojë shumë lexues, madje edhe Edi Ramën, i cili mund të ketë ende një fije ndërgjegjeje dhe të kujtojë ditët e ndryshimeve të mëdha kur sipas Mevlanit ai ishte një artist idealist, i revoltuar, i pabindur dhe radikal. Madje edhe në vitin 1997, kur e emëruan ministër të kulturës në qeverinë Nano, ai ishte i njëjti idealist, që i trembej pushtetin që i kishin lënë dorë. Edhe kjo sipas Mevlanit, që pat qënë dëshmitar në zyrën e tij, kur piktori Edi kishte shprehur këto shqetësime të mëdha.

Reagimi im i parë është të thërras me të gjithë forcën: “Mevlan je “uon”!

Por të gjithë lexuesit e mij mund të thonë “më mirë vonë se kurrë“, ose “njerëzit kanë arsyet e tyre që zhgënjehen me vonesë , ose ngrenë po me vonesë zërin.”

Unë e di se pse Rama ka zhgënjyer shumë njerëz që e kanë njohur pak. Madje dhe aktorët si Mevlani, për të cilin besoj se e di cila është arsyeja që Rama është ky që është.

Në fund të vitit 2003, pas tre muajsh në Tiranë, kam takuar në Las Vegas një atlet të njohur shqiptar të brezit tim, brez ku po fut edhe Ramën se gjithashtu është “baby boomer”. I tregova për korrupsionin e pashembullt të tij në krye të Bashkisë, dhe edhe pse kishte pak kontakte me Shqipërinë ai nuk u çudit. Kishte ikur në vitin 1989 nga Shqipëria dhe nuk kishte vënë më këmbë. Më tha i sigurt: “E kam njohur dhe është më i keq se i jati!” Nuk e zgjata më. Kisha pasur një përshtypje të përafërt, që në kohën kur isha student dhe Rama kishte filluar të luante basketboll me ekipin e “Dinamos”.

Po pse nuk e kishte njohur Mevlani dhe të tjerë si ai?

Sepse vuanin nga e njëjta sëmundje që vuante edhe Rama dhe një pjesë e mirë e Elitës së Tiranës.

Mungesa e Idealizmit.

Shumë nga intelektualët e Tiranës që u ngutën të viheshin në krye të krahut antikomunist, ku hynin Berisha, Pashkoja, Meksi, Imami, Ruli, Uka, Trako, Zogaj dhe të tjerë më pak të njohur, hynë në lëvizje për të kapur poste që do i pasuronin shpejt. Gjithsesi sëmundja, edhe kur është ngjitëse, nuk i kap të gjithë njëlloj. Cifti Shanaj – Lako mund ta kishte më të lehtë, por ishin në thelb po njëlloj “të sëmurë“. Pranuan të ishin në elitë, por vetëm në rolin e deputetes Natasha. Nuk di a pati Mevlani ndonjë post.

Dikush mund të thotë, po pse kur ishte i tillë, pse Rama nuk u bë pjesë e tyre?

Sepse me egon dhe narcisizmin e tij, Rama ndjehej superior ndaj të gjithëve dhe mund të pranonte të ishte në dy- tre kryesorët, por jo më poshtë. Kjo e bëri, që edhe pas përpjekjeve me Ngjelën për të bërë Partinë Islamiko-Kristiane, mbeti jashtë pushtetit dhe veshi bluzën shumëngjyrëshe të intelektualit rebel.

Por sa mori postin e ministrit, në të kundërtën e asja që dëshmon Shanaj, Edi u “lëshua” për “noji lek” sikundër kishin bërë në krye të herës, “ministrat antikomunistë“ të Qeverisë së Stabilitetit. Eshtë e dëshmuar në shtyp nga Ministri i Ndërtimit i qeverisë Nano 1, Arben Demeti, se si Rama i kërkonte gjatë një mbledhjeje qeverie, pasi Demeti kishte kundërshtuar miratimin e një tenderi të Ministrisë së Kulturës “Po ça bo o Beno, se e kishim për njerzit tan!”

Por Mevlani dhe Natasha bashkë me të nuk ishin ende të zhgënjyer. Dhe vazhduan të jenë të tillë edhe 28 vite të tjera, deri sa tani panë se Rama nuk është idealisti, që çifti në fjalë bashkë me “idealistët “ e tjerë patën besuar në ato vite të largëta të fillimit të Tranzicionit.

Mevlan dhe ju të dashur “artistë idealistë“ të tjerë.

Ju lutemi që mos na i përzjeni rropullitë!

Ju zgjodhët një rrugë që ju “voliste” dhe ju dukej si rruga më e mirë për të ardhmen tuaj. Nuk e quaj as të gabuar dhe as të duhurën. Ka qënë zgjedhja e juaj dhe në këtë botë të vështirë, unë respektoj edhe zgjedhjen, që një vajzë e varfër bën, duke shkuar diku, të punojë në një shtëpi publike në një qytet perëndimor.

Por ja u lini “idealizmin”, atyre njerëzve që u përfshinë në atë Lëvizje antikomuniste dhe ose u larguan shpej të zhgënjyer, ose i shtytë jashtë saj ju me Berishën, Meksin dhe Rulin.

Idealistët e vërtetë janë të destinuar të dështojnë kudo, jo vetëm në Shqipëri. Por ata jo vetëm që nuk i ngjasin aspak Ramës të vitit 1990, por as Mevlanit të aij viti.

Emrat e tyre janë harruar se ky është fati i idealistëve. Ndoshta ka që janë ende në Tiranë, ndonëse më të shumtët besoj se kanë përfunduar jashtë Shqipërisë.

Nuk di nëse ka pasur mes aktorëve, por një “idealist” të ngjashëm, që ishte deputet krahas Natashas, e kini në Tiranë.

Quhet Bert Ndrenika , i cili ende beson tek piktori rebel Edi Rama.



No comments:

Post a Comment