Friday, 19 June 2026

Presidentët e “civilizum”


Kjo foto e djeshme nga përurimi i Bibliotekës së Obamas në Cikago ka mbushur internetin. Kundërshtarët e Trump e shohin si një dëshmi të sjelljes qytetare të presidentëve amerikanë ndaj njëri tjetrit. Në këtë mënyrë quajnë Trump si “barbarin” që prish këtë rregull të “Klubit të Presidentëve”, që rruajnë marëdhënie korrekte me njëri tjetrin dhe shkojnë në “gëzimet dhe hidhërimet” e tyre.

Unë e shoh me keqardhje, se mendoj se pikërisht prej tyre, sot në krye të botës është Donald Trump. Dua të përjashtoj dy nga gratë (Mishelën dhe Laran), sepse dy të tjerat gjithashtu kanë pjesën e tyre në “krimin” e “kapjes së Shtëpisë së Bardhë“ dy herë nga i paekuilibruari dhe i korruptuari “The Donald”.

Trump mori udhëheqjen në primaret e Republikanëve të vitit 2016 vetëm në sajë të paraqitjes si anti-establishment.

Amerikanët ishin të lodhur nga politikat e ngjashme të republikanëve dhe demokratëve, që në ekonomi favorizonin korporatat, fusnin Amerikën në luftra që nuk ishin në interesin e saj dhe po shtonin vazhdimisht diferencat midis super të pasurve dhe njerëzve të zakonshëm. Dhe përfaqësuesit më të shquar të establishmentit janë vetë Presidentët dhe pikërisht këta katër burra që kanë dalë në foto të gëzuar, a thua se në Amerikë dhe në botë çdo gjë shkon mirë dhe nuk kanë asnjë mëkat të madh veç disa gabimeve të lejueshme.

Bill Klinton i zhgënjeu amerikanët me gënjeshtrat e tij të vazhdueshme si dhe me shpërfilljen e treguar ndaj rolit model të Presidentit. Gjithashtu me ndryshimet ligjore në favor të bankave të mëdha i pat hapur rrugën krizës së madhe të vitit 2007.

Xhorxh W. Bush e futi Amerikën në dy luftra pa krye në Afganistan dhe në Irak, të cilat i shkaktuan SHBA- së humbje të kota në njerëz dhe rritje të defiçitit buxhetor. Senatorët Xho Bajden dhe Hillëri Klinton kishin votuar pro të dy luftrave. Me të njëjtat politika ekonomike të Billit solli edhe thuajse kolapsin e krizës së 2007-2008.

Barak Obama zhgënjeu amerikanët që e votuan si dhe të gjithë botën se mbajti të njëjtin ekip për ekonominë, që kishte patur Billi dhe ndonëse bëri përpjekje për të mbyllur “zjarret’ e Afganistanit dhe Irakut, nuk shmangu dot dy të tjerë në Libi dhe në Siri.

Xho Bajden, Presidenti më aksidentar dhe më i dobët amerikan pas Luftës së Dytë Botërore nuk solli asnjë ndryshim nga politikat ekonomike të Obamas, madje mbështeti qorrazi Ukrainën në luftën me Rusinë duke ndalur edhe marëveshjen për ndaljen e luftës mes tyre, që në muajt e parë të nisjes. Ndenji në detyrë edhe kur nuk ishte më i aftë të drejtonte vendin, madje kërkoi edhe një mandat të dytë.

Këto faje të tyre kishin bërë popullin amerikan të ishte i pakënaqur nga politikanët kryesorë të dy partive, përfshi këtu edhe “gërxhot” e Senatit dhe të Kongresit.

Publiku amerikan është i mirëinformuar dhe nuk mund të gjykohet lehtësisht se pse zgjodhi Trump në vend të Hillërit më 2016, apo përsëri Trump në vend të Kamalas më 2024.

Më 2016 kam shkruar se amerikanët do zgjedhin një mes “dy antipatikëve” Trump dhe Klinton, duke menduar edhe se Hillëri do fitonte. Por çifti Klinton ishte bërë simboli i “The establishment” dhe gjithashtu kishte treguar edhe të meta të karakterit, të cilat ndikojnë tek vendimi i zgjedhësve të lëkundur. Njerëzit ishin të lodhur edhe nga Bushët edhe nga Klintonët. Kërkonin të tjerë njerëz, jo të kryeqytetit, dhe Trump e kishte kapur këtë duke premtuar se do e thante “moçalin” e sistemit të korruptuar të Uashingtonit. Le ta provojmë thanë amerikanët dhe ndonëse ngushtë Trump fitoi.

Më të shumtëtë panë se nga “shiu Obama” kishin “rënë në breshërin Trump” dhe pas katër vitesh, kryesisht për shkak të dështimit të tij me pandeminë, Trump sikundër pritej humbi.

Por demokratët në vend të kishin zgjedhur dikë jo nga establishmenti, u duk se nuk e kishin marrë aspak mësimin e 2016. Futën në garë “Gjumashin Xho”, që ishte më tipiku i gardës që nuk pëlqehej nga amerikanët. Bajdeni kishte qënë në Kongres dhe në Senat prej 45 vjetësh.

Ndaj dhe amerikanët i ndëshkuan demoktratët pas katër vitesh duke votuar për një njeri që nuk kishte treguar as respekt për ligjin, as për institucionet dhe as për njerëzit. Donald Trump u rikthye me më shumë vota se herën e parë dhe me prirjen të transformonte Amerikën për keq. Diçka të tillë ka bërë në një vit e gjysëm.

Dhe këta katër burra, një zuzar, një kokëtrashë, një zhgënjyes dhe një derdimen, kanë dalë bashkë në foto duke qeshur dhe duke kujtuar se Historia do i ketë në faqet e arta të saj.

Pavarësisht se si do e shkruajnë historianët apo Inteligjenca Artificiale historinë e ditëve tona, një gjë është e sigurt se pa udhëheqjen jo të mirë të këtyre 4 burrave nuk do kishim Trump sot në drejtimin e Globit.

Por asnjëri syresh nuk ka bërë një mea culpa për këtë.

Nuk duan të dëmtojnë imazhin e tyre dhe “trashëgiminë“ e lënë në analet e Politikës Botërore.

No comments:

Post a Comment