E di që sa të lexojë titullin, avokati im do më hidhet në grykë dhe do më akuzojë se jam tepër i fokusuar në vetja, se askujt nuk i bie ndërmend se rroj unë në botë, se edhe nëse bëhen zgjedhje të parakohëshme dhe do kandidoj për deputet në Korçë të gjithë do më injorojnë etj., etj. Dhe ndoshta ka të drejtë se unë, duke qënë në një “internim me kushte të mira” e ndjej veten të rëndësishëm më shumë se sa jam në të vërtetë dhe shumë më shumë se sa jam në sytë e popullit socialist të qytetit ku kam lindur.
Ka edhe një arsye më shumë që ai ka të drejtë, se ka disa vjet që asnjë anonim nuk shkruan më komente kundër shkrimeve të mija në blog. Humbi dhe “miu i gjirizave”, gjë që ka kohë që e vajtoj.
Por unë nuk e humb të drejtën të ndjehem i rëndësishëm dhe besoj se sa më shumë moshohem aq më tepër do më shtohet kjo ndjesi e rreme.
Për shembull injorimin në mendjen time e quaj që “më kanë vlerësuar si armik të pandreqshëm të popullit socialist” dhe nuk merren më me mua. Se dikur më vinte ndonjë fjalë nga reagimet e atyre, që ishin objekt të shigjetimeve të mija, por tani “niente di niente”.
Veç sot ndodhi diçka që më bëri të mendoj se ndoshta nuk jam shumë shumë larg nga një idea se jam “armik”. Një shoku shumë të afërt, që nuk jeton në Shqipëri, i kishin dërguar haber se ishin të pakënaqur nga statuset e tij në Facebook pro Revolucionit Flamingo. Unë nuk di se kë ka “friends” shoku im, se vetë ka 12 vjet që jam larguar nga ajo platformë. Por dikush lexon gjithshka, raporton diku dhe të gjitha shkojnë në veshin e duhur për të marrë masat e duhura.
Mu kujtua që vite më parë, dikush nga Shqipëria këshillonte disa të njohur në Amerikë, që mos bënin “like” në shkrimet e mija që postoheshin në Facebook nga të tjerë. Dhe Dikushi këshilltar nuk ishte as i “popullit socialist” dhe as “patronazhist”.
Me një fjalë ky sistem “kapilar” i poshtër i denoncimeve ekziston në Shqipëri. Në mënyrë të organizuar apo jo, njerëzit janë vigjilentë. Vigjilentë ndaj atij apo asaj që shkruan kundër Vijës së Partisë , që përgojos Udhëheqësit apo që “nxin realitetin shqiptar”.
Ndoshta dhe unë jam në “listat e armiqve të populllit socialist”, por nuk prekem për shkak të moshës, së mungesës së reputacionit dhe se nuk kanë se kë të prekin nga të afërmit e mij në Atdhe. Më i afërmi është djali i tezes në Tiranë, por dhe ai është në pension. E ndoshta orientimet për “luftë klasore” nuk shkojnë deri në kushërinjtë e parë.
Tani më vjen ndërmend që edhe një kolegu im, që ishte aktiv në përpilimin e një Letre të Hapur drejtuar Peleshit për të ndaluar ndërtimin e Kullës, kur pyeti të motrën që punonte në administratën vendore në Korçë, ajo i tha :”Bëj si të duash, por këta i shikojnë të gjitha!”. Ai nuk e firmosi Letrën e Hapur.
Atëhere më dukej e llogjikshme se bëhej fjalë për një Letër të Hapur që do botohej në shumicën e gazetave shqiptare.
Por vigjilenca e atyre që janë “Në shërbim të popullit” qënka rritur edhe më shumë dhe ndoshta në këto ditë protestash, kur Kryekarvanari i Karvanit Socialist është në vështirësi, “qentë që lehin” nuk mund të lihen më të lehin, por është mirë t’ju dërgohet haber se edhe mund të ndëshkohen.
Tani po ndjehem i plotësuar si “armik i popullit socialist” ndonëse kjo mund të jetë edhe shënjë paranoje, si më quajti një poet që kishte shkruar dikur një vjershë për Niko Peleshin dhe që më cilësoi si një “thashethemexhi paranoiak”. Por paranojë, apo mbivlerësim i vetes, ose dhe të treja së bashku (e dyta mungon se është njëlloj si e para) unë nuk e mbaj dot tastierën e kompjuterit mbyllur. Dhe kur shkruaj, shkruaj ato që më vijnë pa menduar shumë se diku, në një skutë të errët apo në një zyrë të ndriçuar mirë, një patronazhist që merr një rrogë kot në administratë mund të lexojë çka shkruaj dhe të raportojë “ka bërë edhe një tjetër!”
Nuk kam shkruar në kohën kur mund të përfundoje në burg, por me dy tre shokë të mirë flisnim ato që mendonim dhe që jo rrallë ishin të tilla, që mund të klasifikoheshin si “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Dhe ishte vërtet me zarar nëse përfundoje në kthetrat e atyre që ishin “Në shërbim të popullit”. Nuk patëm asnjëherë as ndonjë të njohur prej tyre që të na paralajmëronte të kishim kujdes.
Tani mund të them hapur që jam armik i Ramës dhe i Berishës dhe i të gjithë “popullit socialist” dhe i “popullit demokrat”. Se edhe nëse përsëri avokati më kujton se “Për ato që shkruan nuk i bie ndërmend njeriu, se janë vetëm fjalë“ unë do i kujtoj vargun e Biblës:
Në fillim ishte Fjala.
Dhe për këtë jam i sigurt se ma ka kujtuar së fundmi edhe pastori Kristi Minga Ravoniku.
No comments:
Post a Comment