* * *
Thellë në atë errësirë të paanë,
Më të gjërë se Gjithësia dhe më të vogël se Hiçi,
Ku nuk ekzistonin më shqisat por veç Mendimi
I ndërgjeshëm u bëra se Gjërat janë
Ndonëse të bukura i bën veç Kaltërimi.
Dhe më të bukura bëhen kur i prek dashuria
Sikundër hirnosen kur i kaplon urrejtja.
Më magjike janë se ato që sillen ëndërrave të mija,
Ku prania e të tjerëve është kalimtare
Dhe syri i “nënndërgjegjes” është veç tek vetja.
Më të ndërlidhura me njëra tjetrën janë
Dhe shpesh këmbejnë atomet sikundër dhe ndjenjat.
Një Tërësi që ndryshon format dhe ngjyrat
Që bën të pakuptimë “këtu” si dhe “në tjetrën anë“,
Që thelbet nuk i ka të ndryshme si janë fytyrat.
Që “është“ edhe pse rrekemi të kuptojmë si u krijua.
A e ka larushaninë prej miliona elementësh
A vetëm një i thjeshtë dhe vendimtar është
Dhe valëvitet pafundësisht duke u shumëfishuar
Mes kundërshtimesh të rreme ditësh dhe netësh.
Që pezull na mban në çastin dhe jep idenë e epokës
Dhe krijon idenë se ishe a se nuk do jesh në jetë.
Ishte kjo e pakufishme masë e errët
Që bëri një dritë e lëbyrshme të më sillej kokës,
E të kuptoja se Unë isha Korbi vetë!
* fund *
No comments:
Post a Comment