Thursday, 25 June 2026

“Contro di tutti” (fund)


 (vijim)

Për Dritëroin nuk besoj se kam shkruar në blog më shumë se 3-4 shkrime. Më tepër kanë qënë rreth figurës së tij si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në periudhën e terrorit më të madh ndaj të gjithë kundërshtarëve të regjimit, përfshi këtu edhe artistët dhe njerëz të letrave. Jam lëkundur të përcaktoj nëse Dritëroi ishte dikush që i mbrojti me të gjithë forcën krijuesit, apo dikush me një sjellje të dyfishtë, si mbrojtës i tyre por njëkohësisht edhe dikush që mbante marëdhënie shumë të mira me Diktatorin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Ka qënë një dyzim i përhershëm i imi ndaj tij, si ndaj një krijuesi që do mjaftonte “Zylua” për të qënë mes më të mirëve të letrave shqiptare dhe një poeti që kishte “kapur” rolin e 2shit mes shkrimtarëve shqiptarë pa e merituar me poezitë dhe poemat që kishte botuar. Dritëroi i cilësuar si “poeti i popullit” kishte mbështetjen e masave kryesisht jo mirë të arsimuara, që e deshin edhe për natyrën e tij popullore edhe më shumë se sa për vargjet. Do e quaja si krijuesin hero për një popullsi patriote dhe injorante, që nuk kuptonte as se ç’ishte komunizmi dhe as se ç’ishte bota ku jetonim. Ndoshta këtu qëndronte edhe “mllefi” im ndaj një njeriu të mënçur dhe që pat qënë student shumë i mirë në Moskë.

Zamir Mane, njeriu më i pasur në Shqipëri ka qënë objekt i disa shkrimeve të mija kritike me një ton therrës. Mane është nga Korça, por ka qënë i një brezi që nuk ka pasur kontakte me mua në shkolla dhe nuk e kam njohur as për fytyrë. Kam qënë tepër indiferent ndaj tij si figurë, deri sa kam parë një intervistë dhënë një televizioni të huaj që e largonte shumë nga intervistat e të pasurve amerikano-veriorë që kam dëgjuar këtej. E megjithatë, unë kam pasur një ndjenjë vlerësimi për ata që janë pasuruar pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri, sepse e quaj aftësi të fillosh nga një pikë 0 dhe të bëhesh multimilionerm si Zamiri por edhe dy tre korçarë të tjerë. Shkrimi i parë disi kritik ndaj Zamirit ishte 7 vjet e gjysëm pas krijimit të blogut dhe titullohej “A është atentati ndaj Zamir Manes një sekret shtetëror?” dhe ndonëse aludoja që është një ndërthurje e pushtetit polik me atë mediatik dhe ekonomik, tehun e kisha tek qeveria e Ramës dhe mediat.

Vazhdimisht kam quajtur, që më të pasurit në Shqipëri nuk janë ata që krijuan sistemin korruptiv në Shqipëri. Ata janë detyruar të “luajnë vallen” e kompozuar nga Berisha, Nano, Rama dhe duke pasur më shumë rezerva monetare se biznesmenët e tjerë, kanë mbetur gjithnjë e më pranë kryeministrave shqiptarë. Edhe nëse janë përzjerë me paratë e krimit të organizuar, këta super biznesmenë janë të detyruar më shumë të pranojnë bashkëjetesën ekonomike me ta, se sa kanë kërkuar ta kenë vetë. Ndaj edhe shkrimet e mija kundër Zamirit kanë qënë të vona dhe nuk di të kem prekur dikë tjetër të pasur nga të përfolurit në shtyp. Dhe duhet të përmend që indinjata ime ndaj Manes është krijuar kur hyri me ndërtime në një zonë të gjelbëruar të Korçës, që ai e ka njohur mirë. Eshtë një bllok banimi për njerëz të pasur, por që ka shëmtuar atë kodër të bukur dhe nuk ka asnjë lidhje me urbanistikën dhe arkitekturën e Korçës. Kompleksi në fjalë është ende i papërfunduar. Më duhet ta shkruaj qartë, që nuk kam asnjë lloj zilie për milionat e Zamirit, të vëna me djersë dhe zgjuarsi apo me akrobaci tregëtare politike, apo me një kombinim të të dyjave.

