Wednesday, 17 June 2026

A do i mbështesë gjenerali Uendt Flamingot?


Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri u konfirmua nga Senati i vendit të tij. Edhe pse nuk është njoftuar ende një datë e mbërritjes në Shqipëri dhe e fillimit të punës, ka të ngjarë që të jetë brenda qershorit. Zakonisht pas emërimeve dhe miratimeve që zgjasin në SHBA, me tu mbyllur procesi, diplomatët fuqiplotë shkojnë drejt vendeve ku u është caktuar të punojnë.

Unë e shoh pozitive caktimin më në fund të ambasadorit amerikan. U bënë vite nga largimi i ambasadores Kim, vendi ka qënë vakant dhe edhe pse puna ka vazhduar normalisht, një i ngarkuar me punë nuk mund të jetë i njëjtë me një ambasador.

Ambasadori amerikan, ka lënë disa vjet më parë uniformën dhe pasi ka dhënë mësim në një Akademi Detare, atje ku edhe ka studiuar, po vesh kostumin e diplomatit. Edhe pse përvoja e tij në diplomaci nuk është e gjatë (vetëm dy vjet si koordinator mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez për Sigurinë Kombëtare), unë kam bindjen se është një njeri më se i përgatitur për atë çka i është ngarkuar. Oficerët e lartë në vendet perëndimore nuk ngjasojnë me oficerët tanë të lartë, që përgjithësisht kanë vetëm edukim ushtarak. Erik Uendt është pranuar në një Akademi Ushtarake pasi është diplomuar për Ligj dhe Sociologji. Më pas ka shërbyer në shumë detyra ushtarake në botë dhe ka arritur deri në gradën e Gjeneral Leitnantit.

Nuk di se cilat janë pritshmëritë në Shqipëri nga dy krahët e politikës për gjeneralin – ambasador, por mendoj se do zhgënjehen edhe ata që mendojnë se Uendt “do spastrojë sorroistët”, por dhe ata që mendojnë se ambasadori i ri do jetë dikush që mund të mos përkrahë fuqizimin e Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë edhe futjen e Shqipërisë në të.

Ambasadorët amerikanë në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, janë sjellë si të ishin Guvernatorë. Dhe ndonëse shumë analistë antiamerikanë ja u kanë hedhur atyre dhe Shtëpisë së Bardhë fajin, unë jam i bindur se faji ka qënë plotësisht i poltikanëve dhe qeveritarëve tanë. Këta kanë raportuar vazhdimisht në “Rrugën e Elbasanit”, kanë kërkuar mbështetjen e ambasadorit të rradhës, kanë propaganduar qëndrimet e tyre si të ishin ligj për popullin dhe kanë “hapur barkun” edhe për sekretet shtetërore edhe kundër njëri tjetrit. Ndaj nuk ka asnjë nëpunës të një vendi tjetër që mund ta refuzojë rolin e “guvernatorit” të servirur në pjatë nga vendasit. Në rast se do vazhdojnë po në të njëjtën mënyrë (që ka shumë të ngjarë) nuk është çudi, që ish-gjenerali, i cili është mësuar të komandojë, të mos e humbë rastin për tu përfshirë në çdo aspekt kryesor të jetës politike dhe institucionale shqiptare.

Për fat të mirë, para Senatit, Uendt kishte bërë një deklaratë hyrëse “standart” e cila nuk prekte as SPAK dhe as aspekte të tjera të jetës politiko-institucionale shqiptare. Ai kishte theksuar se do punonte për të mbrojtur interesat amerikane në Shqipëri, që është edhe puna e vërtetë e çdo ambasadori,

Tani për tani nuk kuptohet nëse Revolucioni Flamingo përputhet apo jo me interesat amerikane. Sigurisht që interesat e një investimi ku janë përfshirë çifti Kushner, hyn në të ashtuquajturën interesa amerikane, se bëhet fjalë për një investim ku janë përfshirë dy amerikanë dhe jo pak të rëndësishëm. Nëse ambasadori do shprehet hapur pro tyre, do merret si një mbështetje ndaj Ramës dhe ai do e tundë para të gjithëve si po tund deklaratat e Kosit. Edhe pse kjo situatë hipotetike nuk do i shkurajojë protestuesit, përsëri është e dëmshme për Lëvizjen. Do ketë njerëz të përfshirë me gjysëm zemre , që do largohen dhe njëkohësisht “patronazhistët konspiracionistë“ do mundin të përhapin thashethemet “është vendosur në Uashington, që Rama të jetë deri në fund të vitit 2029.”

Në rast se amabasadori i ri nuk do bëjë asnjë deklaratë pro ose kundër Revolucionit, por do thotë se “SHBA mbështet të drejtën e njerëzve për të protestuar si shënjë e zhvillimit të demokracisë“, atëhere do kemi një qëndrim neutral të SHBA-së, i ngjashëm deri diku me qëndrimin “impotent” të Bashkimit Europian sot.

Por Flamingot nuk mund të injorojnë as SHBA-në, as Bashkimin Europian dhe si rrjedhojë as ambasadorin e BE-së , por në mënyrë të veçantë gjeneralin Uendt. Eshtë shumë e domosdoshme që përfaqësuesit kryesorë të tyre të takohen me diplomatët kryesorë në Tiranë dhe të shpjegojnë synimet e tyre dhe vizionin e Shqipërisë së Re. Nëse kërkesa e menjëhershme për dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohëshme mbetet në shesh, nuk ka për tu realizuar! Asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk mund të mbështesë këtë kërkesë në ajër, pa njohur se cilët janë “krerët” që e kërkojnë dhe se ç’rol do jenë në gjendje të luajnë në të ardhmen e Shqipërisë. Dhe nuk duhet të presin që ambasadorët t’i kërkojnë në takim, por të shpalosin qartë pikat e programit të tyre dhe të kërkojnë të takohen me të huajt. Më pas shumë gjëra do vendosen nga interesat imediate të SHBA-së dhe BE-së, si dhe nga përshtypja që do lenë gjatë këtyre javëve numurat e protestuesve dhe liderët e tyre.

Ndaj le të mos paragjykojmë parakohe ambasadorin e ri amerikan dhe rolin që do luajë në të ardhmen e Shqipërisë!

Eshtë kryesisht në dorën e shqiptarëve dhe të mënçurisë që do tregojnë politikanët e së ardhmes, që duhet të dalin nga Revolucioni Flamingo.

No comments:

Post a Comment