Wednesday, 24 June 2026

Unë do ngjitem në kodrën e betejave politike


Në kundërshtim me sugjerimet e vazhdueshme të avokatit tim unë do ngjitem në Kodrën e politikës Shqiptare. E them do ngjitem se e quaj politikën si një mision që lartëson dhe kur beteja bëhet në Kodër ëdshtë më e lehtë të përcaktohet fituesi. Ai qëndron në majë të saj dhe të mundurit rrokullisen me turp poshtë.

Avokati vazhdimisht ka përmendur si argumenta në favor të tezës së tij që “unë të mbetem sehirxhi” moshën, vendbanimin, mungesën e përvojës në politikë dhe mbështetjen shumë të pakët që kam në qytetin tim. Disa herë ka përmendur: “Ty as gazetat e vjetra nuk të jepen nga Biblioteka e Korçës e jo më të të jepen vota!”. Por edhe pse më ka demoralizuar në çaste të veçanta, unë i kam ringjallur shpresat e për më tepër në këtë situatë kur duket se spektri politik shqiptar do riformatohet. (Edhe kjo e formatit është një shprehje që e gjej mjaft moderne në Atdhe.)

Vendimtare ishte ftesa e djeshme nga deputeti korçar Ilir Pëndavinji, për të cilin kam një respekt të veçantë dhe shpesh në biseda mes miqsh e kam cilësuar si “Doktori nr 2 i politikës shqiptare”. Dihet se kush është Doktori nr 1.

Deputeti Pëndavinji më njoftoi se do largohet shumë shpejt nga PS për të formuar Partinë e tij që mendon ta quajë “Lëvizja e Korçarëve Autonomë“ ose LKA. (Fillimisht kishte menduar si Lëvizja e Korçarëve Autonomë Rajonalë, por pasi kishte veçuar gërmat fillestare të fjalëve kishin parë që nuk tingëllonte tepër e paqme.) Më shpjegoi se menjëherë mund të kisha një vend në kryesinë e Partisë LKA, si përfaqësues i zonës së Oparit, ku mund të jetë në të ardhmen edhe zona ku do kandidoj. Më erdhi mirë. Po kthehesha me të vërtetë në rrënjët e stërgjyshëve tashmë edhe fizikisht, se mendërisht jam gjithnjë në Dushar. Më saqroi se të gjithë anëtarët e kryesisë do kenë mbiemra fshatrash për ta bërë lëvizjen më autentike dhe më të besueshme. Janë tashmë të përcaktuar anëtarët me mbiemra Trebicka, Polena, Ravoniku, Belortaja, Dishnica dhe Velitërna dhe më vonë do shtohen edhe disa të tjerë. I thashë se mbiemri im nuk është mbiemër fshati, por ai me fleksibilitet më sugjeroi në ishte e mundur që ta ndryshoja mbiemrin në Dushari dhe mu duk krejtësisht e llogjikshme. Naum Dushari. Tingëllon bindës si përfaqësues i popullit. E mendoj që tani kur Kryetari i Kuvendit me solemnitet të thotë: “Fjala i jepet deputetit Naum Dushari”. (Për tu bërë deputet edhe emrin mund ta ndryshoj në Naim, se në fund të fundit një gërmë është dhe edhe gjyshin tim në Stamboll, turqit i drejtoheshin Naim bej.)

E pyeta se ç’kishte ndodhur mes tij dhe Ramës pasi kishte bërë gjestin e ofrimit të Penës së tij në shërbim të Gjatgjithfuqishmit, por mu përgjigj që është një histori e gjatë dhe do e shpjegojë me hollësi kur të bëhet mbledhja e parë e Kryesisë së Partisë së re.

Isha kureshtar edhe në se kishte dijeni Nikoja dhe cili ishte qëndrimi i tij. Më siguroi se Nikoja e mbështeste këtë lëvizje dhe në një të ardhme mesatare do i bashkohej LKA-së. Madje kishte vendosur edhe mbiemrin ta kthente në Mborja, për shkak të lidhjeve të afërta farefisnore me Selim Mborjen. Mbiemri aktual i kishte shkaktuar jo pak probleme në rrjetet sociale.

Edhe orientimi ideologjik i LKA-së do jetë Parti e Qëndrës së Mesit, që e bën të hapur për të gjithë dhe që do i garantojë jo vetëm fitorjen në Qarkun e Korçës, por dhe me siguri do e bëjë edhe pjesë të koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Më në fund kur e pyeta se a do më lejohet të lexoj gazetat e vjetra të Korçës, që i ka Biblioteka e nuk m’i jep, më tha se krahas punës si deputet mund të bëhesha edhe drejtor i Bibliotekës, si “dy herë “Mik i Librit” në moshën 9 dhe 12 vjeçare.

Nuk kam ç’të kërkoj më shumë!

Më fal Drejtoresha Dhëmbi, por duhet të të kishte shkuar mendja më parë e ta ktheje mbiemrin në Polena!

No comments:

Post a Comment