Të gjithë njerëzit, përfshi dhe ata që shkruajnë, kanë pengje apo edhe mllefe të kohëve të fëmijërisë dhe të rinisë. Përgjithësisht janë mbresa që edhe nëse i zbeh koha mbeten gjatë në mendje dhe ndoshta ndonjëherë edhe deri në fund të jetës. Më shpesh lidhen me shkollën dhe me raportet me figurat autoritare, që prej mësuesve të thjeshtë dhe deri të themi tek Dekani i Fakultetit. Po flas për njerëzit që nuk janë përndjekur nga sistemi diktatorial, qoftë me privime të caktuara ose edhe me përballje me hetuesinë apo edhe me burgun.

Unë nuk kam qënë një “nxënës i mbarë“ dhe si rrjedhojë kam pasur probleme ndonjëherë të mëdha që prej mësueses sime të parë, tek një nëndrejtor, një drejtor dhe një ose dy pedagogë në Universitet. Por edhe pse kam pasur marëdhënie tepër të ftohta me ta, kur jam rritur, nuk kam ruajtur ndonjë mllef, që “t’ja u nxjerr” sa mu dha rasti të shkruaj ato që quaj “si të vërteta” në blogun tim personal. Bën përjashtim vetëm një pedagoge, të cilën e kam përmendur jo për mirë në disa shkrime të mija. E ndjera ing. Tamara Gjoka më ka dhënë mësim për 3 vjet dhe më ka vlerësuar me nota të mira në lëndët e saj. Ngulitja e figurës së saj si një pedagoge që nuk përcjell vlerat që duhet të ketë një pedagog në mendjen time, ka nisur nga një zhgënjim i plotë prej saj. Pata kuptuar diku nga fillimi i vitit të dytë, që pas fasadës së saj si një mësimdhënëse dashamirëse ndaj studentëve, ishte dikush me komplekse të mëdha, që arrinin deri në përpjekje për të kontrolluar zhvillimin e studentëve të talentuar. Nuk arrija dot të përtypja se si një pedagog me aftësi mbi mesatare të ketë një qasje të tillë ndaj profesionit, që është e kundërta e asaj që duhet të jetë. Ing. Gjoka mund të kishte zgjedhur fare mirë të bënte një punë tjetër që ta mbante larg zilisë ndaj studentëve, zili që ajo ndonëse përpiqej shumë nuk arrinte dot ta fshihte plotësisht.

Më vonë pata mësuar se ish-pedagogia ime ishte bërë edhe rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës, por kjo nuk më ndryshoi opinionin tim dhe i qava hallin Universitetit, Fakultetit të Arkitekturës dhe studentëve. Nuk ndjeva pendesë për ato që pata shkruar ndonëse kur mësova për largimin e saj nga jeta shkruajta diçka pozitive In Memoriam.

Duke ju kthyer të pesë emrave të përmendura në këtë shkrim,veç inxhiniere Gjokës, të katër të tjerët janë njerëz që nuk i kam njohur personalisht. Gjykimi mbi ta ka qënë i bazuar mbi veprat. Duke mos dashur të tregohem si një njeri “objektiv në maksimum” më duhet të them se edhe histori të botura në media, apo edhe rrëfime të njerëzve që i besoj, kanë ndikuar në opinionin tim rreth Uilsonit, Kadaresë, Agollit dhe Manes. Spunton shkrimet e kanë pasur nga ngjarje të ditës, ose dhe nga përpjekjet e mija për të analizuar ngjarje të së kaluarës ose fusha të caktuar të jetës shqiptare për të cilat mendoj se kam njohuri të mira ose mesatare.

A mund të kisha kursyer disa kritika dhe të kisha qënë më bon-ist?

Për këtë duhet të isha një tjetër njeri.

No comments:

Post a Comment