Thursday, 11 June 2026

Pse nuk duhet kërkuar bashkimi i 5 vilajeteve shqiptare?


Ka disa parrulla nacionaliste në turmën e Revolucionit Flamingo, të cilat mund të rrezikojnë mbështetjen ndërkombëtare ndaj Lëvizjes. Mes tyre më ra në sy një parrullë e madhe për bashkimin e 5 vilajeteve shqiptare, ose e shprehur më qartë është një Shqipëri Etnike me kufijtë që tregohen edhe në hartën në foton më sipër.

Përgjithësisht jam kundër çdo lëvizjeje nacionaliste në Ballkan. Nuk dua të kthehet sërish brenda atij termi të përdorur në më se 100 vjet nga Fuqitë e Mëdha – Fuçi baruti.

Në këto kohë jo të mira, kur lajmet kryesore në botë janë armatosje, drone, raketa, bombardime, nëndetëse bërthamore, sisteme mbrojtëse “Patriot” etj., retorikat dhe parrullat nacionaliste janë vërtet shumë të rrezikshme.

Kjo është arsyeja bazë, që ne duhet të jemi vazhdimisht të kujdesshëm dhe të mbajmë fort emrin e një shteti që nuk i ka sulmuar të tjerët, që prej kohës së Zogut. Nuk kemi qënë agresorë, por edhe duhet të mos tregojmë se kemi prirje të kthehemi të tillë.

Po a është çështja e Shqipërisë Etnike diçka që mund të ketë mbështetjen e plotë të SHBA dhe të Bashkimit Europian?

Mendoj se as SHBA dhe aq më pak Bashkimi Europian do jenë mbështetës të kësaj aspirate të një grupi të madh të shqiptarëve edhe në një të ardhme të paktën 30 vjeçare. Idea e bashkimit të 5 vilajeteve parashikon që të futen brenda shteti të sotëm shqiptar Kosova, Camëria, një pjesë e Maqedonisë dhe territore nga Sërbia dhe Mali i Zi. Nëse bashkimi me Kosovën është diçka që ka për të ndodhur, sepse bëhet fjalë për dy shtete shqiptare, prekja e trojeve të shteteve fqinjë me justifikimin se shumica që jeton në ato troje është shqiptare nuk ka asnjë mundësi realizimi, vetëm në rast se ne do jemi në gjendje të bëjmë marëveshje të veçanta me Greqinë, Maqedoninë, Sërbinë dhe Malin e Zi. S’ka asnjë fuqi e fuqishme europiane që mund të mbështesë “rivendosjen e të drejtave për shqiptarët” të shkelura dikur po nga ata. As Franca, as Gjermania, as Italia, as Anglia. Dihet që Rusinë nuk e kemi pasur mbështetje kurrë për çështjet e Kombit tonë.

Ndaj as duhet të na shkojë në mendje, se mundet që të kemi aleatë, të cilët do na mbështesin për këtë dhe do thërresin konferenca ndërkombëtare ku të vendoset rishikimi i kufijve.

Mënyra tjetër është që shqiptarët që jetojnë në ato troje, të krijojnë lëvizje të fuqishme irredentiste, të cilat edhe me mbështetjen e shtetit shqiptar mund të detyrojnë SHBA, Anglinë dhe BE-në të mbështesin me forcë ato lëvizje dhe të arrihet të paktën të krijohen krahina autonome, që administrohen nga shqiptarët e atyre trojeve. Problemi është që lëvizje të tilla nuk ka thuajse në asnjë vend fqinjë sot. Ndoshta më të mundshme janë në të ardhmen në Maqedoni, por në Mal të Zi nuk ka shënja të tilla, në Sërbi po ashtu dhe në Camëri thuajse nuk kanë mbetur shqiptarë, ose të mbeturit janë asimiluar për shkak të politikave shtypëse greke.

Ndaj mënyra e vetme është që të bashkohemi me Kosovën, të forcohemi ushtarakisht dhe në atë mënyrë t’ju imponohemi fqinjëve, që ose të bëjnë ndryshime të mëdha në trojet e banuara nga shqiptarët, ose do provojnë forcën e ushtrisë sonë. Dhe këto pretendime dhe presione mund t’i koordinojmë me një Bullgari agresore dhe me Turqinë që ka shënja qysh tash që është e tillë.

Po a do na mbështesë ndonjë aleat i madh?

Le të supozojmë se NATO nuk do funksionojë më pas dhjetë vjetësh, kur ne të jemi bashkuar me Kosovën. Të supozojmë se edhe Bashkimi Europian do jetë kthyer vetëm në një një lloj Bashkëpunimi Ekonomik si ishte dikur Tregu i Përbashkët. Këto kushte mund të favorizojnë fuqizimin e shteteve-kombe dhe lëvizjeve nacionaliste në to. Dhe si rrjedhojë Gjermania, Franca, Anglia, Rusia nuk do kenë mundësi të diktojnë shtetet mesatare, ku mund të hyjë dhe Shqipëria e Bashkuar. Kështu ne me Bullgarinë dhe Turqinë do “shtrydhim Greqinë“ që të marrim tokat që na takojnë? Me Bullgarinë dhe Sërbinë do bëjmë që mos ketë më shtet Maqedonas? Nga marëveshjet me Sërbët do reduktojmë Malin e Zi? Këto janë ëndërrat e nacionalistëve që kërkojnë Bashkimin e 5 vilajeteve shqiptare?

Edhe sikur të kemi të drejtën më të madhe për shkak të parimit të Vendvendosjes së popujve, ne nuk kemi si të injorojmë faktin, se diskutime të tilla ka mes gjithë shteteve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Qëndrore, madje edhe të asaj Perëndimore. Të gjithë të tjerët do rrinë duarkryq dhe do shohin me admirim se si 5 vilajetet shqiptare më në fund u bënë bashkë?

Cdo ndodhë me rusët e Moldavisë, hungarezët e Rumanisë, sërbët e Bosnjës dhe Kroacisë, kroatët e Slovenisë dhe Bosnjës, italianët e Sllovenisë dhe Francës, austriakët e Italisë dhe Hungarisë dhe sa e sa etni të tjera, që jetojnë brenda kufijve të shteteve të tjera?

Përgjigja e thjeshtë e shqiptaromëdhenjve mund të jetë se askujt nuk i janë bërë më shumë padrejtësi se sa na janë bërë ne, shqiptarëve. E thoshte edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “ne jemi i vendi vend në Europë, që jemi të rrethuar nga troje ku banojnë shqiptarët.”

(vijon)

No comments:

Post a Comment