Të gjitha partitë opozitare duhet të bojkotojnë punimet e Kuvendit dhe të kërkojnë zgjedhje të parakohëshme. Nuk duhet t’i gënjejë mendja se mund ta përdorin si platformë për të demaskuar Ramën dhe qeverinë e tij. Tashmë sytë e gjithë popullit nuk janë më në Kuvend, por në Protesta në shesh. Nëse duan t’i bëjnë një shërbim Shqipërisë (qoftë edhe i fundit) të gjithë duhet të dalin me një deklaratë të përbashkët, që nuk shkojnë më në punime deri sa të plotësohet kërkesa bazë e protestuesve dhe që është “Dorëheqja e Ramës”.
Vërtet që ka një ngërç, sepse nuk dihet se sa Berisha do pajtohet me këtë ide, se “simbioza” e tij me Ramën mund të rrezikohet. Por ndoshta dhe ai mund të mendojë, se nuk ka se ç’të humbë nga Zgjedhjet e Parakohëshme.
Por bojkotimi i Kuvendit nuk duhet të shoqërohet me kërkesën për tu shpërndarë. Ky Kuvend nuk duhet të shpërndahet pa u ndryshuar më parë ligji për Zgjedhjet në Shqipëri, ligji famëkeq i nisur më 2009 nga Berisha me Ramën dhe i modifikuar më pas nga socialistët që kishin votat. Eshtë e domosdoshme.
Kjo do jetë edhe dëshmia për të huajt, se kemi të bëjmë me një Front të madh shqiptar kundër qeverisjes së Ramës.
Rëndësinë e atij ligji tmerrësisht të keq, e dëshmoi edhe Rama kur dje në Elbasan tha se po të bëhen zgjedhja të parakohëshme, nuk mund të formohen parti të tjera për shkak të afateve kohore dhe ai mund të fitojë edhe 100 vende në Kuvend.
Zgjedhje të parakohëshme me këtë ligj nuk duhet të kërkohen dhe nëse Rama do t’i bëjë, ato nuk duhet të pranohen.
Vërtet PS-ja e ka “forcën” e kartonave edhe për të miratuar ligje të tjera të poshtra, por tani duhet të përballet me forcën e “kartonave” të vizatuara dhe të shkruara nga proestuesit. Nuk është më e lehtë për t’i injoruar.
Shehaj, Qorri, Lapaj dhe ndonjë tjetër që ka dy tre deputetë në Kuvend, më parë se të dalin në protestë, duhet të bëjnë këtë deklaratë dhe njëkohësisht të hyjnë në bisedime me PD-në, që të njëjtën gjë të bëjnë dhe ata. Nuk jam i sigurt se sa mund të arrijnë, por e pamundur nuk është, se mes deputetëve të PD, ka të tillë që mbështesin protestën dhe ndryshimin e peisazhit politik në vend.
Nuk është e pamundur, që edhe deputetë të PS-së të kenë ndjerë fundin e Ramës dhe të përpiqen të shpëtojnë ç’ka mund të shpëtohet edhe nga karriera e tyre edhe nga forca e një elektorati që voton i lirë , pa presione nga administrata apo nga bandat. Sigurisht nuk do jetë Zengjineja apo Pëndavinji e të tjerë si ata, por mundet që mes deputetëve të PS, të ketë njerëz të papërlyer dhe me mend, që mund të vazhdojnë karrierën e tyre politike në një periudhë post-Rama.
Deputetët e PD-së dhe PS-së duhet të kuptojnë që koha e Ramës dhe e Berishës ka mbaruar. Nëse nuk duan që këmbanat e Protestës të bien edhe për ta, duhet të dalin nga qëndrimi “në bllok” për të ndjekur porositë e Liderit “histerik”. Eshtë koha kur edhe taktikisht i ndih ata, si dhe formacionet e tyre politike për të patur rolin në Shqipërinë që po vjen.
Ata ë nuk kanë futur para të pista në xhep dhe nuk i tremben shantazheve apo dosjeve të mundshme që të shkojnë në SPAK duhet të ngrihen për të bërë atë çka tashmë është e logjikshme. Cdo periudhë, që ka një nisje ka edhe një fund. Periudha e Autokracisë së korruptuar po perëndon dhe edhe pse korrupsioni nuk ka për tu larguar plotësisht nga jeta shqiptare, por diçka e ndryshme po nis. Sepse është vullneti i shumicës.
E gjithë klasa politike nuk “mund të shkojë në shtëpi”. Nuk ka akoma një klasë të re politike për ta zëvendësuar. Por kjo klasë që është, pasi të pastrohet nga Liderët dhe më të korruptuarit, duhet të përshtatet. Për një Shqipëri më pranë modelit Europiano Perëndimor edhe pse nuk mund të jetë një një Shqipëri Skandinave.
Për këtë nuk ka nevojë t’i bashkohen protestuesve, të cilët mund t’i dëbojnë. Mjaft të njohin vullnetin e tyre dhe të bëjnë atë që kanë në dorë. Të bojkotojnë Kuvendin deri sa Rama të bjerë dhe të shpërndahen pasi të kenë miratuar një ligj elektoral që ndryshon Sistemin e fitores të garantuar të dy Liderve, të cilët diktojnë se cilët do jenë përfaqësuesi i popullit.
Bëjeni o deputetë të panjollosur, se është edhe në dobinë tuaj!
No comments:
Post a Comment